DR.SADRI FETIU: DEMARKACIONI DHE DENIGRIMI

Prishtinë, 8 dhjetor 2017: Janë këto dy fjalë me origjinë latine dhe po përdoren dendur në pothuajse të gjitha gjuhët evropiane. Demarkacionin e dëgjuan si shprehje gjatë këtyre viteve shumica e shqiptarëve gjysmë të shkolluar dhe të shkolluar, ndonëse shumë prej tyre nuk e kuptuan thelbin e kësaj fjale. Madje edhe ata që janë marrë drejtpërdrejt me të ka shenja se nuk e kanë kuptuar ose nuk kanë dashur ta kuptojnë si duhet, sepse e kanë ngatërruar me një fjalë tjetër, e cila i paraprin apo duhet doemos t’i paraprijë demarkacionit e kjo fjalë ështe delimintacioni apo delimitimi.
Pra, ta themi shkoqur atë që thuhet në enciklopedi të ndryshme: demarkacioni është shënimi i vijës kufitare ndërmjet shteteve në terren, pasi që të jetë bërë delimitacioni – delimitimi (përkufizimi – tërheqja e saj) në aspektin e të drejtës ndërkombëtare sipas kritereve me të cilat përcaktohen vijat kufitare ndërmjet shteteve.
Kësaj radhe nuk është nevoja të merremi më gjatë me demarkacionin, sepse gati që është bërë shprehje irituese për shumicën e njerëzve, që po e dëgjojnë për çdo ditë.
***
Radhën e ka shprehja denigrimi, e cila mund t’i përmbledhë me një fjalë disa nga reagimet e personaliteteve tona dhe të huaja lidhur me raportin e Komsionit shtetëror që para pak ditësh e paraqiti para Qeverisë Haradinaj, udhëheqësi i këtij komisioni, profesor Shpëtim Bulliqi.
Udhëheqësit e Kosovës, që e kanë nënshkruar marrëveshjen me Malin e Zi, janë përgjegjës të drejtpërdrejtë, sepse i kanë dëmtuar interesat e shtetit – territorin – sovranitetin – e Kosovës, folën me një gjuhë denigruese – përbuzëse, fyese dhe shpifëse – për Raportin e Komisionit qeveritar të paraqitur në mbledhjen e Qeverisë nga kryetari i këtij komisioni, prof. Shpëtim Bulliqi. U rënditen kështu me radhë, mbase për “t’u hyrë në hatër“ autoriteteve ndërkombëtare, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeministri, Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni e të tjerë që ta denigrojnë punën e Komisionit me fjalë fyese e shprehje ironike. Në këtë drejtim, sipas të gjitha gjasave, priu ambasadori amerikan, Greg Dellawi, i cili nuk ngurroi aspak që, për hir të autoritetit të shtetit të tij, të jetë më i matur, të flasë me gjuhë diplomatike, por shkoi ”me top në gol” me fjalën “broçkulla” (?!). Si ambasadori i Amerikës, ashtu edhe të gjithë servilët e tij nga Kosova, nuk e paraqiten asnjë argument (pra, asnjë për be!) për t’i kundërshtuar konstatimet e Raportit, por me një gjuhë të vrazhdë denigruese u munduan ta diskualifikojnë në tërësi punën e Komisionit qeveritar.

Që të gjithë këta folën, pastaj edhe me një gjuhë të përvajshme (madje, derdhën edhe lot krokodili!) për fatin e popullit tonë që mu për shkak të demarkacionit nuk po e gëzuaka të drejtën e të ashtuquajturit “liberalizim të vizave”, duke harruar se Bashkësia Evropiane për këtë çështje Kosovës i ka parashtruar edhe kërkesa të tjera, siç janë: çrrënjosja e krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupcionit, për çka të gjithë këta denigrues të prof. Shpëtim Bulliqit dhe të prof. Zejnullah Grudës, si udhëheqës më të lartë të Kosovës, kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë, sepse nuk kanë bërë pothuajse asnjë veprim të mirëfilltë në këtë drejtim. Përkundrazi, mund të thuhet lirisht se, mu ata vetë janë në krye të valles së aferave korruptive!
Më në fund, sa i përket vijës kufitare me Malin e Zi, kjo është një çështje që nuk kërkon dokumente dhe dëshmi të veçanta. Të gjithë ne, qytetarët pak më të moshuar të Kosovës, që me dhjetëvjetësha i kemi kaluar pushimet verore në bregdet, në Mal të Zi, e dimë mirë se kufiri ka qenë gjithmonë në Kullë dhe në Çakorr, prandaj askush nuk mund të besojë se me vijën e re të kufirit, të caktuar nga Komisioni i Murat Mehës (të nënshkruar nga Hashimi dhe shokët e tij), Kosova nuk e humb një pjesë të territorit të saj.
Kur e dimë se asnjë shtet nuk e ka dhënë asnjë centimetër të territorit për ta realizuar të drejtën “e liberalizimit të vizave” për në Evropë, atëherë mund të shtrohet pyetjet: Pse vallë, u dashka që ne ta sakrifikojmë tërësinë territoriale për një çështje të këtillë?! Pse Kosova duhet të dënohet edhe në këtë rast, në kohën kur edhe Serbia, shteti që i ka shkaktuar të gjitha luftat e fundit në Ballkan, që është përgjegjëse për të gjitha krimet, e gëzon një të drejtë të këtillë pa bërë kurrfarë koncesioni?!
Sadri Fetiu: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura