Pashtriku.org, 08. 03. 2015 – Në Shtetet e Bashkuara është përsëritur skenari i vrasjes së një adoleshenti me ngjyrë nga një oficer policie, këtë herë në qytetin Medison. Pas një konflikti, oficeri i policisë u konfrontua fizikisht me Tony Robinson dhe më pas e qëlloi për vdekje me armë zjarri, treguan dëshmitarë nga vendngjarja, të cituar nga mediat amerikane. 19-vjeçari ishte i vetëm, i paarmatosur dhe kjo ka shkaktuar reagime të forta. Menjëherë pas vrasjes, banorët e qytetit kanë dalë në protesta kundër policisë. Ekzekutimi i të riut ndodh në kohën kur në Shtetet e Bashkuara është hapur një debat i madh për racizmin, duke marrë shkas nga rastet e shumta të vrasjeve të adoleshentëve me ngjyrë nga policia.
12 VJEҪARI ME NGJYRË VRITET PËR NJË PISTOLETË LODËR!
Në nëntor të vitit të kaluar një tjetër adoleshent me ngjyrë bie viktimë e breshërisë së plumbave të policisë amerikane. Episodi i fundit që shkakton indinjatë në SHBA është vrasja e një fëmije afro-amerikan vetëm 12 vjeç në Klivland, i qëlluar për vdekje në një kënd lojërash ndërsa mbante në dorë një pistoletë lodër. Justifikimi i forcave të rendit është se djali nuk i është bindur urdhrit të efektivëve për të ngritur duart lart. Patrulla e policisë kishte nxituar për në vendngjarje pas një thirrjeje në numrin e emergjencave 911. Por, disa dëshmitarë pretendojnë se ai që telefonoi e kishte përmendur mundësinë e një pistolete të rreme e kishte folur për moshën tepër të re të personit që ja drejtonte armën plastike njerëzve duke e cilësuar edhe si “të zi”. Policia këmbëngul se të tilla informata nuk i ka marrë. Njëri nga policët e përfshirë në incident kishte 10 vjet eksperiencë pune, ndërsa tjetri i ishte bashkuar forcave lokale prej më pak se një viti. Që të dy janë pezulluar përkohësisht nga puna deri në përfundim të hetimit. Autoritetet e identifikuan 12-vjeçarin si Tamir Rice. Fëmija u qëllua me dy plumba në bark pasditen e së shtunës e ka ndërruar jetë në spital të dielën. Vetë zv/shefi i policisë së Klivlendit, Ed Tomba, pohoi se djali nuk ka bërë asnjë kërcënim verbal e as ia ka drejtuar armën agjentëve të policisë.
(Nga editorei i pashtriku.org, sh.b)