PROF.DR.LUFTULLA PEZA: 5 MAJI – DITA E DËSHMORËVE KRENARI DHE ZHGËNJIM!

Pezë, 03. 05. 2015 – Çdo vit më 5 maj nderojmë Dëshmorët e Kombit, që dhanë jetën për çlirimin e Atdheut nga pushtuesit e huaj ose në mbrojtje të pasurisë së popullit ose jetës së njerëzve ndaj fatkeqësive të ndryshme. Mbarë populli shkon në varrezat e dëshmorëve për të nderuar bijtë e tij më të mirë, që nuk kursyen as jetën e tyre për ti sjellë lirinë popullit të vet.
Peza është kryeqendra shqiptare e rezistencës antifashiste, ku për herë të parë në Europë u formua Çeta e parë antifashiste, më 5 qershor 1940, nga biri i saj i lavdishëm Myslim Peza. Në radhët e saj në fillim ishin kushërinjtë dhe të rinjtë nga familjet e tjera pezake, por më pas rinia e gjithë vendit u bashkua me ta. Prindërit e mi kanë qenë të dy në këtë çetë që në fillim. Peza i dha Luftës për çlirimin e Atdheut 223 dëshmorë, që prehen në Varrezat e Dëshmorëve në Pezë, Tiranë, Durrës etj.
Sulmin e parë luftëtarët e Çetës së Pezës e bënë më 13 mars 1941 ndaj një kollone ushtarake italiane në Pezën e Vogël, prenë edhe kabllin e ndërlidhjes me Romën. Si hakmarrje fashistët e sulmuan Pezën më 16 mars 1941 dhe deshën me një luftë të shpejtë ta shfarosnin Çetën e saj. Por ndodhi ndryshe, rezistenca qe e madhe dhe lufta e ashpër: në këtë luftë jo të barabartë mbetën të vrarë 84 oficerë dhe ushtarë fashistë, por në fushën e betejës ranë edhe 5 dëshmorët e parë, ndërmjet tyre edhe babai im Hasan Peza. Ishte fare i ri, me gjendje mjaft të mirë ekonomike, por pushtimi fashist i vendit e preku shumë dhe nuk e duroi dot, prandaj rrëmbeu pushkën për të luftuar për liri dhe demokraci, moto që do të përqafohej nga të gjithë luftëtarët e Shqipërisë deri në çlirimin e vëndit. Më pas fashistët na dogjën shtëpinë dhe na vodhën pasurinë. Një oficer fashist atë ditë të luftës ka shkruar në ditarin e tij: “Rebelëve të Myslim Pezës nuk u hahet haku për trimëri. Në Pezë në çdo kaçube dhe pas çdo guri një tytë pushke ishte drejtuar kundra nesh”. Gjatë luftës deri në çlirimin e vendit, nëna nuk e lëshoi pushkën nga dora dhe kudo e gatëshme shërbeu në repartet partizane të Pezës.

Myslim Peza (1897 – 1984)

Po qeveritë shqiptare sa i kanë respektuar dëshmorët pas luftës?
Ç’ndjejnë familjet e dëshmorëve për këtë?
Është për të ardhur keq, por në këtë rast ka një hendek të madh dhe krenaria e ligjëshme për veprën e madhe të Dëshmorëve të Kombit gërshetohet me zgënjimin e madh të familjeve të dëshmorëve.
Çlirimi i Shqipërisë më gjeti me nënën time në kodrën e Zgurjeve në Pezë, repartet partizane u shkrinë dhe ne u këthyem tek shtëpia jonë e djegur në qendër të Pezës. Nuk kishin as para, as ushqime dhe as gjërat më të domosdoshme për të jetuar, vetëm një çadër të vjetër ushtarake, që ishte shtëpia jonë dhe lakrat që mblidhnim në natyrë. Nëna ju drejtua qeveritarëve të rinj në Tiranë për ndihmë:
– Për pensionin si grua dëshmori, një shtëpi ku të fusnim kokën dhe punë për të mbajtur shpirtin gjallë.
– Kudo merrte premtime, por asgjë konkrete. U end nëna zyrë më zyrë për të marrë ndihmën e merituar disa muaj, por kudo kishte vetëm gënjeshtra: dëshmorët u deshën për të bërë luftën, tani që ajo mbaroi ata u harruan. Nuk kishim asnjë mjet jetese dhe duke shkuar tek kushërinjtë dhe miqtë tanë nëna filloi ta ndjente vehten si të tepërt duke bezdisur të tjerët. Duke e parë vehten të papërfillur dhe pa mjete jetese ajo u detyrua të martohet sërisht dhe mua xhaxhai më dërgoi në Jetimoren e Tiranës. Kështu që mbeta jetim edhe nga nëna, të cilën ma vranë pushtetarët komunistë, që nuk e ndihmuan kurrë si grua dëshmori. Më pas erdhi reforma agrare, me të cilën na morën edhe pronat, toka dhe ullishte, prona të babait dhe ja dhanë xhaxhait tim në përdorim sipas ligjit, sikur të mos ishte gjallë gruaja e dëshmorit dhe unë biri i tij. U këthyem në proletarë. Kështu u sollën pushtetarët komunistë me familjet e dëshmorëve, të cilat i shihnin si barrë për pushtetin e ri. Qeveritë komuniste u interesuan të ndërtonin varrezat e dëshmorëve në çdo rreth të vendit edhe në Pezë, por për ata që lanë pas dëshmorët: gratë, fëmijët apo prindërit, kujdesi qe kaq i vogël, sa mund të mos përfillet fare.
***
Me qeveritë paskomuniste mendova se gjendja do të ndryshonte. Prona private megjithëse deklarohet e shenjtë, asnjë hap nuk u bë për tu kthyer pronarëve të tyre. Megjithse i kam të gjitha dokumentet përkatëse të pronave të babait tim në Komisionin e Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave, asgjë nuk lëviz. Komisioni ju kthen pronat vetëm miqve të qeveritarëve dhe të kastës së lartë, për të tjerët asnjë vemendje, përfshirë edhe familjet e dëshmorëve. Ndërsa në vendet demokratike dëshmorëve ju dhurohen prona nga pronat publike, për kontributin e tyre të lartë ndaj Atdheut, në Shqipëri ndodh e kundërta: familjeve të dëshmorëve ju meren pronat e tyre dhe nuk u këthehen më. Në vitin 2003 presidenti i republikës e dekoroi babanë tim Hasan Peza me Urdhërin e lartë të Shqiponjës së Artë, vlerësim mjaft i lartë i veprës së tij. Por pronat atij: shtëpia e rindërtuar nga shteti, toka, ullishte vazhdon ti mohohen dhe të mos i kthehen. Kjo është sjellje arrogante e shtetit me familjet e dëshmorëve dhe tregon se demokracia në Shqipëri ende pa lindur mirë, u shua. Demokracia, që filloi të duket pas 1990 shpejt u shua dhe tregues më i mirë i kësaj janë sjellja arrogante e pushtetarëve me pronat private duke shkëputur parcela të tëra, me miqësi ose dhe me gjyqe fallco, pa përfillur pronarin e saj. Shëmbull konkret jam unë me pronën e babait tim. Shqipëria u kthye sërisht në rregjimin totalitar, me ndryshimin se herë qeveriset nga blloku i majtë dhe herë si motra e tij blloku i djathtë. Korrupsioni dhe varfëria janë ulur këmbëkryq në vend.
Ndonëse Peza ka luajtur rol mjaft të rëndësishëm gjatë LANÇ, ku u formua formacioni i parë luftarak i kësaj lufte, Çeta e Pezës, shoqëruar më pas me 4 batalionet e saj, dhe u zhvilluan beteja të rëndësishme me fashistët, historiografia shqiptare vazhdon nënvleftësimin për kontributin e lartë të kësaj krahine heroike, ashtu si u veprua gjatë regjimit komunist. Çeta e Pezës megjithse është një margaritar shqiptar në historinë europiane, përmendet shkarazi nga historianët e Institutit të Historisë dhe nuk vlerësohet drejtë roli i madh që luajti Peza gjatë LANÇ. Komandanti gjerman, që ka drejtuar operacionin e Qershorit 1944 kundra Pezës shkruan në kujtimet e tij: “..e rrethuam Pezën nga të gjitha anët dhe për 6 muaj nuk lejuam asgjë të futej atje. Pas kësaj e sulmuam Pezën, duke menduar se atje nuk do të gjenim asnjë rezistencë. Por për çudinë tonë, sapo u afruam në qendër të Pezës armë të kalibrave të ndryshëm filluan të vjellin zjarr kundra nesh dhe patëm mjaft të vrarë. Ku e gjetën këtë forcë këta një grusht njerzish të armatosur dhe të ushquer keq ti bëjnë ballë një ushtrie të rregullt të armatosur dhe të stërvitur mirë? Historia e Pezës dhe e luftës së saj popullore duhet të studiohet nëpër akademitë ushtarake si shembull se si një popull i vogël mund ti bëjë ballë një ushtrie të fuqishme”.
Gjatë 25 vjetëve të fundit Peza nuk është vizituar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, sikur të ishte një kënetë me mushkonja dhe jo një vend që lindi mjaft heronj dhe dha më shumë gjak për liri. Nga kjo edhe trupi dipllomatik në Tiranë nuk i është afruar Pezës. Por Ambasadat amerikane dhe angleze duhet të vijnë në Pezë të njihen me vendin dhe historinë e vendosjes së misioneve anglo-amerikane pranë shtabit të Pezës. Peza, me luftën e armatosur antifashiste, e lidhi Shqipërinë me kuolicionin antifashist anglo-amerikan dhe sovjetik, vepër me rëndësi shumë të madhe historike. Ambasada Italiane ka vend të shohë nga afër në Pezë jo vetëm sakrificat e popullit të Pezës gjatë pushtimit italian, por dhe të mësojë nga afër mbi bujarinë e popullit të Pezës, duke strehuar mijëra ushtarë italianë pas kapitullimit të Italisë, në shtator 1943 dhe duke i shpëtuar nga vdekja e sigurtë. Mjaft luftëtarë italianë u bënë partizanë të Pezës dhe luftuan me heroizëm të madh kundra fashizmit. Në Pezë kanë luftuar edhe luftëtarë nga Kosova, ish republikat sovjetike etj.
Më 5 maj – Ditën e Dëshmorëve të Kombit, shkojmë në varrezat e dëshmorëve dhe vizitojmë familjet e tyre, për të nderuar ata për aktin e lartë, që kryen për atdheun. Por në Pezë për mirëmbajtjen e varrezave të dëshmorëve nuk ka asnjë interesim nga shteti, sepse aty janë punsuar njerëz për të marrë vetëm rrogat e jo për të punuar. Çdo vit mbjellim trandafila e lule të tjera tek varrezat e dëshmorëve në Pezë, por të gjitha prishen nga kuajt dhe bagëtia, sepse puntorët nuk kryejnë detyrat, por merren me punë të tjera private në kohën e punës. Ende nuk e dimë kur shteti do të zhgjidhë padrejtësitë me pronat e familjeve të dëshmorëve dhe kur do të vihen në vend ëndërrat e tyre për një jetë më të mirë të popullit shqiptar. E shoh me vend ti drejtohem edhe zoti Edi Rama, kryeministrit tonë, në këtë ditë të shënuar për kombin, ti vlerësojë drejtë shqetësimet e familjeve të dëshmorëve, ti ndihmojë ato dhe tu japë zgjidhje problemeve, që kanë ngelur prej vitesh pa zgjidhje.

*) Prof.Dr.Luftulla Peza, kryetar i Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të Komunës – Pezë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura