Prishtinë, 23. 06. 2015 – Javën që lamë pas, shqiptari Alush Alushi, i njohur edhe si Alush Suhadolli (75 vjeç) pas përpjekjeve shumëvjeçare arriti ka kthejë shtëpinë e tij në pjesën veriore të Mitrovicës. Ky akt tepër i rrallë i lirimit të një pjese të pronës së uzurpuar nga serbët, shkoi aq larg sa që u quajt edhe historik!!!
Shtëpinë e tij, që gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, ngjitur me shkollën fillore “Aziz Sylejmani” (që tash është bërë “Sveti Sava”!!!), siç tha Alushi, ia kishte uzurpuar qysh gjatë kohës së luftës, polici i MUP-it të Serbisë dhe pjesëtari i grupit famëkeq “Rojat e Urës”, Danillo Iliq, i përfshirë edhe në kontrabandë e krim të organizuar. Uzurpimi i pronës së familjes Alushi, kishte ndodhur në të njëjtën ditë kur një grup i forcave policore e paramilitare serbe, Alush Alushit ia kishin vrarë në oborrin e shtëpisë së tij katër anëtarë të familjes: dy djemtë e tij Hilmiun dhe Avniun, të vëllanë Fehmiun dhe djalin e vëllait Rexhepin.
– Alush Alushi –
Lidhur me këtë rast, sipas dëshmive të dëshmitarëve okularë, të publikuara me kohë nga kryetari i Qendrës Rajonale për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë, Halit Barani (shih gjerësisht edhe: Halit Barani, Tmerri i Dokumentuar, Mitrovicë, 2009, f. 4, 230, 304-305), më 28 mars 1999, në orët e pasdites, në fshatin Suhadoll të Mitrovicës, katër paraushtarakë dhe katër policë serbë, shumica prej tyre të identifikuar, kishin hyrë në oborrin e shtëpisë së Alush Rexhep Alushit në Suhadoll të Poshtëm, ku i ekzekutuan Fehmi Rexhep Alushin (1950), Rexhep (Fehmi) Alushin (1981), Hilmi (Alush) Alushin (1967) dhe Avni (Alush) Alushin (1975). I njëjti njësit i forcave serbe prej andej e vazhdoi rrugën për në Mitrovicë, ku në afërsi të kafenesë “Te Llapa”, i ekzekutuan edhe Eshref (Fazli) Eminin (1946), Qerim (Brahim) Rexhepin (1948) dhe Ahmet (Qerim) Rexhepin (1981) nga fshati Suhadoll i Mitrovicës, miq të familjes Alushi. Përveç vrasjeve e ekzekutimeve të këtyre anëtarëve të familjes, në periudhën prej 15 prillit deri më 19 prill 1999, në shtëpinë e Alush Alushit, forcat okupuese serbe, disa prej të cilëve i ka njohur pronari, plaçkitën 420 mijë marka gjermane, 20 mijë franga zvicerane, 10 mijë dollarë amerikanë, 12 tonë qirinj në vlerë prej 72 mijë markave, 2 mijë kilogramë kafe në vlerë prej 30 mijë markave gjermane dhe 26 mijë kg patate në vlerë prej 26 mijë markave gjermane, për të cilat dëshmitar okular është vet Alushi dhe disa fqinj të tij, thuhet në dëshmitë e KMDLNJ-së.
Gjatë këtyre ditëve, veç tjerash, Alush Alushi, u deklaroi medieve se Danillo Iliqi jo vetëm që ia ka uzurpuar shtëpinë, por është një nga të dyshuarit kryesorë që ia ka vrarë të dy djemtë, vëllanë dhe djalin e vëllait gjatë luftës. “Iliqi ka menduar se e tërë familja ime është zhdukur-vrarë nga forcat serbe, por për fat të mirë kam shpëtuar unë si dhe meshkuj të tjerë, të cilët do t’i dalim zot pronës tonë që e kemi në qendër të pjesës veriore të Mitrovicës… Polici i Serbisë Danillo Iliq, që dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e dy djemve të mi, vllaut dhe nipit, pas lufte më ka pas dërguar fjalë se nëse të shoh në veri do të të vras edhe ty”.
Polici i MUP-it të Serbisë dhe pjesëtari i grupit famëkeq “Rojat e Urës”, Danillo Iliq.
Përveç shtëpisë, Alushit i janë uzurpuar edhe dy dyqane, po në pjesën veriore të Mitrovicës. Madje, pas përfundimit të luftës, polici i Serbisë, Danillo Iliq, kishte ndërtuar edhe një shtëpi tjetër në oborrin e shtëpisë së uzurpuar, përkundër ankesave dhe padive të vazhdueshme të pronarit legjitim Alush Alushi, të bëra në organet gjyqësore. “Që nga ajo kohë unë jam duke u endur nëpër polici dhe gjykata dhe më në fund Gjykata Themelore e Mitrovicës pasi që ka konfirmuar se prona është e imja, ka sjellë edhe vendimin për largimin e Danillo Iliqit nga prona e ime që gjendet në zemër të pjesës veriore të Mitrovicës”, ka thënë Alushi.
Dita e ekzekutimit të vendimit të gjykatës do të duhej të ishte 29 maji 2015, por si zakonisht, jo vetëm atë ditë, por edhe dy herë të tjera më pas, pjesëtarë të strukturave paralele të sigurisë në veri të Kosovës, kolegë të Iliqit, të cilët kishin sjellë aty edhe nxënës të shkollave të mesme, e kishin penguar zbatimin e vendimit të gjykatës.
Edhe në këtë rast publikisht u dëshmua veprimtaria e pandërprerë dhe e organizuar e strukturave të të ashtuquajturës “Civilna Zaštita” (“Mbrojtja Civile”) të Serbisë. Siç dihet, pjesëtarët e formacionit që vepron jashtëligjshëm në territorin e Republikës së Kosovës, “Civilna Zaštita”, urdhrat i marrin nga kryetarët e komunave serbe në veri të Kosovës. Ata i zbatojnë planet që hartohen nga Beogradi zyrtar, kurse shumica e udhëheqësve të kësaj organizate, janë me të kaluar ushtarake.
Siç u tha, Danillo Iliqi e liroi shtëpinë e Alush Alushit, nën presionin dhe me kërkesë të drejtuesve të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, dhe me kërkesë edhe të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq. Kështu, të paktën u deklaroi medieve vet Iliqi derisa po largohej nga prona që e kishte uzurpuar.
Një veprim i tillë, sigurisht ka ndodhur në prag të bisedimeve shqiptaro-serbe, të paralajmëruara për 23 qershor në Bruksel.
Sidoqoftë rasti i Alush Alushit edhe një herë e aktualizoi çështjen e mosndëshkimit të kriminelëve serbë të luftës dhe padrejtësitë e bëra ndaj shqiptarëve në veriun e Kosovës, madje jo vetëm atje, e dëshmoi vazhdimësinë e funksionimit të papengueshëm të formacioneve paralele serbe të sigurisë në territorin e Republikës së Kosovës, e tregoi ndikimin e Beogradit mbi minoritarët serbë në Kosovë dhe e riaktualizoi çështjen se kriminelët serbë të luftës shëtisin lirshëm dhe nuk përgjigjen para drejtësisë edhe kur faktet janë të bollshme. I tillë është rasti i Danillo Iliqit, që nuk është rast i izoluar.
– Autorja është bashkëpunëtore profesionale në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL) – Prishtinë.