ADNAN ABRASHI: ‘POPULL ZOMBI’ – SA JEMI TË TILLË?!

Prizren, 03. 05. 2013 – Edhe pse kurrë nuk jam pajtuar me këtë udhëheqje të BSPK-së të cilën e konsideroj tërësisht si ilegjitime dhe aspak në funksion të interesave reale të punëtorëve të Kosovës, vendimin e tyre të fundit për mosorganizimin e protestave për nder të 1 Majit, e vlerësoj si një hap të qëlluar.
Se sa ka pas të drejtë BSPK-ja në këtë ndërmarrje, u pa së fundi edhe nga vullneti i treguar i shumicës së qytetarëve tanë të cilët në këtë festë ndërkombëtare të punëtorëve, më me ëndje përzgjedhin të kremtojnë dhe të jetojnë me shpresa të rreme se nesër do të bëhet më mirë, se sa, së paku këtë ditë në vit, të dalin në rrugë dhe hapur ta shprehin pakënaqësinë e tyre për këtë gjendje vërtet alarmante të pozitës së tyre e cila aktualisht në Kosovë karakterizohet me një shkalle të lartë të papunësisë, standardit të ultë të jetesës, rritjes së vazhdueshme të përqindjes statistikore të asaj kategorie që jetojnë në varfëri të skajshme, mosekzistimit të një fondi ligjor të sigurimit shëndetësor, pensional dhe invalidor… Nga ana tjetër, edhe të asaj ujëseje që e kanë pasur atë fat të jenë të punësuar, nga ana punëdhënësve të tyre, në çdo hap ju bëhen shkelje drastike të të drejtave më elementare të punës.

Të gjitha këto padrejtësi të numëruara më sipër, po na ndodhin çdo ditë dhe vërtet i hasim në çdo hap të shoqërisë tonë. Mbase, ashtu si të tilla, ato po na bëhen si dukuri të zakonshme të realitetit tonë të përditshëm, duke na imunizuar kolektivisht dhe duke na shndërruar kështu në një “POPULL ZOMBI” (“ZOMBI”, figurativisht nënkupton një njeri që me sjellje duket, as i vdekur dhe as i gjallë, dhe i cili si funksione vitale i ka të shprehura vetëm ato veprime të kufizuara motorike dhe mendore të ndjesisë së nevojës për ushqim).
Andaj, në këtë rast, çfarë faji kanë pra sindikatat tona që së paku këtë herë e kanë vlerësuar drejtë këtë gjendje të indiferentizmit tonë patologjik popullor, e cila, me asnjë formë të fuqishme të reagimit rezistues grupor, kaherë ka reflektuar se kurrësesi nuk dëshiron ta prishë këtë rahati të vetë iluzore dhe besimin e fortë në atë shpresë të kotë se nuk ka qare pa u bë mirë një ditë?
Po ashtu, në këto raste, pse mos t’i jap të drejtë edhe mikut tim Hasanit, i cili shpesh më këshillon se këtij mileti më lehtë mundesh me ja marr: gruan, parat, shtëpinë, automjetin… por jo kurrsesi nuk guxon t’ia prekësh iluzionet e tyre. Fati i popullit më optimist në botë i shpallur disa herë edhe zyrtarisht, është ky…pa dyshim!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura