Durrës, 31. 08. 2014: (“Unë jam qytetar i Berlinit” – John F. Kennedy, Berlin më 26 qershor 1963) – Nisur nga shprehja epokale, për atë kohë, e Xh.Kenedit, “Unë jam qytetar i Berlinit”, mendimi i të gjithvet duhet të çohet te mënyra se si do të mund të realizohej praktikisht, në kohën tonë, uniteti i kësaj Europe dhe i këtij Perendimi, pa të cilët, me gjithë dreqërit që ia trazojnë barkun, as që do të mund të përfytyrohej progresi gjithnjerëzor….Edhe kryeqyteti i Shtetevet të Bashkuar të Evropës (i SHBE-së), për shkak të situatavet që ka sjellë restaurimi i kapitalizmit në Europën Lindore dhe për shkak të 2 kërcënimevet që po i vijnë tash Europës nga Lindja dhe Juglindja, duhet… të bëhet pikërisht BERLINI, qytetar simbolik i të cilit është dhe duhet të mbetet edhe vizionari i së ardhshmes së Europës dhe i krejt Perendimit, Xh.Kenedi.
John F. Kennedy – Ich bin ein Berliner…
Unë e kam shprehur këtë ide edhe herë të tjera: Europa, sa nuk është tepër vonë, duhet të bëjë brenda vetes një operacion vendimtar. Të gjithë tensionet, në shkallë globale, sado që të mundohet dikush për t’i larguar, bien pashmangshëm mbi Europën. Europa ka qenë dhe është promotori i progresevet. I gjithë potenciali botëror i regresevet, përfshirë edhe arsenalin e regresevet të vetë Europës, s’ka ku shkarkohet tjetër, veçse përmbi Europë. Nëse regresi botëror dëshiron ta mbizotërojë Globin, ai duhet, ose ta mbizotërojë Europën, ose ta asgjësojë atë, si subjekt ideologjik, kulturor, politik, ekonomiko-financiar, diplomatik dhe ushtarak. Europa është kontinenti ku shkarkohen vetëtimat e Botës.
Ky është kuadri që na detyron t’i shikojmë ngjarjet e kohës sonë me shqetësimin dhe me seriozitetin më të madh.
Nismën e zonjës A.Merkel për ta afruar Ballkanin Perendimor me BE-në dhe për ta ndihmuar atë, që të integrohet brenda Europës, pra, benda kontinentit të vet, unë e shoh si një shprehje pikërisht të këtij shqetësimi dhe serioziteti. S’e di a e kam gabim.
Në Botë po ndodhin trazira të mëdha. Europës i është afruar tashmë rreziku. Ose, më mirë të themi, rreziku është qartësisht i dukshëm. Rusia po shfaqet agresive. E mori Krimenë pa kurrfarë lufte. Po e merr edhe pjesën lindore të Ukrainës. Edhe në mos e marrtë “juridikisht”, Rusia po e thotë qartë tashmë: “Unë nuk pyes as për copa letrash, si Karta e Helsinkit, as për kufij shtetesh, as për BE, as për NATO dhe, në fund, nëse nuk më hyn mua në punë, unë Rusia, nuk pyes as për OKB.” Ky është konteksti i veprimevet të V.Putinit në drejtim të Ukrainës. Kjo dukuri nuk mund të emërtohet ndryshe, veçse si një NACIZËM RUS, i cili, veç tjerash, ka në dorë edhe armë bërthamore të mjaftueshme.
Në krahun tjetër, në Irakun Verior e deri Qendror dhe në një pjesë të Sirisë, u krijua bujshëm dhe me arrogancën më të egër që mund të përfytyrohet, një KALIFAT ISLAMIK. Me të gjithë veprimet që i ka manifestuar deri tani, ai është një TEO-FASHIZËM nga më monstuozët. (Siç e ka emërtuar tashmë një studiues i ri shqiptar, Salih Mehmeti.) Harta, që e ka shpallur ai kalifat, si synim të vetin, s’është tjetër, veçse një “Main Kampf” islamik, i frikshëm deri në rrënqethje. Ajo hartë ka përfshirë: Në juglindje, aq sa ka dashur, ka përfshirë një pjesë të madhe të Ish-BS-së, ka përfshirë pothuaj krejt Afrikën, me përjashtim të jugut të saj, ka përfshirë edhe një pjesë të madhe të Europës, krejt gadishullin e Ballkanit dhe krejt gadishullin e Pirenejvet. Turqia, s’do mend, gjendet brenda asaj harte.
– Kush po i vizaton të tilla harta në këtë pjesë të parë të shekullit XXI?!
– Mos po planifikon dikush të hedhë një kokërr bombë atomike në atë pjesë botës?!
Sepse, eksperimente kimikë, bakterikë e kibernetikë, po bëhen atje sa të duash.
– Kë po kërkojnë të trembin këto harta të zeza?!
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, duhet të kemi në fokus edhe të paktën 2 fakte: 1. Ai farë kalifati, i cili mbiu krejt papritur në tokën e sumerëvet të dikurshëm, misteriozisht të zhdukur, nuk është as i paarmatosur, as i pastërvitur për të bërë luftë.
2. Drejtuesit kryesorë dhe efektivat më aktivë të atij farë kalifati, janë shkolluar dhe janë frymëzuar me përkushtimin ndaj islamit, në Perendim.
Janë frymëzuar dhe armatosur teorikisht në Perendim, kundër Perendimit. Por kundër cilit Perendim?
Ata thonë që janë kundër SHBA-së, kërcënojnë SHBA-në, ia vrasin SHBA-së gazetarët, por, në hartën e kalifatit të tyre, nuk e kanë përfshirë SHBA-në. Në hartën e tyre ata kanë përfshirë pjesë të rëndësishme jetike të Evropës. Del pyetja: Po pjesën tjetër të kësaj Europe, kujt ia kanë lënë? Sigurisht, jo Europës. Po e përsëris: Pjesën tjetër të Europës, që nuk është përfshirë në hartën e ISIS-it, “ISIS”-i nuk ia ka lënë Europës.
Ç’intriga të zeza po thuren kështu në kurriz të krejt njerëzimit?!
Në samitin proballkanik të Berlinit dhe, realisht në thelbin e vet, proeuropian, nuk vumë re ndonjë entuziazëm as nga një pjesë e BE-së, as nga SHBA-ja. (E lëmë mënjanë z.E.Barozo, i cili ishte i detyruar të vinte aty.) Nuk u bënë as përshëndetje për këtë nismë të z.A.Merkel, madje nuk u shpreh kurrfarë përkrahjeje pikërisht prej asaj pjese të Europës, në të cilën po kërkon të integrohet ky Ballkan dhe me të cilin po kërkon ta afrojë kjo grua, që sot gjendet në krye të Gjermanisë. Mos po ringjallen demonët e hershëm, prej të cilëvet Europa s’ka pasur kurrë asnjë të mirë?!
Samiti i ardhshëm për çështjet e Ballkanit Perendimor u parashikua të mbahet në Austri. Pse nuk u parashikua të mbahet në Londër?! Apo, sepse Londrës i janë lënë detyrat e copëtimevet?! Në Luftën e Dytë Botërore Britania dhe SHBA-ja ishin me BS-në. Mos përsëri po përvijohet e njëjta ndarje zindjellëse?!
Në një krah po shohim sllavo-nacizmin e V.Putinit, i cili është pakrahasimisht më i keq se komunizmi sovjetik i J.V.Stalinit dhe më i rrëzikshëm se cilido carizëm i kohëvet të shkuara. Në krahun tjetër po shohim kalifatin teo-fashist të ISIS-it, që është shumë më i zi madje edhe se sulltanatet e Osmanëvet. Në të njëjtën kohë, në krahun perendimor, po shohim një ftohtësi të paarsyetueshme ndaj nismës së zonjës A.Merkel.
Pamë këto ditë edhe një ngjarje tjetër. Në Ankara bëri betimin si president z.T.Erdohan. Nuk vumë re ndonjë miratim nga ana e Botës Perendimore. Në fjalimin e tij ai pohoi se Turqia do të ndjekë rrugën e Qemal Ata Turkut. Kjo do të thotë që Turqia edhe në të ardhshmen do të jetë progresiste dhe properendimore. Përse ky qëndrim i ftohtë i Perendimit? SHBA-ja, më thane, çoi atje një përfaqësues të rangut të ulët, më të ulët se kur shkon në bisedime me Hamasin. Z.E.Venizellos iu prish avioni.
Kjo, për mua, për mendimin tim, do të thotë, ta lësh Turqinë e Ata Turkut të rrëshqasë edhe ajo në drejtim të islamizmit ekstrem, nën mëshirën joshëse të teo-fashistëvet të ISIS-it, si dhe nën kërcënimin e raketavet ruse të Krimesë. Kjo, për mendimin tim, është, ta bësh prapë botën lafsha-lafsha dhe ta çosh botën me duart e tua drejt Hiroshimavet, numrin e të cilavet askush s’është në gjendje ta parashikojë.
Duke kërkuar një rrugë shpëtimi, me mendjen e një intelektuali që nuk mund të rrijë indiferent, po më kujtohet një thënie e Xh.Kenedit, kur erdhi në Berlin në një çast kritik përballë Bashkimit Sovjetik të atëhershëm. Ai pat deklaruar atëherë, solemnisht dhe njëkohësisht kërcënueshëm: “Unë jam qytetar i Berlinit.”
Erdhi edhe z.B.Obama në Varshavë, por nuk tha asgjë të ngjashme. Nuk tha asgjë të ngjashme me Xh.Kenedin dhe nuk shkoi dot deri në Kiev, por u ndal në Varshavë. Në Berlin, ku po bëheshin përpjekjet racionale për t’iu përgjigjur sadokudo koniukturavet të pafavorshme, z.B.Obama jo vetëm që nuk erdhi , por, me sa pashë unë, nuk dërgoi as ndonjë funksionar të vetin. Në të njëjtën linjë u pozicionuan, me sa munda të shoh unë, edhe z.D.Kameron, edhe z.F.Holand.
Gjendur përballë një të këtillë panorame të zymtë, njeriut i mbeten fare pak shpresa. Megjithkëtë, do të ishte mëkat për cilindo që ka diç në kokë, të mos e shfaqë atë përpara të tjerëvet. K.Marksi pat thënë njëherë në kohën e vet: “Unë po çliroj shpirtin tim.” Edhe unë, në mos arrifsha gjë tjetër në të mirë të njerëzimit, të paktën le ta çliroj shpirtin.
Nisur nga shprehja epokale, për atë kohë, e Xh.Kenedit, “Unë jam qytetar i Berlinit”, mendimi i të gjithvet duhet të çohet te mënyra se si do të mund të realizohej praktikisht, në kohën tonë, uniteti i kësaj Europe dhe i këtij Perendimi, pa të cilët, me gjithë dreqërit që ia trazojnë barkun, as që do të mund të përfytyrohej progresi gjithnjerëzor.
Që të realizohet, dmth. që të sigurohet uniteti i BE-së, BE-ja duhet të shndërrohet ngutshëm në një bashkim shtetesh me qeverisje të centralizuar. Nën shembullin e kushtetutës së SHBA-së, natyrisht, me përshtatjet sipas specifikavet që ka Europa, BE-ja duhet të krijojë një kushtetutë të vetën unifikuese.
Edhe kryeqyteti i Shtetevet të Bashkuar të Evropës (i SHBE-së), për shkak të situatavet që ka sjellë restaurimi i kapitalizmit në Europën Lindore dhe për shkak të 2 kërcënimevet që po i vijnë tash Europës nga Lindja dhe Juglindja, duhet të zhvendoset drejt Lindjes. Kryeqyteti i SHBE-së nuk mund të jenë as Londra, as Parisi , as Brukseli, jo se ata kanë ndonjë gjë mangut në vetëvete, por thjeshtë për shkak të pozicionit të tyre gjeostrategjik. Kryeqyteti i SHBE-së, jo përkohësisht, por për një afat shumë të gjatë, duhet, madje është e domosdoshme, të bëhet pikërisht BERLINI, qytetar simbolik i të cilit është dhe duhet të mbetet edhe vizionari i së ardhshmes së Europës dhe i krejt Perendimit, Xh.Kenedi. Berlini i ka të gjithë atributet për t’u bërë kryeqyteti i SHBE-së. Unë nuk do të zgjatem këtu, sepse e shoh të nevojshme të prek edhe një tjetër çështje.
BE-ja duhet ta sigurojë e garantojë unitetin e vet, duke u shndërruar, madje me procedurë të shkurtuar, në SHBE, me kryeqytet Berlinin, por kjo nuk do të mjaftonte. SHBE-ja me këta shtete që janë sot në BE, madje edhe duke ia kooptuar krejt Ballkanin dhe Lindjen, deri në Ukrainë (ajo që të mbetet pasi Rusia ta ketë aneksuar pjesën që po e pushton), nuk mund ta ndiejë veten të sigurtë pa e përfshirë edhe Turqinë brenda kufijvet të vet.
(Dua të sqaroj këtu për lexuesin, se unë jam një i KRISHTERË ballkanas, të parët e të cilit kanë vuajtur shumë nën pushtimin e Perandorisë Osmane, por jam europian kontemporan dhe nuk i shikoj, as të sotmen, as të ardhshmen, me syzet e fanatizmit atavik, syze, të cilat një shumice të banorëve të sotëm të Botës ia kanë zënë sytë deri në verbim. Njëkohësisht, unë nuk mendoj kurrsesi që, një Turqi myslimane e sotme, do të kërkojë të na kthejë në europianët e krishterë në myslimanë.)
ISIS-ët dhe kush i nxit e inkurajon ata nga prapa, e kanë bërë hartën e vet. Kjo, që po projektoj unë, është HARTA JONË. Shikojeni dhe përqëndrohuni me vëmendje. Në një SHBE të tillë, në një shtet të tillë të bashkuar dhe të centralizuar, nuk ka vetëm anglezë, francezë, gjermanë, spanjollë e italianë, por ka edhe bullgarë, sërbë, sllovakë, çekë, polakë, bjellorusë, ukrainas, rumunë, shqiptarë, grekë dhe turq. Ka, pra, kombe, të cilët, o duhet të shkojnë mirë njëri me tjetrin dhe t’i japin tonin, bashkë me SHBA-në, shkuarjes mirë në krejt Globin, o ta lëshojnë veten e katastrofë.
Në një SHBE të tillë ka TË KRISHTERË dhe MYSLIMANË, të cilët, o duhet të shkojnë mirë njëri me tjetrin dhe t’i japin tonin mirëkuptimit botëror midis religjionevet, o ta lëshojnë veten në duart Mefistofelit. Nuk duhet harruar që, në një SHBE të tillë, ka më së shumti ILUMINISTË, të cilët gjithsesi do të ndikojnë pozitivisht në shkuarjen mirë midis popujvet.
Përfundimisht, Europës së sotme Perendimore dhe SHBA-së, u mbetet të zgjedhin: o bashkim e, rrjedhimisht, edhe forcim të gjithanshëm, o grindje e mosmarrëveshje, që do të thotë, rirënie në gabimet tragjikë që e kanë ndjekur Europën shekull pas shekulli. Europianët duhet ta kujtojnë e rikujtojnë ditë e natë një të vërtetë nga më tronditëset: Sa herë që janë bërë luftëra, sidomos luftëra të mëdha, nuk ka mbetur pa u përdorur asnjë lloj arme që njihej. Kështu do të ndodhë edhe tash, nëse do të lejojmë të shkojnë punët në këtë rrugë që janë nisur.
Po më duhet ta theksoj edhe njëherë: Pa një kushtetutë të re gjithbashkuese dhe pa e përfshirë edhe Turqinë nën kufijtë e vet, Europa, e rrjedhimisht, as Amerika Veriore, nuk kanë kurrfarë perspektive për të mbetur pa luftëra shkatërruese. Luftërat shkatërruese mund të vijnë edhe ashtu, por, sidoqoftë, është më mirë të vdesim të gjithë së bashku.
– Kontakti: Gjokë Dabaj ([email protected])