Vjenë, 23. 09. 2014: Pallati Auersperg ka zënë rrënjë në historinë shqiptare jo vetëm nga mbajtja e bisedimeve shqiptaro-serbe për statusin e Kosovës, por tani nuk rresht së shprehuri me gjuhën e kulturës, elementi më shprehës i lirisë. Me organizimin e disa shoqatave të kyçura në Këshillin Koordinues, u bë hapja e Javës së Kulturës Shqiptare në Vjenë. Mori pjesë z.Roland Bimo, Ambasador i Shqipërisë në Austri, Z.Ymer Lladrovci, Konsull në Ambasadën e Kosovës dhe zonja Lladrovci, Fitim Nuhi, Konsull në Ambasadën e Maqedonisë dhe personalitete tjera nga diplomacia, arti e kultura nga radhët e mërgimtarëve tanë. Programin e hapi Mirala Shira, kryetare e Këshillit, kurse përshëndeti z.Roland Bimo, në emër të Ambasadës së Shqipërisë. Ishte mysafir rasti i ardhur veçantë për mbrëmje z.Pierre Weber, ambasador i Luxemburgut në Prishtinë. Ai luajti pjesë nga krijimtaria e tij kompozuese në piano: Nocturne nr-1, The ether Canon etj., i cili u prit mirë nga publiku. Programi u hap me Polonaise Heroicue ep. 53 nga Frederik Chopin, e luajtur me mjeshtri nga pianisti Mennan Berveniku. Zëri i tenorit Faik Hondozi ishte vërtetë i mrekullueshëm në këndimin e ‘Il mie tesor’ nga W.A.Mozart. Ai i dha sallës së Auerspegut shkëlqim në jetën e saj katër shekullore, diçka që nuk harrohet lehtë.
E serbate, a queste acciare nga I Capuletti, Agimet shqiptare nga A.Mula dhe disa këngë duet ishin kënaqësia apikale e mbrëmjes me zërin e tenorit z.Hondozi. Pastaj, Cruda sorte nga G.Rossin, Habanera Carmen nga G.Bizet, Margjelë – nga K Jakova, Luleborë nga Simon Gjoni u kënduan me mjeshtri nga mezzosopranoja Flaka Goranci. Ndërsa këngët: O mio babbino caro- nga G.Schicchi. Adieu notre petite table-Manen- nga J. Massenet, Pranvera filloi me ardhë – këngë shkodrane, u kënduan me shije nga soprano Anjëza Islamaj.
Mbresa lanë këngët e kënduara në duet ‘Kur perëndon dielli’ – nga L.Deda – kënduar nga F.Hondozi e F. Goranci; Ca pika shiu ranë mbi qelq – nga R.Cako kënduar nga F.Hondoz e A.Islamaj. Programi u mbyll me këngën simbolike ‘Dua më shumë Shqipërinë’ kënduar nga F.Hondozi, F.Goranci e A.Islamaj.
Publiku i duartrokiti artistët me ngrohtësi duke iu dhuruar edhe buçetë lulesh. Ajo që vërehej ishte mungesa e publikut jo shqipfolës, raste të rralla kur kemi të bëjmë me koncertet të muzikës klasike në Vjenë.
Programet kulturore të radhës vazhdojnë me ekspozitën e skulptorit të mirënjohur Destan Gashi, orën letrare të krijuesve nga radhët e Lidhjës së Krijuesve dhe Shkrimtarëve “Aleksandër Moisiu” në Austri dhe përfundon me aktivitet sportive në periferi të Vjenës. Për renditjen e programit u kujdes Januz Saliuka, ideator i aktivitetit.
Aktivitetet e shtuara kulturo-sportive të mërgimtarëve tanë janë një faktor me rëndësi në ruajtjen e gjuhës dhe traditave kombëtare tek gjenerata e re dhe afirmim i mëtejmë i krijimtarisë e kulturës para vendorëve. Pa dyshim krahas aktivistëve, artistëve brenda shoqatave duhet falënderuar edhe sponsorët aktiv të aktiviteteve kulturore brenda mërgimtarëve shqiptarë në Austri.