Demokracia negative!

Demokracia negative! Kur politika, paraja,padrejtësia, vjedhja, korrupsioni, droga e krimi bëhen bashkë

Nga Skënder Sadri Kapiti, 9 Korrik 2021

Asnjë ideologji nuk e prish më shumë shoqërinë se sa një demokraci negative; se sa pseudodemokracia e lirive të veseve, poshtërsive dhe korrupsionit; se sa ajo demokraci e  pakndëshkueshmërisë së bixhozit, prostitucionit, vjedhjes, krimit dhe drogës.

Hidhni sytë shikoni dhe me gjakftohtesi  arsyetoni se a nuk është shoqëria e sotme e kercënuar seriozisht nga një realitet i tillë?!Demokracia shqiptare reklamon, promovon , propagandon dhe helmon me ngjarje, lajme dhe me informacione ordinere të zhurmshme dhe të pavlera por që edukojnë e tejcojnë mesazhe të dëmshme, që interferojnë e përhapin në publik të këqijat sociale si: krime të shëmtuara vrasjesh, dhunime seksuale, gjyqësi padrejtësish e vetëgjyqësira, lakuriqësira televizive në emisione dekulturore dhe anti traditave të mira e të vyera kombëtare, bashkëjetesa disa vjecare paramartesore formale dhe lloj-lloj anormalitetesh amorale institucionale,  mediatike dhe sociale.

Ajo për të cilën flitet e përflitet shpesh dhe më së shumti në Shqipëri nga mediat, nga politika por edhe nga bisedat mes njerëzve janë tema që kanë të bëjnë me politikën, për paranë e pisët, por sidomos  për krimet  e drejtësisë, të drogës, vjedhjes dhe të korrupsionit.

Aq shumë janë të përhapura padrejtësia gjyqësore, fjalori i pisët, antikultura, pasinqeritetit, josolidariteti, kultivimi dhe trafikimi i drogave dhe korrupsioni në Shqipëri a thua se ato tashmë janë bërë fenomene normale dhe madje edhe si kultura e shprehi, sepse dhe përderisa politika, pushteti, paraja dhe korrupsioni janë bërë bashkë dhe shumëzor e për të mos thënë se janë   bërë të pasfidueshëm.

P.sh. nuk ka reagim publik dhe as mbështeje publike sa duhet për punën e jashtëzakonshme që po bëjnë SPAK-u dhe VETING-u, të cilët po pastrojnë sistemin e drejtësisë.  Si është e mundur që ka jo pak njerëz që mbështesin kundërshtarët politikë të VETING-ut dhe madje edhe kundërshtojnë se përse SHBA shpall “non grata” politikanë e pushtetarë që kanë rekorde krimi të korrupsionit, të vjedhjes dhe të atyre që kanë penguar demokracinë dhe luftën kundër korrupsionit, të atyre që kanë zhvatur e grabitur pasuri dhe paranë publike!?

Dhe pastaj edhe tjetra akoma më shqetësuese,si është e mundur që në Shqipëri fiton zgjedhjet një Parti e cila gjatë qeverisjes së saj është akuzuar se në Shqipëri shteti është instaluar prej saj si  një narkoshtet; si ka mundësi që në Shqipëri rifiton zgjedhjet një politikë e cila nuk përmbushi për 8 vite asnjë standard për hapjen e negociatave të antarësimit në BE, dhe jo vetëm kaq por iu vunë Shqipërisë edhe 15 kushte shtesë për plotësimin e tyre; si është e mundur që shqiptarët ia besuan qeverisjen një pushteti i cili si rrugë e mjet punësimi u ofroi shqiptarëve varfërinë dhe eksodin; si është e mundur që shqiptarët do të qeverisen prej një pushteti kampion për vjedhje e korrupsion i cili  u rizgjodh dhe fitoi me vota të blera etj.Dhe si është e mundur që pushteti t’i ketë blerë votat, por si është akoma dhe më keq e mundur që qytetarër edhe e paskan shitur votën?!

Nisur nga këto fakte vjen edhe pyetja se a mos vallë në Shqipëri krimi i drejtësisë, drogës, korrupsionit dhe hajnisë, krimi “demokracisë” si shitblerje vote dhe korrupsioni, hajnija dhe  pasurimi i shpejtë  janë bërë kulturë publike?!

Nuk është e rrallë por shpesh edhe dëgjohen në biseda ndërmjet qytetarësh për politikanë e për pushtetarë shprehje të tilla si: i lumtë është i zoti , e pati në dorë e vodhi sa deshi”.

Ndërsa për atë i cili punon ndërshmërisht thonë: “hajvan, torollak e frikacak, e pati në dorë e nuk qe i zoti,se sot do të kishte pasur miliona”.

Kur kapet ndonje peshk i madh korrupsioni e abuzimi me paranë publike dëgjohen shprehje  nëpër lokale të tilla si: ec, ore vëlla, mirë ia ka bërë , se mos mi mori paratë mua, i lumtë ore”. Dhe shprehja tjetër “popullore”, shiko se “po të ra në dorë, e po u bëre deputet, ministër, drejtor apo gjyqtar , bjeri me top, se njëherë të vjen shansi”.

Ndërsa për gjyqtarët e prokurorët të cilët e shesin ligjin dhe drejtësinë dëgjon nga qytetarët fraza të tilla se: “ndigjo, se  filan gjyqtar e prokuror  ama pavarësisht se janë horra e të   korruptuar, por  ama  janë burra dhe të besës, sepse lekun ta marrin por ama fjalën e mbajnë, me ta e fiton gjyqin”.

Edhe për kryeministrat shqiptarë në opinionin publik përshpëritet p.sh. si për Berishën apo edhe për Ramën: “ ama janë si janë por  janë burra të besës ,se  nuk i tradhtojnë shokët dhe as nuk i shesin ministrat  e as vartësit e tyre por i mbajnë e mbrojnë edhe po vodhën, edhe po bënë  korrupsionin, edhe po shkelën ligjin”. Fenomen tjetër është hipokrizia dhe mosreagimi, mossolidariteti, pandjesia sociale ndërqytetare si dhe urrejtja ndaj talentit dhe suksesit të tjetrit,sipas “parimit” gjithkush për vete edhe duke i shkaktuar dëm e padrejtësi tjetrit me metoda korrupsioni e duke e ushqyer dhe blerë edhe ligjin me para dhe me   ryshfet, duke e përvetsuar atë që nuk është e tija. 

Nuk e di, por puna ka arritur deri aty sa që ndershmëria, virtyti, burrrnija e besa shkon deri te paraja , pasuria, e deri te pushteti, se sapo kap paranë, pasurinë e pushtetin njeriu  shformësohet e degradohet në amoralitete të tilla si koprracia dhe pangopësia për paranë, nga mashtrimi, gënjeshtra, shpërfytyrimi, paburrërija e korrupsioni e deri edhe te tradhtia kombëtare.

Kështu po zbatohet kjo demokracia deri më tani në të dy shtetet shqiptare, si një demokraci negative; demokraci e lirive negative për të përdorur cdo mjet e formë kriminale pasurimi, si një demokraci  mashtruese, e shitur dhe e  korruptuar, si një demokraci lirie të posteve, të detyrave  shtetërore e të autoritetit publik e zyrtar për të bërë zullume, vjedhje ,krim e korrupsion.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura