SADRI RAMABAJA: GJITHËҪKA NË SHËRBIM TË SHKENCËS DHE PROGRESIT

Prishtinë, 05. 07. 2012 – (Më 29 e 30 qershor (në Shkup) Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare mban konferencën e parë shkencore “Ballkani dje, sot e nesër”) – Me këtë konferencë ky institut hapi siparin e angazhimeve të tij në shërbim të shkencës, e krahas kësaj edhe në shërbim të progresit politik të rajonit. ‘‘Fjalën kryesore do ta ketë gjuha shkencore…’’, do të shprehet që në hapje të konferencës drejtori i ISPN, Ylber Sela.
Javën që lam pas në ambientet akademike shqiptare në Maqedoni, në objektet e Universitetit të Evropës Juglindore dhe ato të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, për dy ditë rresht, nën organizimin e Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare nga Shkupi, mbajti punimet Konferenca shkencore ‘‘Ballkani dje, sot dhe nesër’’ kushtuar 100 vjetorit të Luftërave ballkanike.
Pjesëmarrës në punimet e kësaj konference ishin studiues të fushave të ndryshme, politolog, filozof, historian, antropolog, etnolog etj., që vinin nga Hungaria, Austria, Polonia, pastaj nga hapësira shqiptare, respektivisht universitetet si ai i Tiranës, “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit, Universiteti i Prishitnës, Universiteti “ILIRIA” i Prishitnës, nga Universiteti Shtetëror dhe ai i Evropës Juglindore (UEJL) të Tetovës, nga Universiteti “Cirili dhe Metodi” i Shkupit dhe institute tjera shkencore të rajonit.

Më 29 e 30 qershor, në Shkup – Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare mban konferencën e parë shkencore “Ballkani dje, sot e nesër”

__________________________________

Konferenca që në hapje sinjifikonte një erë të re të organizimit, pothuajse të përkryer. Në këtë plan më meritori pa mëdyshje është drejtori i Institutit për Studime Politike Ndërkombëtare, Prof. Dr Ylber Sela me ekipin e tij. Ndërkaq kontribut për mbarëvajtjen e konferencës dukej se kishin dhënë si rektori i UEJL, Prof. Dr Zamir Dika, ashtu edhe Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Prof. Dr Shefqet Zekolli.
Konferenca dukej se kishte zgjuar interesim te studiues të shumtë, meqë ajo mëtonte të kontribuoj të hedhë dritë shtesë mbi epoka e konteste pak të njohura mbi faktorët që ndikuan në formësimin e hartës politike të ballkanit në epokën kur nga kjo pjesë e Europës po tërhiqeshin dy perandorit e mëdha të kohës: Perandoria Osmane dhe pas saj edhe ajo e Austro-Hungarisë.
Nga ajo epokë e deri sot, ka kaluar plot një shekull përpjekjesh e përplasjesh mes politikës dhe gjeografisë. Si atëbotë edhe tash pas 100 vjetëve Ballkani mbetet zonë e interesit të lartë gjeopolitik, ku përthehen interesat e fuqive të mëdha.
Por nëse kihet parasysh shtrati i ideve mbi të cilin u selitën kombi dhe nacionalizmi si ideologji, filozofia mbi të cilën u ngritën shtetet-kombe të Evropës Perendimore, nuk mund të thuhet se kjo pjesë të Evropës Juglindore, tashti na ndodhet në prag të përmbylljes së procesit integrues.
Vazhdimisht potencohet se ne vazhdojmë të jetojmë epokën e nacionalizmit. Nëse kjo është e vërtetë, e këtë se konteston askush, atëherë shkenca ka nevojë që të hedhë dritë më reflektuese mbi atë se si janë përthyer idetë për kombin në realitetin ballkanik. Edhe popujt e kësaj pjese të Evropës, meqë model kishin sidomos procesin e shteti-komb francez a gjerman, kishin përmbushur atë listën e famshme të elementeve simbolike për të qenë të denjë si komb.
Por nëse ekzistenca e kombit na rezulton si e pavarur nga monarku, ai, pra kombi, “na ngjan shumë me Popullin e filozofisë politike. E ky popull që, sipas teoricienëve të Kontratës sociale, i vetëm mund t`i japë legjimitet pushtetit, kombi është më shumë se kaq. Ai është një abstraksion, është i gjallë” nënvizon filozofja franceze Anne-Marie Thiese,
Nëse reflektojmë mbi rolin që kishte selia e Shenjtë në shek.XIV e XV-të në rrafshin e përplasjeve gjeopolitike në përpjekje për t`i vënë ledh depërtimit osman në Europë, por edhe skizmës së Lindjes dhe ndikimit të saj tek popujt e Ballkanit, na rezulton se në fillim të shek. XX misionin për ta larguar perandorinë osmane nga Ballkani, por edhe kufizimin e influencës së madhe ruse, po e luante pikërisht Austro-Hungaria.
Ishte ky një eveniment ku shqiptarët po flisnin për këto çështje me gjuhën e shkencës, duke sinjalizuar kështu rritën dhe faktorizimin e tyre, fillimisht përmes shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Shtetit Shqiptar (1912), dhe në mbyllje të shekullit XX edhe përmes krijimit të Republiks së dytë shqiptare, asaj të Kosovës. Ndërkaq pozita e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, ajo e atyre në Mal të Zi dhe të shqiptarëve në Kosovën Lindore nën Serbi ishte objekt trajtimi i një varg kumtuesish.
Në njërën prej kumtesave u potencua se modeli i krijimit të shteteve kombe në shërbim të hapjes së fazës pasuese të integrimit në bashkimin politik të njohur si sprova më e suksesshme e politikës europiane, Bashkimi Europian, mund të konsiderohet paksa i tejkaluar, nëse jo i vonuar. Por ky konkluzion që u pohua që në hapje të konferencës, gjatë diskutimeve në përmbyllje të seancave dhe më pas në kohën e lirë, kishte hapur debat me interes. Në përballje me këtë tezë nuk mungoi edhe antiteza e argumentuar nga jo pak studiues se, përpjekja e politikës shqiptare për të justifikuar servilizmin e saj në raport me qendrat e vendimmarrjes, tek arsyetohet se bashkimi i shqiptarëve do na bëhet realitet duke u integruar rajoni në UE, mund të shihet si ikje nga realiteti politik, respektivisht futje nën çilim të problemeve të cilat do të duhej t`i zgjidhnim në mos para se të integrohemi në BE, në hap me këtë proces.
Jo pa interes ishte psh. konkluzioni i njërit prej studiuesve të brezit të mesëm, që në fakt ishte dominant në këtë konferencë, se gjatë këtij procesi integrues, nëse nuk mund të ndryshohen kufijtë, ata mund të relativizohen, të bëhen më fleksibil për qytetarët, që do të mund të konsiderohej edhe si mesazh i kësaj konference.

—————————————–

PRETENDIMET E FQINJËVE TANË!

…………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura