PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (4)

Pashtriku.org, 09. 05. 2015 – Autori i shkrimit më të gjatë “Lufta e popullit tonë është e drejtë dhe do të triumfojë”, në nëntitullin “Zëri i popullit-zëri i së vërtetës” në mes tjerash na prezanton se “Në kohën kur propaganda e Beogradit dhe një pjesë e një shtypit reaksionar botëror kishin shpërthyer një fushat të paparë shpifjesh, trillimesh e dezionfarmatash të paskrupullta rreth Kosovës dhe demonstratave të saja. Gazeta “Zëri i popullit”, organ i Komitetit Qendror të PP të Shqipërisë, botoi një artikull me titull ”Pse u përdorë dhuna policore e tanket kundër shqiptarëve në Kosovë” , i cili me argumente të shumta dhe të pakundërshtueshme, hidhëte dritë mbi të vërtetën që detyruan popullin e robëruar të ngrihet në greva e demonstrata, rreth qëllimeve e kërkesave të vërteta të tyre. Me anë të këtij artikulli, Shqipëria ngriti fuqishëm zërin në mbrojtje të popullit tonë të robëruar dhe luftës së tij të drejtë, dënoi ashpër dhunën dhe terrorin barbar që u ushtrua mbi ne dhe riafirmoi edhe një herë qëndrimin e saj të drejt si ndaj popullit shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, ashtu edhe ndaj popujve të Jugosllavisë” . Citon autori gazetën më prestigjioze të ish- sistemit komunist shqiptar.
Veç këtij shkrimi, shtypi shqiptar i kohës botoi edhe shumë shkrime tjera të cilat në mënyrë të thukët trajtonin situatën në Kosovë dhe padrejtësitë e shumta që iu bëheshin popullit të saj. Vlen të përmendet edhe shkrimi po aq i rëndësishëm që e botonte “Zëri i popullit” me titullin “Vazhdojnë masat represive dhe diskriminimi i shqiptarëve në Kosovë dhe në vise të tjera të Jugosllavisë” Po ashtu edhe shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare, nuk qëndroi duarkryq dhe gjatë asaj kohe reagoi ashpër kundër gjenocidit dhe kulturocidit që po ndodhte në Kosovë, ai po ashtu në gazetën prestigjioze të vendit, botoi shkrimin: “Kultura shqiptare në shënjestër të shovinizmit serbomadh”.

Kadri Zeka (25 prill 1953-17 janar 1982)

Ky artikull i botuar në “Zërin e popullit” pati jehona të jashtëzakonshme dhe të paparë ndonjëherë. Populli ishte i bindur se “Zëri i popullit” ishte vërtet zë i popullit, se ai është edhe zëri i tij, se reagimi i Shqipërisë ishte zë i së vërtetës.
Ndërsa në nënkapitullin “Populli i ynë kërkon liri e jo luftë”, autori konstaton se “në përpjekjet e vazhdueshme për ta mbajtur popullin tonë nën thundër, vojvodët e rinj të Beogradit dhe veglat e tyre e kanë përdorur gjithmonë edhe shantazhin e rrezikut të shpërthimit të ndonjë konflikti të madh në Ballkan dhe të ndërhyrjes së superfuqive imperialiste. Këtë kartë ata po e përdorin edhe tani në fushatën propagandistike kundër popullit. Duke i akuzuar demonstruesit dhe përkrahësit e tyre si “luftënxitës dhe prishës të paqes e të stabilitetit në Ballkan”, ata kërkojnë hapur nga populli që të rrijë urtë e të mos bëjë zë edhe kur ai është i shtypur dhe shfrytëzohet nga të tjerët. Sepse në të kundërtën, po të ngrihej e të kërkojë ndonjë të drejtë a liri, atëherë ai bëhej shkaktar i prishjes së paqes dhe stabilitetit dhe i ndërhyrjes së superfuqive në Jugosllavi, bile edhe në Shqipëri. vije në përfundim ai.
Populli shqiptar kishte luftuar në shekuj për liri. Por, ai kurrë nuk e kishte dashur luftën, kurrë nuk kishte qenë luftënxitës. Luftërat që u bënë kurdoherë ia kishin imponuar të tjerët, ata që i shkelnin në vatër dhe ia rrëmbenin lirinë. Ai kurdoherë luftën e ka bërë me forcat e veta dhe kurrë në dëm të popujve të tjerë. Populli ynë nuk dëshironte luftë e gjakderdhje. Prandaj, kërkesat e tij i bënte në rrugë paqësore. Por, udhëheqja shoviniste e Beogradit, me qëllim që ta frikësoj atë, këtyre kërkesave iu përgjigj me dhunë dhe terrorin më të egër fashist. Por, ajo duhet ta dijë mirë dhe ta mbajë parasysh se masat e dhunës policore dhe ushtarake që u ndërmorën e po vazhdojnë akoma, vrasjet, burgosjet masive dhe torturat ç’njerëzore , kërcënimet e vazhdueshme me tanke, aeroplanë e masa të ashpra ligjore , jo vetëm që nuk e frikësojnë popullin , por e zemërojnë dhe e egërsojnë atë edhe më shumë, jo vetëm që nuk mundë ta qetësojnë, por e detyrojnë që, për realizimin e kërkesave , të mendojnë edhe në rrugë dhe me mjete të tjera.
Mënyra e vetme për ta qetësuar popullin e revoltuar të Kosovës, propozon autori i tekstit ishte realizimi i menjëhershëm i kërkesave të tija të drejta, heqja e gjendjes së jashtëzakonshme, lirimi i të gjithë të burgosurve politik, dënimi i atyre që urdhëruan ndërmarrjen e masave të përgjakshme ndaj popullit etj. Në të kundërtën, zjarri do të rritej edhe më shumë, e përgjegjësia për pasojat që mund të rrjedhin binte vetëm mbi udhëheqjen revizioniste jugosllave .
Në nëntitullin “Vetëm marksizmi- leninizmi tregon rrugën e vërtetë të lirisë”, autori shkruan se “vetëm në kushte të këtilla të dhunës dhe terrorit të egër që po ushtrohet mbi ne e që nuk është parë as në kohën e Rankoviqit, secili e sheh qartë fytyrën e vërtetë gjakatare dhe antishqiptare të udhëheqjes shoviniste jugosllave dhe shërbëtorëve të saj, prandaj, çështja shtrohet prerë: O me popullin, o me armiqtë e tij, me popullin ose me ata që e vrasin, burgosin, torturojnë e poshtërojnë bijtë dhe bijat tona më të mira, me popullin ose me shovinistët rankoviçian dhe me këlyshët e tyre shqiptar. Kështu duhet të gjykojnë edhe bijtë e ndershëm të popullit në organet e ndryshme të pushtetit, e edhe ata që për të siguruar kafshatën e gojës , ose edhe të mashtruar, janë detyruar t’ia vënë vetes emrin e urryer të agjentit e të policit. Ata nuk duhet të lejojnë veten të bëhen mashë në duart e armiqve dhe, për hir të “ubashëve” çetnik të Nishit dhe Beogradit, të vrasin, gjymtojnë e torturojnë vëllezërit e motrat e veta, bijtë dhe bijat më të mira të popullit .
Lufta për liri ishte detyrë dhe nder për çdo shqiptar. Por, populli ynë siç ka ditur në të kaluarën , do të dijë edhe në të ardhmen të bëjë dallime në mes atyre që vërtet luftojnë për interesat e tij dhe atyre që orvatën ta keqpërdorin e ta shfrytëzojnë luftën e tij të drejt për qëllimet e tija të errëta. Nuk mund të jenë kurrë me popullin kriminelët që kanë vrarë patriot të mëdhenj Bajram Currin e Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtina e Avni Rrustemin. Nuk mund të jenë kurrë me popullin ata që janë me çetnikët, ustashët e UDB-en e Jugosllavisë titiste për të luftuar kundër shqiptarëve. Populli i Kosovës, që kurrë në historinë e tij nuk u kishte rënë në qafë popujve të tjerë, as më vonë nuk lejuan asnjë shfaqje të nacionalizmit e shovinizmit ndaj popullsive jo shqiptare në Kosovë. Atë që e bënë të tjerët , nuk e benën asnjëherë shqiptarët. Lufta e shqiptarëve, edhe atëherë kur ndodhi, ajo ishte e drejtuar vetëm ndaj atyre që e shtypin dhe e shfrytëzuan, kundër shovinistëve robërues të Jugosllavisë e tradhtarëve shqiptarë të Kosovës, dhe jo kurrsesi kundër popujve jugosllavë, të cilët sikurse edhe ne shtypen e shfrytëzohen nga borgjezia e re jugosllave .
Lirinë e ëndërruar në shekuj, populli shqiptar do ta fitojë vetëm me punën dhe luftën e pa mposhtur të tij, vetëm me vuajtjet dhe sakrificat dhe gjakun e bijve dhe bijave të tij. Por në luftën e tij të lavdishme, megjithatë, nuk ishte vetëm. Me të ishin dhe do të jenë gjithë populli liridashës i gjithë botës. Andaj duke u nisur nga të gjitha këto, lufta e popullit tonë është e drejtë, dhe patjetër do të triumfojë .
3. 2. Aplikimi i formave të ndryshme të dhunës për nënshtrimin e shqiptarëve
Për nënshtrimin e Kosovës dhe të shqiptarëve, pushtetarët jugosllavë, vunë në zbatim dy format e njohura, të nënshtrimit, dhunës e shtypjes, dhe atë të demagogjisë dhe të mashtrimit . Ata vranë me tradhti kuadro të njohura partizanësh shqiptarë, terrorizuan popullin e, nga ana tjetër , korruptuan ndonjë nga ato kuadro të luftës dhe zgjodhën nga llumi i popullit tonë njerëz të tillë për të vënë firmën e tradhtisë në mbledhjen famëkeqe të Prizrenit më 1945 . Që atë ditë ajo mbledhje trumbetohet nga pushtetarët si “shprehje e vullnetit të lirë të popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje”.
Historia pas Luftës së Dytë Botërore, thuhej në shkrimin e Mehmet Hajrizit: “Tradhtarët shqiptarë mbrojnë interesat e pushtuesve”, ka treguar edhe një herë qëndresën heroike dhe vendosmërinë e popullit tonë të robëruar për të luftuar kundër çdo armiku, sado i egër qoftë ai, dhe për të jetuar i lirë, ka treguar dashurinë që ka ai për Atdheun e tij të lashtë . Kjo luftë nga ana tjetër, tregon se vullneti i kujt ishte shprehur në mbledhjen e Prizrenit.
Si eksponentë të regjimit titist, ata ishin njëkohësisht edhe altoparlantë e interpretues injorantë të demagogjisë së këtij regjimi në Kosovë. Ata ishin caktuar që gjithë jetën e tyre ti bëjnë aureolë regjimit shtypës dhe shfrytëzues në fuqi dhe me kujdes të veçantë krye-xhelatit të popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi dhe të popujve të Jugosllavisë, J.B. Titos .
Fjalët e zgjedhura e të bujshme që i fliteshin bashkëpunëtorët e pushtetarëve për të ardhshmen e “bukur”, që ata i përgatitshin popullit, megjithatë nuk mund ta fshehin gjendjen e rëndë të popullit shqiptar në Kosovë dhe aq më pak ta mashtrojnë atë. Populli i ynë e dinte se liria nuk mund të vijë nga tradhtarët dhe regjimi në fuqi. Zhurma e madhe që bëhej rreth “reformave” ekonomike e shoqërore, “autonomisë” së Kosovës, ose rreth “përfaqësimit të saj në Federatën Jugosllave”, “demokratizimit” të jetës, “vetëvendosjes së marrëdhënieve të reja ndërnacionale” etj… ishin blofe me të cilat armiqtë duan ta vënë në gjumë ndjenjën kombëtare e klasore, luftën e popullit për çlirim. Populli shqiptar kurrë gjatë historisë së tij nuk është nënshtruar. Pushtimi i Kosovës nga policia dhe ushtria fashiste serbe, nuk mund të përjetësohet. Çfarëdo që ishin masat e pushtetarëve, populli edhe më tej kishte shumë bijë e bija trima që ishin të gatshëm për të bërë sakrificën supreme për lirin e popullit e që dinë të dalin fitimtarë mbi bajoneta e tanke .
3. 3. Në Kosovë, punëtorët kërkonin të drejtat elementare
Në shkrimin e Kadri Zekës, “1 Maji i këtij viti e gjeti Kosovën në llogore lufte”, autori në pika të shkurtra na jep një pasqyrë të shkurtër për klasën punëtore dhe proletariatin në botë e veçanërisht në Kosovë. “Punëtorët” thotë artikullshkruesi është “ pjesa më e vuajtur e popullsisë edhe sot bëjnë një jetë të mjerë dhe të varfër. Borgjezia e pushtetarëve bënë jetë luksoze dhe nuk çanë kokën për ta” . Autori, pastaj vazhdon “se këtë jetë të mjerë të tyre nuk po mundë ta fshehin as pushtetarët e as të tjerët të cilët mundohen të mos e thonë të vërtetën. Ndërsa sa iu përket punëtorëve shqiptar, vërehej një vetëdije e lartë kombëtare dhe një organizim i mirëfilltë për luftën për të fituar të drejtat e tyre elementare. Këtë e dëshmuan edhe me pjesëmarrjen e tyre aktive në demonstratat studentore të vitit 1981. Në demonstratat e 1,2 dhe 3 prillit, që u zhvilluan në Prishtinë, morën pjesë mija punëtorë dhe u qëndruan heroikisht të gjitha lajkave mashtruese dhe terrorit policor të titistëve. Edhe në qendra të tjera të krahinës, punëtorët qenë forcë e madhe në demonstrata dhe tani, pa iu trembur syri, kanë lënë punën e janë hedhur në greva .
Punëtorët kosovar e pritën një majin ashtu si u ka hije, e pritën me demonstrata e greva me parullat luftarake : “Duam punë”, “Duam ngritje pagash”, “Çmimet, stop”, “Poshtë revizionizmi”, Lart solidariteti ndërkombëtar”. Të njëjtën gjë e bënë edhe punëtorët shqiptar që ndodhën në botën e jashtme. Ata në mënyrën më dinjitoze iu bashkuan vëllezërve të tyre në Kosovë duke organizuar greva e demonstrata. Kështu shprehen solidaritetin vëllazëror duke kërkuar liri dhe barazi për të gjithë” thotë autori.
Edhe në këtë numër si edhe në numrat e mëparshëm vazhdojnë të bëjnë prezantimin e fjalëve të “Shokut Enver Hoxha për Kosovën “. Në vazhdim jepet fjala e tij e cila është lexuar në Kremlin , në mbledhjen e 81 partive komuniste. Në pika të shkurtra jepen shantazhet e Titosë që i organizoi nëpër mes disa udhëheqësve shqiptar siç ishin: Koqi Xoxe, Dali Ndreu, Liri Gega etj.
Enver Hoxha në mes tjerash ndalet në problemin e pazgjidhur të çështje shqiptare në Jugosllavi, ku ndër të tjera veçojmë se “Jugosllavët na akuzojnë se gjoja ne jemi “shovinist, ndërhyjmë në punët e tyre të brendshme dhe kërkojmë rektifikimin e kufijve shqiptaro – jugosllavë”. Mjaftë nga miqtë tanë mendojnë dhe lënë të kuptohet se ne, komunistët shqiptarë, jemi në këto ujëra. Ne u themi miqve që mendojnë kështu se gabohen rëndë. Ne s’jemi shovinistë, ne as kemi kërkuar dhe as kërkojmë rektifikim kufijsh. Por ajo që ne kërkojmë dhe do të kërkojmë vazhdimisht nga titistët dhe për të cilën do ti demaskojmë ata deri në fund është të heqin dorë nga krimi i gjenocidit kundër popullsisë shqiptare të Kosovës, të heqin dorë nga terrori i bardhë kundër shqiptarëve të Kosovës, të heqin dorë nga dëbimi i shqiptarëve nga tokat e tyre dhe dërgimi në masë i shqiptarëve në Turqi, ne kërkojmë që popullsisë shqiptare në Jugosllavi ti njihen të drejtat, në bazë të kushtetutës së Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë.”
“Liria” e kishte bërë si traditë që në çdo numër të prezantojë biografinë e një dëshmori kombëtar. Në numrin e tretë të saj, në faqen e 12 , shkrimi me titull “Ai ra për të mos vdekur kurrë” i kushtohej patriotit dhe revolucionarit Qemal Stafës, veç shënimeve biografike që jepeshin për të, aty u prezantonte edhe veprimtaria patriotike e atdhetare e tij.
3. 4. Organizimi i punëtorëve tanë në perëndim dhe çështja kombëtare
Veprimtarisë atdhetare të mërgatës i kushtohet artikulli i Kadri Zekës me titull: “Punëtorët kosovarë në perëndim shpalosin flamurin e luftës. Ngjarjet tragjike që ndodhën në Kosovë gjatë vitit 1981, në njëfarë dore e bënë në mënyrë direkt ndërgjegjësimin e punëtorëve tanë në botën e jashtme, se edhe ata, si pjesë e pandarë e popullit shqiptar, në ato momente të vështira që po kalon atdheu, ngritën lart flamurin e luftës. Shtypja e shfrytëzimi, si dhe malli për atdheun e populli që i kishte lindur, kishin grumbulluar pezmin e zemërimin e pa përshkruar në zemëratë e tyre. Kjo urrejtje ndaj shfrytëzuesve e shtypësve gjakatarë titistë u shprehte më së edhe atyre ditëve me një hov të papërmbajtur në demonstratat, mitingjet e protestat e shumta , që organizuan ata në botën e jashtme.
S’ka si ndodhte ndryshe. Punëtorët tanë, nga skamja e mjerimi, nga presionet që u bënte regjimi titist, ishin detyruar tua kthejnë shpinën familjes e fëmijëve të tyre, vatrave ku kanë lindur dhe çdo gjëje të dashur për ta. Punëtorët shqiptar në atë periudhë ishin më të bashkuar e më të vendosur se kurdoherë më parë në luftën e tyre të drejtë. Këtë e dëshmonin më së miri demonstrata dhe mitingjet e shumta e protestuese të njëpasnjëshme që u zhvilluan atëherë. Më 11 prill 1981 ishin grumbulluar mbi 400 kosovarë, në Bernë të Zvicrës dhe, me flamuj e parulla të shkruara , demonstronin rrugëve të qytetit, duke shprehur solidaritetin e tyre me luftën e vëllezërve dhe të motrave në Kosovë si dhe urrejtjen për gjakpirësit titist.
Më vonë, punëtorët të organizuar ishin drejtuar për në përfaqësitë diplomatike të Jugosllavisë në Bernë, ku kishin organizuar një miting proteste për terrorin e masakrat që kishin bërë ushtria e policia jugosllave në Kosovë.

Zürich, 18 prill 1981: Kadri Zeka – duke folur para demonstruesve…

Demonstrata e Bernit dhe të Cyrihut të Zvicrës, që ishin zhvilluar më 18 prill e në të cilën kishin marrë pjesë mbi 700 punëtor shqiptar. Ata kishin marshuar qytetit, duke brohoritur për të drejtat e popullit të tyre.
Pos këtyre, demonstrata nga punëtorët tanë ishin zhvilluar e organizuar edhe në Shtutgard e në Dyseldorf të Gjermanisë Perëndimore . Në të parën kishin marrë pjesë rreth 500 manifestues, kurse në të dytën mbi 800 veta.
Në të gjitha demonstratat që ishin organizuar, si dhe në manifestimet tjera, kishte zotëruar në bazë të të dhënave që kam në diskonim, një shpirt i lartë luftarak dhe një vendosmëri e pashoqe për të luftuar pushtuesit titist. Punëtorët tanë në mërgim organizonin demonstrata të shumta edhe me rastin e 1 Majit, ku bashkë me punëtorët e vendeve të tjera , ku para botës demokratike tregonin forcën dhe unitetin e tyre për liri dhe pavarësi.
Lufta e hapur dhe e pa kompromis e kosovarëve në mërgim demaskonte më së miri shpifjet e telegrameve të konsullatave jugosllave, që dërgonin në emër të punëtorëve kosovarë, ku gjoja se ata dënonin luftën e demonstratat e popullit tonë në Kosovë. Punëtorët, me parullat e tyre luftarake: “Kosova – Republikë”, “Republikë-vetëvendosje”, “Ja vdekje – ja liri”,” Duam lirimin e shokëve”, “Luftë, luftë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë”, “Lartë solidariteti ndërkombëtar”, “Poshtë terrori e dhuna në Kosovë”, “Poshtë UDB-eja fashiste jugosllave”, “Poshtë titizmi”, “Titizmi është fashizëm”… u treguan jo vetëm pushtetarëve titist por gjithë botës se ishin të vendosur në luftën e tyre dhe se kjo luftë nuk do të pushojë deri në realizimin e të gjitha kërkesave të drejta të popullit shqiptarë.
Në fund të të gjitha demonstratave që u organizuan në botën e jashtme, u organizonin mitingje protestuese dhe u shpallnin kërkesat para përfaqësive diplomatike jugosllave. Kërkesat e punëtorëve tanë në botën e jashtme ishin plotësisht identike me ato, që paraqitnin edhe demonstruesit në Kosovë.
Me luftën e popullit tonë në vazhdimësi ishte solidarizuar edhe opinioni përparimtar ndërkombëtar i cili dënonte në mënyrën më të rreptë masakrat e krimet ç’njerëzore të regjimit titist në Kosovë. Me demonstratat që u zhvillonin jashtë, iu bashkëngjitën shumë demokratë e miq të popullit tonë të cilët po shprehnin indinjatën e tyre të thellë për ngjarjet tragjike që po përjetonte populli shqiptarë. Ngjarjet e hidhura të Kosovës kishin zënë një vend të mirë edhe në shtypin dhe në mjete të tjera të informimit.
Në vazhdim autori i këtij shkrimi na jep një pjesë të një fjale të cilën e lexon një vashë kosovare në mitingun protestues në Dyseldorf të Gjermanisë, po japim vetëm disa pjesë :
“Të dashur bashkatdhetarë.
Tani e dimë se jo vetëm shqiptarët por tërë botën e kanë tronditur ngjarjet tragjike që po ndodhin në Kosovë. Populli i ynë punëtor, trim, paqedashës e i etur për liri dhe pavarësi, në një gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe politike, gjeti rrugën më të përshtatshëm për ti kërkuar të drejtat e veta ( borxhin e vjetër) nga qeveria jugosllave .
Qeveria jugosllave, që popullin kosovar e ka mbajtur dhe e mban gjithnjë në shënjestër, nxitoi me tanke e helikopterë, vrau, burgosi e theri lulen më të bukur- rininë e Kosovës. Kështu udhëheqësit jugosllavë e treguan edhe një herë fytyrën e vërtetë të pushtuesit, vrasësit, e fashistit gjakatar .
Ne jemi një popull i vogël përball një bishe të madhe, por jemi të fortë e të pamposhtur, sepse në zemrat tona kemi indinjatë e urrejtje të thellë për ata që na i shkelën vatrat dhe na i grabitën pasuritë .
Kosova prapë do të ketë fëmijë, prapë do të ketë rini , sepse vetë është e re. Kosova do të ketë liri, se për të po lufton dhe po derdh gjak. Ne gratë shqiptare nuk i lindim fëmijët në epruveta, nuk ia lëmë mbiemrin tonë, ne lindim shqiptarë me armë në brez, ne do të lindim e do të rrisim gjithmonë nipa e mbesa të Shotës e Azemit, Isa Boletinit e Bajram Currit…Dhe do të mburremi para botës dhe brezave të ardhshëm me historinë tonë. Çfarë mëkati bëri populli ynë që e kërkoi statusin e republikës? Kush janë irredentistë? Po pushtuesit? Kush kujt ia turbullon ujë? E kush mundohet ta lë dikë pa ujë?
Ne do të fitojmë, thoshte autori i letrës, por, fitoret arrihen e mbrohen me përpjekje e sakrifica. Me luftë e djersë. Betohemi me mendje, me zemër e grushte të bashkuar për tokën, popullin, gjakun e derdhur e lirinë. i dënojmë armiqtë e popullit shqiptar, i thërrasim popujt e tjerë të Jugosllavisë dhe të botës që të ecin rrugës së sigurt të solidaritetit me protesta kundër shtypësve kriminel. për të vazhduar autori i shkrimit me disa parulla që i kishin brohoritur mërgimtarët tanë në protesta : “Poshtë tradhtarët e Atdheut” , “Nuk duam jetë pa liri”, “Lavdi dëshmorëve që ranë për Atdheun”, “ I qofshim falë Atdheut tonë të dashur, Kosovës tonë të shtrenjtë ”
3. 5. Regjistrimi i popullsisë- alarm në ilegalen shqiptare
Lidhur me platformën dhe synimet e regjistrimit të popullsisë të vitit 1981, reaguan hapur disa intelektual shqiptar por edhe gazeta ilegale “Liria”, sulmoi me të madhe pushtetarët dhe nismën për të bërë regjistrimin e popullsisë në kushte të pa kushte ose në gjendje lufte. Në shkrimet e saja gazeta shkruante se jugosllavët kishin zhvilluar dhe kishin organizuar me kohë një fushat sa të ethshme aq edhe perfide të propagandës dhe të agjitacionit në dëm të disa popullsive. Pas propagandës së tyre me një paturpësi që shkonte deri në tradhti të hapët kombëtare, ishin lidhur me zell të madh edhe disa renegatë shqiptarë të pushtet. Gjatë asaj periudhe fushata filloi të zhvillohej në dy drejtime kryesore. Drejtimi i parë ishte propaganda dhe agjitacioni i organizuar shtetëror në disa pjesë ti quajmë skajore të popullsisë shqiptare , në të cilat secili shovinistët jugosllav kishte marrë për detyrë që të dalë në popull dhe të ushtroj njëfarë ndikimi ç’kombëtarizues e asimilues, siç ishin disa të ashtuquajturit “torbeshë” apo “maqedonas mysliman” në Maqedoninë Perëndimore dhe të ashtuquajturit “mysliman” të viseve shqiptare në Mal të Zi. Të mos flasim pastaj për popullsinë shqiptare të viseve të Sanxhakut, te të cilët shovinistët e Beogradit kishin arritur ti shtypnin pa mëshirë ndjenjat kombëtare dhe të çrrënjosnin në masë të madhe gjuhën amtare shqipe. Ndërkaq, drejtimi i dytë ishte ai i frenimit të ndjenjës kombëtare të shqiptarëve, kudo që të ishin ata, me presione të gjithanshme politike etj.
Në punimin e Jusuf Gërvallës “Regjistrimi i popullsisë në Kosovë u bë nën hijen e tankeve” kishte dy nëntituj. Në nëntitullin e parë “Thirrjet për vampirizëm të “teorive “ borgjeze shoviniste”, në të cilën autori thotë se “Qysh para tri vjetësh, më 1978, një ekip i Televizionit të Beogradit në krye me poetin dhe gazetarin serb Lubivoje Rshumoviq, realizoi në Maqedoninë perëndimore një seri televizive “dokumentar” të përbërë prej dymbëdhjetë emisionesh një orësh. Duke vajtur nga fshati në fshat, si misionarët e dikurshëm të krishterimit, ky gazetar zhvilloi në atë rast biseda të pafundme me të ashtuquajtur “torbeshë” apo “maqedonas mysliman” . Dhe në këtë mënyrë ky alamet gazetari në një mënyrë bëri propagandën më të ligë në popullsinë shqiptare duke u munduar që ti bindë për origjinën e tyre sllave.
Me një fjalë, emisionet ngulnin këmbë që të nxirrej antroponimia dhe mikrotoponimia sllave e kësaj pjese të popullsisë shqiptare dhe të viseve thjeshtë shqiptare” për të vazhduar më tej se “E tërë kjo ishte një qëllim i tejdukshëm që, me anën e mjeteve dhe metodave të njohura të shovinistëve e “shkencëtarëve” të dikurshëm sllavë si Cvijiqi e Gjorgjeviqi, te kjo pjesë e popullsisë shqiptare të thellohet edhe më tej apolitizmi, pacifizmi dhe asimilimi, duke iu ngulitur asaj në kokë mendimin se më par mund të jetë gjithçka tjetër se sa popullsi shqiptare komenton autori i shkrimit.
Por egërsia dhe guximi karakteristik i social shovinistëve jugosllavë në diskriminimin e një populli të tërë, kishte shpërthyer haptas në vitin 1980, në gazetën “Veçer” të Shkupit. Nga 25 shtatori deri më 21 tetor, kjo gazet e shovinistëve maqedonas kishte botuar në 23 vazhdime serinë e artikujve të Nijazi Limanovit me titull “Islamizimi i Maqedonisë”. Dhe duke u përpjekur që t’iu dal zot “torbeshve” apo “maqedonasve mysliman”, siç quhej këtu me kohë një pjesë e popullsisë shqiptare pjesërisht e asimiluar, gazeta në fjalë doli me sulme të hapëta shoviniste, të padëgjuara deri më atëherë, kundër popullit shqiptar .
Sipas të dhënave të Limanovit, një gazetar gjysmë analfabet dhe psikopat nga rrethi i Dibrës, populli shqiptar e paskësh pranuar në të kaluarën me gjithë dëshirë fenë myslimane, me qëllim që pastaj, me një “agresivitet” të paparë prej “pushtuesi” të egër, i kishte islamizuar edhe popullsitë sllave përreth . Në marifetin e tij, Njazi Limanovi- edhe vetë një shqiptar i asimiluar – shkon aq larg sa jo vetëm i thërret të vampirizohen të gjitha forcat e errëta “shkencore” të borgjezisë sllavomadhe serbe, por atyre u siguronte edhe “lëndë” të re lidhur me “agresivitetin”, “dhunën” dhe përgjithësisht “egërsinë” e “pushtuesve” shqiptarë. E shqiptaret- pushtetar nuk reagonin ndaj këtyre marrive të Limanovit. Me gjasë bota shkencore shqiptare pritnin që të reagonin pushtetarët, por kjo nuk ndodhi, dhe krejt në fund “Doli dhe reagoi, në mënyrë të thukët shkencore, Akademiku i njohur Prof. Dr. Ali Hadri” thotë autori i këtij punimi.
Ndërsa në pjesën e dytë të punimit “Tragjedia në popull-farsa në pushtet”, siç e cekëm në fillim, drejtimi i dytë nga do të dëmtohej popullsia shqiptare në regjistrimin e vitit 1981 të popullsisë , ishte shtrëngimi dhe presioni i gjithanshëm politik mbi shqiptarë. Ky shtrëngim u realizua në radhë të parë me burgosjen masive të djalërisë përparimtare të Kosovës e të viseve tjera shqiptare. Arsyeja për tu burgosur ishte fare e thjesht, ata u futeshin në biruca edhe për një libër, një broshurë, gazetë apo trakt, madje për një fjalë goje të thënë në rrugë. Qindra e mija shqiptar u privuan nga liria dhe i mbushën burgjet e Kosovës dhe të Jugosllavisë në një periudhë fare të shkurtër kohore. Sikur të mos iu mjaftonte kjo, bashkëpunëtorëve të pushtetarëve, morën flamurin e turpit në dorë dhe dolën para mikrofonave e kamerave, duke iu kërcënuar në njëmijë mënyra popullin shqiptar dhe djalërisë së tij përparimtare, me aq pasion të egër, sa të ta mbushnin mendjen se kishte hyrë deri në fyt borxh me djallin po more guximin qoftë edhe të marrësh frymë shqip .
Askujt në atë kohë s’ka mundur t’i shkojë mendja se regjistrimi i popullsisë në Kosovë do të vazhdonte edhe në kushtet e tmerrshme që u krijuan pas demonstratave të vitit 1981. Në një kohë kur rrugët, sheshet dhe vatrat tona binin erë gjaku, zhurmë tankesh e aeroplanësh dhe shkëlqim barbar të bajonetës së ngopur me gjakun e rinisë sonë, në një shtrëngim të tillë hekuri, siç ishte rrethimi i plotë i qyteteve dhe fshatrave tona, ora policore e ndalimi i çdo grumbulli të njerëzve, mbyllja e Universitetit dhe e të gjitha shkollave, mbyllja e ndërmarrjeve, fabrikave dhe uzinave- në një kohë të tillë, pra, një çështje siç është regjistrimi i popullsisë s’kishte gjë tjetër për qëllim , pos barbarin e pamasë të shovinistëve të Beogradit, që deshën ta provonin se si do të reagojë populli shqiptarë edhe në këtë gjendje të rëndë .
Shtypi, radio dhe televizioni i Beogradit filluan me mburrje të lavdërohen se, me gjithë situatën e krijuar në Kosovë, ata gjoja se kanë humbur pushtetin dhe regjistrimin e parashikuar të popullsisë po e vazhdonin në kushtet dhe në mënyrën më “normale”. Si vazhdimisht qe 69 vjet e këtej, forcat e errëta borgjeze jugosllave deshën edhe kësaj radhe të përfitonin nga mjegulla dhe të mjegullonin statistikat e tyre të mjegullta dhe të zvogëlonin edhe njëherë numrin e shqiptarëve që jetojnë brenda kufijve administrativo- politikë të Jugosllavisë .
Por kjo siç dihej, nga kjo distancë kohore, nuk iu bëri nder qeverisë jugosllave .Dhe, aq më pak ndonjë dobi të caktuar. Sepse populli shqiptarë. Ndonëse kësaj radhe ishte i zënë me punë më të ngutshme, me varrimin e bijave dhe bijve të vet, me mjekimin e plagëve që morën ata nga ushtria dhe milicia jugosllave , me burgimet e rënda, ishte absurde të mendohet që ata e kishin harruar rëndësinë e regjistrimeve të popullsisë. Populli i ynë kishte një shpirt të madh. Ai e kishte përballuar burrërisht e heroikisht tragjedinë. Ai vendosi që ta përballoi edhe këtë regjistrim të popullsisë që u bë nën hijen e tankeve dhe nën zhurmën kërcënuese të aeroplanëve .
Për falsifikimet që borgjezia jugosllave që i kishte bërë prej motesh lidhur me numrin e shqiptarëve, populli gjithmonë e kishte të gatshme përgjigjen thotë autori i tekstit : Jemi shqiptarë, shqiptarë lindim dhe shqiptarë vdesim! Këtë përgjigje ka pasur kurdoherë në gojë populli i ynë, edhe kur i është vënë zjarri shtëpive, fshatrave e lagjeve tona, edhe kur xhandari serb na ka dërmuar pse i kemi thënë apo nuk i kemi thënë “mirëmëngjesi”, edhe kur na kanë shkelur flamurin, na kanë plaçkitur kokrrën e fundit të misrit nga drithniku… Edhe kur na kanë zbritur deri në baltë dinjitetin kombëtar, duke na kërkuar armën që se kemi pasur, edhe kur na e kanë ndaluar gjuhën tonë të ëmbël” . Për të vazhduar më tej autori i shkrimit se “Ç’është më e çuditshme, ne nuk ligemi – nga punët dhe fjalët e armikut. Sepse e dimë se çdo fjalë e tij është vetëm një farsë. Por, as armiku të mos mendojë se e mashtron lehtë këtë popull, i cili po e përjeton tragjedinë e madhe ku e katandisi shovinizmi jugosllav, por i cili ka vendosur me të gjitha forcat e veta t’ia vërë atij pushkën në gjoks . Megjithatë autori thotë se kësaj fatkeqësie që po i ndodhë popullit tonë, do ti dalë zot shqiptari sidomos në këto vite të egra e barbare,që armiku hoqi maskën e tij të urryer dhe doli me fytyrën e tij të vërtetë edhe më të urryer, me fytyrën e kriminelit gjakpirës .
3. 6. Kontinuiteti patriotik i shqiptarëve
Në punimin tjetër të Jusuf Gërvallës, “Kosovë, sa hije të ka xhamadani i trimërisë!” Autori përshkruan krajatat e popullit shqiptar nëpër shekuj dhe luftën e tyre të drejtë për lirinë e vet dhe të tokave të tyre. Në mënyrën më të denjë prezanton luftën dhe vetë sakrificën e Mic Sokolit në grykën e Carralevës dhe vazhdon me paraqitjen e luftërave duke arritur gjerë më vitin 1945 kur shqiptarët as që pyeten për të mbetur nën Serbi e ish- Jugosllavi. Dhe një histori e tillë e lavdishme deshëm o s’deshëm ne kurdoherë ngjalli admirimin e miqve dhe tmerrin e armiqve. Kurse bota për rreth, e ballafaquar me një trimëri kaq të materializuar, pa pasur mundësi ta shqyrtojë e ta definojë saktësisht, bënte sehir dhe mbetej me gojë hapur, e çuditur nga një armë e tillë- gatishmëria mbinjerëzore për flijim dhe trimëri të pashembullt.
Artikullshkruesi thotë se “Bota, e cila dikur çuditej se ku gjente shqipja gjithë atë forcë kur matej me shtatë kralit, sot po çuditet, ç’e gjeti kështu shqiptarin e Kosovës të rebelohet “brenda natës” dhe si po i bënë ballë me muaj të tërë rrethimit të egër me tanke e bajoneta, ushtri e polici, si i bënë ballë tërbimit të zhurmshëm kërcënues të aeroplanëve mbi kokat e popullsisë duarthatë e të pa armatosur” . Nëpër mes këtij shkrimi autori vë në pah rezistencën e madhe të popullit shqiptarë që e kishte bërë më shekuj për çlirimin e tokave shqiptare nga okupatorët.
Dhe ashtu siç ishte heshtur në mënyrë sistematike deri vonë lidhur me çështjen e më se dy milionë shqiptarëve të robëruar nga Jugosllavia, ashtu edhe më vonë u fol në mënyrë sistematike gjithmonë rreth e rreth çështjes sonë, pa përpjekjen më të vogël për të depërtuar në thelbin e saj.
Populli shqiptar i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të robëruara nga Jugosllavia nuk ishte e vërtet se u rebeluan “brenda natës”. Rebelimi ç’është e vërteta ishte përgatitur për më tepër se dyzet vjet të vështira jete në kuadër të Jugosllavisë okupuese të Titos, e cila për popullin shqiptare, përballë propagandës lidhur me mirëqenën , barazinë ekonomike, politike e shoqërore me kombet dhe kombësitë e tjera , lidhur me gjëja vëllazërim – bashkimin, s’pati gjë tjetër pos shtypjes kombëtare e shoqërore, pos diskriminimit social e kulturor, pos shfrytëzimit të egër të pasurive të tyre natyrore dhe zbatimit të mjeteve të gjenocidit .
Në një situatë të tillë, tërbimi i armikut e shtynte edhe një herë shqiptarin ta veshë xhamadanin e trimërisë. “Edhe kur shtrohet çështja e armëve, Kosova këto i ka me bollëk, dhe bile të gjitha llojet e tyre. Ato i sollën me vete armiqtë e shumtë për ta robëruar e plaçkitur, por, bashkë me kokën e tyre në Kosovë lanë edhe armën që e kishin sjellë me vete. Kaluan mbi tokën tonë shumë pushtues: romaku, Bizanti dhe turku, greku dhe bullgari, serbi e malazezi, austriaku e francezi, italiani e gjermani, bile shumë prej tyre nga dy e tri herë. Që të gjithë ata me forcën e armëve të tyre, mendonin se do ti përjetësonin stemat dhe flamujt e tyre mbi fushën e gjerë të Kosovës. Por stemat dhe flamujt iu shkelën me këmbë, populli i ynë mbeti kryelartë dhe e pasuroi arsenalin e armëve.” në ketë mënyrë autori gjen edhe shkakun primar pse shqiptarët ishin të armatosur.
Në vazhdim të shkrimit na jepen shumë argumente që dëshmojnë për trimëritë e popullatës që bënë kundër uzurpatorëve Petritët e Podujevës,( gjatë demonstratave studentore të vitit 1981 ) me një çifte gjahu, kishin çarmatosur dy autobus me policë të specializuar që kishin ardhur nga Beogradi, ua kishin kallur automjetet, dhe me armët e rrëmbyera kishin formuan në qytetin e tyre të dytën “Arbëri të Vogël”. Në Prizren, kishte ndodhur që motrat tona, me emrin e Shotë Galicës në gojë, kishin sulmuar mbi hordhitë e urryera të xhandarmërisë serbe. Kurse në Prishtinë, studenti sypatrembur i kishte dal para tankut, kishte shpalosur gjoksin dhe kishte bërtitur “Shtjer, bishë fashiste, se se trembë dot djalin shqiptar” .
Që vlen të ceket thotë autori është rasti i Pejës, kur policia e Beogradit kishte vënë re, një femër shqiptare të veshur me kësulë, tirq e xhamadan shqiptar, u tmerrua dhe si shenjë hakmarrjeje u a vuri drynat dyqaneve ku endeshin veshjet tona kombëtare. Ata e kishin keqkuptuar në mënyrë banale çështjen e xhamadanit të trimërisë. Sepse, nuk ishte zhguna mbi gjokset shqiptare që atyre ua sillte trimërinë, por ishte zemra e tyre e brumosur me dashurinë për tokën mëmë dhe kombin dhe drejtësinë .
3. 7. Jehona e ngjarjeve të Kosovës në shtypin e huaj
Ngjarjet e mars-prillit të vitit 1981, patën një jehonë të madhe në shtypin dhe televizionin botëror. Tirana zyrtare gjatë atyre muajve me një kujdes të madh mblodhi, sistemoi dhe botoi gati të gjitha shkrimet që u botuan në shtypin e huaj gjatë vitit 1981 . Dhe autori Kadri Zeka, për ti njoftuar sa më drejt lexuesit e gazetës ilegale “Liria”, ai në vazhdim të saj jep disa nga ato shkrime në artikullin “Jehona e ngjarjeve të Kosovës në shtypin e huaj” që shkruan shtypi botëror dhe komenton pranverën kosovare .
Në artikullin “Mosbesimi në Kosovë është i thellë”, gazeta gjermano-perëndimore “Frankfurter Algemaine” e datës 9.4.1981 , ndër të tjera shkruan : “Kur u vjen uji deri në fyt, diktaturat fashiste të Amerikës Latine, vetëadministrimi jugosllav reagojnë siç duket bukur në mënyrë të ngjashme. Gjëja e parë është fajësimi “i armikut të jashtëm”. Sipas Dolancit, është gjë kundërrevolucionare, nëse Krahina Autonome e Kosovës, që tani ndodhet nën Serbi, të shndërrohet në Republikë të shtatë të Jugosllavisë. Sepse , kjo sipas tij, qenka në kundërshtim me Kushtetutën. Mirëpo, është një parim i pranuar nga të gjitha kushtetutat e civilizuara që në bazë të procedurës legale këto gjëra mund të ndryshohen dhe Kushtetuta jugosllave parashikon një mundësi të tillë .
Sipas deklaratave të Dollancit e të Bakallit, shihet qartë se ata nuk janë të gatshëm t’i analizojnë shkaqet e vërteta të turbullirave në Kosovë dhe të marrin masa preventive politike, pos reprezaljeve.” Për të vazhduar më tej ajo, duke folur për kërkesat e shqiptarëve, thotë se “ nuk doli vetëm kërkesa për shndërrimin e Kosovës në republikë, por edhe për bashkimin e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi brenda një republike të tillë”. E njëjta gazetë, në numrin e datës 30 prill 1981, duke folur për falsifikimin e fakteve nga qarqet zyrtare jugosllave , shkruan : “Sot në disa pjesë të gazetave jugosllave si në “Politika”, “Nin” dhe “Politika Ekspres”, thuhet hapur se udhëheqja nuk e ka thënë të vërtetën mbi përmasat e ngjarjeve në Kosovë, as para gazetarëve të brendshëm as para atyre të jashtëm…” Në kritikën e gazetarëve thuhej se shtypi jugosllav u pengua nga qarqet zyrtare të politikës informative që të shkruaj për përmasat e vërteta të revoltës së shqiptarëve. Politika informative në përgjithësi ndiqte një rrugë të dyshimtë të informimit.
Gazeta suedeze “Zundsvalstinding”, në një artikull me titull “Ngjarjet në Kosovë shqetësojnë shumë udhëheqësit e Beogradit”, bënte këtë përshkrim të ngjarjeve: “Demonstratat u përhapën në të gjithë Krahinën, ku pjesën më të madhe e përbëjnë të popullsisë shqiptare. Demonstruesit kritikonin shtypjen që u bëhet shqiptarëve në Jugosllavi. Ata kërkonin liri fjale dhe shtypi, si dhe Krahina e Kosovës të shpallet republikë. Kosova që është zona më e varfër e vendit, është krahina autonome por që bënë pjesë në republikën më të madhe jugosllave, në atë të Serbisë. Autoritetet jugosllave i quajtën demonstruesit nacionalistë, separatistë dhe kundërrevolucionarë .
Papunësia në Kosovë është shumë e madhe. Produktiviteti dhe rrogat janë më të ulëtat në gjithë Jugosllavinë. Qarqet zyrtare vazhdojnë ti shpjegojnë turbullirat dhe demonstratat e Kosovës si veprime të kryera prej grupesh të ndryshme nacionaliste dhe theksojnë se çdo shenjë e nacionalizmit do të rëndohet rëndë. Megjithatë, kërkesa e shqiptarëve të Kosovës për republikë duhet të shikohet nga autoritetet e larta jugosllave në atë mënyrë që të zgjidhet drejtë” për të vazhduar më tej gazeta se “nga plenumet e udhëheqjes më të lartë jugosllave dëgjohen thirrjet histerike që u drejtohen atyre kriminelëve serbë e malazezë, që kanë gjakosur 40 vjet tonë dhe që gjatë demonstratave shtien me armë mbi demonstrues, që të tregojnë “patriotizëm” dhe të mos e lëshojnë Kosovën. Kjo, sipas shovinistëve jugosllavë, nuk është nacionalizëm. Por, kur një popull i tërë kërkon të drejtat e tij më elementare, cilësohet si nacionalist e kundërrevolucionar” .
Edhe gazeta amerikane “The New York Times” e 27 prillit 1981, pasi thotë se situata me sa duket mbetet e pa stabilizuar, meqë përforcimet e ushtrisë dhe të policisë ndodhën akoma në Kosovë dhe tubimet politike janë akoma të ndaluara, shtron pyetjen : “Shteti Federativ i Jugosllavisë tashmë ka 6 republika. Çfarë ndryshimi do të sillte edhe një republikë më shumë? Pse Kosova të mos jetë republikë, kur 85% të banorëve të saj ( 1,5 milionë) janë shqiptarë etnikë” konstaton me të drejt autori.
Nga ana tjetër gazeta greke “Tovina” bënë këtë koment mbi ngjarjet në Kosovë: “Nuk duhet ta pakësojmë rëndësinë e ngjarjeve që po ndodhin prej shumë javësh në rajonin autonom të Kosovës, në kufi me Shqipërinë, edhe në çoftë se kriza mbytet. Fakt është se autoritetet jugosllave nuk i kursejnë mjetet e tyre mbytëse. Këto telashe përbëjnë paralajmërim serioz” .
Gazeta zvicerane “Noje Cyrher” e 25 prillit ( 1981) shkruan : “Informacionet jozyrtare flasin për qindra viktima, ndërsa ato zyrtare për nëntë” dhe kështu vënë në dyshim ashtu si shumë gazeta të tjera numrin e viktimave të dhëna nga autoritetet zyrtare, dhe vazhdon “Pakënaqësia e shqiptarëve në Kosovë nuk shprehet nga grupet më militante shqiptare në Kosovë, por ajo shtrihet edhe në 300 mijë vetë që banojnë në Maqedoni e 50 mijë të tjerë në Mal të Zi.” , vlen të përmendët se gazetarët zviceran e përcillnin nga afër ngjarjet në Kosovë, dhe kishin njohuri të mjaftueshme për situatën në Kosovë.
Në disa gazeta të Gjermanisë Perëndimore u botua artikulli i korrespodentit gjerman në Vjenë Volfgan Liman, me titull : “Qetësi varri në Kosovë” në të cilën thuhet : “Kosova e ndien veten të shtypur nga shteti jugosllav. Kjo është e qartë. Rritja e prodhimit shoqëror në fund të vitit 1970 ishte sa gjysma e mesatares së federatës. Më 1978 për çdo 1000 banor në Kosovë ishin të punësuar vetëm 107, ndërsa mesatarja e Jugosllavisë ishte 254. Nga ana tjetër, Kosova është e pasur me lëndë të para dhe ka një industri të mirë nxjerrëse, por i mungon industria përpunuese. Në Serbinë mbretërore dhe në Jugosllavinë e paraluftës, shqiptarët shtypeshin, por shtypja vazhdon edhe në Jugosllavinë e sotme, pavarësisht nga parullat “vëllazërim- bashkim”
Gazeta gjermano-perëndimore “Zyd Kurir” në artikullin me titull “Arsyet e turbullirave në Kosovë”, shqiptaret e ndien veten të nënvleftshëm”, pohon se: “Harresa e politikës së Jugosllavisë socialiste, e cila fletë me qejf për të drejtat dhe barazitë e kombeve dhe të kombësive në Kosovë, është zor të mohohen. Përveç kësaj, është edhe situata kritike ekonomike në vend e cila duket jashtëzakonisht e qartë në Kosovën e pa zhvilluar. Edhe sikur turbullirat e fundit të jenë vënë nën kontroll, Beogradi duhet të gjejë një zgjidhje politike, e cila për Kosovën ka qenë e domosdoshme.”
Edhe shtypi spanjoll nga ana e tij, i ka kushtuar shumë vend ngjarjeve në Kosovë. Gazeta “Avoi” e Barcelonës shkruan se Kosova është rajoni më i prapambetur në Jugosllavi dhe gati në gjithë Evropën. Shqiptaret që banojnë aty konsiderohen qytetar të dorës së dytë, pavarësisht nga përparimi që kanë pasur gjatë këtyre 35 vjetëve të fundit” . Në bazë të të dhënave që kemi për informimin që bëhej në opinionin ndërkombëtar, mund të konkludohet se opinioni i gjerë ishte mjaft i informuar për gjendjen në Kosovë.
Në një koment të gjatë me titull “Kosova e varfër dhe e diskriminuar”, gazetari spanjoll Torro Riesko shkruan “Shqiptaret e Kosovës konsiderohen njerëz të përbuzur në Jugosllavi. Kosova është krahina më e prapambetur e Jugosllavisë dhe e gjithë Evropës. Ekziston një pabarazi e dukshme midis Kosovës dhe krahinave të tjera. Kosova është një vend i pasur me minerale. Atje nxirret më shumë se gjysma e qymyrgurit të Jugosllavisë. Ajo është e pasur me drithëra etj. Që nga mbarimi i luftës, reprezaljet atje kanë qenë të egra” .
Nga ana e saj, gazeta italiane “Koriera de la sera”, duke shkruar për shkaqet e ngjarjeve në Kosovë, Krahinën e cilëson si rajonin më të prapambetur në Jugosllavi.
Kurse gazeta amerikane “Herald Tribjun” shkruan: “Kosova, në Jugosllavinë e botës së tretë, është pjesa më e varfër, me një hendek që rritet mes varfërisë dhe luksit relativ të republikës më të pasur, Sllovenisë” .
Gazeta austriake “Kurir” e 22 prillit, në artikullin me titull “Kosovë: a erdhi ushtria vetëm me një tufë dafinash?”, ndër të tjera shkruan: “Ku qëndron e vërteta?” pyet në mënyrë kritike gazeta e Beogradit, duke transmetuar në mënyrë të zbutur informatat në mënyrë kontradiktore të Jugosllavisë lidhur me turbullirat në provincën e Kosovës të banuar me shqiptarë. Dhe, ky informacion është aq kontradiktor sa njeriu duhet tu besoj rrenave , si bie fjala: më 6 prill Stane Dollanci e përmendi numrin 11 të vrarëve dhe 57 të plagosurve. Mahmut Bakalli në konferencën e shtypit në Prishtinë e dha numrin 9 të vrarë dhe 260 të plagosur. Kjo sipas tij, ishte shifra “ekzakte”. Më 16 prill, si njofton “Tanjugu” sekretari i Kryesisë së LKJ-së Dushan Dragosavac the se “armiku e ka realizuar qëllimin në kolektivet punonjëse të Krahinës, me parulla armiqësore ia doli të mashtrojë një numër të madh punëtorësh”. Një ditë më vonë, Mahmut Bakalli thoshte se “ fabrikat nuk e kanë ndërprerë për asnjë çast prodhimin dhe nuk është vënë re kurrfarë turbullire në mes punëtorëve. 
Sipas Mahmut Bakallit, mes të plagosurve 55 kanë marrë lëndime nga plumbat, por Bakalli thotë njëkohësisht se ushtria nuk ka shtënë asnjëherë mbi njerëzit . Plagët e plumbave janë mistike, ose janë shkaktuar nga gjahu i arinjve. Ose ushtria jugosllave, e cila sipas të dhënave zyrtare, erdhi në Kosovë në natën e 1 prillit në të gdhirë të 2 prillit, dhe vërshoi tërë Krahinën, mos erdhi ajo vetëm me gjethe dafine në dorë? Gjendja e jashtëzakonshme, e vendosur me 2 prill, zyrtarisht, thonë, u hoq më 20 prill. Po “Tanjug-u” njoftonte se gjendja e jashtëzakonshme ishte hequr që më 9 prill në Prishtinë, Podujevë dhe Gllogoc e Lipjan. Ka mundësi që e hequra të hiqet dhe një herë!” . Nga i tërë ky grumbull i të dhënave vërtet lindte dilema, si për shqiptarët njashtu dhe për të tjerët cilës dhe çka të besojmë nga ky mal i gënjeshtrave.
Në mënyrë të ngjashme komentojnë edhe gazetat të tjera të botës, të cilat shprehin mosbesim ndaj të gjitha informatave që japin qarqet zyrtare jugosllave dhe dënojnë dhunën e terrorin e pashoq të pushtetit jugosllav që kishte aplikua në Kosovë.
Dhe krejt në fund të revistës, në një qoshe të saj jepet një informatë shumë interesante ku nëpër mes të saj njoftohen lexuesit se “Klubet e kosovarëve kalojnë në duart e te zotëve”, ku thuhej se “Në valën e furisë revolucionare, punëtorët kosovarë të qyteteve gjermano-perëndimor Dyzeldorf e Bilifeld, morën në dorë klubet e punëtorëve kosovar në këto dy qytete. Ata ndërruan udhëheqjen e klubeve e përzunë të dërguarit e konsullatave jugosllave, për shkak se , siç dihet botërisht, deri më tani këto klube ishin kthyer në çerdhe të spiunazhit prej udëbashëve të konsullatave dhe ishin bërë vatra të rrezikshme antishqiptare.” informonte dhe i përkrahte gazeta ilegale të mërguarit tanë.
Dhe në fund, thuhej se “Liria” e përshëndet këtë iniciativë revolucionare dhe shpreson se shembullin e këtyre punëtorëve do ta ndjekin edhe bashkatdhetarët në qytete tjera.

(VIJON…)

 ***
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (5)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3993

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura