Prishtinë, 30. 06. 2014 – (Simulimi për penalti dhe koalicioni me dredhi) – Futbolli dhe politika janë dy fusha ku ka më së shumi trukime (kurdisje), shumë para, josinqeritet, manipulime me masa, kujdes apo tërheqje mediatike, dhunë, ngritje të adrenalines, kafshime fizike dhe kafshime erotike, heronj dhe tradhëtarë, gjenialë dhe trutharë, të guximshëm dhe qyqarë, presidentë dhe kryetarë, mbrojtje të parimeve dhe shkërdhim të premtimeve dhe shumë gjëra të tjera. Sot në botë dhe në Kosovë (si epiqendër e interesit botëror) janë dy zhvillime që të lënë pa frymë dhe me të cilat preokupohemi 24 orë; kampionati botëror i futbollit në Brazil dhe formimi i koalicionit të Bali Katravellës (LDK – AAK – Nisma për Pushtet dhe përforcimi i radhës apo transferimi top, koalicioni LVV – FERR). Sot bota po merret kryesisht dhe vetëm me kampionatin e futbollit në Brazil dhe koalicionin e Bali Katravellës! Kampionati i futbollit në Brazil solli shumë befasi, edhe në rezultate por edhe në sjellje. Referët kryesisht nuk e morën notën kaluese, deri më tani sepse, duke marrë vendime të gabuara ndikuan në rezultate duke eliminuar ekipe që ishin favorite për titull por edhe duke shkatërruar lojën.
– Qeveria e Bali Katravellës –
“Po bëjmë qeveri prej zori me të vetmin qëllim ta rrëzojmë Hashim Thaçin”!!!
****
Flitet se aty ka shumë trukime të rezultateve. Kur flitet te futbolli nuk mund të mos e përmendi “mishngrënësin“ Luis Suarez, ylli i Liverpulit dhe Uruguajit i cili për shkak të paraqitjeve raciste kundër lojtarëve me ngjyrë tjetër u përjashtua për shumë ndeshje duke e dëmtuar Liverpulin. Gjithashtu, edhe në kampionatin e futbollit në Brazil shkaku se e ngatërroi menynë ushqimore duke e kafshuar krahun e Kielinit në vend të një bifteku, ndikoi që ekipi i Uruguait të eliminohet që në ndeshjen pasi u dënua Për mua ishte jashtëzakonisht i pamoralshëm , i ulët dhe i ndytë simulimi i Ariel Robenit në minutën e 90-të të lojës me Meksikon pas së cilës referi kryesor mori vendim kriminal duke akorduar penallti për Hollandën pas së cilës Meksiko (pa të drejtë) u eliminua nga gara për titull. Nëse Suarezi për kafshim të krahut të Kiellinit u dënua me katër muaj moslojë dhe 9 ndeshje , Ariel Robeni, për shkak të mashtrimit dhe sjelljes imorale është dashur të dënohet për së paku një vit ndalim paraqitjeje në fushën e futbollit ndërsa referit kryesor që e akordoi këtë penallti kriminale as që do t’i lejoja më të ndajë drejtësi në fushat e futbollit! Holanda me veprimin e pamoralshëm dhe të ulët të Ariel Robenit, nga një humbës i sigurt u kthye në një fitues të pamerituar. Në të njëjtën mënyrë po vepron edhe koalicioni i Bali Katravellës në politikën ( mender me thënë ) kosovare ku nga një humbës i certifikuar, me goditje të ulëta alla Roben dhe kafshime alla Suarez po përpiqet të shndërrohet në fitues. Dhe me këtë po dërgon një porosi të qartë se nuk ia vlen t’i fitosh zgjedhjet kur është një mundësi që me bashkimin e atyre që i kanë humbur zgjedhjet të fitohet pushteti! Merreni me mend se çka deklarojnë ata që duan ta marrin pushtetin me përmbytje dhe duke shkelur çdo parim njerëzor, kombëtar, moral duke deklaruar se: “po bëjmë qeveri prej zori me të vetmin qëllim ta rrëzojmë Hashim Thaçin“. Apo se:”nuk jemi ne parti që duhemi shumë që e formuam koalicionin Bali Katravella por nuk duam kurrë më që të bëhet Thaçi 3“. Ose, ta dërgojmë së pari Thaçin në shtëpi e pastaj në Dyz (burgu për siguri të lartë) duke e treguar qëllimin e vërtetë pse duan ta marrin pushtetin! Jo se duan ta zhvillojnë Kosovën apo ta luftojnë krimin e organizuar, korrupcionin, ulin papunësinë, varfërinë etj., për të cilat qytetari i Kosovës ka më shumë nevojë se peshku për ujë por se duan ta rrëzojnë Thaçin thuaja se me largimin e Hashimit, Kosova do të bëhet parajsë e prekur me shkop magjik! Ky është koalicion ku humbësitë e zgjedhjeve faturën e përgjegjësisë për humbje dhe mospërmbushje të premtimeve e kanë shndërruar në xhoker të urrejtjes kundër Hashim Thaçit, i cili i ka mundur të gjithë në zgjedhje duke u dhënë mësim se si duhet të bëhet fushata. Në “fushëbetejë“ politike i ka mundur të gjithë kundërshtarët dhe këtë duhet ta pranojnë! Më vjen keq që në kohën kur Bardhyl Metaj, në emër të LDK-së pati organizuar të pame për humbjen e PDK-së dhe Hashim Thaçit nuk pata qëlluar në Kosovë dhe më shkoi huq e pamja në ndërkohë që nuk e dija adresën ku duhej të dërgohej telegrami i ngushëllimit! Humbësitë që po e bëjnë këtë e dinë pse e bëjnë. Isa Mustafa për ta shpëtuar lëkurën politike e cila, po të mos ishte ky koalicion do të përfundonte si lëkurë për tupan për ditën e Bajramit apo lëkurë për ndonjë kanaxheq në martesën e një lëneshe politike! Albin Kurti sepse konfliktin “politik“ me Thaçin e ka krejtësisht të natyrës personale e aspak parimore, njerëzore, kombëtare, shtetërore etj. Fatmir Limaj sepse po vlerëson se i ka ardhur koha t’ia “fusë“ Hashimit për pësimet e tij deri më tash dhe ato që do të vijnë në të ardhmën. Ramush Haradinaj sepse e ka vlerësuar se nëse nuk bëhet tash kryeministër, nuk do të bëhet më në 500 vitet që vijnë! Këto motive i kanë bërë bashkë. Kur ishim në burgjet e ish Jugosllavisë ilegalisht e dëgjonim Radi Tiranën dhe më kujtoheshin këngët shumë të bukura që këndoheshin nga Na Bashkoj Kënga Popullore. Tash, çdo ditë po dëgjojmë nga koalicioni i Bali Katravellës kakofoninë: “na bashkoj urrejtja kundër Hashim Thaçit“! Kjo është e tëra që ky koalicion po ofron për të ardhmën e Kosovës! Urrejtja në vend të tolerancës! Burgosja në vend të rritjes së vlerave demokratike dhe lirisë! Në një vend ku politikani kërcënon botërisht kundërshatrët në arrestime, gjykime dhe dënime nënkupton suspendimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës, dhunim të demokracisë, arbitraritet nga pozita e të fortit dhe zëvendësimin e ligjit me kërbaç! Mbi kësi shteti ku policia përcakton vlerat demokratike përmes politikanëve të etshëm për hakmarrje nuk mbetet asgjë vetëm të pëshurrësh mbi të! Prandaj edhe është jonormal dhe i panatyrshëm ky koalicion sepse për bazë e ka urrejtjen personale, hakmarrjen, si përmbajtje të ambalazhuar me “një qeveri të shpëtimit…” Nëse keni parasysh profilet e”katër musketirëve“ që do ta formojnë qeverinë e “shpëtimit apo emergjencës për ata që janë të mençur ku unë nuk bëj pjesë“ atëherë lirisht mund të konstatohet se do ta kemi një situatë kur deri tash ju ka rrahur një stupc (llos) e tash do t’ju rrahin katër stupca (llosa). Nuk po shoh këtu fare ndryshime dhe nuk mund të ketë ndryshime nëse dikush vjen në pushtet si klandestinë dhe duke ofruar dhunë në emër të paqes!
Dy qeveri, dy mizëri
Qeveria në detyrë po mbanë mbledhje të rregullta ku ka aktivitete sa për ta mbajtur vendin gjallë! Sa për të mbijetuar! E pritshme kur kemi parasysh faktin se disa ministra që ishin kontrabanduar aty më nuk do të jenë pjesë e qeverisë! Fatkeqësisht për ta e fatmirësisht për vendin! Hashim Thaçi si kryeministër në detyrë duket hepi në pamje të jashtme. Sikur të ishte kthyer nga Lazarati pasi u dogjën qindra tonelata marihuanë! Brenda besoj se është sikur vullkani Etna në Itali! E keqja është se paska mbetur me një dhëmb më pak që automatikisht nënkupton se e ka të zvogëluar hapësirën e kafshimit! Besoj se i kanë mbetur mjaftueshëm dhëmbë për t’u përballuar me këta të koalicionit. Realisht nuk i duhen edhe dhëmbë aq të fortë! Mjaftojnë edhe dhëmbët e socialit me u përballur me koalicionin paszgjedhor. Shkaku se këta dhëmbët i kanë mprehur pas betejës (pas zgjedhjeve). Hashim Thaçi tash po përballet me faturat që po vijnë për fajin e tij sepse antivlerat, me një magji alkimike i shndërroi në vlera. Këto fatura janë të vogla dhe të durueshme sepse janë pa TVSH. Ato që do të vijnë në të ardhmën do të jenë shumë më problematike. Mirëpo Hashim Thaçi mund të bëjë transakcione politike edhe për një kohë. Sepse, realisht nuk ka kundërshtarë në Kosovë sot. Këta të koalicionit të Bali Katravellës nuk kanë forcë ta shembin por ka mundësi që disa prej tyre të përfundojnë në gërmadhat që vet po i shkaktojnë! Të ndash poste kur nuk i keni fituar zgjedhjet nuk dallon aspak nga veprimet e forcave rebele në Tikrit apo Peshevar! Të mbashë mbledhje të “kabinetit qeveritar“ pa përfunduar procesi zgjedhor është sikur të bësh plane të martohesh me Anxhelina Zholi në xhaminë e Bubavecit! E kuptoj plotësisht që LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën kanë motive të forta të bëhen pjesë e qeverisë. Sepse asgjë që ka propozuar koalicioni në pushtet nuk e kanë refuzuar kurrë. Madje, kanë qenë më të vendosur se vet pozita për bisedime me Serbinë, Asociacionin e Komunave Serbe, procesin e privatizimit dhe të gjitha të tjerat që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës!
Koalicioni LVV – FERR po e kushtëzon dhënien e besimit për qeverinë e Tikritit me pranimin e kushteve të këtij koalicioni sikur që është pezullimi i bisedimeve me Serbinë, mosformimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Veri, ndalja e procesit të privatizimit etj. Këto janë përralla dhe LVV – FERR në fakt po ofrohet të bëhet pjesë e qeverisë së Tikritit! Koalicioni LVV – FERR më nuk ka të drejtë të flas për parime, bashkim kombëtar dhe dokrra të tjera të folklorit politik! Ata do të pranojnë të bëhen pjesë e qeverisë edhe nëse nuk u përmbushen këto kushte. Vetëm kërkojnë një arsyetim për këtë. Një mundësi të futen në ujë e mos të lagen! Pjesa kombëtare e LVV ka ikur nga aty. E eliminuan Avniun, Afrimin etj. U largua Florini sepse nuk pati dëshirë të bëhet deputet! Rexhepi do ta ketë një të ardhme problematike. Këtu më nuk do të ketë hapësirë për veprim kombëtar as për Glaukun e as për Liburnin. Dhe ata që mbesin nuk e kanë e as nuk do ta kenë fare problem të bëhen pjesë e qeverisë. Nuk mund të flitet më për parime. Ndryshe, si mundeni, me të gjitha ato parime ta përkrahni një koalicion të cilin (që të tre anëtarët Isën, Ramushin dhe Fatmirin i keni quajtur hajna, zhvatës dhe kriminelë)! Pasi e morët Prishtinën, i filluat hetimet ndaj Isës dhe kompanisë ndërsa tash, pasi jeni bërë bashkë i keni pezulluar këto hetime. Kush do t’ju besojë më! Bernard Sho i pati ofruar një shumë një bukurosheje për të fjetur me të! Ajo refuzonte deri propozimi i Shout ishte 100.000 paund kur edhe pranoi ofertën. Atëherë Shou i dha një kartmonedhë prej 10 paundësh duke i thënë se pjesën tjetër do ia japte pasi të kenë mbaruar punë! Çështje pazari është kjo! Po pranuat të flisni për çmim, harrojini parimet! Po pranuat të flisni për mundësinë të bëheni pjesë e qeverisë, ju në fakt keni pranuar të bëheni pjesë e qeverisë!