IBRAHIM KELMENDI: DEMANTIM KUNDËR SHPIFJEVE TË MILAIM ZEKËS, NË EMISIONIN ‘KOMITETI’ TË GAZETËS ‘EXPRESS’

Pashtriku.org, 04. 04. 2015 – Edhe pse demantet ngjajnë me mbledhje të puplave pasi ato të jenë hedhur në erë, megjithatë po reagoj kundër shpifjeve të Z. Milaim Zeka, bërë mbrëmë (më 03.04.2015) përmes televizionit publik të Kosovës [RTK], në emisionin “komiteti”, të cilin e përgatit gazeta Express. Në bashkëbisedim gjatë këtij emisioni Z. Zeka ka shpif se unë kam qenë shkaktar i gjakderdhjes në manifestim në Dyseldorf, me rastin e 3-vjetorit të demonstratave, të organizuar nga Lëvizja dhe Klubi Shqiptar, më 7 prill 1984. Edhe vet nxitësi kryesor i asaj gjakderdhjeje, Z. Xhafer Durmishi, e ka publikuar raportin e komisionit për atë ngjarje tragjike.
Në atë mbrëmje janë plagos në shpinë, me thikë, bashkëveprimtarët-
– Haxhi Bega (Jezerc, Ferizaj) dhe
– Sylë Nuha (Baliq, Ferizaj),  ndërsa doras ishte i manipuluari Musa Daka (Rrethi i Prizrenit).

Emisioni “Komiteti” – Mysafir, Milaim Zeka.

Z. Milaim Zeka, për hir të konkjukturave, tashmë gënjen se meqë ka filluar të fliste kundër Enver Hoxhës në atë manifestim, gjoja unë paskam urdhëruar që ti merrej fjala atij. Unë në atë rast isha në fund të sallës, duke përcjell me shqetësim sulmet që po u bëheshin anëtarëve të komisionit dhe fare nuk kam bërë asnjë ndërhyrje, me shpresë se nuk do të eskalonte.
Z. Milaim Zeka në fjalën e tij nuk e ka përmend fare Enver Hoxhën. Ai zuri të fliste kundër Xhafer Shatrit (me gjasë i nxitur edhe nga sigurimsi Ajet Haxhia…).
Grupimi që i përkiste Milaim Zeka, kishte ardhur i përgatitur për të prish manifestimin, sepse donin të hakmerreshin për përçarjet në mes të Sabri Novosellës dhe Xhafer Shatrit. Pra, ishte grupim i manipuluar nga Sabri Novosella dhe i organizuar nga Xhafer Durmishi e Xhevat Ramabaja, ndërsa Milaim Zeka, Musa Daka dh Haxhi Krasniqi ishin viktima të atij manipulimi.
Për të demantuar shpifjet e Z. Milaim Zeka ndihmon edhe raporti i komisionit të atij manifestimi, por edhe dëshmia e viktimave të plagosura Sylë Nuha dhe Haxhi Bega, dorasit Musa Daka, kryetarit të komisionit Faridin Tafallari dhe anëtarët e atij komisioni.
Uroj që vet Milaim Zekës ti rikujtohet e vërteta dhe të ndërgjegjësohet pasi ta ketë lexuar raportin e komisionit, për të korrigjuar këtë shpifje të tij.
Ai nuk nderohet me këtë shpërdorim, për tu hakmarrë kundër meje për kundërshtimet që kishim mes nesh, por jo për shkak të Enver Hoxhës (edhe pse unë atëherë e kam kritikuar pse ia kishte dhuruar publikisht lulet për Ditëlindje të 75-të Enver Hoxhës, meqë isha kundër ekspozimit të Lëvizjes si pro-Enver Hoxhës).

Ibrahim Kelmendi, 04. 04. 2015

*     *     *
ANEKS (SI DËSHMI AUTENTIKE E KOHËS):

Raport i komisionit të manifestimit të organizuar nga Lëvizja dhe Klubi Shqiptar në Dyzeldorf, më 7 prillit 1984
Pas përfundimit të mbrëmjes, më 8 prill 1984, ne anëtarët e komisionit, të caktuar për udhëheqjen e kësaj mbrëmjeje e në mungesë të Xhavit Ramabajës, nxorën këto vlerësime:
(…) Duke u nisur nga fakti se këtë mbrëmje e organizonte LRSHJ-a, nga komisioni u pa e arsyeshme që të lexohet vetëm referati i Lëvizjes, që të mos ngarkohej manifestimi. Në ndërkohë erdhi Skenderi [Xhafer Durmishi] me një referat në dorë dhe ia paraqiti komisionit, por kërkoi të lexohet referati i Ganiut [Milaim Zeka], ndërsa referatin e vetë, për të cilin tha se kam punuar dy net, po e tërheq. Në mënyrë vëllazërore duke e sqaruar se ky komision vendosi të lexohet vetëm një referat, me ç’rast ai na u drejtua me fjalët; cili referat? Aty ishte Ibrahimi, na e kishte dorëzuar referatin prej 22 faqesh, në të cilin ishin të përfshira të gjitha ngjarjet brenda këtyre tri viteve në pika të shkurta. Dhe komisioni pat vendos që ky referat të lexohet, pasi t’i hiqen disa pjesë, sepse kishim pika të shumta të përgatitura nga të gjitha rrethet.
Në këtë rast Skënderi [Xhafer Durmishi] me këmbëngulje dhe në mënyrë brutale ndërhyri në punën e komisionit, duke ia imponuar referatin e Ganiut [Milaim Zeka] si të domosdoshëm për t’u lexuar, pa marrë parasysh natyrën e referatit, i cili sipas tij ka disa pika kontroverse. Njëherit ai na u kërcënua se pa marrë parasysh se a do të lejoni apo jo, ai ka për t’u lexuar. Komisioni, duke u bazuar në kërcënimet e Skenderit [Xhafer Durmishit], nga ana e të cilit u acarua gjendja, e mori në shqyrtim referatin dhe pas analizës vendosi njëzëri që të mos lexohet. Referati ishte i ngarkuar me sharje, ofendime, kërcënime dhe demaskime të disa shokëve, e në të cilin përdhosej LRSHJ-a. (…) Pavarësisht nga kokëçarjet, komisioni u sulmua nga Skenderi [Xhafer Durmishit] dhe Ganiu [Milaim Zeka], e kohë pas kohe edhe nga Fazliu [Mema].
Mbrëmja filloi dhe për masën çdo gjë ishte në rregull. Meqenëse këta persona bënin shantazhe e kërcënime, komisioni vendosi që referati i Lëvizjes të lexohet nga shoqja prej Suedie [Shpëtime Fida], e cila edhe e udhëhoqi programin. Masa e entuziazmuar përcillte me kënaqësi dhe respekt programin dhe me duartrokitje frenetike e përshëndeti referatin kryesor.
Por gjatë kësaj kohe nga masa nuk u diktuan kërcënimet e shantazhet e këtyre personave sepse ne tentonim me çdo kusht që të mos vjen gjer tek konflikti. Pas një kohe me kërcënime filloi programi kulturor.
(…) Por me këtë rast Xhaviti [Xhevat Ramabaja] i shkeli qëndrimet e komisionit dhe tha që ta lejojmë ta merr fjalën Ganiu [Milaim Zeka], sepse ai ka vendosë me dalë pa lejen e komisionit. Pasi e cekëm edhe më lartë se kishim shumë pika të përgatitura dhe duke i parë tendencat e tyre për të prishur mbrëmjen, komisioni qëndroi në vazhdimin e programit.
Në këtë rast ne biseduam me Ganiun [Milaim Zeka] në mënyrë vëllazërore, si gjatë tërë kohës ai erdhi në pajtim për nder të masës dhe bacit Faridin [Tafallari] të mos dali në bynë [skenë]. Mirëpo në atë moment erdhi Skenderi [Xhafer Durmishi] në bynë dhe i tha Ganiut [Milaim Zekës]: “Ti ke me dalë dhe me i fol të gjitha ato çka i ke shkruar në referat!”
Kurse ne, komisioni, duke parë se mbrëmja po përfundon mirë e lutëm Skenderin [Xhafer Durmishin] që kjo mbrëmje të përfundoj siç ishte programuar. Mirëpo Skenderi [Xhafer Durmishi] në mënyrë brutale i hyri në frymë komisionit, duke i mëshuar me grushte tavolinës dhe me zë të lartë tha: “Kush jeni ju?! Ju jeni një klikë e poshtër dhe unë nuk ju njoh për komision, të cilin unë e hedh në pleh!” Përsëri vazhdoi duke thënë se Ganiun [Milaim Zeka] Enver Hoxha e ka propaganduar dy muaj në ekranin e RTSH-së.
Në ndërkohë Haxhi Krasniqi ia mori mikrofonin spikerës që e udhëhiqte programin dhe e kapi për krahu Ganiun [Milaim Zeka] dhe e qiti në bynë, ku ai ia filloi pallavrave të tija. Në atë moment hipën në bynë të tjerët dhe aty u bë një tollovi, kurse komisioni duke e mbrojtur mbrëmjen me tërë fuqinë që kishte, bile edhe më shumë lutje që byna [skena] të jetë e mbyllur me perde, për të mos parë masa se çka po ndodhë në skenë. Në atë kohë, njerëzit e përgatitur së shpejti hipën në bynë me armë dhe ia filluan sulmeve të tyre me thika dhe revole. Përkundër asaj që ne u munduam të qetësojmë, në pamundësi kaluam në mbrojtje për të mos u derdhur gjaku ndërsa në atë rast Musa Daka i theri dy shokë, Haxhi Begën dhe Sylë Nuhën, të cilët gjenden të shtrirë në spital. Dhe gjithë kjo krijoi në masë një gjendje të ndjerë dhe aspak të kënaqur.
Komisioni nënshkruan me emër e mbiemër duke ia dhënë nga një kopje çdo anëtari dhe redaksisë ia dërgoi një kopje për masat e mëtutjeshme.
Anëtarët e komisionit:
1. Faridin Tafallari
2. Hyzri Rekaj
3. Muhamet Kelmendi
4. Zymber Kryeziu
5. Xhavit [Xhevat] Ramabaja [mungon] Aneks: komisioni propozon:
Për të mos ardhur deri tek dezinformimi i masës, mendojmë që nëpër rrethe:
– Skenderi [Skender Durmishi],
– Xhaviti [Xhevat Ramabaja],
– Ganiu [Milaim Zeka],
– Fazliu [Mema],
– Musa [Daka],
– Haxhiu [Krasniqi]
të paraqiten si shkaktarët kryesor të eksesit të mbrëmjes. Kurse për qëndrime definitive, i mbetet LRSHJ-së të vendos, duke propozuar të formohet komision i posaçëm ose të merret ky material për bazë, i cili u përpilua nga komisioni i mbrëmjes së 3-vjetorit.
Ju lutemi që urgjentisht t’i analizoni këto dhe të merrni masa urgjente.
Sqarim plotësues:
Unë [Faridin Tafallari] mendoj dhe jam për atë që ky procesverbal të botohet pasi që është një dëshmi e një ngjarje të rëndësishme të [trishtuar] dhe nuk ka asgjë që mund ta ndryshoi…
Pra janë këta dhe ky rast duhet të ndriçohet medoemos.
***

[Marrë nga libri i Faridin Tafallarit, “Terror Dhimbje Qëndresë”, faqe 359-361]

==============================
[Bashëbisedimi me Milaim Zekën (në minutën 22 shpif kundër meje)]:
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura