Skënderaj, 06. 03. 2015 – T’i kesh njohur Jasharët para flijimit në altarin e Lirisë nuk është ndonjë meritë. Është një fat. Unë i njoha, e kisha këtë fat. I njoha fëmijët, gratë, burrat. Fëmijë të bukur si ata, të dashur, të zgjuar, rrallë sheh. Gra të vyera, mikpritëse e fisnike si ato, rrallë gjen. Burra bujarë si ata, trima, të urtë, të sjellshëm me miqtë, rrallë has!
Që herët i kishin dalë përballë të keqes. E keqja ishte e madhe, e rrezikshme jo vetëm për ata. Kishin vendosur t’i beheshin digë dallgës shkatërruese, jo për lavdi, jo për mbijetesë vetjake, por për mbijetesën e të gjithëve. Moto e jetës së tyre ishte se edhe kur nuk ke gjasa, të keqes duhet kundërvënë. Më mirë është që të ta kesh përballë se përkrah. Edhe nëse mundesh nga e keqja e huaj, nëse e ke luftuar atë, së paku do të jetojë ideja e Lirisë, ndërsa po u mposhte nga e keqja jote, kjo ide do të vdesë edhe brenda teje. Një jetë kemi, prandaj duhet jetuar me nder! “Veç nji vdekje, tjetër s’ka! Edhe nji fjalë e mirë…” – kishte thënë Adem Jashari.
Kur të gjithë ishim të rrethuar nga e keqja e madhe, këta ishin rrethuar dyfish, edhe nga një çark i hekurt, brenda këtij rrethi të madh. E keqja kishte shigjetuar Gjirmën. E pavetëdijshme se goditja nuk do ta fikte prushin, por do të shpërndante miliona shkëndija, për t’u ndezur miliona zjarre… Dhe, kjo ishte ideja e tyre: Që zjarri i Lirisë të mos fikej! Ndonëse në këtë zjarr u dogjën vetë.
Kur kuçedra, për tri ditë rresht, villte zjarr drejt tyre, s’besoj të ketë mbetur zemër Njeriu pa ndier dhimbje për ta. Por dhimbja e atyre që i kishin njohur, doemos ishte e veçantë. Ti që i kishe njohur, mund të kujtoje fytyrën e secilit fëmijë, të zbehtë e të tmerruar, fytyrën e secilës grua që mban në gji një fëmijë apo që bën ndonjë shërbim…; fytyrën e secilit burrë, tek bën përpjekje titanike për të mbrojtur Jetën nga Vdekja.
Dy të tretat e familjes tridhjetanëtarëshe të Shaban Jasharit u shuan. Bashkë me ta edhe pesëdhjetë të afërm e farerfis. Por mbijetoi ideja e Lirisë.
Jeta rifilloi mbi gërmadha e pranë shumë varresh. Një jetë e denjë, për t’u nderuar. Mungonin ‘cicërimat’ e shumë fëmijëve çapkënë e zëra baritonë burrash. Boshllëkun e madh po e mbushte pjesa e mbetur e familjes. Shtëpitë duhej ndërtuar, gjithë ajo tokë duhej punuar. Vdekja e atyre që ranë ishte porosi që shtëpitë të mos mbeteshin shkret, toka të mos mbetej djerrë.
Sot, shtatëmbëdhjetë vjet pas, kullat u ringritën, toka jep bereqet, oborret janë mbushur plot fëmijë.
Jeta ka triumfuar mbi vdekjen – shembull mbinjerëzor i mbijetesës.
E keqja e madhe është mundur. Ta luftojmë të keqen brenda nesh! Edhe kjo ishte porosi e Tyre.
– Autorja ishte cicerone në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” ë Prekaz (1999- 2000)
***
Ajnishahe Halimi, ish’cicerone në Kompleksin Memorial në Prekaz. Në vitin 2000, gjatë gërmimeve të bëra në shtëpitë Muze të Jashërvet është gjetur automatiku i Hamzë Jasharit.
==============
AJNISHAHE SHALA HALIMI: DITARI I NJË RRETHIMI
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=63&shkrimi=1380