Pashriku.org, 30. 07. 2014 – “Fishta kishte sy të fortë”. Në Kishën e Françeskanëve në Gjuhadol, At Gjergj Fishta merr një tjetër dimension nëpërmjet kujtimeve. Në orët e pushimeve, fretërit flasin për të shkuarën. Një personazh që me karakterin e tij ka lënë aq shumë mbresa është Gjergj Fishta. Një njeri që të bënte për vete me kulturën, por dhe me karakterin. Ishte i drejtpërdrejtë e kjo shpesh i sillte dhe probleme. Pasioni për leximin dhe më vonë për shkrimin, do ta kthente Fishtën në një personalitet për Shkodrën dhe Shqipërinë e atyre viteve. Dinjiteti meshtarak nuk e pengoi të luante rol në skenën kulturore. Hartues bibliotekash, më 15 shkurt 1907, së bashku me At Shtjefën Gjeçovin themeloi të parën bibliotekë shkollore në Shqipëri, duke grumbulluar gjithfarë librash.
Po këtë vit, pranë shkollës fretnore çon një trupë teatrale amatore, në të cilën së pari do të vinte në skenë pjesët e veta dramatike, si dhe përshtatjet nga gjuhët e huaja, duke vënë kështu një tjetër gur themeltar në kulturën kombëtare. Po këtë vit, ai arriti të botonte pjesën e dytë të “Lahutës” …Sarkazma që ndihet në letërsinë që shkroi, ndihej dhe në jetën e tij. Miqtë e dikurshëm kanë mundur të përcjellin deri sot disa situata me humor nga marrëdhënia me të. Në Kuvendin e etërve françeskanë, Fishtën mund ta “takosh” jo vetëm përmes kujtimeve. Banorët e Shkodrës që hapin derën e madhe të drunjtë, për të shkuar në Kishë, e njohin këndin në të cilin prehet poeti.
Dy pllaka të zeza vendosur pranë njëra-tjetrës janë jo vetëm shenja se aty prehet poeti kombëtar, por dhe një dëshmi e historisë. Vetëm një pjesë e eshtrave të tij, prehen në këtë varr. Pas dhunimit që iu bë varrit më 1944, nuk dihet fati i pjesës tjetër të eshtrave, që mendohen të jenë hedhur mbi Drin. Një histori jo e denjë për një njeri që u dha aq shumë letrave shqipe. Një dëshmi sesi diktaturat totalitare kërkonin të shfarosnin vlerat. Megjithatë, sot Fishta “është” sërish aty, pavarësisht persekutimit dhe metodave që u ideuan për eliminimin e ideve të tij. Pak më tej, teksa ecën përmes një oborri të madh, një derë tjetër e drunjtë të fton të futesh në një nga Bibliotekat historike të këtij vendi. Është Biblioteka “Gjergj Fishta”. Pader Vitorio nxjerr nga sirtarët disa dorëshkrime që duken pa kohë.
At Gjergj Fishta (1871 – 1940)
Janë disa sprova të “Lahutës së Malcis”, dhe dorëshkrimi origjinal i komedisë “Dredhitë e Patukut”, disa vizatime (Fishtës i pëlqente të vizatonte, apo të bënte piktura), apo sprova e tij e parë në prozë mbi historinë e Klerit Katolik. Vite më parë, teksa udhëtonte me anije për në Amerikë, Fishta i shkruante një letër At Justin Rrotës, ku i tregonte se po lexonte Molierin, dhe se krijimtaria moleriane i përshtatej shumë mirë gjuhës shqipe. I frymëzuar nga komediani francez, ai krijoi “Dredhitë e Patukut”, përshtatur sipas komedisë së Molierit “Le Furberier Escarpet”.
Fishta duhet ta ketë shkruar këtë komedi nga vitet 1910-1913, dhe në qendër të saj është jeta shoqërore dhe familjare e Shkodrës dhe Shqipërisë së asaj periudhe. Për afro një shekull, ky dorëshkrim që ka brenda satirën dhe “forcën” e artit fishtian nuk ka mundur të shohë dritën e botimit. Me luftën që nisi ndaj Fishtës, pas 1944-s, ky dorëshkrim u ruajt me fanatizëm nga një familje e vjetër shkodrane. Për t’i shpëtuar përndjekjes së kohës, ata e kishin fshehur dorëshkrimin poshtë dyshemesë me parket druri. Vetëm disa vite më parë, një zotëri shkodran trokiti në derën e françeskanëve dhe u dorëzoi dorëshkrimin. Pader Vitorio thotë se librat, ashtu si njerëzit, kanë fatin e tyre, teksa shfleton fletët që nuk e tregojnë kalvarin e dhimbshëm që kanë kaluar.
Një portret i At Gjergj Fishtës vendosur në morinë e librave që kanë zënë të gjithë hapësirat e murit të kujton se dikur në këtë hapësirë, burri i veshur si frat, ndante orët në këtë bibliotekë. Në këtë hapësirë ka qenë dhe redaksia e “Hyllit të Dritës”, revistës që solli një erë të re në botimet dhe kulturën shqipe. Gjithë librat e bibliotekës së tij, Fishta i solli në këtë Bibliotekë kur u krijua në vitin 1921. Ai ishte i dhënë pas blerjes së librave.
“Ku shkonte nëpër Europë blinte libra”, thotë Pader Vitorio. Është traditë e murgjve që ku krijohet një vend banimi, krijohet dhe një bibliotekë”. Kjo është ajo çka dhe fretërit e kanë pasur traditë. Në vitin 1926, në këtë bibliotekë të gjithë kanë sjellë të gjitha dokumentet dhe dorëshkrimet origjinale. Ata donin ta pasuronin bibliotekën, duke blerë libra të rinj”, thotë Pader Vitorio. Duket se më shumë se në jehonën e “Lahutës së Malcis” Fishta jeton në këtë bibliotekë. Gjurmët e tij janë kudo. Pader Vitorio na tregon një autograf të tij, dhënë më 1939. Përveç dorëshkrimeve dhe kopjeve të librave unikalë, autografet e personaliteteve të letrave janë një tjetër thesar i kësaj biblioteke. Pader Vitorio mendon që në të ardhmen të botojë një libër me autografet e ndryshme që gjenden këtu, që mbartin secili nga një histori.
Autografet tregojnë dhe marrëdhëniet që kanë pasur shkrimtarët me njëri-tjetrin, raportet njerëzore të mbetura vetëm në një fjali të shkurtër në faqen e parë të një libri. Pas shkatërrimit të Bibliotekës më 1944 nga komunistët, ajo u themelua në vitin 2003, dhe është e profilizuar në albalonogji, falë tre françeskanëve që jetuan në mërgim: At Jak Marlekaj, At Daniel Gjeçaj e At Paulin Margjokaj. “Kjo bibliotekë e ka pasë si traditë paisjen me visare kombtare, dorëshkrime, libra të vjeter, etj. Në vazhdimin e kësaj tradite po pasunohet çdo ditë e ma shumë me libra e me dorëshkrime, ku vëhen në dispozicion të studiuesve për këshillime, hulumtime e studime”, thotë Pader Vitorio. Bashkë me dorëshkrimet e vjetra të ruajtura në familje të ndryshme shkodrane, pas viteve ‘90 janë rikthyer në shtëpinë e françeskanëve dhe shtatore të ndryshme, të marra nga kisha. Një prej tyre që sot ndodhet në bibliotekën “Gjergj Fishta” ka qenë e ruajtur në Iballë të Pukës. Një shtatore e Shën Ndout, që mendohet se i përket shekullit të 16, është ruajtur në Dukagjin. Librat e rrallë në këtë bibliotekë janë në njëfarë mënyre dhe historia e letërsisë shqipe. Një kopje e “Mesharit” të Gjon Buzukut, e ndërtuar sipas fotografimeve të Pader Jakut, duket si një relike që nuk do t’i humbasë kohës.
Pader Jaku kaloi dy ditë në Bibliotekën e Vatikanit, ku ende ndodhet sot “Meshari” dhe fotografoi çdo faqe të tij, për ta lidhur e bërë bashkë në një libër, që e la në bibliotekën e fretërve. Nëse një kopje e fotokopjuar e këtij libri ndodhet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, një tjetër kopje ndodhet në një kënd të bibliotekës së madhe françeskane. Arkivi, një dhomë e vogël në katin e dytë të bibliotekës ku pader Vitorio humb sa herë shkon ta vizitojë. Një dhomë që të magjeps me të fshehtat apo botën që shpaloset në çdo dosje që ruhet aty. Dorëshkrimet e fretërve françeskanë si Pader Danielit, Pader Jakut, Pader Zefit, Palok Kurtit etj. Rreth 10.000 volume, duke përfshirë një përzgjedhje të gjerë të Albanistikës e Ballkanologjisë ruhen në këtë bibliotekë. Teksti më i vjetër është “Historia e Gjergj Kastriotit, princi i denjë i shqiptarëve”, botuar në Venecia në vitin 1580.
Ai është një përkthim italian i origjinalit latinisht të Marin Barletit. Si teologë dhe filozofë fretërit françeskanë kanë qenë të dhënë pas shkrimeve. Rrëfimet e tyre nuk kanë të bëjnë vetëm me Kishën Katolike, por dhe mbi mënyrën sesi ata e shihnin jetën përtej mureve të Gjuhdolit dhe situatën në vend. Dorëshkrimi i At Donat Kurtit, është një tjetër vlerë e bibliotekës. Frati françeskan që vuajti në burgjet e komunizmit, ka lënë pas një sërë dorëshkrimesh studimorë. Kur ishte në burg ai përgatiti “Fjalori Frazeologjik i Gjuhës Shqipe”. Ky fjalor kishte 45,000 (katërdhet e pesëmijë) fraza. E shkroi në dy kopje me dorë, një për universitetin, dhe një do ta merrte me vete kur të lirohej. Kjo punë nuk ishte ilegale mbasi dihej edhe nga komanda e Burgut të Burrelit.
Ditën që është liruar, komandanti i burgut ia mbajti në zyrën e tij edhe kopjen që kishte të vetën At Donati. Ende sot nuk dihet fati i këtij fjalori. Një prej punëve të tij është dhe “Prralla Kombëtare” e botuar më 1940-n dhe ribotuar më 2005. Dorëshkrime dhe fotokopje të propagandës së fesë në Romë që më 1600-n ndodhen në këtë arkiv. Letrat origjinale të Jeronim De Radës, apo personaliteteve të letrave të viteve ‘30-të si Aleksandër Xhuvani apo Eqrem Çabej, janë pjesë e koleksionit të vyer. Në arkiv ndodhet dhe dorëshkrimi i dramës “Juda Makabe” e Gjergj Fishtës. Këtë dorëshkrim e ka ruajtur At Zef Pllumi. Pader Vitorio kujton ditën kur ishin të dy duke sistemuar këtë bibliotekë dhe gjejnë një zarf të madh, ku ndodhej dorëshkrimi. E kanë mbajtur gjithë natën në dhomë, pasi nuk e besonin se e kishin gjetur. Drama “Juda Makabe” i ka rreth 750 vargje.
Në këtë vepër, Fishta reagon ndaj atyre që donin ta shisnin Shqipërinë për të sjellë një robërim të ri, pas robërimit të gjatë osman. Kjo dramë është një himn për atdheun, e shkruar nga frymëzimi dhe mllefi, ku mund të shohësh dy personazhe, heroin dhe tradhtarin. Dikur kjo bibliotekë ku Pader Vitorio kalon pjesën më të madhe të kohës ka qenë një ndër bibliotekat më të pasura në Ballkan, falë drejtimit të At Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Luigj Gurakuqit, Anton Harapit, Shtejfën Gjeçovit. Pas dhunimit në vitin 1946 pakkush dinte për fatin e librave. Një pjesë u gjetën në bibliotekën “Marin Barleti” ndërsa të tjera në shtëpitë e qytetarëve shkodranë.
Rihapja e bibliotekës më 2003-in u bë falë donacioneve të etërve Luigj (Jak) Marlekaj – profesor në Universitetin e Milanos, Bolonjës dhe Barit; Paulin Margjokaj, edhe ky profesor universiteti në Itali dhe Daniel Gjeçai. Librat e kësaj biblioteke mbartin brenda dhe historinë tragjike të autorëve të tyre, të cilët u persekutuan, torturuan në regjimin komunist. Por falë këtyre librave idetë e tyre janë sot ende gjallë, po ashtu dhe kujtimi i tyre.