SYLEJMAN KRASNIQI: SABRI NOVOSELLA (MAXHUNI) I PAKUPTUESHËM DHE KUNDËRTHËNËS!

Prishtinë, 11. 04. 2015 – (Reagim ndaj shkrimit të Sabri Maxhunit (Novosella) botuar në të përditëshmën “Epoka e Re” të datës 2 prill 2015 me titullin “A kishte luftë çlirimtare në Kosovë”. – http://www.epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=5&LID=2&ACatID=4&AID=61124&Ctype=1) – Është bërë modë, sidomos këto 25-30 vjetët e fundit të mohojmë, të përdhosim dhe të ç´vlerësojmë veten tonë deri në skajshmëri. Po shkruajmë dhe po flasim për të kaluarën 50 vjeçare sikur ajo periudhë mos të kishte ndodhur fare. Po ia mëveshim të gjitha të zezat pa i vendosur ato përpara në peshojë. Përqeshja e vetvetes tani po çmohet si virtyt dhe vlerë e cila na afron shumë më shpejt drejt perëndimit. Por moda nuk është gjithmonë e shëndetshme. Më kujtohet, si nxënës i shkollës së mesme, kur i mbathnim këpucët me maja. Shputat e këmbëve na dukeshin shumë më të gjata. Kemi ndier dhëmbje në këmbë por i mbathnim me zor sepse ashtu ishte moda. Dhe kur i zbathnim ato këpucë sikur liroheshim nga prangat. Por prap të nesërmën i mbathnim se ashtu ishte moda! Edhe tani në kohën e demokracisë po e përqeshim të kaluarën tonë sepse ashtu po e lypë moda apo koha!
E vërteta është se çka duhet të përqeshet nuk bënë të kursehet. Por edhe të kaluarën nuk mund ta mohojmë të tërën, sepse për të arritur deri këtu ku jemi, edhe e kaluara duhet të ketë pasur ndonjë vlerë. Sepse edhe pa të kaluarën, ashtu si ka qenë, nuk do të vinim deri këtu ku jemi sot. Me një fjalë është bërë modë që çdo gjë para vendosjes së “demokracisë” në hapësirat shqiptare të përqeshet dhe të mohohet tërësisht dhe pa asnjë kriter. Tani për të kaluarën shohim vetëm të zeza kurse për të tanishmën shohim vetëm të bardha. Dhe kjo e bardhë gati që po na i verbon sytë nga bardhësia dhe vezullimi i tepërt. Tani të gjithë jemi bërë të mençur, të dijshëm, mendjemprehtë por edhe pehlivanë. Nga komunistë dhe ateistë të përbetuar jemi konvertua në demokratë dhe në besimtarë ekstremistë të pashoq. Kam përshtypjen që kjo ka ndodhë vetëm me ne, shqiptarët. Vetëm ne jemi duke e mohuar historinë tonë të bujshme dhe krenare.
Tani, në demokraci, gjithëkush mund ta thotë fjalën e vet lirshëm. Por e ndershme kishte me qenë që edhe atë fjalë ta peshonim pakëz. Dhe të mendojë për një moment se ajo fjalë e jona publike a do të sjell më shumë dëm apo dobi?

Ja një shembull shumë i thjesht por domethënës: Në fillet e para të demokracisë, në Shqipëri, demokratët filluan që ta çvlerësojnë Luftën Nacional Çlirimtare. Me këtë ata, si të verbuar nga entuziazmi që e hoqën komunizmin, e bënë gabimin edhe më të madh para opinionit botëror. E vunë në dyshim edhe Luftën e Dytë Botërore dhe aleancën Antifashiste. Se luftën e shqiptarëve kundër nazi-fashizmit po se po. Nga verbëria “demokratike” e shkatërruan edhe çdo gjë që e kishte ndërtuar populli shqiptarë me mundin dhe djersën e vet. Të gjitha këto u bënë në emër të zhdukjes së enverizmit, thua se vet Enver Hoxha i kishte ndërtuar ato fabrika, uzina, ato institucione shkencore, Akademi, Universitete, parqe shtëpia kulture dhe deri në muze të ndryshme të lashtësisë dhe të aktualitetit tonë. Ishte përshtypja se atëbotë do të shkatërrohej çdo gjë që gjenin përpara turmat e koordinuara nga qendra “demokratike”.
Kaluan 25 vjet nga rrëzimi i komunizmit në trojet tona dhe ende po vazhdon mohimi i çdo gjëje që është punua, krijua, ndërtua dhe u arritë nga populli ynë. Ende po gjenden “Mohikanë të fundit” dhe “Don Kishot” që po hulumtojnë nëpër kokat e tyre të qëna dhe të paqëna për njollosje të personave që e kanë bartë mbi supe zhvillimin ose moszhvillimin e vendit në ato kushte dhe rrethana.
Rasti që më bëri përshtypje, tani vonë, është shkrimi i Sabri MAXHUNIT (Novosella) i botuar në të përditëshmen “Epoka e Re” të dates 2 prill 2015 me titull “A kishte Luftë Çlirimtare në Kosovë ?!” E lexova disa herë atë shkrim por nuk e kuptova porosinë e shkrimit. Ndoshta unë nuk jam i arsimuar në nivelin e Sabri Novosellës, prandaj edhe nuk e kuptova porosinë e tij në këtë shkrim. Për mua ishte mjaft kundërthënës.
Së pari bënë vërejtje se pse “Lufta Nacional Çlirimtare e Shqipërisë” nuk u quajt “Lufta Nacional Çlirimtare Shqiptare”. Ai i sheh proqeset e së kaluarës me optikën e sotme që më së paku i thonë miopi. Por edhe sot, o Sabri Novosella, pse more ti vet nuk po e nisë një Luftë Çlirimtare Shqiptare në tërë gadishullin tonë në këtë kohën e demokracisë kur kemi kaq shumë miqë në tërë botën perëndimore?! Thua, pastaj, se Enver Hoxhën e ka pengua Milladin Popviqi cili, sipas teje dhe një dyzinë si ti, mendojnë dhe propagandojnë se Partinë Komuniste Shqiptare e ka themelua Milladini me Dushan Mugoshën. Thua se Mukja u prish nga Milladini dhe sikur ti paske qenë aty kur ai (pra Milladini) ia dha për surrati programin e shqyer të Mukjes Enver Hoxhës. Mua më mbeti e paqartë se a ishe ti vet aty apo të ka tregua kolegu yt Koçi Xoxe për programin e shqyer të Kuvendit të Mukjes të cilin ia dha për surrati Milladini Enverit. Me sa di unë në Mukje nuk ka pasë Kuvend por vetëm një Mbledhje e zakonshme e dy grupeve rivale. Më vjen shumë keq që nuk paske njohuri të mjaftuara rreth Mukjes dhe për arsyet pse u prish Mukja dhe kush ishte shkaktari i vërtetë i prishjes. Nëse nuk iu beson dokumenteve të kohës të PKSh dhe historianëve shqiptërë, atëherë lexoi dhe përpiqu që t´i kuptosh memoaret e oficerëve anglez dhe amerikan të cilët kanë qenë pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ-re. Ata me mjaftë objektivitet e paraqesin atë periudhë. Por edhe ky problem tani është leht i zgjidhshëm. Urdhëro dhe organizoje ti një Mukje (ose një Kuvend, sipas teje) me shokët e tu dhe në kohën shumë të përshtatshme demokratike. Opinioni është në dijeni se si ka patur edhe pas Mukjes, Mukje të tjera në këto 20-30 vjetët e fundit por të gjitha kanë dështua falë angazhimit tënd dhe të këtyre që sot e fajësojnë Enver Hoxhën për prishjen e Mukjes së LNÇ. Ti dyshon edhe në LNÇ-në të cilën e çmojnë dhe e vlerësojnë të gjithë aleatët e Aleancës Antifashiste të LDB-re. Këtë luftë e çvlerësojnë vetëm Uran Butka me ty dhe dy-tre të tjerë të frymëzuar nga i dështuari Sali Berisha dhe nga humbësit, e njëkohësisht, edhe bashkëpunëtorët e nazi-fashizmit të kohës së Luftë së Dytë Botërore.
Ti e quan kryekriminel edhe Fadil Hoxhën sepse e udhëhoqi,me ato mundësi që kishte, një luftë çlirimtare në Kosovë por në kushte shumëfish më të rëndë se sa mendojmë unë dhe ti bashkë. Por tani jam shumë i bindur se po mos të organizohej LNÇ-ja edhe në Kosovë, me porosinë e Enver Hoxhës, pas LDB-re edhe Kosova do ta pësonte sikurse e pësoi Çamëria nga shteti grek.
Titua deshi ta rrëzonte Enver Hoxhën me ndihmën e teneqexhiut Koçi Xoxe. Por kishte edhe qëllimin që Xoxe të emrohej në vend të Enverit. Dhe pastaj të bëhej Shqipëria republika e shtatë e Jugosllavisë. Tani dikush dëshiron që nëpërmjet rrobaqepësit të denigrohet figura e Enver Hoxhës ashtu si është me të mirat dhe dobësitë e tija, sikur të çdo njeriu tjetër. Me këtë reagim nuk kam për qëllim të mbroj figurën e Enver Hoxhës. Jo. Asesi. Ai mbrohet me të bërat dhe të pabërat e tija. Më së miri dhe më së lehti e mbron vepra e ti e mbarë ose e mbrapësht ashtu si e ka gatua vet.
Dhe për fund po të tregoi një ndodhi të Haxhi Zekës: Një nga përcjellësat e Haxhi Zekës një ditë i thotë Haxhiut se Filan Fisteku ka vendos me bë atentat në ty. Dhe e këshillon të ketë më shumë kujdes për veten e vet. Haxhiut nuk i kujtohet ky njeri. E pyet përcjellësin se mos i kemi ndihmuar ndonjëherë këtij njeriu. Përcjellësi, pasi i kontrollon ditarët e Haxhiut, i thotë ati se këtë njeri nuk e kemi ndihmuar kurrë, por as që kemi pasur ndonjëherë takim me te. Dhe Haxhiu pa një pa dy ia kthen përcjellësit: Ky njeri nuk mundet me bë atentat në mua sepse nuk i paskemi ndihmua kurrë. Kurse mes teje dhe Enver Hoxhës janë raporte të tjera nga kjo mes Haxhi Zekës dhe atentatorit Filan Fisteku…

– Sylejman Krasniqi, kontakti-mob: 044/049-169-049 & lysa-68@hotmail.com.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura