PROF.DR.MUHAMET PIRRAKU: ILJAZ HAXHI AGUSHI – APOSTULLI I SHQIPËRISË ETNIKE (I)

Pashtriku.org, 14. 04. 2015 – Në 112 vjetorin e lindjes së Iljaz H.Agushit – (“Sangius heroum semen libertatis” – Gjaku i heronjve është fara e lirisë) – Në kujtesën historike të popullit shqiptar, personaliteti i Iljaz Haxhí Agushit qëndron në piedestalin e Altarit të Shqipërisë Etnike: urtak, bamirës, paqekrijues, diplomat, udhëheqës trim e Burrë i shtetit, personalitet dinjitoz, me një parashikim politik kombëtar, Fanar në Oqeanin Shqiptar të trazuar nga jashtë dhe nga brenda. Në shëmbëlltyrën politike e luftarake të Iljaz Agushit i martirizuar, me vëllezër e me gjak, për tërësinë e Shqipërisë Etnike, kemi personalitetin kombëtar shqiptar të Kosovës më të ndjekurin, më të anatemuarin, më të sharin, më të përbuzurin nga drejtuesit e organizatës komuniste kominterniste jugosllave në vitet 1941-1945, për faktin se ai ishte më më i rrezikshmi për planet e tyre në dëm të çështjes shqiptare që priste zgjidhje.
Ndonëse i lindur në një mjedis qytetar, në Prishtinë, ku turqishtja ishte futur për gjuhë familje, kurse shqipja kishte mbetur “gjuhë për të marte” – për pazare me fshatarësinë, Iljaz Agushikishte dashuri jetike për gjuhën e bilbilave të katundit, siç i quante ai rapsodët popullorë. Kishte dashurinë llapushase rob për punën, dashurinë shqiptare malësore më tipike për farefisin, dashurinë e rilindësit për historinë e kombit, krenarinë gjithëshqiptare për besën shqiptare dhe për trimërinë burrërore, gatishmërinë për sakrificë pa çmim për popullin dhe vendlindjen, gatishmërinë për sakrificë për lirinë e Shqipërisë – Një dhe të pandarë. Populli e deshi dhe e mbiquajti “Nana e fukarasë dhe mullëza e shqiptarisë!”
Për lirinë dhe për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane punoi fuqimisht edhe i et, Xhemajl Agush Mehmeti, i njohur në popull si Haxhí Xhemajl Aga. Mirëpo, Haxhí Xhemajlipërpjekjet për lirinë e Shqipërisë i mbështeti në Serbinë që tradhtoiIsa Boletinin, Idriz Seferin, Begollët e Pejës, Ramadan Shabanët e Kjevës, Kryezitë e Gjakovës, e të mos flasim për minoret: dinarifët (llapushash), mullasylët (shtimjanë) e hasahysenët (suharekas), rrustëkabashët (prizrenas), Bajram¬cu¬rrët (gjakovaras) të shumët e me mbiemra familjar të tjerë në mbarë Kosovën. Ndaj, pasojat eluftërave ballkanike të Motit të hidhur 1912-13, Haxhí Xhemajlin e rreshtuan, para syve të popullit, në tarafin e bejlerëve që “e shitën Kosovën!”. I zhgënjyer për bëmat, mblodhi familjen dhe iku në Konja, në Bursa e në Stamboll. Meqë një jetë ia kishte kushtuar shqiptarisë së Kosovës, ashtu si diti e mundi, nuk mund të hiqte dorë nga shqiptaria, nga varri i katragjyshit, Mehmet Thaçi- Mazrreku në Malishevë, e as nga varri i të et, Haxhí Agush Mehmetit në Prishtinë. Dy djemtë e mëdhenj: Mustafën (1900) dheIljazin (i lindur më 14 prill 1903), të cilët mësimet fillore i mbaruan në Prishtinë, i dërgoi në Kolegjigin e Diturive filozofike në Stamboll. Pasi e mbaruan me sukses të dalluar, i punësoi në Postë të Stambollit, ku nisi aktiviteti politik i Iljaz Haxhí Agushit, lidhja e sigurt midis Komitetit Shqiptar të Stambollit dhe Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me seli në Shkodër. Kjo lidhje ndodhi edhe për faktin se Hoxhë Kadri Prishtina, kryetari iKomitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” ishte dhëndër i vushtrriasit, Sylejman Pashës, me prejardhje drenicase, tezak i Haxhí Agush Mehmetit. Sylejman Pasha ishte kushëri i parë i t’et të Hasan Prishtinës dhe i Zejnullah be Vushtrrisë, e baballëk iHoxhë Kadri Prishtinës.

Iljaz H. Agushi (Prishtinë, 14 prill 1903 – Tiranë, 27 tetor 1943)

Realisht, të dhënat burimore dhe kujtesa familjare dëshmojnë se Iljaz Agushi ishte lidhur për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare qysh në moshën 14 vjeçare, pikërisht në Klubin Kulturor Shqiptar të Stambollit. Këtu ishte betuar para Flamurit të Skënderbeut se “tërë qenien dhe pasjen do t’ia kushtojë Atdheut stërgjyshor – Luftës për çlirimin e Kosovës dhe për ribashkimin e Shqipërisë Etnike!” Në vitin 1922, Hasan be Prishtina dhe Xhemajl be Sylejman Pasha, kushërinj të dytë, të cilët nga fundi i vitit 1918 jetonin dhe vepronin në Shkodër e në Tiranë, i shkruan Iljazit të ndikonte tek i et, të kthente familjen në Prishtinë dhe të vazhdonte përpjekjet e hershme për shqiptarësinë e Kosovës dhe për Shqipërinë e lirë! Kërkesë për kthim në Kosovë Haxhí Xhemajli mori edhe nga Prishtina, pikërisht nga urtaku dhe dijetari i madh, Sheh Mehmet Sezai, të nënshkruar edhe nga Nazim Gafurri, që ishte ndera e burrërisë shqiptare të Prishtinës. Një “Selam” të pashkelshëm, në këtë drejtim, Haxhí Xhemajlit, këso kohe, i kishte arritur edhe nga politikani madhor, Ferat be Draga, kryetar i Organizatës Politike Kombëtare “Xhemijeti” (Bashkimi). Kësaj kërkese unanime nuk i bishtëroi as xhaxhai i Iljaz Agushit, urtaku Murat Aga (vdiq më 1926) dhe, pa vonesë, po më 1922, pjesa më e madhe e Familjës Agushi u kthye në Prishtinë, në shtëpitë dhe në një pjesë të pronave të veta.
Vërtet, Familja Agushi nga fundi i shekullit XIX mund të konsiderohej Derë e katërt e Prishtinës pas pinjollëve tëGjinollajve, Derës së Muftilerëve (të bijtë e Emin Agës së Sllatinës së Moravës së Epërme, që dha edhe pashallarë për Prishtinë dhe Shkup)) dhe Derës së Sulejman pashë Prishtinës. Në ngritjen e Familjes Agushi ishte shquar i vëllai i Xhemajlit dhe i Muratit,Mehmet Agush Mehmeti, tregtar dhe patriot i shquar, i helmuar nga turqit në Selanik. Këtu qëndronte misteri dhe shtytja intime eHaxhí Xhemail Agushit për hakmarrje kundër robëruesit osman qoftë edhe në mbështetje të Serbisë.
Për “rehabilitimin” politik kombëtar të shpejtë të Haxhí Xhemajl Agushit, pas riatdhesimit në Prishtinë, ndikuan fuqimisht edhe personalitetet e përmendura më lartë. Haxhí Xhemajl Aga- Agushi përnjëherë u hodh në lëvizjen politike kombëtare të “Xhemijetit” dhe, më 1923, u zgjodh deputet i kësaj partie për Prishtinë, në Parlamentin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, krahas Nazim Gafurrit. Mirëpo, respektin e plotë politik kombëtar para popullit Haxhí Xhemajli do ta arrijë pas lidhjes së krushqisë së re me Derën e Sylejman pashë Prishtinës. Iljaz Haxhí Agushi do të martohet me të bijën e Xhemajl be Sylejman Pashës, me tipare ky stërgjyshore drenicase, një si Leonidi i Termopiles shqiptare në Mërdar e Përpallac, në tetor të vitit 1912, kundër sulmit të ushtrisë pushtuese të Serbisë në Kosovë. Kjo ishte e vetmja rezistonë e organizuar dhe e komanduar shqiptarisht e Kosovës kundër depërtimit të ushtrisë serbe në tokën shqiptare më 1912. Udhëheqësit e tjerë të Kryengritjeve shqiptare kundër osmane të fillimit të shekullit XX, me mbështetje në Serbinë, nuk patën fytyrë ta ftonin popullin kundër pushtuesit serb, sepse forcën luftarake e kishin dërrmuar në ballafaqime me ushtrinë osmane, ndaj Kosova të thuash u pushtua nga Serbia pa hasur në rezistencën shqiptare që e priste ajo.
Dëshmori i kombit, Apostull i Shqipërisë Etnike – Iljaz Haxhí Agushi, shumë herët u shqua me urti politike, me dije dhe me dashuri për njerëzit. Mësues të parë që kurrë të mos dështonte, e pati t’et, Haxhí Xhemajlin, i cili me shpejtësi e ktheu autoritetin, i mbështetur, përpos më veprimtarët politik të përmendur më sipër, edhe në popullsinë fshatare dhe krerët e saj. Djaloshi i dalluar me urti dhe me dashuri për punën e për kombin, Iljaz Agushi, deri nga fillimi i viteve të ’30-ta punoi si rentier (kishte disa mullinj të ujit trashëgim nga i et, dhe mëma), e tani iu besua të udhëhiqte ekonominë familjare, por vetëm si hije e të vëllait, Mustafasë, që ishte burrëruar para kohës dhe shquhej me ndjeshmëri dhe me dashuri për bashkëqytetarët dhe për kombin. Vërtet, Mustafa Agushi ishte ngritur në një personalitet qe do ta shquaj fisnikëria e atdhedashuria gjatë tërë jetës.
Realisht. nga fundi i viteve të ’20-ta të shek. XX, Iljaz Agushit i ishte besuar edhe administrimi i Vakëfit të Bashkësisë Islame të Prishtinës , më vonë shërbeu edhe si asistent i t’et për përmbushjen e detyrave që i dilnin si përfaqësues shumë i respektueshëm në Klubin e Deputetëve Shqiptarë në Parlamentin e Jugosllavisë. Nga pjesa e dytë e viteve të ’30-ta, Iljaz Haxhí Agushin e gjejmë anëtar të Këshillit Drejtues të Organizatës së Myslimanëve për viset shqiptare jashtë Shqipërisë londineze dheDrejtor të Vakëfit të kësaj Bashkësie, me seli në Shkup, e cila administronte viset shqiptare etnike dhe historike jashtë kufirit tëShqipërisë londineze.
Në vitin 1936 Iljaz Agushit i vdiq gruaja, duke ia lënë katër djem, fare të mitur, të cilëve do t’u kushtohet, tërë jetën, motra e Iljazit, Behixhja, lënesha më fisnike që njohu Tirana e kohës së Enver Hoxhës. Iljazi (si edhe Behixhja) kurrë më nuk do të martohet edhe pse ishte i ri, vetëm rreth 33 vjeç. Pati shumë oferta për martesë dhe pati shtrëngim të madh nga i Et, që të martohej, por refuzoi burrërisht: “Gruaja më shkoi me mallin e Babait (Xhemajl be Prishtinës, i cili një jetë ia kushtoi lirisë së Shqipërisë(Jetonte i ikur në Tiranë, pa gruan), ndaj kurrë nuk mund t’i qes artake qikës së Tij, as tashti që Ajo është në varr…!”
Veprimtari i Çështjes kombëtare shqiptare, Iljaz Agushi, nga tashti do t’i përkushtohet kryekreje politikës kombëtare për çlirimin e Kosovës dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike. Pas vdekjes së t’et, më 1938, Iljaz Haxhi Agushi u zgjodh përfaqësues në Parlamentin e Jugosllavisë për viset e Ferizajt, dhe nga ky moment fillon karriera e lartë politike e mirëfilltë e Iljaz Haxhí Agushit, i denjë për pozitat shtetërore kombëtare që do t’i gëzojë nga 14 prilli 1941- 27 tetor 1943, kur do të martirizohet nga komunistët shqiptarë prishtinaso- gjakovaro-tiranas.
Ndonëse relativisht i ri, por i burrëruar para kohës, Iljaz Agushin e shqoi dinjiteti i pa nëpërkëmbur, me fjalë petake shqiptarisht, ndonëse me theks turqisht, personalitet me një aftësi të jashtëzakonshme bashkuese për lidhjen përreth vetes të deputetëve dhe të personaliteteve politike shqiptare me përkatësi partiake të ndryshme. Kjo për faktin se Iljaz Aga, siç e quante populli, veçanërisht nga fshatarësia, veprimtarinë e tij politike praktike e mbështeti vetëm mbi shqiptarinë si partishmëri luftarake. Në historinë shqiptare të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike Lindore në përgjithësi, nuk mund të gjendet asnjë personalitet që kishte përreth vetes më shumë krerë, më shumë ulema, më shumë tregtarë, më shumë industrialistë, më shumë politikanë, më shumë nxënës e studentë, më shumë fukarenj e të sëmurë, më shumë nevojtarë – pra, ishte Personalitet më shumë mbështetës. Është e vërtetë se i et, deputeti i listës qeveritare të JRZ-së (Bashkësia Radikale Jugosllave), Haxhí Xhemajl Aga- Agushi, i mbështetur në krerët e Llapit, të Gallapit, të Rrafshit të Kosovës dhe të Drenicës, ishte bërë digë kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, duke pasur mbështetje e Ferat be Dragës, i papërsëritshëm në istikamet e Luftës shqiptare për Çlirimin e Kosovës. Pas këtij aktiviteti qëndronte fuqimisht djaloshi dinjitoz, Iljaz Aga-Agushi, i cili ishte forca bashkuese që ia ruante të bashkuar, edhe Ferat be Dragëseksploziv, përkrahësit dhe bashkëluftëtarët në Frontin e Përgjithshëm të Rezistencës Politike Shqiptare Kundër serbe.
Në ditët e tërheqjes së ushtrisë jugosllave para forcave gjermane dhe italiane, më 13 e 14 prill 1941, Iljaz Agushi do ti shpëtojë masakrimit serb falë, mençurisë e guximit të Sheh Mehmet Sezait, (hartuesit të Programit Politik të Organizatës “Xhemijeti” më 1919”, i cili e fshehu Iljazin “diku nën tokën e pirit të Tij…”. Nga fillimi i pjesës së dytë të prillit vitit 1941, ushtria e pushtuesit fashist italian e përtëriti Komunën e Prishtinës duke vu në krye të saj kryetar e nëpunës serbë. Iljaz Haxhí Agushi, në mbështetje të dijetarit e udhëheqësit shpirtëror, Sheh Mehmetit, e ftoi popullsinë e Llapit, të Gallapit, të Rrafshit të Kosovës dhe tëDrenicën, t’i “vnonin” plisat e bardhë, kombëtar shqiptare (edhe ata që kurrë nuk i kishin bartur më herët, veçanërisht pjesa absolute zejtare, tregtare dhe e bujarisë qytetare), e të vinin në Prishtinë, me praninë e tyre të dëshmonin për përkatësinë shqiptare të shumicës në Prishtinë e rrethinë. Këmbë, si në Marrshin e Minatorëve e të popullit më 1989, apo në Marshin për Mitrovicën e Bashkuar, më 2000, mbi 30 mijë veta, midis tyre edhe me armë jetike, e pushtuan Prishtinën. Ky marrsh nuk mund të dështonte, siç dështuan ato dy të kohës sonë, sepse ideator dhe “komandant suprem”, i pa asnjë dështim, ishte madhori i kombit Iljaz Agushi, i mbështetur në popullin e gatshëm për sakrificë sublime për Lirinë. Në ballë të masës të veshur shqiptarisht, para syve të ushtrisë pushtuese italiane, Iljaz Agushi urdhëroi kryetarin dhe nëpunësit serbë të dilnin nga Ndërtesa e Komunës përndryshe do të vriteshin nga popullsia e revoltuar. Kërkesa u plotësua pa kundërshtim, kurseIljaz Agushi i thërriti masës: “E shpalli të hapur Komunës që përfaqëson popullsinë e vendit…! kurse për udhëheqës me autorizim t’i emëronin nëpunësit, i autorizojmë dy burrat e fortë:Mustafa Abitin dhe Ahmet Salihun, ish-bashkëveprimtarë më të afërm të Nazim Gafurrit…!”
Në rrethana të një entuziazmi gjithëpopullor, nën valëvitjet eFlamurit të Skënderbeut, e shpalli të ngritur edhe Prefekturën e Prishtinës. Të gjithë këtë aktivitet “në emër të Mbretnis Shqiptare” Iljazi e bëri mbi bazë të marrëveshjeve që kishte mediplomacinë shqiptare të Shqipërisë Londineze së paku nga viti 1935. Populli i cili manifestonte shqiptarinë dhe lirinë, Iljaz Agushin, me aklamacion, e emëroi Prefekt të Prefekturës së Prishtinës, e cila do të synojë administrimin pjesës lindore tëKosovës së sotme, përfshirë edhe Drenicën. Dhe, me një nguti, duke e bërë edhe natën ditë, Iljaz Agushi i ngriti komunat nëarealin e Prishtinës, të Fushë-Kosovës, të Drenicës, dhe të Shtimes,duke vendosur për kryetar personalitete popullore që kishin treguar aftësi bashkuese të popullit gjatë Jugosllavisë Versajase. Shkoi në Mitrovicë dhe komandantit gjerman ia shtroi kërkesën gjithëshqiptare për bashkimin e Mitrovicës dhe të Sanxhakut tëTregut të Ri me Mbretnin Shqiptare e cila synonte ribashkimin e tokave shqiptare. Prej andej arriti në Ferizaj dhe në një miting gjithëpopullor, nën valëvitjet e Flamurit Kombëtar, e ngritiNënprefekturën e Ferizajt, duke e bashkuar me Mbretnin Shqiptare edhe pjesën më të madh të Moravës së Epërme.
Nga këtu Iljazi shkoi në Prizren, ndihmoi në konsolidimin e pushtetit shqiptar në Prefekturë dhe kërkoi nga Komanda gjermanepër Zonën e Kosovës të urdhëronte bashkimin e viseve të Gjilanit, të Llapit, të Vushtrrisë e të Mitrovicës e të Sanxhakut me Shqipërinë. Nga andej erdhi në Gjilan, të cilin e synonte Bullgaria fashiste, dhe nën valëvitjet e Flamurit Kombëtar vendosi nënprefektin dhe kryetarët e komunave në pjesën më të madhe tëAnamoravës. Dhe, edhe këtë nënprefekturë, si më parë atë tëFerizajt, ia bashkoi Prefekturës së Prishtinës, realisht, Shqipërisëqë po ribashkohej me shumë vështirësi.
Prefekti i Prishtinës, Iljaz Haxhí Agushi, veçmas i mbështetur edhe në forcën ekonomike dhe në autoritetin e madh të të vëllait,Mustafasë, të bamirësave kombëtar filantropë: Shyqyri Be Ramadan Beut dhe Stak Mark Mirditës, e sidomos në autoritetin e baballëkut Xhemajl Be Sylejman pashë Prishtinës, tashti sapo i kthyer nga Tirana, pa vonuar i përtëriti lidhjet e ngushta meKomitetin e Kosovës të Bedri be Pejanit në Tiranë, i cili bashkonteyndyrën e shqiptarizmës së Kosovës, dhe i ftoi misat e Tij, meBedri be Pejanin në krye të vinin në Kosovë dhe pa vonuar t’i vizitonin viset shqiptare nën administrimin hitlerian, për të përçuar kërkesën jetësore shqiptare që viset e Vilajetit të Kosovës ku tashti prapë pretendonte Serbia e Nediqit, nën obrelën hitleriane, të basghkoheshu\in me Mbretnin Shqiptare, si zgjidhje më e drejtë edhe për Rendin e Ri Botëror që synonte Boshti Nazifashist. Së këndejmi, Nëntoka e propagandës fashiste italiane Iljaz H. Agushit do ta konsideroj si shqiptarin numër Një të kategorisë “Grande Ufficiale”, karshi Ferat be Dragës që konsiderohej numri Një i shqiptarëve “Grand Corobne”.
Patrioti mendje esëll, Iljaz Haxhí Agushi njëkohësisht vuri lidhje me bashkë¬punë¬torët nga periudha e veprimtarisë në Fakëfine Bashkësisë Islame në Shkup, aktivistë këta të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare për vise të Shkupit, të Kumanovës, të Tetovës, të Dibrës, të Gostivarit, të Kërçovës, të Strugës, të Ohrit e të Manastirit dhe kërkoi nga ata të forconin aktivitetin politik për bashkimin e atyre viseve me Mbretnin Shqiptare. Ithtarët e Iljaz Haxhí Agushit, të bashkuar me rininë studentore përparimtare kombëtare dhe komuniste, organizuan Demonstratën kombëtare historike të Shkupit, në të cilën mori pjesë i tërë qyteti e rrethina, të gjithë me plisa të bardhë shqiptarë, me kërkesën sublime: “Shkupi asht i yni…! Shkupi është qytet kërthizë e mbështjellë me toka shqiptare etnike dhe historike…!”
Punën e parë dhe më të madhe që Iljaz Agushi bëri për dëshmimin e shqiptarësisë së Prishtinës, në këtë kohë kryesisht shqiptare turkofone në familje, ishte hapja e Liceut “Sami Frashëri”, të cilit fillimisht ia siguroi kushtet parësore për punë, me mjete të veta. Nën patronatin e Iljazit do të mbahet shfaqja e parë kombëtare shqiptare në Prishtinë, përgatitur nga nxënësit e këtij gjimnazi. Ka mbetur në kujtesën historike një moment frymëzues nga kjo ngjarje. Skena kur një vajzë me gjergjef në duar po zhdrivillonte Flamutin Shqiptar, e irritoi kapitenin fashist, arbëreshin Antika, i cili u ngrit për ta lëshuar sallën. Patrioti mendjendritur, Iljaz Agushi iu kundërvu pa hezitim: “Zoti Kapiten! Mos provoni të dilni duke shkelur mbi Flamur…! Kush e shkelë flamurin e shqiptarit atë do ta paguaj me kokë…!” Ky incident, kështu, u bë pjesa më e rëndësishme e shfaqjes së parë shqip në gjimnazin “Sami Frashëri”, përkatësisht në Kosovën që po çlirohej nga vargonjtë e robërisë serbo-jugosllave. Realisht, më 12 gusht 1941 Roma kishte shpallë “Dekret Ligjin Mbretnuer Mbi tokat që bëjnë pjesë intrigrante të Mbretnis Shqiptare”, në të cilat do të zbatoheshin Ligjet e vitit 1939. Mirëpo, Prefekti i Prishtinës, i vendosur nga populli, nuk e ndalte aktivitetin politik për përfshirjen e plotë të ish-Vilajetit të Kosovës (i cili, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deri në tetor të vitit 1912, i pati mbi 32 900km2) në Mbretnin e Shqipërisë, hëpërhë, qoftë edhe nën kurorën mbretërore të Italisë, si fazë kalimtare të nevojshme.
Meqë përpjekjet e Iljazit kishin mbështetjen e gjithanshme të masave, për bashkimin e të gjitha viseve shqiptare jashtë Shqipërisë londineze me Mbretnin Shqiptare, do të nominohet dhe,më 3 dhjetor 1941, do të bëhet pjesëtar i Kabinetit Qeveritar të Mbretnis Shqiptare. Për kryeministër ishte nominuar Mustafa Merlika – Kruja, një bashkëveprimtar e miku më besnik i Hasan Prishtinës nga Komploti i Taksimit, në fillim të vitit 1912, – për organizimin dhe drejtimin e Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare për çlirimin, autonominë dhe së fundi Pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane.
Meqë IljazHaxhí Agushi kishte përvojë të gjatë në drejtimin dhe administrimin e ekonomisë së Vakëfit të Prishtinës e të Shkupit, me interes shoqëror, kombëtar e shtetëror, do të emërohetMinistër Sekretar Shteti për Punë Botore në Kabinetin e Mustafa Krujës. Ishte kjo ministri e rëndësishme për punët publike të vendit. Këtë postë do ta mbajë edhe në tri kabinetet qeveritare shqiptare deri me kapitullimin e Italisë fashiste. Në dy qeveritë eMaliq be Bushatit dhe në qeverinë e Ekrem be Libohovës, nga mesi i janarit deri në mesin e shtatorit 1943, krahas postit të Ministrit për Punë Botore, Iljazi ishte edhe Nënkryeministër dheZëvendëskryeministër i Mbretnis Shqiptare, ishte pra njeriu i dytë publik në Shqipërinë që vepronte për ribashkimin e të gjitha vendeve shqiptare etnike dhe historike. Është i vetmi personalitet shtetëror shqiptar i lartë, i cili nga 3 dhjetori 1941 deri më 14 shtator 1943, nuk pati asnjë dështim, asnjë krizë në udhëheqje, gjithmonë faktor pajtues e bashkues në qeveritë shqiptare.
Periudha kur Iljaz Haxhí Agushi i ushtroi detyrat shtetërore të përmendura më sipër, është koha kur pjesa më e madhe e tokave shqiptare, për të parën herë, përjetoi të mirat e shtetit kombëtar në mundësi: në fushë të ndërtimit, të shëndetësisë, të arsimit, të informimit, të bonifikimit të tokave, të komunikacionit tokësor, të telekomunikacionit, të zhvillimit ekonomik, të planifikimit hapësinor kombëtare shtetëror, etj., por këtu nuk do të ndalemi gjerësisht. Megjithatë, për këtu është momenti historik të konstatojmë se Iljaz Haxhi Agushi ia dhuroi Ferizajt xhaminë madhështore, pranë kishës ortodokse dhunë shtetërore jugosllave, dhe kështu këtij qyteti, qendër administrative e Nënprefekturës, dhe rrethinës ia faktografoi identitetin shqiptar. Iljazi, vërtet, ishteEminenca e kaltër për shqiptarësinë e Tokave Shqiptare të sa po çliruara nga pushteti kolonial serbo-jugosllav.
Burri i shtetit shqiptar që po ribaskohej, Iljaz Agushi, falë guximit dhe patriotizmit të kulluar, e shfrytëzoi maksimalisht postin e Ministrit të Punëve Botore dhe postin e për organizimin dhe për fuqizimin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës nga fundi i vitit 1941, përkatësisht nga fillimi i vitit 1942 dhe u bë kurrizi i përpjekjeve për ribashkimin e plotë administrativ shtetëror tëShqipërisë Etnike. Kjo qartë shihej nga fjalimet e tij në mitingjet popullore të shkurt-marsit 1942, në Prishtinë, në Ferizaj, në Gjilan, në Pejë e në Prizren. Në këto mitingje e lidhi, me aklamacion, “Besa-Besën” tradicionale shqiptare për t’i dalë zot plëngut, tokës stërgjyshore! Për këto qëllime e vuri në shërbim tërë pasurinë përrallore që kishte Familja Agushi. Përpjekjet patriotike të Iljaz Haxhí Agushit në Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës dhe përpjekjet për ribashkimin e Shqipërisë, Komiteti Krahinor i PKJ-së për Kosmet do t’i kualifikojë “punë kuislingu” në shërbim “të qeverisë kuislinge të Mustafa Krujës”!?!
Vërtet, në marsin e vitit 1942, pikërisht kur u pa se masa shqiptare në “Tokast e Lirueme” në Iljazin shihnin Mesinë e shqiptarësisë dhe të shqiptarisë së tokave shqiptare jashtë Shqipërisë Londineze, makineria propagandistike e PKJ-së do ta etiketojë e damkojë për “tradhtar të popullit shqiptar…”, kurse në majin e atij viti do ta quajë: “pjesëtar të kolonës së pestë”!?! Dhe,Komiteti Krahinor i PKJ-së për Kosmet, në korrik të vitit 1942, nëIljaz Agushin shihte korifeun për “Shqipërinë e Madhe”, nocion ky serb shovinist i fundshekullit XIX. Njëkohësisht, nëntoka shqiptare profashiste italiane, përmes zyrtarëve të tarafit “Partia Kombëtare Fashiste Shqiptare”, Iljaz Agushit ia përgjonte edhe bisedat private, madje edhe ato më intime me miqtë më besnikë. Janë dhjetëra raporte të Muhamet Çetës, të Muharrem Xhedikutdhe të Dervish Bejlerit, dërguar Kolë Bib Mirakajt, i cili, nga maji 1942, e zuri vendin e Profesor Jup Kazazit – kryetar i Partisë Fashiste Kombëtare Shqiptare. Në raportet nga Prishtina për Mirakajn, Iljaz Agushi tashti portretohej personalitet “me mentalitet të vjetër”, “bejlerë-feudal”, “islam proturk”(!?!) dhe paraqitej si pengesë kryesore në Kosovë kundër aspiratave nazifashiste të Musolinit e të Hitlerit për Rendin e Ri evropian. Kërkohej eliminimi i tij nga skena politike dhe pushtetore, me çdo kusht, për të lehtësuar zëvendësimin e kuadrove kombëtare të Iljaz Agushit në komuna, në nënprefektura dhe në prefektura, me kuadro të përkushtuara fashizmit, katolicizmit dhe kurorës mbretërore të Italisë.
Nga shtatori i vitit 1942 kërbaçin serb komunisto-çetnik dhe italian fashist për të qëlluar mbi ndershmërinë, mençurinë, patriotizmin dhe gatishmërinë për sakrificë pa çmim të Iljaz Haxhí Agushit, për kombin shqiptar, e mori në dorë komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Aradheve Partizane të Kosmetit, Fadil Hoxha. Meqë PKJ-ja në Iljazin shihte drejtuesin e rrymës shqiptare për ribashkimin e Shqipërisë Etnike, me qëllim të “merrnin pushtetin nga okupatori në momentin e thyerjes” së tij të paevitueshme, komandanti partizan i Kosovës, në nëntorin e vitit 1942, Iljazin e shihte në krye të listës së “reaksionarëve”, themelues të “Frontit të Kreshnikëve fshatarë për Mbrojtjen Kombëtare” të Kosovës, ndaj e shante marrëzisht: “E juve, qen të fëlliqtë dhe shërbëtorë të okupatorit: Iljaz, Sefedin, Rifat, Xhevat Begolli, Kajtaz, A. Dush. Pal Lumez, Kryezi, S. Goran, F. Dragë, K. dhe P. Bib(…), nuk do të ketë birë në globin tokësor ku do të mund të fshihi nga gjyqi i popullit…!” Koha e vërtetoi se cili kishte qenë në pozitën e “qenit besnikë”, në shërbim të të huajit, në rolin e varrmihësit të lirisë së Shqipërisë të kërcënuar, vazhdimisht nga apetit pushtuese koloniale Serbo-Jugosllave.
Të dhënat burimore arkivale dhe publicistike, por edhe kujtesa historike e popullit, flasin qartë se Iljaz Haxhí Agushi dhe qeveritë shqiptare në të cilat ai përbënte gjithnjë më shumë se telin e dytë të çiftelisë, u përpoqën dhe vepruan politikisht e ushtarakisht për realizimin e ribashkimit të Shqipërisë tërësore, Etnike neutrale ndaj konfliktit botëror, në shembullin e Suedisë dhe të Turqisë. Angazhimi i Iljaz Agushit për ndriçimin e Masakrës serbo-malaziase të Bihorit, të 5/6 janarit 1943, dhe të Kalljes së Çarshisë së Pejës nga italianët për interesa të PKJ-së serbe albanofobe, më 21-22 mars 1943, e shtoi besimin e popullit ndaj Tij.
Për ribashkimin dhe mbrojtjen e pjesës shqiptare etnike dhe historike të Rozhajës, të Bihorit, të Sjenicës dhe të Tregut të Ri,Iljaz Agushi, me para të tij, me shpenzime familjare, rekrutoi dhe armatosi 6000 vullnetarë, Kreshnikë të veshur me këmisha të vdekjes, për tërësinë e Njësisë etnokulturore dhe gjeopolitike të Shqipërisë. Shkallën e vendosmërisë së Iljazit për këto qëllime ilustronte mirë dueli verbal i Tij me komandantin italian, gjeneralinRoto, që komandoi Kalljen e Pejës – sipas kurthit të Organizatës së PKJ-së me lidhje të pista kurvërie: “Zotëri! Këta serbët kanë vajza të mira dhe ua dhanë edhe Juve, kurse ne i kemi të mira, por i kemi vetëm për veti…!” Këtë gjykim Iljazi ia shqiptoi gjeneralit Roto, në Pejë, në prani të Tafil Boletinit dhe të eprorëve të tjerë të Prefekturës së Pejës.
Angazhimi për ndriçimin e Tragjedisë së Bihorin dhe tëPejës, si masë për të parandaluar skenat e tilla serbe çetniko-komuniste të llahtarshme, në mbështetje të ushtrisë dhe të karabinierisë italiane, bëri që Iljaz Haxhí Agushi të shikohet siShpëtimtar për shqiptarët dhe shqiptarinë e Kosovës dhe tëSanxhakut, e në vijimësi si promotor i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës në Shalë të Bajgorës, në Llap e në Gallap, në Kosovën Lindore (të cilën tashti politikanët shqiptarë idiotë e quajnë”Lugina e Preshevës”!?!) si dhe në mbarë Iliridën (ish-Maqedonia Perëndimore shqiptare). Me rastin e riemërimit në postin eMinistritë të Punëve Botore dhe të Nënkryeministrite Zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Ekrem be Libohovës, i cili i përkiste organizimit politik ballist të Mid’hat Frashërit, gazetaTomori i Vogël, më 13 maj 1943, theksonte se Iljaz Haxhí Agushi“është një prej elementeve më shpresëdhënëse dhe më të kulturuar” të Kosovës. Koncepti Kosovë, në këtë periudhë, nënkuptonte të gjitha viset shqiptare të aneksuara Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, më 1919, në Versajë.
Se madhori i kombit, Iljaz Haxhí Agushi, ishte personi më i përkushtuar dhe më me kredibilitet të paluhatshëm në kabinetet qeveritare shqiptare të kohës për realizimin e tërësisë së Shqipërisë me çdo çmim, do të kuptohet nga të dhënat që do të përmendën shkurtimisht, në vijim: Nga pjesa e dytë e korrikut 1943 shihej qartë se kapitullimit të Italisë fashiste po i numëroheshin ditët. Iljaz Agushi, i përkiste lagjes së personaliteteve shqiptare të rralla që përpiqeshin për krijimin e Frontit të Përbashkët Nacionalçlirimtar Shqiptar të të gjitha drejtimeve politike e luftarake shqiptare kundër nazifashiste. Vazhdimisht, dhe gati gjysmë legalisht, ndikoi në lirimin e komunistëve shqiptarë antifashistë nga burgjet në Prishtinë, në Prizren, në Pejë, në Shkodër e në Tiranë. Të përmendim këtu vetëm lirimin e komunistit patriot i dëshmuar Idriz Ajet- Gashit, Meto Bajraktarit si dhe të Rashid Dedës. Gruaja e R. Dedes, Melihate Deda, sa i qëndroi burri në burg jetoi në gjirin e familjes së Iljaz Agushit, dhe nga kjo familje e mori ushqimin e duhur që ua dërgoi Metos dhe Rashidit për kohën sa ishin në burg. Melihati, që ishte një si motër e Iljaz Agushi, nga mesi i nëntorit të vitit 1944 e zbuloi dhe e denoncoi Urdhrin e Shtabit Kryesor të UNÇ të Serbisë, që puritanë serbë, malazias e maqedonas gjatë operacioneve përfundimtare të luftës “kundër pushtuesit gjerman”, faktikisht për ripushtimin e tokave shqiptare të cilat Konferenca e Versajes ia njohu Mbretërisë Serbo-Kroato- Sllovene,- “ të vriteshin së paku 50% të shqiptarëve…!”
Të konstatojmë edhe faktin se Iljaz Agushi, madje, dy herë e priti, në Kryeministri, edhe të deleguarin e komandantit partizan të Kosovës patriotin antifashist Hajdar Dushin dhe, së fundi, krejt në vigjilje të dorëheqjes së Benito Musolinit, e realizoi një takim konfindencial me Fadil Hoxhën, në Ferizaj. Me këtë rast Iljaz Agushi ia tërhoqi vërejtjen përfundimisht komandantit partizan,Fadil Hoxha: “Asnjë lidhje me Beligradin popullin shqiptar nuk do ta shpjerë në liri….!”
Ishte ky mësim nga përvoja historike e kombit shqiptar. Patrioti sakrifikues i pashoq për kohën, Iljaz Agushi, e dinte seLëvizja Antifashiste ishte e drejtë dhe e domosdoshme, ndaj i ofronte Lëvizjes Nacionalçlirimtare Shqiptare të Fadil Hoxhës dhe të Enver Hoxhës përkrahjen politike dhe ndihmën materiale të pa kursyeshme, me kusht që LNÇSh-ja të zhvillohej politikisht dhe ushtarakisht unike për mbarë hapësirën e Shqipërisë Etnike, me një qendër politike dhe me një komandë ushtarake për tërë Shqipërinë Etnike. Kërkonte nga komunistët shqiptarë që Çështja shqiptare e pazgjidhur të ndërkombëtarizohej si çështje gjithëshqiptare dhe jo si çështje krahinore parciale. Madhori i kombit, Iljaz Agushi, për këtë mision kishte edhe bekimin e misionarit ushtarak anglo-amerikan në Shqipëri, me të cilin pati disa takime të besueshme.
Sekretari shtetëror – Ministër i Ministrisë së Punëve Botore, njëkohësisht edhe Nënkryeministër dhe Zëvendëskryeministër i Mbretnis Shqiptare, Iljaz Haxhí Agushi takimin me Fadil Hoxhën e realizoi në banesën e Pjetër Cicës, komandant ushtarak i Ushtrisë së Mbretnis Shqiptare, i lidhur ngushtësisht me Organizatën e PKJ-së të Rrethit të Ferizajt. Në shoqërim të Iljazi Agushit në takimin me Hoxhën e Cicën, ishte patrioti anaferizajas, Ismail Gorani, një kohë Nënprefekt i Ferizajt dhe tashti donator dhe organizues ndër më kryesorët i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës në viset e Kosovës Lindore. Ky takim ndodhi në natën e 23/24 korrikut 1943. Iljazi do të niset për në Tiranë, me urgjencë nga atje, më 24 korrik 1943, pikërisht në prag të ndërrimeve të pushtetit në Romë. Në nisje e sipër u tha vëllezërve: “Po me kërkojnë të kthehem në Tiranë, menjëherë…! Herën tjetër, kur të vi në Kosovë, nëse e kërkon nevoja për Lirinë e Shqipërisë që e bëmë, ashtu si mundëm, do t’i ngjeshi armët, në male të Kosovës. Nuk e kemi lehtë ta sigurojmë Lirinë e kombit, e pa Liri nuk jetohet…!”
Se Iljaz Haxhí Agushi dhe qeveritë në të cilat ai kishte fjalën pas Njëshit të shtetit, (e herë-herë edhe në emër të Njëshit), shestuan dhe trasuan rrugën e pavarësisë dhe të neutralitetit tëShqipërisë tërësore, Etnike, shihet nga Thirrja që Iljaz Agushi, në emër të qeverisë, ia drejtoi popullit shqiptar, më 26 korrik 1943, një ditë pas dorëheqjes së Benito Musolinit, duke e quajtur atë akt – “…nji ngjarje të brendshme italiane…”. Në emër të kreut shtetëror të Shqipërisë Etnike, Iljaz Agushi i ftonte shqiptarët të rrinin “të qetë secili në krye të detyrës edhe të punës së vet”, ngase “Qeveria ka marrë masat e nevojshme për sigurimin e rendit dhe të qetësisë botore”.
Këtu duhet të theksohet fakti se në Marrëveshjen e Mukjes, të 1-2 gushtit 1943, midis forcave politike e ushtarake të LNÇSH-së antifashiste kominterniste dhe atyre demokratike të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, Iljaz Haxhí Agushi pati rol të madh nga pozita e politikanit pastër kombëtar. Me këtë rast u formua “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë”, ëndërr jetike e Iljaz Agushit. Në Tiranë pati mbështetje, si në vetën, në: Mustafa Krujën, Hasan Dostin, Ejup Kazazin, Xhevat Korçën Qazim Koculin, Lec Bushatin, Avni Gjilanin etj. Kurrë nuk e fshehusimpatinë ndaj Mbretit të shqiptarëve – Ahmet Zogut, por një lidhje shumë intime lirifarkëtuese e kishte me Fejzi Alizotin, me Bahri Omarin, me dr. Skënder Muçon dhe me Hysni Lepenicën, dy të fundit ballistë të shquar, ndjekës besnikë të Mid’hat Frashërit.
Organizata e PKJ-së për Kosmet, duke pasur njohuri të plota se Iljaz Agushi ishte forca motorike e Kosovës e më gjerë, që siguroi Vendimet Historike të Mukjes, pa vonuar do t’i thërrasë popullit shqiptarë të Kosovës e më gjerë, të mos i dëgjonin “tradhtarët e popullit shqiptar: Iljaz Agushin (…), ish-shpiun jugosllav, kurse tashti shërbëtor i okupatorit…”(!?!) Kjo ishte rrenë propagandistike e hapur. Patrioti Iljaz Agushi gjithnjë e gjithmonë, ishte larg i të qenit spiun dhe shërbëtor i okupatorëve. Madje, Komandanti partizan i Kosmetit nuk nguroi të thellonte shpifjet komuniste dhe të hidhte baltë mbi personalitetin politik shqiptar midis më të dinjitetshmëve të kohës : “Jo ore Agushoviq nuk i hamë ma ato kokrra ullini”, sepse lirinë e popullit shqiptar ka për ta sjellë LNÇ-ja e Kosmetit me “Shtabin kryesor në ballë. Kjo rrugë asht rruga qi po ndjekin vllaznit t’onë në Shqipni”(!?!).
Largpamësinë politike kombëtare antifashiste të kultivuar me disidentizëm nga Kabineti Libohova – Agushi pasqyron përmbajtja dhe mesazhet e dy dokumenteve të fundit të kësaj qeverie shqiptare. Në Thirrjen e nënshkruar nga kryeministri Libohova, më 9 shtator 1943, drejtuar kombit me rastin e kapitullimit të Italisë Fashiste, theksohej: “Unë dhe bashkëpunëtorët e mij qemë të bindur se, në përleshjen njerëzore që po zhvillohet, Shqipëria nuk mund të lozte asnjë rol”, andaj qëndruam neutralë ndaj blloqeve ndërluftuese, me qëllim që, në momentin e duhur, “me një zë të vetëm të mbrojmë të drejtat” tona legjitime. Në vazhdim ftonte “të gjithë sa kanë gjak shqiptari qysh prej Prishtine në Konispol dhe qysh prej Ulqini në Tetovë, të shtrëngohen rreth Flamurit”kombëtar, sepse “shpëtimi i ynë qëndron në bashkim, rregull dhe dishiplinë!”

(VIJON…)

____________________

PJESA E DYTË:
PROF.DR.MUHAMET PIRRAKU: ILJAZ HAXHI AGUSHI –
APOSTULLI I SHQIPËRISË ETNIKE (II)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=3858

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura