(Prishtinë, 08. 02. 2012) – Në vitet 2006 e 2007 qarkullonin opsione pa fund për Kosovën. Nga institute e organizata të ndryshme ndërkombëtare, nga politikanë e diplomatë të llojllojshëm, propozoheshin opsione për statusin e Kosovës. Thuhej se statusi i Kosovës do të mundë të ishte kështu e ashtu, me këtë detaj shtesë apo atë element mangut. Prej Tajvanit e Açehut, e deri te Tiroli Jugor e modeli i dy Gjermanive ofroheshin si alternativa të mundshme për statusin e Kosovës. Mandej, gjerë e gjatë pasonin diskutime e polemika të cilat ndërpriteshin vetëm nga propozimi tjetër i radhës i cili njësoj pasohej me diskutime e polemika të reja. Sigurisht që në vazhdimësi po matej pulsi i palëve dhe faktorëve të ndryshëm rreth çështjes së statusit të Kosovës.
Në vitin 2012 po nis qarkullimi i opsioneve për veriun e Kosovës. Ashtu qysh dikur konsiderohej që statusi i Kosovës është i panjohur dhe ai duhet përcaktuar, sot e njëjta gjë bëhet për veriun e Kosovës. Autonomi, status special, Ahtisaari Plus, 6 Pikëshi etj. janë vetëm uvertura e asortimanit të opsioneve me të cilat do të bombardohet opinioni publik i Kosovës teksa normalizohen negocitatat për veriun e Kosovës. Solucione nga më të ndryshmet të sjella nga të katër anët e botës do të prezentohen si shembuj që do të mundë të përdoren për veriun e Kosovës. Porsa e trajton cilindo prej këtyre solucioneve menjëherë do të konsiderohesh si pjesë e këtij tregu të madh opsionesh ku përplasen ofertat e ndryshme ndërkombëtare me qytetarët e politikanët vendës të shndërruar në konsumatorë.
Gjithçka i përngjan një pazari të madh ku çdo gjë ka çmim dhe çdo çmim është i negociueshëm. Secili proces mëton të jetë i atillë që i paraprin këmbimit kur dakordohet shitblerja. Malli i caktuar stabilizohet në vlerën e caktuar të këmbimit. Kësisoj, doktrina e stabilitetit afatshkurtër politik, në fakt, i përket doktrinës së tregut të lirë të shitblerjes së mallrave. Thjesht, ai që ka fuqi më shumë përfillet më shumë dhe rreth tij organizohet stabiliteti dhe rendi i gjërave. Nga vlera këmbyese, nga fuqia vlerore e mallit në treg, sajohet balansi që varet prej rëndësisë së akterëve. Përderisa prodhimi detyrimisht lidhet me planifikimin afatgjatë, shitblerja konsiston te stabilitetet afatshkurtëra. Midis shitblerjeve kemi veçse negociatat për shitblerjen e radhës.
Ndërkohë që Kosovës i bëhen oferta për veriun e territorit të saj, ato në të vërtetë paraqesin kërkesa të Serbisë në kushtet e ndërmjetësimit të BE-së dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë. Është Serbia ajo që shtron kërkesa për veriun e Kosovës (dhe jo vetëm për atë) për statuse me mëvetësi të shtuar, duke shkaktuar asisoj oferta ndërkombëtare për veriun e Kosovës që i servohen Kosovës. Pranimi i këtyre ofertave ndërkombëtare s’është gjë tjetër përpos pranim i modaliteteve që i sillen rrotull kërkesës së Serbisë që së fundi u artikulua si 4 pikëshi i kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq. Serbia kërkon, ndërmjetësit ndërkombëtarë e shndërrojnë atë kërkesë në ofertë, dhe mandej Kosovës i thuhet ta përzgjedhë njërën prej atyre ofertave. Kosova mund të zgjedhë gjithçka dhe cilëndo prej ofertave mirëpo ajo nuk mund të mos zgjedhë. Sepse, Kosova tashmë ka hyrë në pazar për veten e saj duke iu falenderuar kësaj Qeverisë së tanishme të Kosovës. Pasi që Kosova ta përzgjedhë njërën prej ofertave, ndërmjetësit ndërkombëtarë shkojnë dhe e testojnë nëse Serbia është e kënaqur me përmbushjen e kërkesës së saj. Në qoftë se Serbia thotë që kërkesa e saj është plotësuar, atëherë bëhet marrëveshja dhe realizohet shitblerja. Në qoftë se Serbia nuk ndjehet e kënaqur, atëherë ndërmjetësit ndërkombëtarë eventualisht bëjnë pak trysni mbi Serbinë por, më parë se kjo, sërish sajojnë oferta të reja për Kosovën me shpresë që ajo që do ta përzgjedhë Kosova më pastaj do të jetë e pranueshme për Serbinë, duke vazhduar kështu deri atëherë kur Serbia të jetë e kënaqur. Serbia është kërkesa që gjeneron oferta ndërkombëtare të cilat bëhen trysni mbi Kosovën.
Çfarë do të jetë kjo shitblerje? Kush, çka po shet e çka po blen? A është shkëmbimi i këtillë shkëmbim territorial siç flitet? Pa dyshim që jo. Nuk po shkëmbehen kurrfarë territoresh. Te togfjalëshi “shkëmbim territorial” vetëm fjala shkëmbim është e saktë. Njëmend kemi shkëmbim por jo shkëmbim territoresh. Vetëm Kosova pritet të japë territor në këtë pazar dhe për kundërvlerë Qeveria e Kosovës të mbetet në pushtet. Nuk do të ketë shkëmbim të territoreve, por dhënie të territorit për pushtet. Ne po japim territor, në mënyrë që të marrim pushtet për kryeministrin. Rruga e Serbisë për në Bruksel kalon nëpër Kosovë, kurse rruga e Qeverisë së Kosovës për në Bruksel kalon nëpër Beograd. Serbia është e varur nga Kosova për të vazhduar me procesin e integrimeve evropiane pa e njohur Republikën e Kosovës. Në anën tjetër, për të qenë e pranuar nga Brukseli, Qeveria e Kosovës është e varur nga Beogradi. Drekat e kryeministrit të Kosovës me Baroneshën Ashton përgjatë vitit 2011 ishin shumë të shtrenjta – ato rregullisht i kemi paguar me koncesionet e bëra ndaj Serbisë në dialogun midis Edita Tahirit dhe Borislav Stefanoviqit.
Pse kjo trysni mbi Kosovën shumë më e madhe sesa mbi Serbinë? Pse BE-ja dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë janë të prirë që procesin ta zgjasin më parë drejt pranueshmërisë së Serbisë sesa të Kosovës? Duket që kemi situatë të ngjashme sikurse te lidhja paralele e rezistencave elektrike. Aty tensioni është i njëjtë kurse rrymat e veçanta në secilën prej degëve paralele janë në proporcion të zhdrejtë me rezistencat: sa më të mëdha rezistencat aq më e vogël rryma elektrike nëpër to. Brukseli është tension konstant, Beogradi e Prishtina janë rezistenca të lidhura paralele. Meqë Qeveria e Serbisë bën rezistencë shumë më të madhe sesa Qeveria e Kosovës, asaj i sillet shumë më pak rrymë dhe, rrjedhimisht, ajo nxehet më pak. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës me rezistencën e saj të ulët po na sjell tepër shumë rrymë në Kosovën që rrezikon të digjet territorialisht në këtë dimër të ftohtë.
Postime të Lidhura
PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: NEVOJA PËR DEBAT TË HAPUR DHE KONSTRUKTIV NË NIVEL KOMBËTAR
Tetovë, 10 mras 2017: (Ide për inicim të debatit në lidhje me çështjen e pazgjidhur shqiptare) – Duke…
GJOKË DABAJ: LAHUTA DHE KULTURA ILIRO-ARBËRORE
Durrës, 7 tetor 2019: Zymer Neziri është një hero i kulturës sonë kombëtare. Është traditë të quhen heronj…
SADRI RAMABAJA: KOHA PËR POLITIKA TË QARTA
Prishtinë, 20. 06. 2014 – Po vijnë çastet që edhe Kosova të formulojë në rrafshin teorik e të…
BEHXHET SHALA BAJGORA: GJYKATA SPECIALE , INKUIZICIONI MODERN DHE DHUNIM I KUJTESËS!
Prishtinë, 19 nëntor 2019: Parashikuesit dhe dhunuesit : Themelimi i Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, “…