Pashtriku.org, 11. 03. 2015 – (Botuar në gazetën “Dielli” të Bostonit më 17 Mars 1965, nga Dr. Athanas Gegaj editor i “DIELLIT” dhe mik besnik i Fan S. Nolit) – Njeriu që përfaqësoi racën shqiptare, si kryetar fetar, si shkrimtar, si studioz, si poet, si udhëheqës nuk është më! Ati i shqiptarëve, që kishte përsonifikuar të gjitha gjërat e shenjta të gjakut e të traditave shqiptare, vdiq më 13 Mars 1965 në momentin më të vështirë për Komunitetin tonë në Amerikë dhe në Botën e Lirë, si edhe për shqiptarët në Shqipëri. Vatra e shqiptarëve të pastërt përulet përpara trupit të Kryetarit të saj të djeshëm dhe të sotshëm dhe i puthë ato duar të bukura që lartësuan kombin shqiptar dhe Vatrën tonë. Komisioni Qendror i Vatrës urdhëron një jazë prej 40 ditësh për të gjithë vatranët. Pusho në paqe, At i Dashur!. Sa të rrojë raca shqiptare, aq do të rrojsh edhe Ti në zemrat e popullit tonë. Vatra do të qajë me lot, por do të mburret në çdo kohë që pati fatin të ketë si At, Ty, Atin e shqiptarëve.
Nën rrezet e ngrohta të Floridës në tokën e bekuar dhe të lirë të Amerikës, më 13 Mars 1965 në mëngjezin e ditës u nda prej nesh At Noli, kryepeshkopi i Kishës sonë kombëtare, kryetari i Vatrës, themeluesi i “Diellit” me të tjerë burra të gjakut tonë, Ati i fundit i popullit shqiptar nga Prizreni në Vlorë.
Ai që themeloi Vatrën e Diellin me Peçin e Konitzën nuk është më. Aj që bashkoi e lartësoi komunitetin tonë në Amerikë, u nda nga toka dhe fluturoi në Botën e të Drejtave, duke pikëlluar zemrat e të gjithë shqiptarëve!. Aj që me kristjanë dhe muslimanë bëri një komunitet shqiptar, përpara se të ishte një Shqipëri e lirë dhe indipendente, u nda nga bijët e Tij, duke e futurë në zi tërë komunitetin tonë të gjakut e të traditave shqiptare. Ai që nga asgjë themeloi Kishën tonë Kombëtare për të cilën dhanë me të dyja duart të gjithë shqiptarët, pa asnjë dallim feje, nuk është më mes nesh! Aj që organizoi çeta në rrethet e Bostonit për të bërë një Shqipëri edhe me gjak të bijëve të saj në Amerikë. U shua kandili për të derdhur dritë e hire nga bota e pavdekshme përmbi bijët e Tij në halle dhe në robëri. Iku na la, fluturoi drejtë qiellit për të lutur Perëndinë që të bijët e gjakut shqiptar, me ndërhyrjen hyjnore, të gjejnë bashkim, liri e dashuri për nën krahët e shqipes së zezë dykrenare që fluturoi përmbi një fushore të kuqe, symbole të pavdekshme e të atij Flamuri të Skenderbeut të Konitzës, të Kuvendit të Vlorës e të gjithë shqiptarëve që me gjak dhe me lot brumosën Shqipërinë dhe shpresuan se do të ua lënë trashëgim bijëve të tyre po me atë Flamur e po me ato ndjenja fisnike, që ata diftuan me armë dhe me burrëri në Prizren, Kaçanik, ne Deçiq, në Shkup, në vise të Matit, në Korç, në Mashkullorë e më në fund në Vlorë.
Fan Noli lindi më 6 janar 1882, në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ndërsa u shua nga jeta më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së.
At Noli ynë që lartësoi racën shqiptare me poezitë e tija, me studimet e botimet e Tija, me shkrimet e Tija nga më të bukurat, sot nuk është më për të na kqyrur me ata sy si rrufe e për të na dhënë kurajo të vazhdojmë udhën e vështirë që ai me shpatë e me pendë në dorë, e çau pa u frikësua asnjëherë!
Por At Noli jeton në zemrat tona! Aj nuk mund të ndahet nga ata bijt e Tij, të cilët i deshti, dhe për të cilët punoi tërë jetën e Tij. Aj jeton dhe do të jetojë në zemra të popullit shqiptar, i paharrueshëm, i pavdekshëm, siç jetojnë Naimi dhe Fishta, Abdyl Frashëri e Ismail Qemali e shokët të tjerë, që bënë Shqipërinë në Vlorë dhe krijuan letërsinë shqipe, duke e lartësuar në radhët e letërsive tjera botërore.
Vdiq At Noli, Ati ynë, por burrat si At Noli nuk vdesin kurrë, sepse hieja e Tij, veprat që lën pas, ato nuk vdesin kurrë. Vatra jonë është në zi, por me Vatrën tonë është në zi i tërë populli shqiptar. Kjo Vatër e adhuruar është si një kandil që nuk fiket kurrë, shënderit dhe sot, e do të shënderise edhe nesër. Sepse është vepër e Nolit e Peçit e Konitzës, që trashëgim sot ua lanë të bijëve të tyre, që kurrë e kurrë të mos fiket Kandili Kombëtar, që nga Amerika shënderit përmbi tokën e embël për të cilën At Noli me shokë punoi dhe ua la trashëgim të bijëve të Tij, që ta mbajnë përherë të ndezur për të mirën e popullit shqiptar dhe për të mirën e komunitetit tonë këtu në Botën e Lirë.
Vatran, na vdiq Ati ynë, por Ati ynë jeton në zemrat tona! Përulnju përpara trupit të Tij dhe betonju për bashkimin e shenjtë të gjithë shqiptarëve që kanë në zemër Shqipërinë, që nderojnë vetëm një Flamur, atë kuq e zi, pa hyll të kuq, pa shpata, por të pastërt e të adhurueshëm siç na e ka lënë Skenderbeu me kapetenë e ushtarë trima, siç e shpalosi në rrugët e Bostonit Konitza, siç e ngrit drejtë qiellit të kaltërt në Vlorë, Ismail Qemali.
Vatra dhe vatranët përulen në gjuj përpara trupit të Atit të tyre. Nga ata gjitha zemrat e shqiptarëve, një kor i zjarrtë ngritet drejtë qiellit, dhe i uron pushim të ëmbël Atit tonë, At Nolit kryetarit shpirtëror e fetar, burrit kombëtar të poezisë të studimeve të shkrimeve që na lartësojnë dhe na japin shpresë për një të nesërme më të mirë për ne, për popullin shqiptar dhe për Shqipërinë tonë, ku besnik ndaj vendit ku jetojmë, siç bënë kurdoherë burrat shqiptarë të vertetë, atje po kemi zemrën tonë, e me të bijët e gjyshave tonë, e për të bijët e tyre ne jetojmë dhe punojmë.
DIELLI i Bostonit krijesë e Atit tonë e të shokëve të Tij e mbulon me rreze drite At Nolin, i uron prehje në vendin e të Drejtave, përhiron kujtimin e Tij me respekt dhe e mbulon me vajtime e lot të të gjithë vatranëve e të gjithë shqiptarëve.
Pusho në paqe o At i dashur. E poqese Vatra e vatranët së bashku me Diellin e tyre nuk janë në lartësinë e duhur të të përirojne ashtu siç duhet, na fal, siç na fale përherë, dhe lutu për ne, për Kishën tonë, për Vatrën tonë, për popullin shqiptar, që lart e më lart të mbajmë e të ruajm atë trashëgim, që po na len duke u nda prej nesh. Ne kemi për të Ju kujtuar përherë, derisa dhe ne të mbyllim syte e do të vijmë e të bashkohemi me Ty në atë vend ku Ti sot pushon nga mundi e djersa e sa sa vjetëve, për të parë një Shqipëri të lirë një kulturë shqiptare, një vatër në vatrën e Washingtonit, që dritë dhe rreze shpërndanë e do të shpërndajë në brezëritë e ardhshme.
***
Përgatiti për botim Gjekë Gjonlekaj me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Fan S.Nolit. Shenojmë se në shkrimin e Dr. Athanas Gegaj nuk është bërë asnjë ndërhyrje.
…………………………………………………………….
Fan Noli : Fjalim i Rrallë i Nolit në vitin 1962