PROF.DR.SADRI FETIU: TIVARI – KRIM I MADH E VARR I PAMBULUAR

Prishtinë, 04. 04. 2015 – (Vështrim për librin e Hajro Ulqinakut “Libri për Tivarrin”, i cili botohet me rastin e 70-vjetorit të masakrës së Tivarit) – Sa herë që kam kaluar në ditët e verës rrugës që shpinte shpateve të Tivarit të Vjetër më bëhej se bashkë me zukamën e gjinkallave në piskun e vapës verore e dëgjoja jehonën e largët të britmave e klithmave të viktimave, vajin e gjëmën e nënave, dënesjen e nuseve të reja dhe vajin e foshnjave të mbetura jetimë pas Masakrës së Madhe të Tivarit, që është një ngjarje e pashembullt në historinë e re të njerëzimit. Ishte kjo një jehonë trishtuese e fatit të mijëra shqiptarëve, të mashtruar, të tradhtuar, të mobilizuar gjoja për luftë kundërfashiste, që u masakruan në mënyrën më mizore nga jugosllavët që vetën e quanin “çlirimtarët”(!?)
E përjetova rëndë jehonën e largët të dhembjes misterioze që si këngë e përvajshme vinte bashkë me zukamën e gjinkallave në kodrat e ullishtave shekullore të Tivarit, sepse krimi i madh, varri i pambuluar i Tivarit të Vjetër, për turpin edhe të të gjithë shqiptarëve, në të dy anët e vendit të copëtuar me dhunë, ishte lënë në heshtje dhe gjykohej që të harrohej, të mbulohej e të fshihej përgjithmonë, sepse kështu kishte vendosur shteti burg dhe varr i shqiptarëve, Jugosllavia titiste, që mburrej para botës si “shtet socialist me fytyrë njerëzore”(!?)
Por krimin nuk e mbulon kurrë dhuna shtetërore. Atë nuk e mbulon as dheu… Krimi i madh i Tivarit ishte përjetuar nga mijëra familjarë të djelmoshave të masakruar kudo në Kosovë dhe në viset shqiptare në Maqedoni e gjetiu. Ai ishte ndryrë në shpirtin e zhuritur të nënave e të baballarëve që i kishin përcjellë djemtë e tyre për të shërbyer në ushtri dhe kishin pritur me kot që të ktheheshin nga lufta që pothuajse kishte përfunduar…

Dhe heshtjen e imponuar disavjeçare zyrtare e theu një njeri i guximshëm, pjesëmarrës i masakrës së madhe të Tivarit, Azem Hajdini – Xani, nga Drenica, që ishte betuar se do ta bënte publike, se do të kërkonte llogari e përgjegjësi për krimin e madh, sepse i kishte parë me sy se si ishin masakruar me mijëra bashkëkombës të tij nga Ushtria Jugosllave dhe bandat civile të vendit, në të cilat ishin përfshirë edhe njësitë sanitare. Burri i Drenicës nuk heshti, por veproi zyrtarisht me shkresa, padi e ankesa, dhe publikisht – me shkrime. Pa ndonjë përvojë krijuese dhe diturore, Azem Hajdini – Xani ai la dëshmi të shkruara për krimin e madh të Tivarit…
Më vonë Tivari, ky varr i madh i djelmoshave shqiptarë, u bë edhe frymëzim për poetët popullorë dhe për vjershëtarët e shumtë. Për krimin, pastaj, në një kohë, të cilës i priu A. Xani, u shkruan edhe tregime e romane, e madje u xhiruan edhe filma…
Por e vërteta e plotë, as në përditshmërinë shoqërore e publike, as në histori, e madje as në krijimtari artistike kurrë nuk është zbuluar… Tivari mbeti një varr i hapur – varrezë masive… Të rinjtë shqiptarë u zhdukën pa asnjë gjurmë… Nuk u gjet asnjë varr i veçantë e as ndonjë varrezë e përbashkët…
Çdo gjë që sot mund të dihet për Tivarin e vitit 1945 ka mbetur vetëm në kujtesën e pjesëmarrësve të shpëtuar nga masakra, që tashmë janë gjithnjë e më të pakët edhe në shkrimet e Xanit e të shokëve të tij, pastaj në vjersha, në këngë e në tregime, në ndonjë film të punuar me nguti e në ndonjë monodramë të mbetur në dorëshkrim…
Një pjesë të këtyre dëshmive artistike e historike, kryesisht poezi popullore dhe e shkruar, e mblodhi dhe e përgatiti për botim letrari ynë i mirënjohur, njohës i mirë i traditës popullore, sidomos të Ulqinit me rrethinë, Hajro Ulqinaku. Ai librin e tij, që pritet të botohet në 70-vjetorin e masakrës, e titulloi: “Libri për Tivarrin”.
Në këtë libër mbizotërojnë poezitë shqipe (popullore dhe të shkruara), që i kushtohen Masakrës së Tivarit. Libri është me të vërtetë një përmbledhje e vogël, por në të është gërshetuar e vërteta e madhe poetike dhe historike për krimin e madh – unik në historinë moderne të Evropës. Është ky një libër për pabesinë, mashtrimin, tradhtinë e madhe që u bëhej shqiptarëve të Kosovës në fund të Luftës së Dytë Botërore, që këtu quhej Luftë Nacional-Çlirimtare, e në të vërtetë ishte gjenocid i mirëfilltë shtetëror, me të cilin synohej serbizimi i Kosovës, duke likuiduar jo vetëm popullsinë e pafajshme të akuzuar si bashkëpunëtore e okupatorit, por edhe të rinjtë e mobilizuar për të marrë pjesë në luftë për çlirimin e vendit…
Duke qenë një krim i madh i pangjarë më para, në këtë mënyrë, sado që dihet se Serbia në mënyrë të planifikuar shtetërore për të zgjeruar territorin e saj në jug kishte likuiduar popullsinë e viseve në vazhdimësi shekullore, vrasja e rreth katër mijë të rinjve shqiptarë brenda dy orëve të një dite, ishte ndodhi që nuk mund të trajtohej lehtë, as historikisht e as poetikishit…
Ajo nuk mund të trajtohej si duhet, sidomos me anë të artit të fjalës, sepse tmerri që kishte ndodhur në ato orë të asaj dite do të lente të pagojë çdo lloj krijuesi, qoftë ai edhe me fuqi shprehëse homeriane, shekspiriane apo danteske… Njeriu me ndërgjegje të plotë njerëzore mund të mbesë gojëkyçur edhe sot, duke parafytyruar lebetinë e tmerrshme që kishte ndodhur atë ditë në Tivar… Mu për këtë edhe vjershat e për masakrën e Tivarit, sado që i kanë shkruar edhe disa nga autorët e talentuar me përvojë të gjatë krijuese, midis të cilëve janë edhe Azem Shkreli, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Agim Vinca, Basri Çapriqi e të tjerë, në të shumtën e rasteve janë klithma lebetitëse, tmerruese, ofshama dhembjesh shekullore, ose kallëzime fragmentare të përjetuara individualisht… Brenda krijimeve të këtilla ka qenë e pamundur të krijohet një imazh më i plotë për përmasat e tërësishme të tragjedisë së varrit të madh, të katakombeve në shkrepa brenda shpellave ose në honin e madh të detit të paanë e të pafund të Tivarit të fundmarsit dhe fillimprillit të vitit 1945…
Ndonëse shumica e këtyre poezive të këtij libri janë shpërthime të mllefit të ligjshëm, ato në asnjë rast nuk dalin jashtë kornizës së logjikës poetike, nuk shndërrohen në anatema të përgjithësuara të mbrujtura me urrejtje të papërcaktuar kundërnjerëzore. Në të gjitha letrare dhembja shkarkohet mbi krimin si kuptim i përgjithshëm dhe mbi kriminelët bartës të programit ekspansionist të shtetit që shfaroste popullsinë autoktone vendase, për të zgjeruar territorin e vet… Pra, në shumicën e poezive përjetimet poetike të tmerrit dhe rrëfimet e heronjve lirikë i përshkon një ndjeshmëri njerëzore, një dhembje e pangushëlluar, një tronditje trishtuese, që realizohet me gjuhë të pasur metaforike.
Tmerri i Tivarit në përmasa më të plota është paraqitur në poemën e Gjokë Dabajt, i cili si banor i këtyre viseve e ka përjetuar në fëmijëri tragjedinë e Tivarit, e pastaj edhe e ka bartur si barrë shpirtërore për shumë vite duke jetuar larg Tivarit. Këtu e kemi edhe një pjesë të kumtesës shkencore në të cilën poema e Gjokë Dabajt është vlerësuar lart në aspektin e strukturës poetike nga studiuesi i shquar i poezisë shqiptare, prof. Agim Vinca.
Drama e madhe e Tivarit është përjetësuar artistikisht edhe në një dramë të Ekrem Kryeziut, që është ekranizuar edhe si film. Po këtu e kemi edhe një monodramë e një tregim, si edhe të disa fragmenteve të romanit të Ibrahim Kadriut, që shquhet për vlerën dokumentare dhe artistike. Këtu është përfshirë edhe një pjesë e rrëfimit autentik, tronditës të dëshmitarit që përjetoi masakrën, por pati fatin e mirë të shpëtonte, Azem Hajdini – Xani, që është përmbledhje e rrëfimit të tij, e që ka përgatitur gjerësisht edhe libra të veçanta kushtuar krimit të madh, të Ushtrisë Jugosllave në Tivar.
Libri në fjalë përmban edhe krijime historike dhe popullore, ose edhe autoriale në frymë folklorike. Këto krijime, madje edhe mungesa e këngëve popullore për këtë ngjarje tronditëse për mijëra familje shqiptare, flet qartë se sa i madh ishte presioni i pushtetit të ashtuquajtur popullor, për ta fshehur e për ta mbuluar me heshtje krimin e madh të Tivarit…
Të konstatojmë më në fund se përgatitja e këtij libri nga Hajro Ulqinaku dhe botimi i tij me rastin e 70-vjetorit të Masakrës së Tivarit është ndihmesë e veçantë për njohjen e fatit të popullit shqiptar të mbetur nën sundimin jugosllav, për zbulimin e përmasave të një krimi të pashembullt, që ka ndodhur në Tivar, sepse pushteti komunist kishte planifikuar, njësoj si ai i dinastisë së Karagjorgjeviqve, të shfaroste popullsinë shqiptare autoktone, për ta zgjeruar territorin e shtetit të vet… Fatkeqësisht historia e likuidimeve masive, që kishin ndodhur edhe para Masakrës së Tivarit, është përsëritur edhe tash vonë në planet jugosllave të kriminelit Millosheviq, Sheshel e të të tjerë, për pastrimin etnik të territorit në luftën e fundit të vitit 1999.
Libri i përgatitur nga Hajro Ulqinaku – dëshmi për Tragjedinë e Tivarit, si përvojë letrare artistike dhe historike, do t’i shërbejë lexuesit që të mos harrohet kurrë e kaluara, të mos harrohet historia, për të cilën romakët e ditur kanë thënë se është mësuese e jetës… Ky libër duhet të lexohet dhe të përjetohet estetikisht edhe për një arsye të veçantë: Tragjedia e Tivarit duhet të përjetohet edhe si katarzë për krimet më të reja që janë bërë në kohën tonë, që të bashkohen dhembjet e së kaluarës historike me këto të sotmet, që të bëhemi më të fortë për t’i bërë ballë konfrontimit të jetës me vdekjen, për t’i gjetur e varrosur me respekt e dinjitet reliktet e njerëzve tanë të masakruar në kohë të ndryshe, për ta çmuar më shumë jetën e lirinë, për të ecur më të sigurt kah ardhmëria.

………………………………………………..

Në 70 vjetorin e masakrës së Tivarit (1 prill 1945)
SHERADIN BERISHA: RIPUSHTIMI I KOSOVËS, DHE MOBILIZIMI I SHQIPTARËVE NGA UNÇJ (1944-1945)
===========
PJESA E PARË:
https://pashtriku.org/index.php?kat=60&shkrimi=1315
***
PJESA E DYTË:
https://pashtriku.org/index.php?kat=60&shkrimi=1318
***

Studimin tim mund ta shikoni edhe në videomateralin e përgatitur nga Saimir Kola:

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura