Prishtinë, 16 korrik 2020: Sot në të njëjtën kohë kur do të takohet Kryeministri i Kosovës me Kryetarin e Serbisë, Kryetari i Kosovës do të merret në pyetje nga prokurorë ndërkombëtarë për akuzat për kinse krime të kryera kundër njerëzimit. A është kjo rastësi apo dikush i ka koordinuar këto dy ngjarje kjo ka pak rëndësi në këtë moment. I rëndësishëm është fakti se sot do të kulmojë propaganda negative për Kosovën e filluar shumë vite më parë e që pasojat e saj do t’i vuajnë edhe gjeneratat e ardhëshme.
Kjo propagandë do ta ketë ndikimi e vet negativ edhe në cilësinë, edhe në mënyrën e zhvillimit të dialogut, por edhe në rezultatin e saj.
Sot do të takohet Kryetari i shtetit të Serbisë që tashmë është “paqësuar” me Kryeministrin e një shteti te ri e duke e pasur të pamundur për tu takuar me Kryetarin e këtij shteti sepse ai qenka duke u hetuar për krime lufte nga prokurorë ndërkombëtarë. Pra po takohen dy vende, njeri paqësor, miqësor e me rrugë të hapur drejt BE-së, me vendin tjetër që ende ka krime e kriminelë për të dënuar nisur nga Kryetari i vet.
Përmbajtje e ngjashme do të qarkulloj sot, nesër dhe ditëve në vijim nëpër medie të botës. Përmbajtje të ngjashme do të diskutojnë mes vete apo në tryeza rasti akterë dhe politikanë nga e gjithë bota.
Sot është më keq se sa në takimet e më hershme të Kosovës me Serbinë e të ndërmjetësuara nga BE-ja. Fakti se sot Kryetari i Kosovës është duke u marrë në pyetje për krime lufte të supozuara që janë kryer gjatë “konfliktit” në Kosovë, e vë Kosovën në pozitë shumë të pafavorshme negociuse.
Sot Serbia është pala e mirë në bisedime, sepse ajo tashmë është “paqësuar”, është larë e është shpërlarë nga të gjitha krimet. Këtë e thonë ndërmjetësuesitë ndërkombëtarë të cilët me hile apo pa hile edhe i kanë ndihmuar Serbisë të arrijë në këtë nivel. Serbia vet ka punuar shumë dhe për një kohë të gjatë që te vie në këtë nivel, por ndihmën më të madhe ia kanë bërë të zgjedhurit tanë për vite të tëra. Politikanët tanë u treguan jo aktiv, të përgjumur me agjenda tjera e në thelb të paditur.
Kosova sot është pala e keqe në bisedime përkundrejt një Serbie “të pastruar” nga krimet, sepse, Kosova është pala që tek tani ka filluar procesin e “pastrimit” dhe këtë po e bënë me imponimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe dëshmi e madhe për këtë është marrja në pyetje e Kryetarit që po ndodhë në të njejtën kohë.
Kjo është fotografia e Kosovës sot në këtë rifillim të bisedimeve.
Më keq se kaq vështirë se ka mundur të ndodhë.
Fatkeqësia do të jetë edhe më e madhe nëse eventualisht Kryetari i Kosovës ose dikush tjetër nga të akuzuarit do të detyrohej ta vuaj ndonjë dënim, përderisa pjesa tjetër të tentojë ta paraqesë si fitore të tyre cilindo rezultat që mund të dalë nga bisedimet e të cilat sigurisht se nuk do të përfundojnë sot.
Sot rifillon edhe njëherë dialogu tashmë dhjetë vjeçar në mes të Serbisë e Kosovës me ndërmjetësimin e drejtëpërdrejtë të BE-së dhe ndoshta të SHBA-ve nga distanca. Jemi të prirur dhe thua se nuk guxojmë të mendojmë ndryshe përveç se të besojmë në parimësinë dhe në fisnikërinë e miqve tanë ndërkombëtarë, të cilëve ua njohim dhe ua ngrisim deri në qiell të gjitha të mirat që na i kanë bërë, e hiç, rrallë apo duke murmuruar nëpër dhëmbë ia përmendim nganjëherë ndonjë nga shumë nëpërkëmbje që na i kanë bërë.
Ky rifillim i bisedimeve na gjenë krejt ndryshe nga fillimi i bisedimeve të para dhjetë vjetëve. Atëhere ne ishim pala e mirë e paqësore kundrejt një Serbie të kriminalizuar. Ne ishim “të mirtë” e ata ishin “të kqinjtë”. Ne e kishim me vete edhe municionin që na e dha Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e të cilin me padijen tonë na e shurdhoj Serbija.
Sot në ristart të dialogut jemi keq!
Prandaj, qysh sot janë të domosdoshme veprime e deklarime të cilat do të ndikojnë në qartësimin e karakterit të palëve në bisedime.
Sot duhet që Kryeministri rastësor i Kosovës t’ua bëjë të ditur (edhe pse ata e dinë) ndërmjetësuesëve, politikanëve, vëzhguesëve, medieve dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë se pala Kosovare ka pranuar t’i rifillojë bisedimet duke pasur përballë Kryetarin e Serbisë i cili ka qenë Ministër i Informimit në qeverinë e kriminelit S.M. në kohën kur është bërë gjenocid në Kosovë. Ka qenë ministër i cili masakrat e kryera në Kosovë, vrasjen e fëmijëve, grave, pleqëve e burrave të paarmatosur i ka arsyetuar në mënyrë kriminale duke u thirrur në njëfarë të drejte serbe. Është personi i cili në bazë të detyrës që ka ushtruar i ka të gjitha informatat për të zhdukurit. Etj,etj.etj..
Ky ështe kompromis i madh me të cilin hymë në dialog duke respektuar mendimin e miqve tanë ndërkombëtar e për hirë të paqes në rajon.
Këtë kompromis Abdullah Hoti duhet ta thotë zëshëm dhe duhet ta përsërisë vazhdimisht e në çdo vend ku do t’i ipet mundësia. Natyrisht këtë kompromis ai edhe duhet ta ndiejë, sepse duke e ndjerë këtë ai do ta hetojë edhe kompromisin tjetër, se përballet me një kriminel që ka bërë luftë shfarosëse në Kosovë, duke shtrënguar një popull ta formojë ushtrinë mbrojtëse UÇK-në, e Drejtor i Drejtorisë Politike të së cilës ka qenë Kryetari i tashëm i Kosovës Hashim Thaçi, e i cili padrejtësisht është duke u intetvistuar sot në Hagë.
Kryeministër, edhe ky është kompromis i madh, madje është taze dhe do të bësh gabim të madh politik nëse nuk e shfrytëzon në maksimum.
Ne jemi pala e dëmtuar e dalur nga lufta e jo Serbia.
Përderisa pala serbe nuk ndjehet e ofenduar duke gënjyer e duke e trajtuar veten si viktimë, pse ne që jemi viktima e vërtetë ngurojmë t’i permendim padrejtësitë, vrasjet, dhunimet dhe gjenocidin që na kanë bërë.
Prandaj Kryeministri do të duhej të kërkojë drejtësi për të gjitha padrejtësitë që na janë bërë e për të cilat kemi shumë argumente.
Kështu disi, do të duhej të fillojmë ta kthejmë Sërbinë në pozitën e saj reale, të një shteti që ka bërë krime e që duhet te jap llogari për to.
Kryeministri duhet të hyjë në bisedime duke e bërë publike pa pushim faktin se përballë do ta ketë njërin nga anëtarët e shtabit të krimeve dhe se po hynë në bisedime pa Kryetarin i cili u përpoq t’i ndal ato krime!
Ndoshta edhe ti Kryeministër ke pritur po ashtu sikurse unë, se për të gjitha këto argumente tona për krimet e padënuara të luftës, do të flas vet pjesëmarrësi i kësaj peridhe të tmerrshme e të cilit ia njohim edhe guximin. Por kjo nuk ndodhi. Kryetari ynë u kap fort mbas krijimit të historisë së tij personale duke u munduar ta rrembej edhe medaljen e paqësorit e duke shkelur e duke i errësuar faktet e panumërta të krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë. Kjo vetëm sa e ndriçoi Serbinë e cila si gjithmonë nuk ngeli pa u shpërblyer nga miqtë tanë të kulturuar evropian.
Unë ndjehem shumë i dëshpëruar për këtë.
Ndjehem krejt i pasigurt se ju do ta bëni atë që nuk e ka bërë Hashim Thaçi. Sepse unë ty të njoh si politikan që i ka për qejf aprovimet e shpejta e të pa kushtëzuarat të të gjitha kërkesave që vijnë nga miqtë tanë ndërkombëtarë.
E di që edhe ti e din se po hyn në këto bisedime pa e pasur legjitimitetin në Kosovë, por e ke legjitimitetin e ndërkombëtarëve. Edhe ata janë politikanë byrokratë që i kryejnë detyrat e tyre shtetërore vazhdimisht duke u kujdesur për suksesin personal të tyre. Ata të njohin si kryeministër, madje kështu siç je, edhe të duan.
Por ti Kryeministër behu më i mençur se ata. Kapërceje ylberin kësaj radhe, kaloja edhe Hashim Thaçit.
Mos fillo asnjë bisedim duke shkelur mbi gjakun e dëshmorëve dhe martirëve!
Heshtja është shkelje Kryeministër!
Këtë tashmë e kemi parë!
Mos mbaj iluzione se ty ta solli Zoti mundësinë e përmbylljes së dialogut me një marrëveshje që përmbanë njohjen nga Serbia. Dialogu nuk është ideuar për tu mbyllur pas dhjetë viteve. Dialogu do të mbyllet atëherë kur përfundon interesi i Serbisë për dialogun, ose pas një presioni të madh të fuqive ndërkombëtare ndaj Serbisë. Tash për tash asnjëra nuk është duke ndodhur. Serbia nuk ka interes ta përmbyllë dialogun, e bashkësia ndërkombëtare nuk është duke ushtruar presion ndaj Serbisë.
Prandaj të mbetet vëtëm një angazhim, sot, e në ditët në vijim. Të mbetet vetëm përpjekja që Kosova të kthehet në bisedime së paku si palë e barabartë në dialog me Serbinë e cila vazhdimisht është e “vullnetshme” e “gatshme” dhe e “intersuar” për zgjedhje paqësore të problemeve në rajon.
Kryeministër, ke pranuar të fillosh bisedimet në këtë situatë krejt të pafavorshme për Kosovën, prandaj kujdesu të sillesh si qytetar evropian! Reago si qytetarë evropian për të gjitha padrejtësitë që po na bëhen e jo vetëm për liberalizimin e vizave! Madje të këshillojë që liberalizimin mos ta përmendësh fare, sepse këtë konsideroje si ofendim që u bëhet miqve tanë evropian!
Qytetarët evropian nuk i durojnë padrejtësitë, ata reagojnë dhe luftojnë për të drejtën e tyre. Tregohu edhe ti si njëri nga ata!!!
Nëse sillesh në bisedimëe si qytatar evropian që vjen nga një katund i vjetër i Evropës do të kesh gjasa ta përmirësosh imazhin e dëmtuar të Kosovës, përndryshe, nëse vazhdon të sillesh në bisedime sikur “françuz”, kjo do të ishte vetëm zgjatje e politikës së gabuar tash e sa vite!
Postime të Lidhura
GJOKË DABAJ: PSE GJERMANIA PO I VE KUSHTE KAQ TË RËNDË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË?!
Durrës, 26. 11. 2016: Po gjykoj si një qytetar i thjeshtë evropian. Jo se nuk mund të bëj…
ISMET HAJRULLAHU: REFORMAT NË ARSIM – DOMOSDOSHMËRI E KOHËS
Prishtinë, 16. 12. 2016: Rezultatet e testit ndërkombëtar PISA në fushën e arsimit, treguan mangësitë dhe dobësitë e…
Fatmir Brajshori: „Përballë të keqës“
Cyrih, 29 mars 2021: Librin me vështrime të profesorit tim Nezir Myrtaj, e lexova me kënaqësinë më të…
FLAMUR HARRI: ORTEG KORRUPTIV ME VEPRA PENALE
Elbasan, 01. 07. 2015 – Ne lufte u linda, ne lufte u rrita, ne lufte do te vdes.…