Paris, 24. 04. 2015 – Fjala “filozofi” është e përbërë nga “φιλεῖν, filein” (“dashuri”) dhe “σοφία, Sofia” (“dituri”). Në kuptimin aristotelianë dhe mesjetarë filozofia është një shkencë, shkenca e parimeve të para dhe shkaqeve të para. Por në kuptimin modern të fjalës dhe për shumë prej filozofëve bashkëkohorë, filozofia nuk është dituri, as një grup i dijes, por një proces i reflektimit mbi njohuritë e lira. Ajo është e ngulur që nga origjina e saj në dialog dhe debat idesh. Kjo është një disiplinë dhe aktivitet që ka ekzistuar që nga lashtësia në Perëndim dhe Lindje. Ndryshe nga shkencat natyrore, formale apo njerëzore, filozofia përmban fusha të ndryshme të studimeve si logjika, metafizika, etika apo filozofia politike apo shoqërore.
Për mua një filozof si dhe filosofia e vërtetë nuk imponon idetë e tij, konceptet apo udhërimet e tij. Filozofia është një përçapje mendimesh, pyetjesh, hetimesh mbi njerëzimin, njerëzit, gjërat të jetës dhe botës rreth nesh. Përveç anës së saj ideologjike, filozofia mund të shihet si një proces reflektimi, një aktivitet analizash, përkufizimesh, analizash të vetvetes (introspektim), krijimesh, kërkimesh për të njohur të vërtetën ose meditimesh për koncepte të ndryshme (të keqen, të mirën, bukurinë, të drejtën, etj…). Për fat të keq shpesh «filozofia» në kuptimin e ngushtë të fjalës është ngatëruar me “teoricienin” apo “ideologun”.
Në rininë time filozofia ishte pjesë e studimeve të mia letrare. Unë kam studiuar tekstet filozofike të autorëve grekë (Anaksimandri, Herakliti, Parmenidi, Ksenofani, Empedokli, Kritiasi, Zenoni, Sokrati, Platoni, Ksenofoni, Aristoteli, Theophrasti, Pironi, Epikuri, etj), latine (Cicero, Lukreci, Seneka, Mark Aureli, etj); Arabe (El Farabi, Al Gazali, Ibn Sina i quajtur Avicena, Ibn Khaldun, etj), si dhe filozofët e Mesjetës, Rilindjes europiane dhe kohët moderne (Machiavelli, Montaigne, Dekarti, Spinoza, Montesquieu, Voltaire, Hume, Rousseau, Kant, Hegel, Schopenhauer, Comte, Tocqueville, Kierkegaard, Marksi, Engelsi, Nietzsche, Veberi, Sartri, Arendti, Kamusi).
Personalisht nuk kam nevojë për t’u referuar këtij apo atij filozofi për të përcaktuar ose për të drejtuar jetën time apo për të shprehur idetë e mia ose thjesht mendimin tim. Unë e kuptoj se ka njerëz të cilët kanë nevoj për mendimet e të tjerëve ose t’i referohën filozofëve për të shprehur atë që ata nuk janë në gjendje ta shprehin vetë – natyrisht. Ka edhe njerëz të cilët, në jetën e tyre të përditshme, kanë nevojë për një ideologji, një fe apo thjesht për besimin në diçka.
***
Ky është opinioni im për filozofët dhe filozofinë. Këto janë reflektime personale dhe vëzhgime mbi qeniet njerëzore, gjërat e jetës, sjelljet socio-psikologjike ose morale apo çështjet politike ose gjeo-politike, etj. Përveç studimeve shkencore kam shkruar edhe esse filozofike (në kuptimin e thjeshtë të fjalës) dhe metafizike (në gjuhën frenge – të gjitha të pabotuara).
(…)