LIRIM KRASNIQI: MUJA – PËRTEJ MORALIT POLITIK

Prizren, 08. 05. 2015 – Shpeshherë në shoqërinë tonë dëgjojmë dhe flasim për moral. Morali thuajse është ende shtylla më e fortë e organizimit tonë politik dhe shoqërorë. I referohemi edhe kur flasim për politikanë, për zyrtarë shtetërorë dhe figura publike, dhe veprimet e tyre i gjykojmë nga “peshorja” e moralit personal, sikur të mos kishim institucione politike të ndara nga feja, sikur forma e organizimit politik të buronte nga hyjnitë apo nga “forca të jashtme” në të cilat ne nuk kemi ndikim. Ndoshta “harrojmë” ose nuk besojmë që institucionet janë pasqyrim i vullnetit tonë, harrojmë që ligjet janë pasqyrim i barazisë sonë dhe Kushtetuta kulmi i një shtëpie ku duhet të mbrohen njejtë të gjithë banorët e saj.
Ndoshta mosfunksionimi i këtyre institucioneve na bën që të kthehemi tek morali përmes së cilit tentojmë t’i “zgjidhim” problemet e një sistemi “tjetër”. Ndoshta këtu gabohemi edhe logjikisht!
Sido që të jetë arsyeja, gjëja e parë që duhet ta kuptojmë kur konceptojmë institucionet, ligjet, sistemin politik etj., është se kur kemi të bëjmë më politikanë kemi të bëjmë jo me moralin personal, por me legjitimitetin politik. Nuk ka shumë rëndësi që qytetarët të kenë besim se një njeri i rëndomtë është njeri i besueshëm, i drejtë ose i ndershëm. Por ka shumë rëndësi që qytetarët të kenë besim tek zyrtarët më të lartë të institucioneve shtetërore, ose përfaqësuesit e tyre, sepse besimi ndaj tyre është besim ndaj vetë institucioneve, dhe në një shoqëri demokratike institucionet mund të jenë pasqyra e vërtetë e vullnetit të lirë të popullit vetëm duke fituar besimin e qytetarëve të cilëve u shërbejnë.
Por, si fitohet besimi ndaj institucionit shtetëror dhe ligjit?
Për t’a shpjeguar këtë mund të marrim në “shembull” një shkelës të tyre, një zyrtar publik, i cili është kryetari i qytetit të dytë më të madh në Kosovë, kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja.

Largimi i Ramadan Mujës do të ishte fitore për institucionin e kyetarit të komunës dhe për ata të cilëve ju shërben, qytetarëve!

*     *     *

Më 13 Mars 2015 u bë një vit prej se ai udhëheq Prizrenin, si i dënuar nga gjykata me 2 vite burgim për abuzim të detyrës zyrtare dhe jo vetëm, atij iu nda edhe një masë shtesë e ndalimit të ushtrimit të funksioneve zyrtare për 30 muaj. Pra i dënuar për shkelje të ligjit gjatë veprimtarisë së tij prej udhëheqësi të një institucioni. Mirëpo shqiptimi i dënimit që e shpall fajtor për 4 pika të aktakuzës, nuk e largoi atë nga pozita që mbante dhe që vazhdon ta mbajë, përkundrazi ai do ta apelonte atë në një nivel tjetër të gjykatës, duke vazhduar së ushtruari pozitën prej kryetari.
Si rrjedhojë e mos largimit të tij nga komuna pas shqiptimit të dënimit nga gjykata, lindi një kërkesë qytetare, një kërkesë për dorëheqjen e tij nga pozita më e lartë e përfaqësimit në nivel komunal, kërkesë e cila u manifestua me protesta dhe aksione simbolike, nga disa qytetarë të mbledhur krejt spontanisht, për ta ndjekur atë që në zhargonin juridik njihet si “kërkesë ndaj një të drejte”.
Kërkesa për dorëheqjen e Ramadan Mujës, në këtë rast nuk ishte dhe s’është kërkesë kundruall ndërgjegjes morale të tij të cilën edhe ashtu ai ka dëshmuar që nuk e ka ose e ka të dobët, por, dorëheqja si kërkesë këtu shkon përtej moralit, është kërkesë për mbrojtje të besueshmërisë ndaj institucionit, ndaj ligjit, ndaj shtetit, kërkesë për legjitimitet dhe llogaridhënie.
Disa nga “juristët” e pavarur mbronin Ramadan Mujën me idenë e “prezumimit të pafajsisë” deri në momentin që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm, duke “i dhënë” legjitimitet të dënuarit për të qëndruar edhe më tej në pozitën e kryetarit. Po, themi edhe ne, ai është “i pafajshëm” deri në atë moment nga ana ligjore, dhe ka të drejtë të ankimojë aktvendimin e gjykatës, por megjithatë kjo nuk e legjitimon atë për të vazhduar ushtrimin e funksionit publik brenda një institucioni, për disa arsye:
E para: Ai “u zgjodh” për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, mirëpo në bazë të asaj që kemi parë nga aktakuza dhe rezultati i gjykimit, ai përfaqësoi vetëm një grup të vogël njerëzish, çfarëdo qofshin ata (biznesmenë, ekonomistë, kriminelë, hajdutë, etj.) Kështu ai e korruptoi idenë dhe qëllimin e përfaqësuesit të qytetarëve duke mos përfaqësuar ata, e as interesin publik.
E dyta: Faktori kryesorë që i jep legjitimitet një zyrtari shtetërorë është besimi i publikut, i cili ndërlidh pastaj edhe besimin ndaj institucionit duke e fuqizuar atë, ndërsa në rastin “Muja&Co.” është humbur ky besim, sepse në momentin që jo vetëm është akuzuar nga prokuroria por edhe është shpallur fajtor nga një gjykatë e pavarur, ai nuk është më aspak i besueshëm për publikun, prandaj ai edhe pse ka të drejtë ligjërisht të ankimojë dënimin e tij, ai nuk ka legjitimitet politik të ushtrojë detyrën e tij,
E treta: Marëdhënia me pushtetin që ka pozita e kryetarit, nuk është e lirë prej momentit të dënimit, por është raport varësie dhe pengmarrjeje. Sepse liria e veprimit prej pushtetari që nga ai moment është e varur nga mungesa e legjitimitetit. Dhe për të vazhduar “qeverisjen” do të kemi legjitimitet të marrë “peng”, e pengmarrja e legjitimitetit të paqenë sjell qeverisje regresive dhe jo llogaridhënëse, të cilën do ta shohim më pas përgjatë të gjitha ditëve të (mos)qeverisjes së tij.
Argumenti më mbështetës për të tria arsyet e lartëcekura është e ashtuquajtura qeveri “Muja 3”, e cila për një vit e ca muaj ka shënuar një mijë e ca skandale dhe afera korruptive.
– Prizreni për rreth gjashtë muaj nuk ka pasur udhëheqës të drejtorisë së ekonomisë, sepse ish-derjtori Mehmet Bytyç është pezulluar për shkak të aktakuzës për pedofili dhe abuzim të detyrës.
– Arsimi prizrenas ka numëruar dhjetëra afera të punësimeve korruptive dhe nepotiste nën udhëheqjen e drejtorit Nexhat Çoçaj, i cili është nën hetime dhe i është ngritur aktakuzë për abuzim me paratë e fondit të dedikuar manifestimit përkujtimor për javën e dëshmorit Remzi Ademaj.
– Urbanizmi në Prizren “funksionon” pa plan urbanistik, sepse “të fortit” ia kanë nxënë frymën hapsirës publike me ndërtime të egra.
– Prizreni nën qeverisjen e të dënuarit Ramadan Muja po humbet shumë edhe nga trashëgimia kulturore, objekte dhe monumente të së cilës po degradohen në emër të “restaurimit” të tyre. Rastet kriminele kanë shënuar rritje të jashtëzakonshme në muajt e fundit, duke e shndërruar Prizrenin në qytet të krimit, jo vetëm atij institucional!
Dhe dikush mund të pyesë me të drejtë, çfarë ka ndodhur me “kryetarin” gjatë kësaj periudhe skandalesh?
Jo, ne nuk e dimë, sepse s’e kemi parë asnjëherë të na drejtohet publikisht, nuk e kemi parë përballë qytetarëve! Sot, prizrenasit, ‘de jure’ kanë një kryetar, ndërsa ‘de facto’ udhëhiqen nga një fantazmë e cila shfaqet herë-pas-here, si krim, abuzim, korrupsion etj.
Por, paradoksalisht ndihmues ndaj kësaj situate është bërë edhe “drejtësia”, e cila përveç zvarritjes së një procesi gjyqësor nuk po e mbron një institucion tjetër përfaqësues (ndoshta edhe për shkak të mungesës së mekanizmave), ndaj një rasti të veçantë!
Të veçantë sepse gjykata po zvarrit rastin e dënimit të një zyrtari publik, i cili po vazhdon të mbajë pozitën e tij, për punën në të cilën është dënuar, por, të veçantë dhe për faktin se një pjesë e dënimit lidhet pikërisht me ushtrimin e funksionit publik (masa e ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike për 30 muaj). Dhe kjo pjesë do ta humbte kuptimin pothuajse plotësisht nëse gjykata e apelit nuk arrin të marrë vendim derisa Ramadan Muja gati ta ketë mbaruar mandatin.
Për të shmangur raste të tilla, të cilat mund të sjellin pasoja të pa riparueshme, në një demokraci si kjo e jona ku ndërgjegja politike është e ulët, do të ishte shumë më e drejtë që në momentin kur një zyrtar publik dënohet nga një gjykatë e shkallës së parë, për punën e tij të paligjshme, ai të mos ketë më të drejtë të vazhdojë së ushtruari të njejtin funksion, kjo për shkakun se përveç se humbet legjitimiteti për të vepruar, degradohet edhe reputacioni i institucionit duke shkatërruar edhe besimin e qytetarëve në të.
Një shembull ilustrues për t’iu referuar në raste të ngjajshme na e jep demokracia më e populluar në botë, ajo e shtetit të Indisë. Gjykata Supreme indiane, e cila është një prej gjykatave më të respektuara në botë për cilësinë juridike të vendimeve të saj, ka nxjerrë edhe një aktgjykim, ku thotë se deputetët e gjykuar fajtorë në shkallën e parë humbin kategorikisht të drejtën e ushtrimit të funksionit zyrtar, pavarësisht nga e drejta e tyre për të apeluar dhe pavarësisht nga lloji i dënimit. Aq më shumë ka nevojë për një rregull të tillë kur ky dënim e përfshin si pjesë të tij vetndalimin e ushtrimit të po atij funksioni, siç është në rastin e të dënuarit Ramadan Muja.
Si rrjedhojë, kërkesa për dorëheqjen e kryetarit Muja nga Komuna e Prizreni qëndron përtej moralit, përderisa institucionet janë pasqyrim i vullnetit tonë politik, për interesin e përbashkët. Institucioni bëhet kredibil dhe funksional nga njerëzit të cilët veprojnë brenda tij, dhe të cilët legjitimohen nga ne. Kur këta njerëz humbin legjitimitetin, humbet edhe besueshmëria ndaj institucioneve, dhe kështu ata bëhen jofunksionale, ose funksional vetëm ndaj disa personave, por pa patur qëllim publiken. Në këtë rast, largimi i Ramadan Mujës do të ishte fitore për institucionin e kyetarit të komunës dhe për ata të cilëve ju shërben, qytetarëve!

– Kontakti me autorin: [email protected] 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura