Prishtinë, 14. 05. 2015 – Shumë prej zhvillimeve të fundit në Maqedoni janë përsëdytje e gjendjes së vitit 2001. Në këtë kuptim, kryengritja e armatosur në Maqedoni tani më shumë se kurrë i ka gjasat që të kapitalizohet me fitore. Rrethanat diktojnë si imperativ të kohës që kryengritja shqiptare të zërojë besnikërisht nevojën për rimodelimin e Maqedonisë. Ajo ose duhet të jetë shqiptare përmes sanksionimit të shqiptarëve si element shtet-formues ose duhet të zhbëhet krejtësisht.
Krimet e fundit në Kumanovë e sipërfaqën faktin se problemi në Maqedoni nuk është aspak te demokracia e brishtë, interpretim i përciptë që nuk rrok as për së afërmi thelbin e gjërave. Në lentet e turbullta të ambasadave perëndimore, problemi në Maqedoni reduktohet vetëm në monopolizimin e jetës politike nga një parti dhe margjinalizmi i grupimeve tjera. Ndryshe nga kjo, problemi kardinal në këtë shtet është monopolizimi i pushtetit shtetëror nga një grup etnik në kurriz të tjerëve.
Empirikisht, historia plot regëtima e Maqedonisë së sotme, ashtu siç u ravijëzua pas Luftës së Dytë Botërore, është përpjekja për të monopolizuar shtetin në llogari të sllavo-maqedonëve. Nëse në Kushtetuta e vitit 1974 Republikën Socialiste të Maqedonisë e përkufizonte si “shtet kombëtar i popullit maqedonas dhe shtet i kombësive shqiptare dhe turke në të…”, Kushtetuta e vitit 1991 ngërthente përpjekjen për të etnizuar këtë shtet përmes monopolizimit të tij si “shtet kombëtar i popullit maqedonas”.
Kjo Kushtetutë u etablua përkundër realitetit demografik ku elementi shqiptar ishte po kaq i numërt sa ai sllavo-maqedonas. Rrënjët e segragacionit u sanksionuan pikërisht përmes kësaj Kushtetute, e cila nuk i njohu shqiptarët si element shtet-formues, pavarësisht mbajtjes së referendumit për autonomi territoriale të shqiptarëve në Maqedoni në vitin 1992.
Si rrjedhim, politika e brendshme maqedonase u qendërzua rreth përpjekjes për të monopolizuar shtetin në emër të të qenurit “shtet kombëtar i maqedonasve”, gjë që solli deprivimin e plotë të shqiptarëve. Marrëveshja e Ohrit, midis barazimit të shqiptarëve dhe maqedonasve zgjodhi një modus vivendi, duke i bërë disa ndryshime të lehta preambulës së Kushtetutës. Përmes një gjuhe të kujdesshme e të dykuptimshme, në preambulën e Kushtetutës së amandamentuar në vitin 2001, Maqedonia si “shtet i pavarur dhe sovran” përmend shprehimisht popullin maqedonas dhe qytetarët që janë pjesë e popullit shqiptar, turk, vllah, serb, rom, boshnjakë dhe të tjerë. Me fjalë të tjera, ndryshimet e stimuluara në Marrëveshjen e Ohrit janë larg një zgjidhje viabël për Maqedoninë, meqë kësisoj u parandalua federalizimi i vendit.
Rrjedhimisht, këmbëngulja për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit bëhet gjithnjë e më e pakuptimtë, përderisa vetë marrëveshja është problemi dhe jo mos-zbatimi i saj. Për aq sa politikat ndërkombëtare për Maqedoninë përvijojnë parimin ‘hiq e mos këput’, ambivalencat e tilla shfrytëzohen për të zhvatur përfitime në dëm të një etniteti tjetër. 15-vjeçari i fundit në Maqedoni nuk është sendëzuar me themelimin e një entiteti shqiptar që do të amplifikonte federalizimin e shtetit. Qeveritë e njëpasnjëshme në Maqedoni i janë përmbajtur me zell doktrinar përpjekjes për ndryshimin e hartës etnike në Maqedoni. Fillimisht, kjo nisi përmes procesit të decentralizimit, i cili në prapakthim rezultoi me krijimin e një shumësie komunash rurale. Në pamje të parë, parimësisht decentralizimi përfton një simpati të vetëvetishme përderisa ofron pushtetin më afër banorëve. Megjithatë, ky proces i cili u përqendrua kryesisht në perëndim të vendit prodhoi një shumësi komunash rurale, duke përvijuar vijat etnike.
Rajonet kompakte shqiptare u copëzuan në dhjetëra komuna rurale, ndërkohë që fshatra të tëra të populluara me sllavo-maqedonas u bënë komuna. Prapa tyre lexohet qartë mëtimi për të ç’kompaktësuar hapësirën etnike shqiptare në Maqedoni, duke shkërmoqur peshën politike të shqiptarëve. Prania e shqiptarëve në Shkup u përthye si pasojë e krijimit të disa komunave urbane e rurale, ashtu siç ndodhi edhe në Kumanovë, ku periferia iu shkëput qytetit duke krijuar komunën e Likovës. Në instancë të fundit, zhvillime si këto që me kalimin e kohës do të bëhen gjithnjë e më negative, rrezikojnë seriozisht prospektet e një shteti të ardhshëm shqiptar në Maqedoni.
Konturizimi i një territori, d.m.th përcaktimi i kufijve të tij, është njëra nga gjërat kuintesenciale për mbrothësinë e një shteti. Fjala bjen, edhe në Konventën e Montevideos ku stivohen kushtet themelore të shtetësisë, “territori i përkufizuar” (a defined territory), vlerësohet jetik për qenësinë e një shteti, krahas një popullsie të përhershme, qeverie dhe kapacitetit për të ndërvepruar me shtetet e tjera. Prej 2001-ës e tutje, shqiptarët në çdo qeveri kanë pasur hisen e tyre. Sidoqoftë, të arriturat e tyre janë në shpërpjesëtim të plotë me pritshmëritë. Pavarësisht, se partitë shqiptare që kanë qenë në koalicionet qeverisëse kanë drejtuar shpesh ministri të rëndësishme, shqiptarët vijimësisht kanë qenë të privuar prej resorëve që fytyrëzojnë drejtimin real të shtetit.
VMRO e Gruevskit e cila prej vitesh mbisundon skenën politike në Maqedoni, si vijë të kuqe ka thadruar Ministrinë e Punëve të Brendshme. Shqiptarët jo vetëm që asnjëherë nuk kanë drejtuar këtë ministri, por ata janë praktikisht të nën-përfaqësuar në të gjitha institucionet madhore të sigurisë. Inteligjenca e vendit, Policia dhe majat drejtuese të shtetit asnjëherë nuk kanë qenë të qasshme për shqiptarët. Kapja e institucioneve shtetërore në Maqedoni në baza etnike është proces komplementar me aktivizimin e një politike etnike në formën e një nacionalizmi maqedonas.
Duke shfrytëzuar animozitetet proverbiale që kanë nyjëtuar Maqedoninë gjatë shekujve të fundit, elitat e këtij shteti kanë bërë përçapje të vazhdueshme për sajimin e një historie të re, në zemër të së cilës ishte shkëputja nga çdo gjë bullgare. Konstruktimi i staturës së re indentitare mpleksi edhe grekët, duke vënë në lojë ballafaqimet politike e deri te argumentet e dyshimtë historik të një pale ose tjetrës, diçka që Arnold Toynbee në një rast tjetër do ta quante “sentiment historik”, atëherë kur argumente të caktuara nga një gjendje që besohet se dikur ka ekzistuar, përdoren për qëllime të politike ditore. Embargoja shkatërruese greke ndaj Maqedonisë, kompromisi mbi flamurin e parë shtetëror të shtetit të sapokrijuar e pastaj fillimi i një odiseade të pambarimtë bisedimesh për emrin, përftoi një frustracion përmasash të frikshme.
Zaten, shqiptarët bëheshin me gisht si më të padëshiruarit, si kolonë e pestë e të tjerët i damkosnin si emigrantë. Prandaj, Sam Vaknin, që dikur ka shërbyer si këshilltar i kryeministrit të tanishëm sllavo-maqedonas, Nikolla Gruevski, ka të drejtë kur e përshkruan projektin megaloman të përvetësimit të historisë së maqedonëve të lashtë, si një proces komb-bërje i cili është thelbësisht anti-shqiptar, më shumë sesa anti-grek apo anti-bullgar. Ajo që një shekull më parë e kishte thënë konsulli grek në Maqedoni, Ion Dragumis se “Maqedonia i përket kujtdo që e merr” ka një vlerë thuajse të gjithëkohshme. Shqiptarët në Maqedoni, pavarësisht se brenda disa deceniesh pritet të jenë 1 milionë frymë, vazhdojnë të paguajnë çmimin e rëndë të sakrificës për një shtet i krijuar vetëm për balanca gjeopolitike dhe pa kurrfarë të ardhme. Është ironike se në vitet 90-ta, Shqipëria ishte prej vendeve të para që njohu në mënyrë të pakushtëzuar shtetin e Maqedonisë. Në këtë mjedis shpërfilljeje e segregacioni shpërtheu kryengritja e vitit 2001. Pavarësisht se ajo nuk mori përmasa në gjithë shtrirjen etnike në Maqedoni, sukseset e saj ishin të admirueshme. Duke iu përgjigjur shpirtit liridashës të viteve të pas luftës çlirimtare në Kosovë, qindra vullnetarë nga Kosova do t’i bashkëngjiteshin formacioneve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Megjithë peshën e cinizmit e ftohësisë brenda opinionit shqiptar që nuk shqitej nga mentaliteti dyshues dhe stigmave të vazhdueshme të partive sllavo-maqedonase, guerila shqiptare do ta çonte fitoren prej Tetovës në Kumanovë, duke iu avitur triumfalisht dyerve të Shkupit.
Studiuesi, Michael S. Lund teksa bën shpalimin retrospektiv të ngjarjeve të vitit 2001 vëren: “Armata e Maqedonisë ishte thelbësisht e paaftë për t’i bërë ballë Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, për shkak se UÇK mund të sillte konfliktin brenda vetë Shkupit. […] Kontrolli i kryeqytetit dhe rrethinave të tij nga UÇK, si dhe i viseve në veri dhe në perëndim të Maqedonisë, do të përbënte marrjen de fakto të krejt vendit” (Michael S.Lund ‘Greed and Grievance Diverted, How Macedonia avoided Civil War’ në Understanding Civil War: Europe, Central Asia, and other regions, ed. Paul Collier at al. 2005).
Po ende, ai sheston se në rast se UÇK do të vazhdonte luftën edhe më tej, Armata e Maqedonisë do të zhbëhej tërësisht, aq sa njësi të shkapërderdhura të saj do të detyroheshin të ndërmerrnin sulme guerile diku në skajet jugore të Maqedonisë.
***
Rrethimi i Kumanovës nga policia ushtarake e Maqedonisë është sprovë për paqëndrueshmërinë thelbësore të këtij shteti, i cili po brydhet vazhdimisht. Derisa interpretimet për të vërtetën e ngjarjeve në Kumanovë po gëlojnë, shumë syresh kanë nuanca të forta konspirative. Në zemër të këtyre interpretimeve të përcipta qëndron spekulimi se gjithçka qe një sajesë e vetë kryeministrit, Nikolla Gruevski për të zhvendosur vëmendjen nga pakënaqësia gjithnjë e në rritje me qeverisjen e tij. Sidoqoftë, është evidente se pakënaqësia e thellë ekziston edhe nëse Gruevski nuk bën makinacione si këto. Shkaqet për kryengritje të armatosur në Maqedoni ekzistojnë, ashtu siç ekziston një atmosferë që përfton retë e luftës. Udhëheqja politike në Maqedoni, ku titullarët kryesorë të shtetit po bëhen gjithnjë e më shumë pro-rusë, po e vë në pah konfiguracionin e ri gjeopolitik të kësaj pjese. Përpjekjet e Rusisë për të gjithë-shtrirë ndikimin e saj përmes projekteve të gjigantit imperialist ‘Gaz-prom’ edhe në Maqedoni, sigurisht që do të ndeshen me qëndrimin mos-miratues të Perëndimit.
Duke i parë zhvillimet në këtë dritë, bëhet e kuptueshme se shqiptarët mbetën protagonisti qendror që do t’i kundërvihet seriozisht ndikimit rus. Përplasja e dhunshme në Kumanovë duhet të lexohet si përgjigja meritore ndaj rusifikimit të Maqedonisë, ku shqiptarëve nuk u mbetet thuajse vend. Pas përfundimit të aksionit policor në Kumanovë, reagimet e kryeministrit Gruevski, kryetarit Ivanov dhe Ministrisë së Brendshme ishin të mbushura kryekreje me referencime për ‘terroristë’ ose ‘grupe terroriste’ që paskan gjakuar rrënimin e Maqedonisë. Cilësime të tilla denigruese u bënë menjëherë edhe nga Beogradi e Moska.
Ajo çka nguc vëmendjen është se kundër-reagimet e vendeve perëndimore nuk i referohen në asnjë vend ‘grupeve terroriste’, duke lënë të nënkuptohet se versionet zyrtare për ngjarjen nuk kanë as edhe një dromcë të së vërtetës. Inflacioni i cilësimit ‘terrorist’ bëhet me qëllim të de-politizimit të përpjekjeve të shqiptarëve për t’i dhënë fund aparteidit në Maqedoni. Është shqetësues sesi ky cilësim po përbrendësohet nga opinioni shqiptar. Duke përvetësuar këtë vështrim të huaj për vetën tonë, gjithçka që përftohet është vetë-distancimi nga përpjekjet tona, duke shpërhapur mos-besim, vegulli e paqartësi.
Nuk duhet të harrohet se kur filluan veprimet e para kryengritëse në Maqedoni në vitin 2001, reagimi perëndimor ishte tmerrësisht prepotent. Siç shkruan Zhidas Daskalovski: “Revolta e UÇK-së qysh në fillim u përball me një dënim të plotë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Figura udhëheqëse ndërkombëtare të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Rusisë si dhe vendeve fqinje të Maqedonisë, përfshirë edhe Shqipërinë, kritikuan ashpër kryengritësit dhe kërkuan ndërprerjen e luftimeve guerile” (Walking on the edge of consolidating multiethnic Macedonia, 1989-2004, f. 128).
Ministri i Jashtëm i Francës, Hubert Vedrine pati deklaruar se bashkësia ndërkombëtare përkrahte autoritetet maqedonase në luftën kundër grupeve terroriste. Në këtë vijë ishte edhe reagimi i ambasadorit britanik në Maqedoni, Marc Dickinson i cili kërkoi nga të gjithë politikanët “t’i dënonin terroristët’. Po në këtë kohë, edhe Sekretari i Jashtëm i Britanisë, Robin Cook i përshkruante luftëtarët e UÇK-së si ‘terroristë’. Në një vizitë në Shkup, edhe Solana tumirte kundërshtimin e autoriteteve të Maqedonisë për të biseduar me UÇK-në, duke thënë se ‘terroristët duhet të izolohen”. Në këtë frymë linçuese ishte edhe deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, George Robertson, i cili i bëri kualifikimet më të rënda për luftëtarët e UÇK-së, të cilët i quajti ‘bandë vrasësish, synimi i të cilëve është shkatërrimi i Maqedonisë demokratike”.
Por, vazhdimi konsistent i kryengritjes shqiptare në Maqedoni që vargëzoi fitore të njëpasnjëshme bëri që qëndrimi perëndimor të ndryshonte qasjen. Referimi ndaj UÇK-së do t’i përshkruante luftëtarët si “kryengritës’, “guerilë’ ose si “forca të shqiptarëve etnik’. Stigmat për ‘terrorizëm’ do të përdoreshin vetëm nga Rusia. Qëndrimi i vendeve perëndimore do të bëhej më mirëkuptues ndaj kërkesave shqiptare edhe pas ndërhyrjeve të shpeshta të Rusisë në Maqedoni, e cila përmes Ukrainës dërgonte armatime për ushtrinë sllavo-maqedonase. A nuk është kjo ajo që me sytë e mendjes e kishte parashikuar dëshmori i kombit, guerili urban Bahri Fazliu?
Në shkrimet e tij vazhdimisht nënvizonte se apogjeu i kryengritjes shqiptare është Maqedonia, për shkak se duke qenë pikë nevralgjike për Ballkanin, faktori ndërkombëtar do të t’i përfillte kërkesat e kryengritësve. Shumë prej zhvillimeve të fundit në Maqedoni janë përsëdytje e gjendjes së vitit 2001. Në këtë kuptim, kryengritja e armatosur në Maqedoni tani më shumë se kurrë i ka gjasat që të kapitalizohet me fitore. Rrethanat diktojnë si imperativ të kohës që kryengritja shqiptare të zërojë besnikërisht nevojën për rimodelimin e Maqedonisë. Ajo ose duhet të jetë shqiptare përmes sanksionimit të shqiptarëve si element shtet-formues ose duhet të zhbëhet krejtësisht. Nuk dihet nëse përplasja e superfuqive për gjigantin imperialist ‘Gaz-prom’ është fat a fatkeqësi, por shqiptarët e kanë një mundësi të rrallë për ta avancuar kauzën e tyre. E një ndryshim i tillë nuk vjen as nga Tirana, Prishtina apo Brukseli, madje as nga ndonjë ndryshim rotativ mes Gruevskit dhe Zaevit, por nga një kryengritje e armatosur…