(Prishtinë, 27. 06. 2012) – Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës, një karakter me mentalitet paternalist, të shoqëruar me tipare të përditshme antidemokratike, por me një aftësi të jashtëzakonshme, që i mungon secilit lider partiak në vend. Thaçi, si asnjë tjetër, ka arritur të ndërtojë formacion strategjik në përbërje të të cilit ka: Kokën dhe pesë grupe të tjera që përbëjnë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Ka arritur që brenda një partie të ndajë përgjegjësitë, funksionet dhe angazhimet me prioritet, me një laramani militantësh ku futen: pesë grupe në të cilin bëjnë pjesë banditët, biznesmenët, ish-të burgosurit, spiunët, intelektualët, ish-gazetarët, dhe postierët të cilët bartin sa nga njëra anë në tjetrën.
Ditë më parë u zbulua organizimi i SHIK-ut, i cili në formacionin e PDK-së është i pozicionuar ndryshe sa i përket hierarkisë. Të gjithë i kanë të ndara punët, e dinë mirë vendin se ku e kanë, por po t’i pyesësh, secili thotë se është dorë e djathtë e shefit, nga dëshira që të paraqiten si faktor, por realisht të gjithë e dinë se deri ku mund të shkojnë.
Ndonëse shumë prej tyre lakmojnë të kalojnë nga një grup në tjetrin, ata i lariten me të madhe shefit për t’u avancuar në pozita sa më mirë afër tij, fatkeqësisht servilizmi nuk ka efekt nëse nuk je pjesë e grupit më të fortë, e që duhet të përmbushësh kriterët prej “muskulori” të fuqishëm.
Ajo çfarë duket nga jashtë, që qytetarët besojnë se vetëm Hashim Thaçi kollitet në parti, është larg nga realiteti. Aq sa paraqitet me autoritet dhe injoron një pjesë të anëtarëve të partisë, ka disa të tjerë nga të cilët Thaçi nuk guxon të marrë vendime pa e marrë “izen” prej tyre.
SOT – KODI I HASHËS, NUK NJEH ASGJË TJETËR PËRVEҪ PARASË!
________________________________________
Për me tepër strukturimi i PDK-së është i përbërë nga:
Koka e PDK-së: Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Të dy këta marrin vendimet kryesore për punët e mëdha ku futen çështje politike, biznesore, rekrutimet… Thaçi është shumë i vetëdijshëm për pushtetin që ka brenda partisë së tij ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli.
Këta vendosin për pozicionimet strategjike në pushtet, biznes, ndërmarrje publike. Mjafton të zgjedhin të besuarit e tyre, një rreth ky i ngushtë me të cilin ndajnë vetëm një muhabet që jo çdokush mund të ketë qasje në të, kohë pas kohe Sami Lushtaku, i cili i “rehaton” të gjithë i inkuadrohet llafit.
SHIK-u: Latif Gashi, Ilmi Reçica, Fadil Demaku, Fatmir Xhelili etj. Ky grup ka për detyrë të shërbejnë si logjistikë që e siguron pushtetin. Të specializuar në këtë fushë për dhjetë vjet, kanë arritur që financiarisht ta forcojnë PDK-në.
Koordinatorë të tyre janë Adem Grabovci dhe Shaip Muja. E pas gjithë këtyre bën vrap Kamishi, me përpjekjen për të dalë në pah si faktor që në realitet brenda partisë s’ta pyet kush për punë të mëdha.
Intelektualët: Hajredin Kuçi dhe Enver Hoxhaj, më të shkolluar se të gjithë në parti, pa skandale korrupsioni dhe me autoritet, i cili i duhet partisë për të mbuluar pisllëqet e brendshme.
Këta dy zyrtarë shfrytëzohen për të balancuar imazhin e partisë që çdo ditë ia sakatojnë skandalet e prodhuara nga grupacioni i rreshtuar menjëherë pas Kokës. Këta të dy duhet të merren me politikën ditore dhe nuk guxon t’u hyjë në punë se çfarë bën grupi përpara tyre.
Ish-të burgosurit: Jakup Krasniqi në krye, pas të cilit vjen Hydajet Hyseni, Nait Hasani dhe disa të tjetër të cilët pretendojnë se Partia Demokratike, Hashim Thaçi dhe shteti i Kosovës është meritë e tyre.
Funksionojnë me idealizimin e luftës, me shpresën së një ditë do të arrijnë të rreshtojnë pas tyre shumicën e anëtarëve të partisë. E shohin se injorohen nga Koka e partisë por nuk heqin dorë. Kohë pas kohe kritikojnë, por me nuanca të buta, deri aty sa duron shefi.
Ish-gazetarët: Berat Buzhala, Petriti Selimi, Ilir Mirena, apo lobuesit virtualë. Janë përpjekur si gazetarë e analistë t’i hyjnë në qejf shefit, e hoqën të zitë e ullirit të marrin nga një pozitë. Por që sot ia kthejnë për të mirë shefit me angazhim maksimal, me punët që s’dinë t’i bëjnë as për afër ata tjerët.
Jashtë sistemit: Fatkeqësisht kanë mbetur Fatmir Limaj edhe Xhavit Haliti, të dy këta të gjitha i kanë, pos autoriteti brenda partisë. Janë dy anëtarët të PDK-së që s’u duhet më paraja, por pushteti, e të cilën në PDK zor që në 2030-ën mund ta arrijnë.
Kjo është struktura që mban gjallë Hashim Thaçin, strategji kjo e cila padyshim e bën kreun e saj për t’ia zgjatur dorën.