Prishtinë, 10. 09. 2015: Thonë se kudo që shkon, dashuria e malli të vijnë pas si hije dhe duke u mbështetur në këtë postulat të filozofisë së popullit, historia dhe liria, janë përherë të gërshetuara në mes vete dhe kulmojnë me ngjarje madhore. Atëherë, gjatë zhvillimeve historike, ne, të zotët e kësaj toke, me marshime biblike, u bëmë të entuziazmuar që më në fund të shijojmë lirinë dhe frymëmarrjen jetike. Dikush do të pyeste, çfarë ka të bëjë qyteti i bukur i Nicës me UÇK-në, dhe vërtet është për tu habitur!!!… Por, ndodhë shumë shpesh kur njeriu nuk e mendon dhe as që i shkon ndërmend dhe paf… para teje del diçka që nuk e ke pritur. Gjatë pushimeve të verës së sivjetme (2015), (pasi se jemi familjarisht të dhënë pas eksplorimit të vendeve të reja), unë, bashkëshorti im (Prof.dr. Tefik Basha, vajza Prof.dr. Arta Basha-Jakupi, arkitekte dhe dy nipërit tanë (Gerti e Darsi), morëm një rrugëtim për të vizituar pjesën veriore të Italisë: Bolonjë, Firencë, Piza, Xhenova, Sanremo e për të vazhduar për Monako-Monte Karlo, për të kaluar për ca ditë të mrekullueshme në qytetin francezë-Nicën e ëndrrave, me plazhet më të bukura e më të mahnitshmet të detit Azur. Destinacioni i ynë ishte Monako, por kënaqësia përjetohej në rrugëtimin që bënim të gjithë s’bashku dhe shihnim vendet më atraktive të Italisë dhe duhet thënë se veç rrugëve të mrekullueshme më së shumti na joshën tunelet e urat e shumta që kalonim gjatë rrugëtimit.
Histori në vete ishte qyteti i Nicës, që për këtë radhë nuk do i përmendi edhe qytetet tjera të rrugëtimit. Diku, kah mesdita arritëm në qendrën e qytetit dhe ashtu pa bërë plan vendosem që të qëndronim më gjatë në të. Nica të bënë për vete posa të shkelësh në truallin e saj, dhe kjo e papritur ndodhi edhe me ne. Një qytet – përrallë, me plotë drita, vezullues, i pastër, lule në çdo cep, rrugë të gjëra, fontana të shumta, me njerëzit më mirëpritës që i hasje në çdo hap dhe që ishin të gatshëm të ndihmonin për çdo gjë. Nica ishte një botë e vogël në miniaturë. Me sheshet e rrugët e sheshta e të gjera hasje turist nga çdo anë, veshje e ngjyra të ndryshëm. Jeta kulturore ishte e organizuar aq mirë sa në rrugët e qytetit mund të qëndroje 24 orë dhe vazhdimisht si në një ekran gjigant jepeshin programe të ndryshme artistike nga shumë vende të botës dhe nuk mund të ndjeje lodhje.
Gerti i vogël, dhe tri shkronjat UÇK në rrugën “Rue de Congres” të Nicës!
Derisa kërkonim një restorant për të drekuar, na ra në sy një mbishkrim në gjuhën turke që na dëftonte se punon 24 orë, por u desh dy e tri herë të shkonim rrotull që të lirohej ndonjë tavolinë për tu ulur aty. Pas një ecejake të gjatë u lirua një vend në restorant. Pas “debateve” me nipërit se çfarë do të hanin, kuptohej në gjuhën shqipe, kamerieri që shërbente na buzëqeshi ëmbël dhe na pyeti në gjuhën shqipe se prej nga jemi. Shqiptar ishte Amiri. Ngelëm këndshëm të befasuar. Na tregoi se ishte nga Opoja, dhe kishte të përfunduar Fakultetin e Gjeografisë në Stamboll. Kishte shkuar në do vite të egra kur vështir ishte të jetohej në Kosovë. Na qerasi me nga një pije dhe na informoi për shumëçka. Sa bukur, mendova, kur në çdo vend has në bashkëkombësit e tu por pa u lëshuar në arsyet e tyre pse kishin ardhur aty…
Mezi prisnim që të shkonim në plazhet e mëdha e të bukura të Azurit. Dhe, në ditën e nesërme, herët në mëngjes, duke shkuar të entuziazmuar, papritmas, Gerti bërtiti i befasuar “Ooho shikoni …shikoni se çfarë shkruan këtu…” , ne u ndalem duke menduar se çfarë kishte parë Gerti i vogël, por assesi të shihnim shkrimin që e përmendte ai me aq entuziazëm.
– Ja…Ja… këtu… në trotuar… shikoni se çfarë shkruan, bërtiste ai dhe në një mënyrë na akuzonte se si nuk mund të shihnim shkronjat e mëdha, aq shumë të dëshiruara. U afruam. E çfarë të shohim, me germa të mëdha dikush e kishte shkruar – UÇK. O zot, shtangëm që të gjithë, si ishte e mundur mu në zemër të Nicës të shkruhen germat emblematike. Sa bukur… shiko sa bukur tha Tefiku, dhe miliona pikëpyetje u shtruan në rrugën “Rue de Congres” të Nicës. Gerti edhe më tej sillej andej e këndej duke na treguar me gishtin e vockël se çfarë kishte zbuluar. E Darsi, kërkonte me çdo kusht që të fotografohej pran germave. I plotësuam dëshirën.
Shumë ngjarje mu sollën në mendje kur i pash ato tri shkronja të mëdha, të shkruara në rrugën më të frekuentuar të Nicës. Po ashtu, në atë moment shkronjat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mu duken aq gjigante sa një botë e tërë. Gjigante, vërtet ishin, ngase padashur mu kujtua rrugëtimi i gjatë i atyre shkronjave të kuqe – gjak. Se, duke ecur rrugës së zhvillimit të saj, nuk mund të shihet lufta e UÇK-së, e izoluar nga rrugëtimi i egër bibliko – historik i popullit tonë. Gjithashtu nuk mund të mendohet lufta e shqiptarëve pa dashurin e madhe për lirinë e atdheut. Duhet analizuar shkrimin e këtyre tri shkronjave dhe shkruesin anonim të tyre dhe padashur na del para qëndresa biblike e popullit shqiptarë që kap përmasat e pazakonta historike, filozofike, rezistuese, flijuese e shkencor që përcaktues kanë përmasat ekzistencialiste duke marrë me kohën edhe përmasat e luftës titanike të shekullit të kaluar e shumë shekujve tjerë.
UÇK, janë tri shkronjat që i hasëm në rrugën më të qarkullueshme të Nicës, e që mund të hasen gjithandej ku jetojnë dhe kalojnë shqiptarët. Se, ato në vete, ngërthejnë dukurin e papërsëritshëm të heroizmit të popullit tonë heroik.
Pastaj, menduam gjatë se kush kishte mundur të jetë autori i atyre tri shkronjave, që në ato ditë korriku ndiheshim jashtëzakonisht krenar. Dhe vërtet, filozofia e popullit del të jetë masë e saktë kur e thash edhe në fillim të këtij shkrimi se dashuria e malli të vijnë pas si hije, se ai, që i kishte shkruar germat- simbol të qëndresës, kishte ndje atë mallin e krenarin e historisë së lavdishme dhe pa hezituar i kishte skalitur në rrugë germat- simbol. Sigurisht se në atë moment nuk ka menduar se kishte bërë një gjest të mrekullueshëm, duke lënë gjurmën e pashlyer në rrugën kryesore të Nicës, që e frekuentonin me miliona turist nga i tërë globi. Se kjo shenjë unikale, e papërsëritshme, ishte shenjë dalluese se ata që e duan lirin edhe e fitojnë. Dhe duhet shtuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u udhëhoq nga filozofia jetike e popullit liridashës se, kush dëshiron të bëjë diçka të madhe, duhet të heqë dorë nga diçka e madhe, ta sakrifikojë jetën. I ndërgjegjshëm se kur të humbësh jetën për diçka të madhe, e fiton dhe e meriton përjetësinë. Andaj, luftëtarët e UÇK-së, edhe sot, edhe nesër do të jenë krenar për heroizmin e rrallë që treguan, për shkak se në të gjitha ato beteja, frymonte dashuria për lirinë dhe dashuria për atdheun e lirë, gatishmëria për flijimin dhe vetë flijimin. Lum ai popull që trimat e vet dhe sakrificën e tyre i ruan në përmendore, në muze, në libra shkollorë, në memoare, dhe në vet historinë kombëtare duke iu thurur lavde e pavdekësi. Lumë ai që me besimin e atdhe dashurisë skalit germat në zemër e në këmishën e tokës kudo që është. Të lumtë Ty, o trim që në rrugën e Nicës shkrove – UÇK, dhe për dashurin e madhe që ndjeje për AT-DHEUN tënd në tokën e huaj se kur të harrojmë të kaluarën thotë Santajana jemi të detyruar ta përsërisim atë.