Prizren, 07. 07. 2015 – Vetëm kur dëgjohet emri i qytetit të Prizrenit, të gjithë shqiptarët nga të gjitha trevat e kombit, e dinë mirëfilli se bëhet fjalë për qytetin më të bukur dhe më të begatë të trojeve shqiptare. Prizreni i Lidhjes Shqiptare të 10 qershorit 1878, ka një histori të lashtë që daton që nga koha e Dardanëve e më herët. Pastaj kemi Prizrenin e kohërave të perendorive: romake, bizantine e osmane, pra si vazhdimësi e ekzistimit ndër shekuj. Por qëllimi im nuk është pasqyrimi i së kaluarës historike të këtij qyteti, kësaj radhe dëshirojë t’i mbetem besnik titullit të këtij shkrimi.
Kontributi i prizrenasëve për liri dhe pavarësi të Kosovës
Në të gjitha periudhat dhe ngjarjet e historisë sonë më të re, kontributi i prizrenasve ishte koherent në përpjekjet e përgjithëshme, për liri dhe pavarësi të Kosovës.
Me këtë rast vlen të kujtoj:
1. Periudhën e pas luftës së dytë botërore – kohën e Informbyrosë;
2. Periudhën e Rankoviqit (Cicës në Prizren) – shpërnguljen e prizrenasve për në Turqi;
3. Periudhën e demonstrateve të vitit 1968;
4. Periudhën e demonstratave të vitit 1981;
5. Periudhën e organizimit të veprimtarive ilegale…;
6. Periudhën e demonstratave të viteve 1988/89;
7. Periudhën e organizimit paqësor – politikë e luftarak – të viteve 90’të;
8. Periudhën e themelimit dhe organizimit të celulave të UÇK’së;
9. Periudhën e krijimit të shtabit lokal dhe të brigadës 125 me miratimin e ShP të UÇK’së 1998 – 1999; dhe
10. Periudhën e pas luftës – pluralizmin politikë (2000 – 2015).
Në të gjitha këto periudha e ngjarje të historisë së re të Kosovës, angazhimi, përpjekja dhe sakrifica e prizrenasve, për asnjë moment nuk ka munguar. Rrjedhimisht ishin të paluhatshëm, me dinjitet, faqebardhë e kokëlartë dhe si të tillë kontribues për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Pse Prizreni është bërë hambar i partive politike dhe liderëve të tyre?
Prizreni, jo vetëm për të kaluarën historike, por edhe për begatitë ekonomike, tregtare e biznesore, si dhe për virtytet civile e kulturore që ka është për t’u lakmuar. Duke pasur edhe këto karakteristika, për asnjë moment nuk ka qenë dashtë të harrohet ky qytet…
***
Prizreni ka edhe:
1. Pozitën gjeografike;
2. Traditën për punë;
3. Urtësinë, mirësjelljen, respektin për të tjerët; dhe
4. Bashkëjetesën me komunitetet.
Edhe këto cilësi e virtyte Prizrenin e kanë bërë dhe e bëjnë të veçantë si qytet të bukur, që shtrihet buzë lumbardhit e nënkalanë historike.
Por lind pyetja:
– Ata që sot qeverisin me Kosovën a janë duke i respektuar këto virtyte të prizrenasve?
– e vërteta tregon jo, hiq fare!!!
Ata që sot janë në kupolën e politikës dhe të institucioneve shtetërore, jo vetëm që nuk i kanë vlerësuar apo çmuar këto virtyte, përkundrazi duke u sjelluar në stilin e kapadaive e të kapobandave kanë shkelur rëndë mbi këto vlera.
Pse konsiderojmë se Prizreni është shfrytëzuar si hambar nga partitë dhe liderët e tyre, vetëm për t’i plotësuar egot dhe qëllimet e veta personale e grupore?!
Këtë fakt mund ta argumentojmë me mospërfaqësimin e prizrenasve në strukturat qëndrore të partive politike, në institucionet qëndrore të shtetit etj:
1. Shikoni përfaqësimin e prizrenasve nëpër strukturat qëndrore të partive politike!
2. Shikoni përfaqësimin e prizrenasve nëpër organet e qeverisë së Kosovës!
3. Shikoni përfaqësimin e prizrenasve nëpër ambasada e konzullata të Kosovës!
4. Shikoni përfaqësimin e prizrenasve nëpër organizatat dhe agjensitë e ndryshme që veprojnë në Kosovë!
Askund nuk përfaqësohet qytetari i Prizrenit, i cili i qëndroi besnik kontributit për liri e pavarësi të Kosovës, dhe jo vetëm këtij procesi të pavarësimit, por edhe vetë partive politike që me mund e sakrifica u solli me bollëk vota, ndërkohë që sot plotësisht po injorohet, nënçmohet dhe për më tepër është poshtruar e përdhosur ky vullnet e mund, pikërisht nga ata – nga liderët dhe tërë klasa politike e institucionale e Kosovës!
Besojmë se ka ardhurë koha që Prizrenasit t’i thonë mjaft më këtij trendi!