FATMIR BRAJSHORI: TRIDHJETËENJË RRËFIME NGA BURGU NË LIBRIN E AGIM SYLEJMANIT!

Cyrih, 27 mars 2018: Libri «RRËFIME NGA BURGU» me autor Agim Sylejmani.
Librin, mund ta quajmë, edhe një golgotë për një qëndresë dhe një qëndresë përpara një golgote. Libri është me rrëfime, për një tregim, e tregim-rrëfimi, e ka një personazh të vetëm: të burgosurin politik.

Duke i lexuar rrëfimet, në libër e të cilat nuk flasin për dënimet e dhëna, e as për një plis në gjykatore, që u duk që ra por nuk u tha, se qëndrim malet u kishin dhënë, lexojmë më shumë, jo për ferrin që s’ka fare etikë, por për etikën, e të të vuajturve, të dënuarve më shumë për shokun se sa për vetën e tyre.
Pra, gati-gati tek secili rrëfimtarë, në librin në fjalë, lexojmë që, ata më shumë ua qajnë hallin shokëve të tyre, në torturë dhe rrëfejnë për qëndresën e tyre, se sa për përjetimet personale gjatë një torture; më shumë për dhunën që ushtrohej ndaj një shoku se sa për dhunën që bëhej ndaj tyre.
Lexon për një trup, që nxirrej natën për ta shpuar me bajoneta dhe të cilin se shponin dot.
Malet albanike qëndrim u kishin dhënë.
Nga ana e tyre, pra e torturuesve, ishin bërë Frankenshtajn e Cerber bashkë, me koka gjarpëri e pa koka, që me bajonetë, të ndanin një plis nga koka, që nga larg dukej, që u tha por që asnjëherë su nda!
Ishte e kundërta: ata që maltretonin të burgosurit, ishin nda e tha, dhe idetë e tyre për të vrarë shpresën mbetën vetëm die.
Nëpër të gjitha burgjet, ku dërgoheshin bijtë dhe bijat tona, ishte një Cerber që i priste ose ndryshe lexuar Kerberi. Për ata që nuk e dinë se kush është ky, po u sqaroj, që në mitologji ishte qeni i botës nëntoksore, i biri i viganit Tifon njëqindkrerësh dhe i Ehidnës gjysmëgrua – gjysmëgjarpër. Dhe që nga burgu i ditës apo natës së parë dhe derisa nuk vinte dita, të liroheshin nga burgu, por jo të përjetonin lirinë, këta ballafaqoheshin me sojin e tipave të tillë; përbindësh me tri koka, ku në secilën kokë, mbanin nga një gjarpër të mbështjellë, me pamje të tmerrshme, që vetëm të vdekurit, i pranonin në botën e tyre nëntoksore, me mirësi teksa jashtë nuk e lëshonin askënd!

Cyrih, 23 mars 2018: Promovohet libri i autorit Agim Sylejmani “Rrëfime nga burgu”:

Duke lexuar rrëfimin e Trëndelina Labënishtit mund të them që në një moment u përlota: “Është data e 11 prillit 1985, na nxorën në një arë, – rrëfen ajo. – Një e burgosur na tha: «se dikush shumë i madh i Shqipërisë kishte vdekur… E kuptuam që Enver Hoxha nuk jetonte më… atë ditë shkuam në mensë, bëmë zhurmë me luga e gota, e nuk hëngrëm darkë…
Kur njeriu jo i lirë jeton jashtë burgut, i thonë, që të mos flasë teksa kur gjendet mbrenda BURGUT i thonë të flasë…
HOMAZHI I PARË PËR FAZLI GRAJÇEVCIN DHE SHABAN SHALËN
Në orën dy të mëngjesit, kur erdhën për ta marrë për të satën herë me radhë, ai nuk ishte në gjendje që të fliste. E ndiente vetën të rënduar, e këmbët e tradhtonin. Të gjitha këto po i ndodhnin se kishte humbur shumë gjak. Dy dhëmbët e parë, të cilët ia kishin thyer, e shëmtonin shumë. Bënte luftë me vetëvetën për jetë a vdekje, por nuk jepej para atyre që e maltretonin. Gjaku i ngrirë në fytyrë i jepte pamje tjetër. Ai luftonte me torturat që i bënin ata, por fuqia e tij nuk ishte në qime të flokëve, si te Samsoni, por dikund thellë në zemër, që e mbante ende të fortë, për të mos u gjunjëzuar. Vetes i kishte dhënë besën se do të qëndronte deri në vdekje e shokët nuk do t’i tradhtonte. Deri sa gardiani e shpiente lart shkallëve për në dhomën e mundimeve, ai ngjitej ngadalë, duke u mbajtur vazhdimisht për muri, se këmbët e enjtura dhe të mortisura, frikësohej se mos e tradhtonin…
Burgosjet e mendjeve të mendimeve ndryshe nga Zeusët e kohës, nuk ishin risi e kohës së tashme. Burgosjet janë bibliane sepse edhe vet Jezusi, ishte spiunuar dhe ekzekutuar ngaqë mendonte ndryshe nga priftërinjtë e kohës dhe Ponc Pilati. Sikur që spiunimi, s’kishte lindur në kohëra moderne por lindi në darkën e fundit dhe si bartës që kishte Juda Iskariotin…
Syrgjynosjet ishin një lloj burgosje politike. Përshembull Moisiun e largoi faraoni, që pastaj, ai të kthehej me dhjetë rregullat e tija të fitores.
Secili i burgosur shqiptar, kthehej nga burgu si fitimtar.
Shpirtërat e torturuesve zbritnin në perandorinë e gjarpërinjve nëntoksorë përmes hymnerave të errëta në Nish, Pozharevc, Idrizovë, Stara Gradishkë, Gospiq, Mostar, Gjilan, Prishtinë, Mitrovicë… dhe kudo, ku kishte një qëndresë promethjane, vdiste robëria e lindte lirimendësia.
Pastaj, posa dilnin nga burgu të burgosurit shqiptarë, sërish pas tyre viheshin në ndjekje Kerberet e njohur, Brosha, Sllamniku, Kllokoqi, Lutfi Ajazi, Nikoliqi, edhe viqi i viqit, e të cilët ua kalonin torturuesve të mitologjisë sepse këta ishin real dhe jo të krijuar në imagjinatë…
HOMAZHI I DYTË PËR XHEMAJLI BERISHËN, ZIJAH SHEMSIUN…
I BURGOSURI hapi sytë dhe pa gardianin që me kërbaç mbi kokë po e kërcenonte. Vetëm tash e kishte të qartë që këmbët nuk e kishin tradhtuar por gardiani e kishte shtyrë shkallëve teposhtë. Mblodhi forcë dhe u ngrit ndërsa shtrëngoi dhëmbët që të mos ofshante. I burgosuri me qëndrim të drejtë hyri në dhomën e mundimeve dhe aty shquajti të njëjtat figura e të cilat qe disa netë me radhë. Por, tani aty ishin edhe disa përbindësha shtesë, ku njëri me mëngë të përvjelura, në dorë mbante një daltë, me të cilën e kërcënonte. Të burgosurin e ulën në një karrike, kurse pas iu vunë dy fytyra të njeriut, që të futnin frikën, me pamjet e tyre, që ngjanin si të atyre monstrumeve, të horror filmave.
Tek këta torturues që tek homazhet i ndjeni ishte Tanati, zoti i vdekjes, me pelerinën e zezë, me krihë të zezë dhe të ngrirë, që të vdekurve ua prente flokët… dhe ua kapte shpirtërat e tyre.
Pastaj s’ke se si të mos kujtosh, Keret e mitologjisë, e të cilët në veprime, i imitonin gardianët, por tash real dhe të cilët, pasi heronjtë i vrisnin në fushëbetejë, ua thithnin gjakun.
Ose Empuzët e tmerrshëm, që sulmonin të burgosurit nëpër udhëkryqe, si Lamiat e vrazhda që në një mëngjez, nënave ua merrnin me «maricë» fëmijët dhe ua vrisnin..
Hekata trekrerëshe e cila, nëpër burgjet e vuajtjeve, e fshehur prapa emrave të drejtorëve, i udhëzonte përbindëshit, që Hipnosin që njihet si zoti i gjumit, të rrejshëm, të cilit nuk mund t’i përballonin as njerzit dhe as zotërat, në përballje me t’burgosurit tanë politikë, e humbte betejën e qëndresës së zgjuar.
Veçmas të tmerrshëm ishin Eriniet, që gjendeshin kudo nëpër burgjet hetuese, e të cilët e kishin për detyrë që, kushdo që hynte aty të hiqte dorë nga të gjitha shpresat…Por nëse në mitologji, i vetmi që kishte hyrë dhe ishte kthyer sërish nga tmerri ishte Herakliu, në kohën tonë, u kthyen kreshnikët: Ramadani, Trendelina, Jashari, Agimi, Hydajeti, Shefqeti, Ylberi, Aliu, Bajrami, Ademi, Kadriu e mijëra të tjerë…
Rrëfimet pothuajse që të gjitha kanë një gjë të përbashkët: qëndresën dhe kujdesi i shokut për shokun.
Rrahim Sadiku, për shembull, rrëfen se si e dëshironte burgosjen dhe me qëllim kishte dalë për t’shëtitur, në Prishtinë dhe befasohej, që nuk e arrestonin. Por befasia mbaron në mbrëmje, në një lift të shtëpisë botuese me emrin «Rilindja».
Shefqet Cakiqi flet për Danjollët dhe përmend emrat e tyre, torturat dhe kjo gjë ishte, për mua, rrëfimi që godet pikërisht në dhjetëshe! Përse?
Ngaqë s’ka arsye më, që emrat e atyre që s’kishin kurrfarë arsye, t’ua mbajmë akoma të fshehur. Dhe jo vetëm Danjollët por edhe pinjollët e Danjollëve ngaqë «çka bë macja minjë hanë!»
Ylber Topalli i arrestuar në vitin 1998, flet për përpjekjen e tij që të ikë nga gjykatorja; policët shtinë me automatik dhe e plagosin rëndë, për vdekje. Në spital përshkruhet përpjekja Krujëqendresjane, e mjekëve shqiptarë, për ta mbajtur të gjallë dhe me shpresë për një jetë më të mirë. Mjeku Faton Morina në një moment i thotë, në vesh, që të mos dëgjonin serbët: »Mbahu ushtar, se pas e ke një popull!»
E Sylë Muja nuk ishte më Syla por numri 712.
«Ne hamë për të jetuar e nuk jetojmë për të ngrënë» thonte ai dhe shokët e tij në burg.
E ku ka thënje më epike se kjo?
Jashar Alia u thotë torturuesve të tij se «pasul kishte ngrënë te Xhaferi» dhe pastaj u thotë për inati se «me mish bile», por unë mendoj që ishte pa mish…
Rafi Halili: «Armiku kur të prek në nder dhe të cënon pragun e shtëpisë, ai don plumb e jo pambuk.»
Ahmet Qeriqi kërcenohej nga përbindëshit, se vetëm një herë i duhej torturuesit që t’ia shtypte kokën dhe t’ja ndante në dysh…
Binak Ulaj, rrëfen për grevat e urisë e që ishin rezistencë në vete…
Hydajet Hyseni, e sjellë letrën në libër, që ia kishte dërguar Sekretarit Krahinor për Jurisprudencë… Në libër gjendet e botuar letra, origjinali që është vështirë i lexueshëm por ajo që të lë përshtypje është: bukurshkrimi dhe një kaliografi e dëshirueshme…
Agim Sulejmani me plis, është ai plisi, i fillimshkrimit tim, që ra, s’u nda e as u tha; rrëfen për kurorëzimin me Zymrijen, shoqen e tij të jetës, në lokalet e burgut të qarkut në Prishtinë, pastaj për letërkëmbimin e vështirësuar, ngjarja me Mehmet Shehun, ku Tanjugu njoftonte se «gjoja ka pasur dyluftim në Byronë Politike… dhe dhimbjen për të rënët në demonstratë, e sidomos vrasja, e disa demonstrueve në Gjermani, që këtij, iu kishte dukur e çuditshme, ngaqë në Gjermani s’kishte demonstrues dhe s’kishte vrasje. Dhe më vonë lajmi i dhimbshëm, për të, për Rexhepin (Malajn), se kishin vrarë Jusufin, Bardhoshin Kadriun…
Rizah Xhakli flet për dëshmitarët pa zë.
Mehmet Hajrizin e tallnin dhe e kërcënonin me këtë gjë: «Ti me gjasë, po do t’bëhesh hero si Kadri Zeka dhe, ne të ndihmojmë, që të bëhesh».
Pastaj, Mehmeti në rrëfim flet për Trimat e Kodrës së Trimave, Rexhepin e Nuhiun, për Kodrën e Trimave e për trimat e kodrës, e që unë pafundësisht do të flisja sonte, vetëm për Kodrën e Trimave e trimat e saj, për arsye krejt personale…
HOMAZHI I FUNDIT, IN MEMORIAM PËR TË GJITHË TË BURGOSURIT QË U VRANË NË BURG, Rexhep Bislimi, Besnik Restelicën e shumë të tjerë
I hapi sytë dhe u zgjua nga kllapia, nga ankthi… dhe prap u alivanos… ankth… jerm… zgjim i përhumbur në mjegull. Dëgjoi: «Hajde idemo Gore» (eja shkojmë lart) …Prap… do të qëndroj deri në vdekje o shokë! I kam dhënë besën popullit, shokëve, organizatës, luftëtarëve, LPK-ës e UÇK-ës!»
Ishin këto momentet e tija të fundit që i erdhën nëpër kokë. Zgjimi i mëvonshëm, i përhershëm, i kishin hedhur në përqafim tok, së bashku; Azemin e Shoten, Afrimin e Fahriun, Çerçizin e Vojo Kushin, Rexhepin e Nuhiun, Fazliun e Shabanin, Besnikun e Rexhepin, Ademin, Zahirin e Gjergjin…
Xhevat Ajvazi mësojmë që refuzon të flas në serbishte me familjarët sipas kërkesës së gardianit, refuzime të tilla kishte nga gjithësecili i burgosur politik.
Tek rrëfimi i Skender Ibishit, ajo që të bie në sy gjatë leximit të rrëfimit të tij është, koha kur ka filluar ta shkruaj rrëfimin dhe koha kur e kishte përfunduar. Siç e dini, ai në korrikun e vitit të kaluar iku nga kjo botë, meqë vuante nga një sëmundje e rëndë, tinzare dhe e pabesë, tamam porsi torturuesit e tyre… Nga rrëfimi dhe kohëzgjatja e të shkruarit, kuptova që, ai gjatë kësaj kohe do të duhej të kishte dhembje të mëdha, ku herë herë ka pushuar nga rrëfimi dhe me gjasë posa i është përmirësuar gjendja, ai ka vazhduar me rrëfimin por rrëfimin për ta përfunduar.
Në të njëjtën kohë me djalin Skenderin gjendet në burg Nysret Hajdari, teksa Saqip Zymberi rrëfen për gëzimet dhe hidhërimet e tija… Saqipi dënimin e përshkruan si gëzim për të (natyrisht kuptohet me ironi) dhe e arsyeton me atë se kishte marrë 1 vit burg më shumë se shoku i tij Faiku.
Musli Kosumi rrëfen për kriminelin Pero, i cili i kishte treguar Musliut për të gjitha krimet që kishte kryer ai… Tahir Hani për rrugëtimin e tij nga burgu në burg dhe takimin e tij me bacën Adem Demaçin… Argim Roci për lejimin që për dy ditë të shkonte në varrimin e babait të tij, e që teksa Besim Zymberi flet për pengjet shqiptare, për të mbijetuarit e masakrës së Dubravës, e të cilët mirren dhe dërgohen nëpër burgje të ndryshme të Serbisë, në kohën kur në Prishtinë veç kishte hyrë UÇK-ja…
Ramadan Pllana burgun e Nishit, e përshkruan si një skëterrë të madhe, gjë që e kanë pohuar të gjithë të burgosurit, dhe telashet, që i kishte sjellë emri i tij Pllana ngaqë në torturë, e rrahin dhe i thojnë: «Përse e mban ti këtë mbiemër, për të thënë që je me origjinë nga Toplica?»
Idriz Mehmeti rrëfen për Kerberin shqiptar, për gardian Ymerin (mbiemrin s’e ka rrëfyer) e që kishte fytyrë të vrazhdë banditi… Xhevat Bislimi për protestat në burg me rastin e vrasjes së Rexhepit e Nuhiut…
Rasim Kicajt me kaçavide i thyejnë dhëmbin. Qamil Isufi rrëfen për burgosjen e tij nga policia e Zvicrës në vitin 1998 dhe është shumë interesant se si ai e përshkruan, vënjen e prangave në duar dhe të zingjirëve në këmbë…
Shaban Çupi, rrëfen për një pasqyrë të vënë në burg, në qeli, që siç thotë:»na e vunë që të lajthitemi nga mendja!»
Shefket Hoxha flet për takimin e tij me Hydajet Hysenin, në CZ-en e Beogradit, maltretimet që ia kishin bërë Hydes dhe i cili, ishte në gjendje gjysmëkome dhe deri sa e shpienin, korridorit të burgut, Shefqeti arrinë t’ja kap dorën, Hyda hapë sytë dhe e dallon që ishte ai dhe shqipton vetëm «Shefqet!»
Ali Hoxha u dërgon një letër studentëve demonstrues ndërsa Abdullah Qallaku, një tjetër burg (Gospiqin) e bënë të njohur për lexuesit si tmerr nëntokësor i kerberëve të kohës. Shpëtim Pollozhani në burg bëhet kirug dhe me një skalpel, plagën e qelbur, në këmbë të Ramizit e operon dhe e shëron.
Në fund të leximit të librit «Rrëfime nga burgu» me autor Agim Sylejmani, u mendova se si ta përfundoj vështrimin tim, recensionin tim, për një libër që s’ka fund, që është i hapur dhe që nuk do të mbyllet asnjëherë?!
Mendimi i parë dhe i përgjithshmi që më erdhi në kokë ishte që: »Personazhet, pra rrëfimtarët, me shkrimet e tyre vihen në punë duke treguar secili nga ata, nëpërmjet narracionit individual për retrospektivën e tyre, dhe, nëse e lexoni librin, ju që do t’lexoni këtë vështrim timin, do të vëreni tek secili rrëfim, përjetimin e ankthshëm njerëzor sikurse ekuacionin e fshehur e të cilin, personalisht e deshifrova me një fjali të vetme:
PERSONAZHET E NDARA NGA BOTA NDONËSE JETONIN NË BOTË!
E çka t’them në fund për këto rrëfime burgu?
Sollzhenjicini, një shkrimtar nobelist, shkroi romanin «Një ditë (burg) e Ivan Denisoviqit» duke përshkruar përjetimet e një të burgosuri, për sall një ditë të vetme. Rrëfimet e të burgosurve shqiptarë, janë të atilla që, për secilën ditë të kaluar në burg, do të mundej të shkruhej një roman ditor.
E ju sot studiues të së kaluarës, në vend që akoma të flisni dhe mirreni me Akilët e Heraklitët, ja ku i keni kreshnikët e kohës, që luftuan zotërat dhe thyen tabut për zotërat, se janë të paluftuar, e që i gjeni tek libri «Rrëfime nga Burgu».
Zürich, 23 mars 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura