Tiranë, 27. 06. 2015 – Sa herë që flitet për Çamërinë, gjëja e parë që të vjen ndër mend është gjenocidi grek i kryer ndaj popullsisë së saj. Në çast të shfaqet në sy, Napoleon Zerva, (sivëllai shpirtëror i Millosheviçit i padënuar ende si kriminel lufte) i kapardisur me spaletat e gjeneralit mbi skelete kufomash të pafaj. Ndërkohë që rrëzë kalasë së Artës, kryeqendrës së princit shqiptar Gjin Bue Shpata, monomenti i tij mbi kalë edhe sot u jep kushtrim lufte andartëve për drejt jugut të Shqipërisë.
Imazhi ngjethës menjëherë faneps Paramithinë. 27 Qershori i 1944-ës është Shën Bartolomeu i saj. Afro 600 çamëmyslimanë u vranë e u prenë brenda një nate atje. Thjesht dhe vetëm pse ishin shqiptarë. S’u bë dallim mes tyre as në gjini e as në moshë. Nënave shtatzëna iu nxorën foshnjat nga barku dhe u varën porsi flamuj majë bajonetave të përgjakura. Të rejat u përdhunuan. Pleqtë ulokë u dogjën në shtrat. Zjarri kaploi Karbunarin, Margëlliçin, Gumenicën, Pargën, të gjithë Çamërinë. Genocidi zervist i mbështetur fuqishëm prej Athinës zyrtare arriti pikun në Filat. Numri i të vrarëve po shkonte në afro 3000 vetë. Në këtë qytet çam, zervistët vranë mbi 1200 njerëz. Epilogu i gjëmës mbetet kufiri shqiptaro-shqiptar. Tashmë si në një film të vjetër bardhë e zi shfaqet kalvari i pafund i çamëve me foshnje e bohçe në duar që rropatet zbathur drejt Qafës së Botës. Në Kllogjer, për shkak të stërmundimeve, të stërlodhjes dhe sëmundjeve do mbyllin sytë pothuajse tre mijë çamë të tjerë. Pra, tragjedia më e re greke do ulë siparin me rreth 6000 shqiptarë të pajetë. Nga dhimbja, ullinjtë e lashtë u përlotën, u kërrusën më shumë.
Kriminelët grek në krye me kryekriminelin Napoleon Zerva!
Por kjo nuk është e gjitha. Genocidi grek ndaj çamëve myslimanë është gjysma e së keqes. Si të thuash, është njëra anë e medaljes. Është ajo faqe e historisë sonë, për të cilën ne të gjithë, kush më pak e kush më shumë kemi njohuri. Kurse faqja tjetër e saj, ajo më pak ose aspak e njohur prej nesh lidhet me Çamërinë e përtej kufirit, lidhet me vëllezërit tanë të një gjaku atje, pra me çamët ortodoksë. Historia e tyre është po ashtu e dhimbshme. Kjo jo vetëm pse pjesa më atdhetare e tyre e përjetoi genocidin zervist njësoj si çamët myslimanë, (këtu s’mund të harrojmë kurrë Spiro Çallukën, Sotir Këtupin, Spiro Nikoll Vëllazëroi, Vangjel Agjin etj), por sepse ata për afro 70 vjet rresht po përjetojnë etnocidin më të rëndë që po njeh Europa e pas Luftës së Dytë Botërore e që synon ligësisht t’iu zhbëjë atyre nga shpirti këngën, doket, zakonet, vajet, vetë gjuhën amtare.
Po pse, do lartojë zërin ndonjë kritizer i yni, kaq të larë janë çamët ortodoksë në raport me genocidin zervist?! Pse s’ka pasur mes tyre bashkëpunëtorë?! Sigurisht që ka pasur. Kjo nuk mund të mohohet. Për dreq, shqiptarëve s’iu kanë munguar gjakprishurit. Ata, për ofiqe e për para kanë shitur jo vetëm vatanin, por edhe nënën e babanë. Ndërkohë që nuk duhet të harrojmë se me qindra familje çamësh të krishterë, jo vetëm hapën portat duke i fshehur brenda konakëve të tyre vëllezërit myslimanë, por një pjesë e mirë e tyre hodhën në kurriz rrezikun e madh duke i shoqëruar ata deri në kufi. Të mos harrojmë gjithashtu se pjesa dërmuese e ushtrisë së Napoleon Zervës përbëhej prej ardhacakëve grekë të Anadollit në Çamëri, si dhe nga mercenarët kretjanë. Natyrisht kësaj force nuk mund të rrinin pa iu bashkëngjitur edhe banditët e batalioneve të vdekjes të Ponajotis Dertilisit që bënte ligjin jo thjesht në Athinë, por në të gjithë Greqinë.
Por le t’i kthehemi etnocidit grek ndaj çamëve ortodoksë. Të përpiqemi të hedhim pakëz dritë mbi këtë mjegullnajë të dendur që hera-herës na bën t’i konsiderojmë ata si të asimiluar, si të paqenë. Janë disa arsye që dritësojnë realitetin e tyre të rëndë. Më kryesori është fakti se çamët ortodoksë kanë frikë të shprehen haptazi në gjuhën e tyre amtare, pasi grushti i egër i shtetit diktatorial-nacionalist grek do të binte mbi ta pa mëshirë porsi një çekiç i rëndë pneumatik. Pastaj është presioni survejues i ardhacakëve të Anadollit, të cilëve iu vret veshin gjuha e tyre. Është edhe kisha, prifti, peshkopi, vetë kryepeshkopi i Athinës dhe i Tiranës. Për rrjedhojë, çamo-thesprotishtja e vjetër, apo ‘gjuha e perëndive’ siç e cilësonte at Arestidh Kola i madh, belbëzohet brenda familjes apo fisit, si prej atij motakut që ende nuk ka zënë të ecë e po ashtu edhe prej atij plakut i cili nuk mund të çapë më tutje pasi këmbët e kanë lënë. Për arsimim apo për shkolla në gjuhën shqipe s’bëhet fjalë fare. Atyre pak që mbaheshin hapur me pahir deri në vitin 1944 iu vu kyçi fill pas genocidit ndaj çamëve myslimanë. Lëre më pastaj të mendosh për të hapur ndonjë gazetë, ndonjë kanal televiziv privat apo të botosh ndonjë libër në shqip. Një ide e tillë do të përbënte një herezi dhe do të dënohej me rreptësinë më të madhe. Prandaj studiues të njohur, siç është rasti i pellazgologut Niko Stillos (çam ortodoks nga rrethi i Prevezës) punimet e tyre i botojnë në Tiranë, në Shqipëri.
Por le të bëhemi realistë. Të mos ua hedhim si rëndom fajin vetëm të tjerëve. Le të mësohemi të mbajmë përgjegjësi edhe mbi shpatullat tona. Për këtë arsye gjykoj se një ndër shkaqet kryesore të këtij etnocidi lidhet me vetë ne, me politikën inferiore të Shqipërisë ndaj fqinjit tonë të jugut. Paçka se pakica greke në vendin tonë gëzon standardet më të larta ndërkombëtare, shteti shqiptar vazhdon ta lërë ende jetim fatin e çamëve ortodoksë në Greqi. Kurse Europa sikur nuk para dëgjon mirë nga ai vesh. Personalisht nuk kujtoj asnjë rast kur qeveritarët tanë në takimet bilaterale me qeveritarët grekë ta kenë ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave të tyre legjitime. Rasti më domethënës, më tipik mbetet vizita më e fundit e Karolos Papuliasit në Shqipëri. Madje edhe ahere kur ata përmendin çështjen e çamëve myslimanë shprehen me zë të mekur. Siç duket tuten, pra kanë frikë se shtypi e mediat greke do i anatemojnë si nacionalistë anti-europianë.
Ndërkohë vetvetiu më vjen ndër mend një ngjarje e treguar kohë më parë prej mikut tim Andrea, (ish-pjesëtar i Ansamblit të këngëve dhe valleve popullore) që lidhet direkt me sivëllezërit tanë çamë ortodoksë. “Kam qenë në Çamëri në të hyrë të viteve tetëdhjetë, – më kish thënë ai. Atëherë pati nisur një bashkëpunim kulturor mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ansambli ynë do jepte një shfaqje në Gumenicë. Stadiumi i qytetit qe mbushur plot e përplot disa orë përpara fillimit të shfaqjes sonë. Si i thonë fjalës, s’kishte vend ku të hidhje as edhe kokrrën e mollës. Kur nisi koncerti ynë, stadiumi u ngrit në këmbë. Duartrokitjet dhe brohoritmat nuk kishin të sosur. Këndo ne në skenë, këndo populli në shkallë. Kur zumë vallet, njerëzia nuk u përmbajt dot. U dyndën në fushë. U bënë një me ne. Kërcenim së toku. Me lot në sy. Nuk do e harroj kurrë atë ditë. Ka qenë ndër më të bukurat, ndër më emocionueset në karrierën time”.
Aq domethënës e aq i dhimbshëm është ky tregim sa nuk ka nevojë për koment. Këta janë vëllezërit tanë çamë ortodoksë. Më një anë thjeshtër e me një anë jetim. Kokulur, zëkëputur. E pastaj përse historianë grekë të sojit Ballciotis e të mos i konsiderojnë ata si një shtresë popullsie e padukshme, e pa rënë në sy në Çamëri. Veç e vërteta, realiteti i kësaj popullsie është krejtësisht ndryshe. Të padukshme, në mjegull këtë popullsi autoktone e thjesht shqiptare e bën platforma e Megalidesë që e mbështetur fuqishëm edhe prej Patriarkanës së Stambollit prej shekujsh ka vënë e po vë shenjën e barazimit mes shqiptarëve ortodoksë e grekëve, përfshi këtu çamët e krishterë. Në këtë këndvështrim, veç shtetit tonë, përgjegjësi jo të vogël mban edhe media, shtypi shqiptar, historianët tanë, të cilët jo vetëm gjatë diktaturës por edhe tani në demokraci po mbajnë një qëndrim të përgjumur ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme.