NEXHAT REXHA: RREZATIMET NЁ SHKЁLQIMIN POETIK

Gjilan, 21. 01. 2015 – (Vera Istrefaj “Qielli i shpirtit tim” – Botoi ‘Ada’ – Kukës, 2014, fq. 100) – Poezia si kërkim për shpalosjen e identitetit shpirtëror, vjen me shkëlqimin e vargjeve të Vera Istrefaj në vëllimin poetik “Qielli i shpirtit tim”. Në këtë shtrirje tematike të kësaj vepre, autorja ka saktësuar rolin e saj në shtjellimin e tërësishëm të vargut. Depërtimi në shumë vija të ngurtësuara e të dëshiruara, intrigojnë autoren të skalit idenë, frymëzimet, që i ka palosur jeta, me koordinim të koduar artistik duke i lënë hapësirë që vetë jeta të shprishë botën qiellore bashkë me zgjimin e muzës poetike në hapësirën e lirë, ku rrugët e jetës mund të tejkalojnë kontinentet shpirtërore si dukje e jashtme dhe si dukje e brendshme. Në këto hallka jetësore rrjedhin vargjet e këtij vëllimi poetik.
Vera në të gjitha poezitë e saja ka kërkuar prehje shpirtërore për një ëndërr, që ajo është në kërkim të saj, sepse vetë jeta me të gjitha kërkesat, është shpresë, brengë dhe këto parafytyrime për të djeshmen, të nesërmen krijojnë mundësinë e shtruarjes së kërkesave për diçka që mund të arrihet. Kurse, arritjet e dëshiruara e të mundshme, kërkojnë njohje, hulumtim për të saktësuar kërkesën e autores. Ajo i ka dhënë këto predispozita në të gjitha shtrirjet trajtimit poetik, me qëllim që lexuesit t`i afrojë mesazhin sa më origjinal. Kur depërtimi arrin shkallën e mjaftueshme të dukshmërisë edhe diksioni artistik qartëson kërkesën, parashtrimin e asaj që i jep kuptimin e mundshëm e të pranueshëm. Këto unaza lidhin të gjitha kohët e njerëzimit, në këtë korrelacion qiellor, Vera ka parashtruar të gjitha kërkesat me lidhjen e pashkëputshme, për të arritur në bashkimin e fjalës e të shpirtit të saj.

Vetë qielli ka kaltërsinë e dukshme dhe kjo kaltërsi sikur shtron kërkesën për më shumë dukje, e më shumë lehtësime të dhembjeve, që krijon përditshmëria në një anë, kurse në anën tjetër kaltërsia shpalos edhe botën e brishtë shpirtërore të paqes e lumturisë. Universaliteti poetik ngërthen në vete artikulimin e tipareve dalluese për të ndriçuar eklipsin e kohëve, si kërkim dhe si retrospektivë e kontrasteve shoqërore, jo vetëm në një pikëtakim të të ndodhurave, por edhe si pikëtakim i të ardhmes me avancim për të bukurën e kërkuar me ndjesi . E veçanta e këtij vëllimi poetik shenjon elementin dallues, si kërkesë për të shëruar plagët e padukshme njerëzore.
Në këto theksime autorja vjen me veshjen vargut plot energji e sharmë, në zbardhjen e shpirtit poetik e njerëzor. Paraqitja e çdo dite, nate reflekton në meditimin e buzëqeshjes së kërkuar, kjo buzëqeshje të ngjallë shpresën evidente përmes kompozicionit të sforcuar me ngjyrime artistike, të cilat i japin shije tërësisë poetike, librit të Verës.
Saktësimi në parashtrimin e idesë
Për të qenë sa më afër lexuesit, parashtrimi si koncept artistik kërkon shfaqjen e idesë në komunikimin e brendshëm, si dhe në gjetjen e figuracionit artistik, me të cilin poezia gjallon transparencën e kornizuar për të shfaq autorja ndërtimin e tërësishëm të mesazhit. Vetë titulli i librit është një metaforë e goditur bukur, sepse hapësira e pakufishme komunikon me qiellin, tokën, detin gjithnjë në fisnikërim të ringjalljes akustike për një ditë sa më të bukur. Lirikat e Verës, të ambientojnë gjatë leximit, sepse ato kanë refleksionin e depërtueshëm në karakterin e brendshëm të përjetimit nëpër situata të pritjeve. Dashuria për të mundur heshtjen kërkon ruajtjen e imazhit të ngjarjeve të përjetuara. Ato mund të jenë nga më të ndryshmet, ajo pyet në disa raste si, në poezinë “Ç`është kjo heshtje mes nesh” dhe arrin të shpalos heshtjen. Ç`është kjo heshtje mes nesh?
Nëpër dridhmat e trupit t`i lexoj dëshirat
Eh, kjo heshtje mes nesh! Fq. 13, Elementet shënuese karakterizojnë përmes nuancave të pasthirrmës, të heshtjes e dëshirës. Në të gjitha gjymtyrët e trupit lexohen krismat e dridhjeve për ndjesitë e zakonshme dhe arritjen e shtegtimeve të përbashkëta. Përditshmëria me ecjet e saja dhe shikimet përjetuese të ngjarjeve, dallojnë e specifikojnë pika dalluese në disa rrafshe, ato nuk shlyejnë përjetimet. Kështu autorja në poezitë “Përqafimin si ngushëllim”, “Shumë herë”, “Eja me mua Drin”, “Kur të kalosh ti”, “Të humbur” etj., specifikojnë diçka që dallon në jetën e një ditë, muaji apo të një viti dhe këto përjetime autorja i ka bartur me transformim artistik, duke iu dhënë vargjeve melodinë estetike.
Poezia në shumë raste ka shënuar saktësinë e të ndodhurave si me protagonisten “Lulëmirë”, ajo ndjen nga afërsia dhembjen e lojën e këputur të kësaj vogëlusheje në qytetin e Kukësit, e çfarë i dhuron njeriu – njeriut në këto kohë me përjetime të pa kuptimta, përpos lotit e përqafimit ngushëllues. Edhe loti e ngushëllimi janë ndjesi të papërsëritshme, kurse poezia ruan në kujtesë këto momente të një viti aq domethënës për popullin tonë.
Lirika si gjini letrare ka zanafillën e saj që nga lashtësia, dhe në të janë ruajtur e brumosur ide, mesazhe, të cilat pasqyrojnë ëndrrat e njeriut. Këto ide kanë shtrirje në motive nga më të ndryshmet dhe mbretëreshë që ka ruajtur e pushtruar gjitha kohët padyshim se është lirika e dashurisë. Këto sinjale reflektuese në të gjitha stinët, e netët e errëta, diktojnë rrugën për të kaluar mbi shtatin e këtyre rrjedhave, si gurgullima e Drinit, që piketon me valët e tij, ashtu edhe lirika intime shpalos këtë shtegtim të pandalshëm.
Autorja e do rriten e fëmijëve si rrjedhën e bashkimin e dy drinave, kur vjen stina më e bukur. Në këto persiatje, ajo ka palosur dëshirat e ëndrrat e saj për një ditë, siç këndon nëna në djep për pasardhësin e saj, ajo ëndërron, uron, dëshiron që bashkërisht të shtegtojnë udhët e jetës, ama me frymëmarrjen e saj edhe për takimin e parë dashurisë. Identifikimi i tekstit letrar në letërsinë e sotme ka hapësirë e shtrirje të mëdha në gjeografinë e vendit tonë, ajo të jep mundësitë nga më të ndryshmet, sepse fjala artistike kur është e pajisur bukur me figurat stilistike ajo të krijon hapësirën e rrezatimit në të gjitha anët, e në të gjitha kohët, që jep glorifikimi i autores, si pikësynim për t`i afruar lexuesit botën e saj magjike në të gjitha parashtrimet në vepër. Këto shkrirje emocionale, estetike na japin mundësinë ndarjes, përjetimit bashkë me autoren në të gjitha poezitë e këtij vëllimi.
Vera ka shkrirë lotin e saj edhe në poezinë ”Shi malli”, nga vjen edhe titulli i këtij libri. Saktësisht, diskursi poetik arrin deri në pikën e dëshiruar. Ky shi, ka breng, mall, tronditje, njëkohësisht shiu ruan edhe shpresën e këtyre përsiatjeve të autores. E kush mund të di se cili planet prodhon shiun pos lotit e kujtesës njerëzore. Vetë shiu sjell gjallëri brenda stinëve të vitit, kështu autorja ka dhënë shpresën për të mos u ndalur së kërkuari shiun si metaforë me epitetet e mundshme, që prodhon jeta në të gjitha mangësitë e bukuritë e saja. Ky vëllim poetik, të jep mundësinë e kërkimit për të gjetur të bukurën ekzistuese, e kjo mundësi është e mundshme, duke hyrë në brendi të tërësishëm të idesë, mbarështimit, muzikalitetit dhe mesazhit me fokusim kah gjetja e shpirtit qiellor të Vera Istrefaj.

Dardanë, dhjetor 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura