EDIP TËRSHANA: ENVER, SOT ME PUSHTETIN POPULLOR – SHQIPËRIA ËSHTË NË ROBËRI TË BELIGRADIT POLITIKISHT DHE EKONOMIKISHT!

Pashtriku.org, 10. 07. 2014 – “Për mua Dibra ka qenë e asht Shqipni. Ta kërkosh atë, nuk asht aspak shovinizëm” – kështu deklaron mësuesi dhe themeluesi i Lëvizjes Antifashiste në Dibër, Edip Tërshana para gjyqit komunist. Citat i shkëputur nga protokolli i Prokurorisë Ushtarake të Dibrës (Peshkopi), në fl. 115.) – Në Arkivin e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe atë të Shërbimit Sekret Shqiptar ka shumë dosje që hedhin dritë mbi, pushkatimet, persekutimet, burgosjet dhe internimet e mijëra shqiptarëve gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri (1945 – 1990). Nga të dhënat jo të plota që janë në arkivin e Ministrisë së Brendshme rezulton se, gjatë këtij regjimi u vranë 5157 persona dhe vdiqën nëpër burgje 9052 vetë; u burgosën si të dënuar politikë 17 900 vetë dhe u internuan për motive politike 30 383 të tjerë. Të gjitha këto shifra janë argumentuar me foto dhe dëshmi tjera arkivore, në librin (album) “Terrori komunist në Shqipëri”, të përgatitur nga Enver Kushi dhe Fatmir Boshnjaku, e të botuar nga Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë. Në kapitullin e personaliteteve që u pushkatuan nga regjimi, është botuar për herë të parë edhe një nga letrat më të përfolur, ajo e mësuesit Edip Tërshana, i cili gjatë luftës themeloi Lëvizjen Nacional Çlirimtare në Dibër. Pas përfundimit të luftës – Edipi, për shkak të mospajtimit me rrugëndërtimin e pushtetit popullor, në maj të vitit 1947 arrestohet dhe gjatë heutesisë ndaj tij përdoret një torturë e tmerrshme. Edip Tërshana u dënua me pushkatim, por – më 22 nëntor 1947, pak para se t’i jepte fund jetës në qeli – duke prerë damarët, në dy anët e gazetës “Bashkimi”, me laps i shkruan dy letra, një për vajzën dhe tjetrën për Enver Hoxhën.

– Edip Tërshana –

Terrori komunist në Shqipëri!

==========================

Ҫka i shkruan Edip Tërshana – Enver Hoxhës?!

Letër e Edip Tërshanës dërguar Enver Hoxhës

Enver! Ideali Kombëtar më ka ba që jam kundra Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Unë isha në Dibër krijuesi i saj. Lëvizja Nacional Çlirimtare është një tradhëti e Atdheut, se jo vetëm që hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin Popullor Shqipëria është në robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomisht. Sot organizatorët Sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetnore dhe para shtetnore. Kjo është tradhti. Sot politika e jashtëme e juaj sllave, ka shkaktuar që UNB të jetë kundër nesh, humbin shumë miq; kjo është Tradhti.
Jam kundra për vrasjet me Gjyq dhe pa Gjyq, që i bëhen këtij Populli, pse kështu don sllavi. Për 20000-30000 shqiptarë që dergjen në burg se s’janë “Komunista” sllavë. Kjo është tradhti. Jam kundra se e plaçkiti. Ky është pushteti, që varfënoi tregun shqiptar për të vesh klyshët e Rusisë dhe e la popullin byth-lakuriq, ndërkoh, që ne kishim për 20 vjet rresht – mbathje, kjo është pra tradhtia. Jam kundra këtij Pushteti, se është spekulator tue e grabit popullin me Ligj dhe mallin e sekuestruar nga tregëtarët po ja shet ma shtrejt se ç’e kishin ata, duke lanë në rrugë një numër familjesh të tregtarëve, kinse spekullatorë. Kurse Pushteti është më spekullator,
– se ja mori misrin 10 lekë e ja shiti 11.50;
– ja mori grunin 10 lekë ja shiti 15,
– mori duhanin 15-20 Fr, ja shiti 100-120 Fr.
Mallin e U.N.R.A.S nuk e pa populli, se një pjesë e madhe e tij, shkoi në Rusi e te Titua. Kjo është tradhti. Jam kundra se për dy vjet kemi shpenzuar dy miliard e disa milion Fr.shq për të ushqyer Pecot e amshorët e Frontit. Sot thuhet gjithçka për Pushtetin, ndërsa dje Nacionalistat thonin gjithçka për Atdheun. A nuk janë tradhëti këto?
– Jam kundra thirrjeve “Jemi bij të Stalinit”, sepse e ulin shumë poshtë rininë, aq poshtë, sa kur përmend Stalinin të gjithë ngrihen në këmbë. – Jam kundra, se injoranca s’don kulturën: kështu duan sllavët. Kjo bësoj është tradhëti.
– Jam kundra, sepse s’ka liri fjale e shtyp të lirë. Ka vetëm terror. Kjo është shqiptarizëm: të rrojnë të Frontit, të tjerët të vdesin?
– Jam kundra, se në historinë për shkollat Unike thuhet: Ballkani në kohët e lashta banohej prej grekëve e maqedonasve e se ilirët e lavdishëm u zhdukën. Kështu i shërbejmë imperializmit sllav. Pjetri tha: Rusia duhet të ketë tre sy: Vlladivostok, Petrograd e Durrës dhe dishepulli i tij Stalini me pushtetin tradhtar të sotshëm në Shqipëri, ja mbrriti dhe tek ne kësaj ëndrre.
– Jam kundra, se grabitni teshat e “reaksionarëve”, si i quani ju pra grabit dhe ha. Kësaj i thonë me vjedh lirisht.
– Jam kundra, se oficerët të Mbrojtjes këtu në Dibër, arrijnë me grabit gratë e botës, me grabit karriollat e teshat shtëpiake e askush nuk tha ndal. Kjo është poshtërsi.
– Jam kundra, se tregtia, toka dhe nëntoka, Ekonomia Kombëtare janë në dorë të sllavëve. Njëzet shoqni jugosllave në ekonominë shqiptare, a s’është kjo tradhti e naltë?
Enver,
Tue i çfaq këto, tue qenë i vendosur me Idealin Kombëtar, unë kam qenë, jam kundra Pushtetit e këtë ja kam vu në dritë popullit, i cili e ka pa dhe pranue, se 95% është kundra Pushtetit. Revoltën veç terrori i madh e mbanë. Pret nënë e mjerë, pasi i jati do të vrasë të birin e të bijën e vet. Edhe kjo është tradhëti e pushtetit popullor.
Ky Pushtet futi përçarjen toske e gegë, katolikë e ortodoksë, myslimanë e ortodoksë, pra tradhëti e naltë. More të mjerë, ju ka verbu fanatizma e ideologjisë dhe nuk shifni faktin që po i bëni popullit varrin. Këtë varr, jeni tue ja ba Atdheut dhe me politikën tuaj të jashtme. A s’është tradhëti?
Rroftë Ideali Kombëtar!
Rroftë Shqipëria me Kosovën,që ju ja falët Jugosllavisë!
Rroftë Populli Shqiptar!
Rroftë Flamuri Kombëtar i panjollosur!

Edip Tërshana, 22.11.1947

………………………………………………………

Enver Hoxha në mesin e dy komunistëve jugosllavë,Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviqi.

========================

=============================

Akti i nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë, bashkëpunimit dhe
ndihmës reciproke, Shqipëri -Jugosllavi!


____________
(Përgatiti: Sheradin Berisha, 10. 07. 2014)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura