OLSJAN TOPALLI: ‘NJË E MARTË E BEKUAR’ NË KISHËN E SHNA NDOUT NË LAҪ

Tiranë, 13. 04. 2015 – (Reportazh) – Kisha dëgjuar edhe herë të tjera për atë vend të shenjtë, kisha dëgjuar shumë legjenda e ndodhi që kishin ndodhur, derisa një ditë nga kurioziteti më lindi dëshira e zjarrtë për të vizituar atë vend mbreslënës siç është Kisha e Laçit, që vizitohet nga mijëra besimtarë në vit nga çdo skaj i vendit.  Ditë e martë dhe ora shënon 6:00, Dielli sapo ka filluar të shtrijë rrezet e tij të para në qytet, e kështu si çdo ditë dhe qyteti zgjohet dalë-ngadalë. Jo më kot zgjodha një ditë të martë si kjo e sotmja plot jetë e ngrohtësi ku temperatura shënon 14 grad celcius, por siç e thonë dhe besimtarët të martave e do zakoni që të vizitohet kisha.
Përreth 13-të të martave çdo besimtarë duhet të vizitojë vendin e shenjtë që lutja ndaj Zotit t’i plotësohet. Mes këtyre fjalëve që më vijnë ndër mend nuk nguroj të bëhem gati e t’i bashkohem pjesës tjetër të grupit që po më pret për tu nisur për në qytetin e vogël të Laçit. E patëm lënë të takoheshim te stacioni i furgonave të Laçit që ndodhet pranë “Zogut të Zi” në Tiranë. Ashtu një nga një mblidhemi të gjithë aty, ku papritur na tërheq vëmendjen një zë që nga larg. “Hajd Laçi, kisha Laçit”- ishte zëri i fortë i një zotërie që duhej të ishte shoferi i furgonit, i cili na i kishte ngulur sytë sikur donte të na merte në makinën e tij.
Pa humbur shumë kohë akomodohemi në sediljet e furgonit dhe nga çasti në çast presim që të hipë në timon shoferi, që të nisemi drejt aventurës tonë. Ndërkohë faturinoja që nuk flet asnjë fjalë mbyll deren dhe makina nis të çajë trafikun përpara. Por, nuk mungon edhe ndonjë thirrje nga jashtë “Keni noj vend deri n’Laç”. Ndërsa shoferi ynë rrudh krahët në shenjë pafajsie dhe për tu lënë të kuptojnë që është i mbushur, vazhdon rrugën gjatë për në kishën e Laçit, atë vend të shenjtë që tashmë kishte tërhequr vëmendjen e besimtarve përtej kufijve të Shqipërisë. Rruga vazhdon dhe asnjëri nga ne nuk flet, sikur vallë po ndjejmë që tani frymën e shenjtë brenda nesh. Pasi kalojmë pak kilometra nga Tirana, shtrihet Bathorja, ku shoferi fjalë pak nuk nguron të na i thotë ca fjalë për Bathoren. “Or taj Bathorja për mendimin tem osht vendi ma i mir n’Tiron. Aty jan gjithë vilat e vendit e osht qetsi e papame” – ishin këto fjalët e tij që na përcjell e mes tyre shtrëngon këmbën fort mbi pedalin e gazit për të na shpënë sa më shpejt në destinacion. Dikush nga tanët e pyet se pse fliste me aq kënaqësi për Bathoren. Ai sheh nga pasqyra dhe thotë: “Po n’Bathore jetoj or ti, pavarsisht se jom nga Kuksi.”

Kisha e “Shna Ndout” – Laç.

Mes këtyre bisedave, faturinoja heq telefonin nga veshi që kishte që në Tiranë që nuk e ndërpriste biseden dhe si për të hyrë në muhabet, “Unë jom nga Mirdita por kom vite që jetoj në Tironë”- ndërpretë biseden me shoferin tonë ‘Kuksian’, ndërkohë që na mbledh edhe lekët e udhëtimit. Dielli tashmë na kishte shoqëruar gjatë gjithë kohës e herë-herë bëhej dhe i bezdisshëm në sytë tanë. Tashmë kishim arritur në Fushë Krujë siç e pohon edhe tabela në anë të rrugës. Rehatinë tonë e prish tek-tuk ndonjë gropë në mes të rrugës që siç duket nuk është vënë re nga askush, por ata që buzeshin më shumë janë serviset anash rrugës që nxjerrin para nga makinat e dëmtuara nga gropat e shumta.
Heshtje përsëri mes nesh! Nga larg me shikim të lirë dalloj një tabelë tjëtër ku shkruhej ‘Laç’ dhe pa e menduar gjatë pyes shoferin “Arritëm ?”
– “Jo mor djal akoma, kemi edhe 20 minuta rrugë derisa sa të ngjitemi lart te kisha.” Furgoni kthen dhe merrë rrugën për në qytet. Ndryshe nga Tirana e madhe, Laçi shikohet i tëri me sy të lirë. Nuk ka pallate shumëkatëshe a zhurma të ndryshme, ku dhe klima është më e pastër ndonëse pak më e ftohtë. Pas disa metrash nëpër qytet dalim nga qyteti ‘famoz’ e marim rrugën tatëpjetë për nga kisha. Njerëz kudo. Të rinj e të reja, fëmijë e të moshuar që kanë marrë rrugën e lodhshme për t’iu bashkuar pelegrinazhit të gjatë e për të ndezur qiriun e tyre të shenjtë. Herë-herë furgoni ndalon e merrë ndonjë njeri të moshuar lartë, për t’ia lehtësuar sadopak lodhjen ca nga rruga e ca nga mosha.
Diku në ngjitje në automjetin tonë hipën Klevi, një djalë rreth 12-të vjeç që në dorë mban qirinjtë për të shitur. Nuk hezitojmë të blejmë edhe ne qirinjtë tonë, por edhe për t’i bërë punë djaloshit të vogël që këtë ditë e ditë të tjera ka braktisur shkollën për të fituar ato aq pak para për të ndihmuar familjen e tij. “Ju ndihmoftë Zoti” – na thotë Klevi i buzëqeshur, duke u larguar nga ne, për të shitur qirinj të tjerë tek makinat që vijnë pas karavanit të gjatë të makinave që vijnë pas nesh. Makina të shumta kthehen nga kisha, ata siç duket janë ngritur që me natë për tu lutur në vendin e shenjtë. Në pritje të atyre që vijnë poshtë ne detyrohemi të ndalojmë për të mos krijuar problem në qarkullimin e mjeteve të tjera. E ndërsa rrimë duke pritur, para nesh qëmdron një veturë komode ku nga ajo del një burrë rreth të 30-tave, i cili thith plot dëshirë tymin e cigares që mban në duar. Në sy bien shumë aksesorët e florinjtë që mban në qafë e duar. “ Ësht ‘skifter’ aj or ti, punon natën”- thotë në shenjë humori faturinoja jonë për të thyer heshtjen tonë. Në atë çast më vjen në mendje ‘Skifteri’(Bes Kallaku) te shou Portokalli në Top Channel, që flet gjatë e gjerë për bëmat e Laçianëve nëpër botë.
Furgoni ynë niset përsëri për të përshkuar dhe metrat e fundit që na kanë mbetur e për të arritur në destinacion. Sapo hapim derën shikohet qartë Kisha e Laçit dhe njerëzit e shumtë që hyjnë e dalin brenda saj. I afohemi kultit pa hezitim dhe një qetësi e plotë mbizotëron. Ndërkohë që futemi në derë të kishës, mu kujtua biseda me një mikun tim kur ndër të tjera më pati thënë: “Në Kishën e Laçit hyri një djalë i ri i paralizuar në karrocë, dhe kur doli nga kisha ai u ngrit në këmbë. Mrekullia dhe fryma e shenjtë ndodhen brenda asaj kishe me fuqi natyrore.“
Po ashtu shumë fjalë qarkullojnë për misteret e kësaj kishe. Në vitin 1981, një grup ushtarësh nga toga e Drojës në Laç shkuan për të rrëzuar pjesën e mbetur të rrethimit, në Kishën e “Shën Ndoit”. Për herë të parë, shembja kishte ndodhur në vitin 1967, kohë kur shteti komunist i asaj kohe i shpalli luftë besimit fetar. Edhe pse një pjesë e godinës ishte shembur pjesërisht, besimtarët gjatë viteve shkonin ende, gjë që për regjimin ishte një shqetësim. Për këtë motiv, ushtarët morën urdhër të asgjesonin muret, në mënyrë që askujt të mos i shkonte në mend për të bërë pelegrinazh. Pasi rrëzuan një pjesë të rrethimit, toga prej 32 vetash mbeti e paralizuar nga mesi e poshtë në mënyrë të pashpjegueshme. Disa ushtarë u dërguan nga pushteti popullor i kohës për kurim në Austri, për 6 muaj, ndërsa të tjerët në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Të gjithë mbetën me pasoja, duke u ngritur në këmbë vetëm pas një trajtimi intensiv të gjatë. Fenomeni mbeti i pashpjegueshëm dhe u vesh me mister. Historia u përhap shpejt në Laç, duke u treguar si diçka mistike. Pushteti i asaj kohe tha se fajin për ngjarjen e pazakontë e kishte ushqimi, si pasojë e një helmimi, po ky fakt nuk u pranua kurrë shkencërisht. Historia është ende e veshur me mister, edhe sot e kësaj dite.
Dridhem fort dhe me ndjenjën e mirësisë dhe misteret që qarkullojnë më shtohet akoma më shumë besimi dhe futem brenda. Së bashku me grupin bëjmë ritet fetare që na takojnë dhe dalim nga kisha me një frymë tjetër, disi më të lehtësuar, ndoshta diçka e mirë po ndodh me ne. Ashtu të bashkuar në grup zbresim shkallët dhe i afrohemi vendit ku ndizen qirinjtë. Teksa zbresim shkallët disa zëra tërheqin vëmendjen tonë, ishin dy burra ku po bisedojnë me njëri-tjetrin. “Vite më parë këtu në këtë greminë të thellë që shtrihet para nesh, ka rënë një fëmijë ‘memec’ dhe kur ka rënë poshtë në greminë fjala e tij e fundit por dhe e para ishte ‘mama’ .” Sa e trishtueshme mendova për një çast, ndërkohë që vazhdojmë përpara. Të gjithë po ndezin qirinjtë dhe luten sipër flakës së tyre, ku tymi u përshkon kudo nëpër trup.
Po ashtu edhe ne ndezim qirinjtë e lutemi për personat tonë të dashur. Ashtu mes flakës pa humbur shumë kohë, kthehemi nga ana tjetër dhe shkojmë për nga “Shpella e Shën Vlashit”. Po ashtu para nesh në radhë gjenden edhe njerëz të tjerë që futen në shpellë e më pas marin bekimin e duarve të priftit që qëndron në dalje të shpellës. Mes tyre, vjen radha jonë. Futemi një nga një brenda në shpellë, ku bien në sy rroba, fotografi, dhe para të vendosura në të çarat e shkëmbit. Po ashtu edhe unë vendos një foton time e duke dalë nga shpella ndjej duart e priftit mbi kokën time që mëshojnë fort mbi mua e duke pranuar lutjet e mia. Disi më të çliruar e më të pastër shpirtërisht ngjisim shkallët për në majë, kun a priste shoferi i furgonit për të na kthyer përsëri në Kryeqytet. E ndërsa ecim, përpara nesh qëndrojnë njerëz plot vuajtje mbi supe të cilët janë ulur buzë rrugës që në mëngjes herët, na zgjatin duart për t’i ndihmuar, për t’ia bërë më të lëhtë jetën. Të prekur thellë shpirtërisht u afrojmë kontributin tonë i cili shpresojmë që t’u lehtësojë vërtet sadopak dhembjen dhe vuajtjen shpirtërore që ato kanë.
Të gjithë siç jemi i afrohemi makinës, rehabilitohemi e më pas nisemi. Largohemi duke lënë pas Kishën e Laçit, atë vend aq hyjnor e të shenjtë, ku dhe ateistin më të madh në botë do ta bënte të ndihej një besimtar i devotshëm.
Pak muzikë e lehtë në sfond dhe ajri i freskët që përshkon fytyrat tona i shton jetë e lumturi kthimit tonë në Tiranën e zhurshme, e të tejngopur nga smogu e ndodhitë e trishta, që çdo ditë e më shumë vështirësojnë jëtën tonë.

– Kontakti me autorin: [email protected].

………………………………………………………….

Pelegrinët e një Kishe “magjike” – udhëtim drejt Laçit:

…………………………………………………….

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura