Prishtinë, 25. 07. 2014 – Letër e hapur për Ramush Haradinajn – (Kërcënimi si arsyetim) – Pata vendosur të bëjë një pushim të shkurtër sepse është Festa e Bajramit e pastaj i kam disa gazmende familjare pas së cilave do të shkoja pak në Shqipëri, për ta vazhduar punën pastaj. Edhe ashtu, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese u krijuan kushtet për një pushim pa tensione në ndërkohë që kokat që vlojnë kanë kohë të mjaftueshme t’i ftohin gjakrat! Mirëpo, një reagim i Ramush Haradinajt më detyroj t’i drejtohem me këtë letër të hapur në mungesë të një komunikimi që praktikohet në vendet normale në rast se ka keqkuptime apo mosmarrveshje të ndryshme. Në raste më të rënda janë institucionet e shtetit që merren me to. Në fillim të kësaj letre kisha mëdyshje si t’i drejtohem ish kryeministrit dhe kandidatit për kryeministër të ardhshëm tash i personifikuar në një kërcënues ndaj KMDLNj dhe ndaj meje personalisht. Dhe nuk e bënë për herë të parë këtë! Me kryeministër nuk i drejtohem sepse ende nuk është bërë. Nëse bëhet, atëherë shohim e bëjmë. Mik nuk mund ta quaj sepse më kërcënon ndërsa dihet se miqtë nuk kërcënohen por respektohen! As armik nuk mund të them sepse nuk të konsideroj si të tillë. Prandaj, po të drejtohem vetëm në emër dhe mbiemër; Ramush Haradinaj. Në një paraqitje para medieve të Kosovës pas spekulimeve të medieve të Beogradit se Ramush Haradinaj mund të akuzohet nga prokurori Williamson, Ramush Haradinaj tha se këto shkrime në gazeta të Beogradit janë të sponsorisuara nga kryeministri në detyrë Hashim Thaçi duke e ndërlidhur edhe KMDLNj që thjesht të lë pa tekst. Një ditë para këtyre shkrimeve gazetat serbe në Beograd shkruanin se i akuzuari kryesor nga prokurori Williamson do të jetë Hashim Thaçi. Askush nuk e akuzoi Ramush Haradinajn se këto shkrime janë të sponsorisuara nga Ramushi apo KMDLNj. Është e turpshme që shkrimet e medieve të Beogradit të përdoren për akuza, fyerje, dyshime, kërcënime me burg e pse jo edhe me kërcënime për jetë! Apo për qëllime të përfitimeve politike nga cilado palë qoftë! Mediet e Beogradit ia arritën qëllimit ndonëse sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë akuzë as kundër Ramush Haradinajt e as kundër Hashim Thaçit. Dhe se nuk do të përmendet as edhe një emër i vetëm në raportin që do ta prezantojë të martën. Dhe se nuk do të ketë fare arrestime për momentin. Ta shohim. Dhe ky do të jetë lajm i mirë! E ku pastaj do të mbesin këto akuza, dyshime dhe kërcënime?!
Për sponsorisimin e KMDLNj’së
Në po të njëjtën intervistë the se fushatën që po e bënë kundër teje KMDLNj po e sponsorison qeveria dhe Hashim Thaçi dhe se për këtë ke dokumente , biseda telefonike (!!!) dhe fakte të tjera. E pabesueshme që një kandidat për kryeministër e kërcënon një OJQ’ë që është aktive në Kosovë që nga 14 dhjetori 1989 e që është KMDLNj. Nëse kujtesa nuk të ka tradhëtuar, KMDLNj dhe unë personalisht, në disa raste të ka mbrojtur e sidomos gjatë intervistave dhënë medieve të Beogradit. Nëse nuk të kujtohet , ta dorëzoj dosjen kur ne kemi dalë në mbrojtje të drejtave tua si dhe intervistat kur kam folur për ty në mediet e Beogradit përkatësisht në B92. Dhe përsëri do të mbrojmë aty ku e vlerësojmë se po të shkelen të drejtat e njeriut, të drejta kombëtare etj. A paske sponsorisuar ti, Ramush Haradinaj apo dikush nga partia jote, familja apo miqtë tu këto reagime të KMDLNj apo intervistat e mia në mbrojtje , jo tënden por të drejtave tua?! Jo, absolutisht jo. Por e kemi bërë dhe e kam bërë sepse kemi pasur të drejtë dhe gjithmonë do ta bëjmë kur do të kemi të drejtë. Edhe kur kemi reaguar në mbrojtje të drejtave tua, na kanë kritikuar por e kemi tejkaluar. Tash po e akuzon KMDLNj dhe mua sigurisht se po bëjmë fushatë kundër teje e pro Thaçit. E ke shumë gabim por ke të drejtë të gabosh mirëpo nuk ke të drejtë të ngresh akuza mbi këto gabime dhe të kërcënosh. Ti e di shumë mirë se kush mund të urdhërojë dhe në çfarë rrethana përgjimin e bisedave telefonike . Kjo është e rregulluar me ligjet në fuqi të cilat vlejnë edhe për ty pavarësisht postit politik që e mbanë apo që do ta kesh në të ardhmën! Pas këtyre kërcënimeve që m’i drejton publikisht , ende pa qenë i veshur me pushtet, secili që do të ishte në vendin tim do të dëshironte që të mos bëhesh kryeministër. Kurse , unë do të dëshiroja të bëhesh kryeministër. Sepse vetëm në atë mënyrë mund t’i realizosh këto kërcënime. Një gjë nuk e kam të qartë ?! Përveç se ke synim të bëhesh kryeministër (e drejtë që nuk mund të mohohet) duket se ke synim të bëhesh edhe Prokuror i Shtetit. Këtë e them duke u mbështetur në deklaratën tënde para medieve kosovare! Edhe ashtu Prokurori i Shtetit, Ismet Kabashi do të pensionohet dhe po ka probleme për pasardhësin e tij. Edhe rrethanat po punojnë në favor tëndin për këto dy poste. Uroj të bëhesh edhe Prokuror Shteti. Më lehtë i arrinë synimet që i ke shtruar para vetes . Kështu zhvillohet Kosova dhe duket se kjo do të jetë perspektiva e Kosovës gjatë mandatit tuaj qeverisës.
Duket se nuk po më njeh aspak sepse ndryshe kishe vepruar. Nuk po e vlerëson as punën e KMDLNj-së. Dikur kishim një qëllim të përbashkët . Çlirimin e vendit . Unë e dhashë një kontribut modest duke u dënuar dy herë me gjithsej 15 vjet burg dhe duke kontribuar në punën e KMDLNj që në kohën kur duhej ishte krahë i fuqishëm i UÇK-së. Kontributi yt ishte pakrahasueshëm më i madh se kontributi im sepse bëre një luftë të fuqishme në kushte krejt të pabarabarta duke luftuar kundër forcave serbe dhe duke u ballafaquar me sabotimet që t’i bënin shqiptarët. E di ti më mirë se unë ! Do të më ngushtoje tepër nëse në vend të kërcënimit do të dërgoje mesazhe bashkëpunimi ndërkaq tani as që më bënë përshtypje mesazhi yt kërcënues. Më duket i neveritshëm. Trimi nuk dërgon mesazhe kërcënuese! Me këtë që e the para medieve kosovare , në fakt ma ke siguruar azilin në çdo vend demokratik të botës mirëpo unë do të jem në Kosovë së paku deri të bëhesh kryeministër , Ramush Haradinaj.
Kush ngutet merr në thua dhe …
Shumë po ngutesh kohën e fundit. Edhe në vlerësime e sidomos në veprime . Kurrë nuk e ke pasur më afër ta fitosh postin që e ke pasion. Por nuk i njeh procedurat sepse ato janë të pamëshirshme. Ligjet nuk janë pasion por janë detyruese për të gjithë. Kurrë nuk kam thenë se ti nuk mund të bëhesh kryeministër e as Isa Mustafa kryekuvendar. Mirëpo, tash e them se po mos të nguteshit, ndoshta nuk do ta kishit postin e kryekuvendarit por do ta kishit shumicën në Kuvendin e Kosovës si dhe qeverinë. Kryekuvendari është post më shumë ceremonial dhe e ka vetëm një votë, si çdo deputetë! Vetëm duhet t’i kaloni procedurat. Thashë se keni qenë shumë afër cakut por u larguat me fajin tuaj dhe me ngutinë tuaj. Në përpjekje të fitoni çdo gjë dhe me çdo kusht keni mundësi reale të humbasni çdo gjë dhe pa kusht. Ekskluzivisht me fajin tuaj. Prandaj, KMDLNj e as unë nuk kemi mundësi t’ju bëjmë kryeministër por as nuk kemi mundësi t’ju pengojmë të bëheni kryeministër! Gjykata Kushtetuse tash, ndonëse përkohësisht i dha të drejtë KMDLNj dhe mua se seanca nuk ka qenë e rregullt. Prandaj e mori masën që e mori. Të presim vendimin përfundimtar. Kam thënë se koalicioni PDK ka të drejtën ta propozojë kandidatin për kryekuvendar mirëpo gjithashtu kam thënë se koalicioni paszgjedhor të cilin GJ.K. nuk e njeh si të tillë i ka votat. Dhe se i ka votat për formimin e qeverisë. Po ti nuk i lexon si duhet as reagimet e KMDLNj e sidomos shkrimet e mia ndërsa ata që t’i interpretojnë janë llaskucë ordinerë dhe hajvanë par exellance ! Më mirë mbështetu te zonja Meri se edhe me ato fallet e saj është më e zonja dhe e mençur se të gjithë këshilltarët që i ke . Ti vetëm vazhdo me paragjykime. Nuk ma ka mbyllë gojën Jugosllavia me të gjitha ato masa represive kundër meje dhe familjes sime e po ma mbyllë gojën një , qoftë edhe kryeministër i cili duhet ta respektojë lirinë e shprehjes si vlerë fundamentale e shtetit ligjor dhe demokracisë. Duket se për ty, në këtë fazë të luftës ekskluzivisht për pushtet janë të paqarta dhe të papranueshme. Por, besoj se kur do të bëhesh kryeministër, do të kthjellesh. Uroj që ashtu të bëhet ndryshe , bashkësia ndërkombëtare nuk lejon një Llukashenko e as Putin të dytë këtu!
Çka do të bëhet në vijim
Me ty më nuk do të merrem si Ramush Haradinaj. Me procese po. Dua që të informohesh nga unë për lëvizjet e mia gjatë këtij muaji që të mos keshë nevojë që të angazhosh njerëz të më përcjellin. Edhe disa miq që pata menduar se i kemi të përbashkët po del se paskan qenë me detyrë te unë. I kisha bërë publik numrat e telefonit por pasi i keni përgjuar bisedat e mia atëherë nuk ka nevojë sepse i dini cilët janë. Pasë gazmendeve familjare, nëse Hashimi m’i jepë do para (nuk e besoj pasi më nuk po merrem me ty) pata menduar të shkojë kah Saranda nja një javë. Duhet të mbështetem në solidaritetin e Bacës Adem i cili do të bëhet sponsor i pushimeve të mia duke ma liruar banesën në Sarandë për një javë, me gjithë frigoriferin që e ka aty! Pastaj do të kthehem në Prishtinë dhe do të lajmërohesh me kohë për këtë .
Në ditën kur do të bëhesh kryeministër:
Nëse bëhesh kryeministër publikisht premtoj se do të uroj në zyrën e kryeministrit dhe pastaj, sipas vendimit që e ke marrë, por në mungesë të kompetencave nuk ke mundësi ta jetësosh, vetëm më thua:” Behxhet shko në Dubravë nja 10-15 vjet, apo në Dyz. Sepse me këtë qëndrimin e shprehur ndaj meje nuk e besoj se më dërgon në Smrekonicë e cila është pushimore e vërtetë! Duket se, edhe si familje edhe si person, si nga ana ime ashtu edhe e gruas e kemi të shkruar të përndiqemi nga të gjitha regjimet. Nëse i përmbahesh parimit se të dënuarit duhet t’i plotësohet dëshira e fundit atëherë kërkesa ime është: mos lejo të më arrestojë denoncuesi i Burgut të Pozharevcit, Lil Toshi. Ndoshta Lil Toshi ty të nderon me këtë veprim por mua shumë më poshtëron. Prandaj e ke ndërsyer kundër meje në Koha Ditore e cila pastaj nuk e botoi reagimin tim, si gazetë demokratike që është! Ndonëse e obligonte ligji! Por qartazi, Ligji i Jugosllavisë dhe Serbisë është mbi ligjet e Kosovës
Krejt për fund
Me kërcënimin që ma bëre ma ke destabilizuar ritmin dhe mënyrën e jetës: Me frikë po shkoj në punë edhe naj ditë. Gruaja duhet ta marrë pushimin deri të sqarohen gjërat se a duhet të futemi nën besë, pa rënë në gjak! Fat i madh është se fëmijët nuk kanë ligjerata në fakultet prandaj po rrinë të mbyllur në shtëpi, si ata të Shkodrës. Deri në muajin tetor besoj se thyheni në një udhë dhe do të dihen gjërat. A do të bëhesh kryeministër a jo ?! Mirëpo, midis asaj se a duhet të jetosh në “liri“ në një vend ku kryeministri të kërcënon pa u bërë fare kryeministër apo duhet të shkosh në Dubravë apo Dyz nuk kam fare mëdyshje. Do të përcaktohesha për Dubravë dhe Dyz sepse atje është liria!
Shëndet të mirë dhe fat për ty, Ramush Haradinaj dhe dhe për familjen tënde. Uroj t’i arrishë qëllimet tua e sidomos të kthellehesh duke u lëshuar në tokë. Sepse aty do të përfundojmë të gjithë! Falë vendimit dhe drejtësisë hyjnore dhe jo asaj tokësore! Drejtësia hyjnore është e pagabueshme përballë asaj tokësore që shpesh keqpërdoret. Sidomos kur ke pushtet!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Prishtinë, 25 korrik 2014.