GJOKË DABAJ: FAJTORË JEMI VETË

Pashtriku.org, 21. 03. 2015 – (Parashtresë me rastin e promovimit të romanit „Kriza e arkivistit – kronikë beogradase“, më 14 mars 2015 – në Tiranë, në ambientet e Muzeuk Historik Kombëtar) – Ky nuk është i vetmi libër që flet për genocidet mbi shqiptarët. Ka me dhjetëra të këtillë. Unë kam këtu përpara vetëm 2 prej tyre: „Gjenocidi sërbomadh dhe qëndresa e shqiptarëve“ , vepër historiko-dokumentare me autor Shaban Brahën dhe „A ka kund Zot?!“, roman, një kryevepër e letërsisë shqiptare e fillimit të shekullit XXI, me autor Agim Gjakovën.
Romanin tim „Kriza e arkivistit“ e kam parë nga pozicioni i Beogradit, ashtu siç do të duhej ta shihte një sërb progresist i shekullit XXI. Tani që jemi në Tiranë, po dua ta shoh të njëjtin problem ashtu siç duhet ta shikojë atë një shqiptar, patriot dhe progresist, i shekullit XXI.
Nisur pikërisht nga ky konceptim, kur problemin e shikojmë nga Tirana e jo nga Beogradi, unë e kam titulluar bisedën time të sotme: „FAJTORË JEMI NE“. Ujku e ka në natyrën e tij të çajë e të çapëlojë bagëti. Fajin e ka bariu, i cili nuk e ruan mirë grigjën e vet.

– Studiuesi dhe shkrimtari ynë i shquar, Gjokë Dabaj –

Fajtorët e parë dhe më të mëdhenjtë, më të dënueshmit në historinë tonë të re, janë: dinastia e Bushatasvet të Shkodrës, Alipashë Tepelena, dinastia e Begollajvet të Pejës dhe të gjithë pushtetmbajtësit dhe pasurigrumbulluesit e tjerë të Shqipërisë dhe faji i tyre kryesor është, se NUK HAPËN SHKOLLA SHQIPE.
Nuk është e vërtetë që nuk ekzistonte alfabeti shqip, sepse „Meshari“ i Gjon Buzukut ishte shtypur qysh në mesin e shekullit XVI. Nuk është e vërtetë që Perandoria Osmane „nuk e lejonte shkollën shqipe“, sepse, në të shumtën e kohës, pushtetin në Stamboll e kishim ne. Mbi 35 kryeministra, vezirë të mëdhenj apo sadrazemë, kanë qenë arnautë. Por, e vërteta është se këta myteberë të kombit tonë, qoftë pashallarët që i përmenda, qoftë sadrazemët, e kishin më shumë mendjen te haremët, te dylberët e tyre dhe te hashahi e nargjileja, se sa te kërkesat kulturore të popullit të vet.
Si pasojë e këtij lloj myteberllëku të klasës sonë të pasur të shekujvet XVIII e XIX, u bë e mundur të na ndodhë mynxyra në Shpuzë, në Podgoricë, në Tivar, në Ulqin, në Rozhajë, në Plavë dhe në Prokuple, Kurshumli, Toplicë e Kosanicë. 700 fshatra të sanxhakut të Nishit na i shkretuan dhe na i zbrazën sërbët. Por këtu duhet theksuar: Sërbët, të cilët prej kohësh e shkruanin gjuhën e tyre, botonin libra e gazeta në Beograd, ndërsa në Pejë, psh, s’kish asnjë gazetë në gjuhën shqipe dhe kjo, thjeshtë për faj të Begollajvet, pra, për fajin tonë.
Nuk e mblodhëm veten në masën e nevojshme, në mënyrë që të mos na ndodhnin mynxyra të tjera. Në Kuvendin e Dibrës, në vend të njërës, siç e donte e mira dhe e mbara e Zotit, u miratuan 2 rezoluta, një e bardhë e një e zezë. 20 a 30 vjet më vonë, një Haxhi Zekë, një Dedë Gjo Lul apo edhe një Ismail Qemal, nuk ishin të mjaftueshëm. Duhej atdhedashuri më e madhe në radhë të parë e atyre që dispononin FLORIRIN.
Në vitet 1912-1914, sërish genocid mbi popullin tonë. Tmerre që nuk mund të përfytyrohen, por ne as këtë herë nuk e mblodhëm dot veten. Mençuria e Kombit tonë, e cila kurrë nuk ka mnguar, nuk arriti të bëhet zotëruese, dhe forcat grabitëse ia dolën të na rrëmbejnë 2/3 e tokavet, duke i mbuluar me kufoma shqiptarësh.
Por fajin prapë e kishim ne. Kongresi i Manastirit duhej të ish mbajtur, jo më 1908-n, por më 1708-n. Vetëm atëherë sadistët e Sërbisë nuk do të luanin dot me foshnjat tona, duke i hedhur nga bajoneta në bajonetë.
Në vitet 1918-1927 masakrat vazhduan të pashoqe mbi popullin tonë. Por ne përsëri nuk arritëm të ulemi e të mendohemi thellë: Ç’duhej bërë, që askush të mos guxojë të na i vrasë e masakrojë fëmijët dhe gratë?!
Vazhduam të përpëlitemi në KUNDËRSHTITË TONA TË BRENDSHME dhe, ndërkohë, kërkuam të na nxjerrë Italia në selamet. Në një kohë kur bejlerët tanë dhe të tjerët paràgrumbullues shqiptarë, kishin flori 5-FISH më shumë se ç’do të investonte këtu Italia, mbreti ynë parapëlqeu t’u lutet për hua italianëvet.
Përse nuk kërkuan florizotëruesit e Kombit tonë që ta shtinin në punë PROGRESIVISHT, në dobi të vetes dhe të Atdheut, atë pasuri dhe të mos ia shtrinin dorën fqinjit sebepkërkues?! Na sulmoi dhe na pushtoi Italia Fashiste, por fajin prapë e kemi ne. Pse nuk sulmoi Zvicrën Italia, por gjeti ne dhe Abisininë?!
Dhe duhet thënë me vërtetësinë dhe qartësinë më të PARRËZUESHME, se: Në Shqipëri nuk do të mund të vendosej kurrë pushteti i komunistëvet, në qoftë se këtë vend nuk do ta kish pushtuar Italia kapitaliste!
Erdhën kështu vitet 1941-1945 dhe prapë masakra, prapë holokaust mbi Kombin shqiptar.
Edhe izraelitët janë përndjekur dhe masakruar në të gjithë shekujt, por, më në fund, ata e gjetën rrugën për t’i dalë zot vetes. U rivendosën në atdheun e tyre të humbur prej shekujsh dhe vunë në veprim bankat e tyre në dobi të kombit të vet. Të pasurit e Izraelit morën përsipër t’i dalin zot popullit të vet, sepse e kuptuan që, pa popullin, as ata vetë nuk të mund të ekzistonin.
Ndërkaq ne, përsëri e lamë veten pa një rrugëzgjidhje efikase dhe e lamë shtegun hapur për të na dëbuar edhe njëherë prej vendit tonë, për të na vrarë e groposur me grumbuj, si dhe për të na poshtëruar në mënyrën më të ulët edhe pas vitit 1999.
A ka pasur farë „gjykate speciale“ ndaj atyre francezëve që patën luftuar, me në krye De Golin, kundër pushtuesvet gjermanë?! A pat farë „gjykate speciale“ ndaj polakëvet që, në Luftën e Dytë, luftuan kundër gjermanëvet?!
Komunistët sërbë, në vitin 1945, i dëbuan nga krahina e Baranjës 300 mijë gjermanë, me pretekstin se, kuptohet, edhe foshnjat, ishin bashkëpunëtorë të nazizmit. A ngriti Evropa farë „gjykate speciale“ kundër atyre komunistëve të Sërbisë?! Po kundër nesh, që luftuam pushtuesin sërb, pse po kurdisin të tilla “gjykata”?
Do të thotë dikush: Ish kohë tjetër. Por, Uesli Klarku dhe oficerët e tjerë të NATO-s nuk janë të kohës tjetër. Janë të kohës sonë dhe aleatët tanë të vitit 1999. Pse nuk ka „gjykatë speciale“ edhe ndaj Uesli Klarkut dhe oficerëvet e ushtarëvet të tij, siç ka ndaj ish-oficerëvet dhe ushtarëvet tanë të UÇK-së?! Edhe ata të NATO-s kanë vrarë sërbë. Madje kanë vrarë edhe shqiptarë. 60 civilë na i vranë vetëm në Korishë dhe s‘u ngrit kundër tyre kurrfarë „gjykate speciale“.
Na duhet, pra, ta mbledhim mendjen dhe të bëjmë diçka më të mençur. Na duhet NGUTSHËM të krijojmë një institucion të qëndrueshëm ideologjik kombëtar, të cilin unë e kam quajtur PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE dhe, në kuadër të atij institucioni, midis qindra punëve të tjera, 2 do të ishin nga më të rëndësishmet:
1.Të krijohet ajo që unë po e quaj konvencionalisht INDUSTRIA E PËRKTHIMEVET, në të gjitha gjuhët kryesore të botës, të çdo gjëje që është shkruar për kombin tonë. 100 apo 150 përkthyes të merren vetëm me këtë punë! Bota duhet t’i njohë shqiptarët!
2.Të krijohet; prapë po e them konvencionalisht, INDUSTRIA E PËRKUJTIMOREVET DHE MONUMENTEVET. (Këtë ide e pat dhënë dikur edhe R.Qosja.) Me anë të kësaj industrie duhet bërë që, kur të vijnë turistët në Shqipëri, që nga Peshteri deri në Urën e Artës, të ecin midis një pylli përmendoresh. Vetëm kështu bota do t‘i njohë më mirë shqiptarët.
Po kush do t’I bëjë këto punë?! Këto punë duhet t’I bëjmë ne, intelektualët, dhe pashallarët tanë të sotëm. Jo të kuq, siç i pat qiajtur I.Kadareja, por blu dhe rozë. Ne të japim talentin dhe diturinë, ata të japin paratë. Përndryshe, vijnë prapë genocidet.
Na u asgjësuan brenda 1 nate 1853 fëmijë në 72 fshatrat e Bihorit dhe, pikërisht se s’e ngritëm për ata fëmijë një monument të madh dhe së shkruam e përkthyem nja 30 libra për ta, na i vranë një tufë fëmijësh edhe në Prekaz.
Nuk na lejohet më, të jemi një komb i cekët! Një komb mendjelehtë, i cili harron në mëngjes, ç’i ka ndodhur një natë më parë!

Gjokë Dabaj, Tiranë – 14 mars 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura