Prishtinë, 07. 11. 2014 – Arsimi pa pagesë është e drejtë që i takon secilit qytetar. Ai duhet trajtuar vetëm kështu, dhe kurrsesi si privilegj që na e mundëson dikush. Por, e drejta për studim nuk duhet abuzuar për ta shndërruar studentin në instrument përdorimi të interesave ditore. Universiteti përdoret herë në ruajtjen e paqes sociale, herë si hambar votash. Në të dy rastet si numër dhe për të njejtin qëllim: riprodhimin e dominimit dhe rritjen e pabarazisë. Herën e parë zvogëlohet numri i të papunëve (teksa futesh në fakultet mëson dhe procedurat e nënshtrimit), herën e dytë me një vendim qeverie, ata që prodhuan varfërinë, përdorin po varfërinë për ta zgjatur pushtetin e tyre.
– Hapësira e Qendrës së Studentëve u përket studentëve. Është vendi ku duhet të zhvillohet jeta studentore. Jetë e cila sot është e munguar. Kjo hapësirë është e populluar dhe e mbipopulluar, por jo publike-studentore. Qendra e Studentëve formalisht njihet si institucion publik, porse funksionimi i saj nuk është i tillë.
Hashim Thaçi – Mashtrimi i Ri në hambarin e votave – UP!
– Vendimet e partisë shtet lidhur me Qendren e Studentëve kanë qenë klienteliste dhe të korruptuara. Në njërën anë kemi uljen e çmimit për t’u ushqyer në menzë, por janë mijëra studentë që aplikuan e nuk iu dha kjo mundësi. Kjo sepse vendimi për uljen e çmimit nuk u përcoll me rritje kapacitetesh. Përkundër rritjes të përvitshme të numrit të studentëve, ne nuk pamë tek ndërtoheshin objekte të reja banimi, dhe as rritje hapësirash e kapacitetesh ushqimi. Për këto 15 vite, numri i studentëve u shtua me mijëra, por nuk u shtua asnjë menzë, e u ndërtuan veç dy konvikte. Vetë mungesa e një qëndrimi koherent sa i përket pagesës për semester është mjaft indikative. Dikur Mujë Rugova në shërbim të Hashim Thaçit synonte rritjen e pagesave sepse atëbotë PDK-së i duheshin paratë e studentëve për fushatë, kurse tash së voni me vendimin per lirim të semestrit po synonte blerjen e votave nga ta.
– Për ta kuptuar se sa e do ky pushtet Universitetin duhet kthyer sytë kah kriteret e niveli i studimeve. Ato nuk i hyjnë në punë pushtetit. As kur shpërndan çmime e tituj lart e poshtë, as për ta mbajtur të paqtuar popullin, as tek i blen votat. Rënia e përkushtimit për dijen është në përpjestim të drejtë me rritjen e pranisë së pushtetit në Universitet.
– Niveli i përkushtimit në ligjerata e studime ka pësuar rënie drastike. Lirimi nga pagesa në kushtet e mugesës së studimeve shumëzohet me zero. Zhbërja e studentit nuk mund të jetë kostoja e lirimit financiar. I duam të dyja kumulativisht: studime të vërteta dhe kushte të përshtatshme.
٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢
Lëvizja studentore për barazi “STUDIM – KRITIKË – VEPRIM”
Prishtinë, 07. 11. 2014