Durrës, 16. 09. 2015: I kalova, para disa ditësh, një për një, të gjitha mobileritë e Durrësit. Më duhej një librambajtëse, një raft librash apo bibliotekë, siç e cilëson edhe fjalori, duke ia ngatërruar keqas kuptimin. Nuk gjeta asgjëkundi. Asnjëra nga të quajturat mobileri, sallone ku shiten orendi shtëpiake, nuk mbante për shitje kurrfarë mobiljesh për librat. Kishin rrobambajtëse, garderoba, disa llojesh, kishin enëmbajtëse apo pjatambajtëse, nga ato që quajnë bufe e kontrabufe, kishin tavolina të madhësivet e formavet nga më tërheqëset. Çfarë nuk kish në ata sallone, që t’i merrnin sytë dhe ta mbushnin shpirtin me dëshirën për të pasur sa më shumë para dhe për ta ndërruar në çdo 2 muaj pamjen e banesës. Vetëm librambajtëse nuk kish, sepse ato nuk i duheshin askujt.
Sot, më 14 shtator 2015, u hapën shkollat në Republikën e Shqipërisë dhe rifilloi edhe për 1 vit arsimimi institucional i fëmijëvet tanë. Janë 500 mijë fëmijë e të rinj, që i kanë mbushur çantat me libra, i kanë ngarkuar në krahë dhe u janë drejtuar klasavet mësimore.
Një varg pyetjesh po e ngacmojnë mendjen time në këto orë solemne. Librat, me të cilët janë ngarkuar sot, kundrejt jo pak parave, këta nxënës, ku do t’i vendosin, mbasi të ketë përfunduar ky vit shkollor? Këta nxënës të sotëm kanë prindërit e vet, që gjithkështu kanë qenë dikur nxënës. A kanë mundësi, këta nxënës të sotëm, t’i shohin, po edhe t’i shfletojnë të paktën disa nga librat e prindërvet të vet? Edhe gjyshërit e shumicës së këtyre nxënësve kanë qenë dikur nxënës. A mund t’i shohin sot , të 30 mijë voglushët e klasavet të para, librat shkollorë të gjyshërvet të vet? Mund t’i konsiderojë dikush librat mësimorë (dhe fletoret), si mall konsumi. Por, a nuk duheshin ruajtur të paktën disa prej këtyre librave? A nuk do të ish mirë që, të 500 mijë nxënësit, që sot po ulen në bankat e shkollës, kur të plaken, të kenë mundësi t’u thonë nipërvet të vet: “Ja, në këta libra kam mësuar unë dhe këto janë disa nga fletoret e mia!”?
Nxënësvet u rekomandohet që të lexojnë edhe libra të tjerë, jo vetëm ata “të klasës”. Madje, e kanë të detyrueshëm të quajturin lexim jashtë klase. Këta libra, kur familja i ka blerë, do të duhej të ruheshin që të gjithë.
=================================================
Keqbërësit shkatërrojnë shtëpinë-muze të vëllezërve Frashëri!
Shtëpia-muze ku lindën korifenjtë e Rilindjes Kombëtare Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri është shkatërruar pothuajse tërësisht. Pasi keqbërësit kanë zhbërë historinë, në dhomën ku lindi Abdyli, kanë filluar tharjen e gjetheve të hashashit. Ndërkohë edhe biblioteka e këtij muzeu është shkatërruar. Shikoni librat e Bibliotekës së vëllezërve Frashëri përtokë!!! /sh.b/
============================================
Në përfundim të këtij arsyetimi, të cilin vetëm ndonjë obskurantist do të mund ta kontestonte, unë do t’u rekomandoja mediavet tona audio-vizive dhe redaksivet të gazetavet, të krijojnë një emision të posaçëm, gjegjësisht një rubrikë të posaçme, ku të pasqyrohen bibliotekat familjare të shqiptarëvet. Të bëhen statistika: Sa familje shqiptare NUK KANË bibliotekë në familje dhe sa familje shqiptare KANË bibliotekë familjare? Pas kësaj, të bëhet edhe një statistikë tjetër në shkallë republike (e, në vazhdim, edhe në shkallë kombëtare): Në familjet ku ekzistojnë bibliotekat familjare, a lexohen apo nuk lexohen ata libra?
Me fjalë të tjera, e gjithë kjo statistikë do t’i përgjigjej një pyetjeje fare të thjeshtë: A u ka vlejtur shqiptarëvet mundimi që kanë mësuar lexim e shkrim, apo i kanë djegur kot 12 apo 16 vjetët e jetës së vet?
Barometër më të mirë, për të pasqyruar nivelin kulturor të një kombi, nuk ka.
Lidhur me temën që po trajtoj, unë kam edhe një përvojë të hidhur familjare. Im atë ka qenë një bibliofan i veçantë. Kur pat ardhur njëherë nga Stambolli, pat prurë në shtëpi, në fshatin Gurrzë të Shestanit, 1 mushkë me libra. Dmth, rreth 100 kg libra. Më vonë pat prurë edhe të tjerë. Unë, sot, kam vetëm 1 libër prej tij. Është një fjalor turqisht – frëngjisht, botuar në vitin 1835. A nuk meritojmë, unë edhe vëllai im, të na rrahin bijtë tanë, të paktën 1 herë në vit, sa për të na shtruar në spital?! Do të ishin rrahje me vlera të mëdha historike për 2 familjet tona. Por, nuk po ndodh kështu. Po ndodh ndryshe.
Historia e kombit shqiptar është e mbushur me neglizhenca në lidhje me shkrimin në gjuhën tonë dhe me librin. Dhe ky është, për mua, shkaku kryesor i të gjithë dështimevet që ka përjetuar etnia jonë, gjegjësisht kombi ynë, shekull pas shekulli.
Në varret që zbulohen sot në truallin e Ilirisë, epitafet, ose janë në gjuhë të huaja, greqisht e latinisht, ose aty-këtu, nuk deshifrohen dot. Në varret tanë, edhe në shekullin tonë, shqiptarët gdhendin fjalë të huaja. Shkoni e shikoni në Çamëri: Në ç’gjuhë i shkruajnë shqiptarët ortodoksë epitafet!? Shkoni në Tivar e shihni: Në ç’gjuhë i shkruajnë shqiptarët epitafet!? Shkoni në Izmir dhe shihni: Në ç’gjuhë i shkruajnë shqiptarët epitafet!? Nëpër varrezat tona, anembanë Republikës së Shqipërisë, deri vonë, të paktën deri në Shpalljen e Pavarësisë, epitafet janë gdhendur… edhe arabisht! Veç jo në gjuhën e vendit! Krejt epitafologjia jonë nuk mund të emërtohet ndryshe, veçse BIBLIOTEKA E TURPIT TONË. Biblioteka e faqes sonë të zezë!
Hieronim Eusebi, në shekullin IV, e përktheu Biblën, të famshmen Vulgatë, nga hebraishtja e greqishtja, në latinisht. Bëri heroizëm në fushën e bibliologjisë. Por, përse nuk e përktheu Biblën në gjuhën ilire, kur gjuha e tij ishte ilirishtja e jo latinishtja?! Nuk e përktheu në gjuhën ilire, sepse ilirët nuk i jepnin 5 pare në të shkruarit e gjuhës së vet! Mallkimi shekullor, mallkimi epokal, që bie e rëndon përjetësisht mbi shpirtin e të parëvet tanë, është: Të moskujdesurit e tyre për gjuhën e vet TË SHKRUAR! Edhe në pastë tentuar dikush ta shkruajë atë gjuhë, e ata, të parët tanë, nuk e kanë ruajtur, nuk e kanë kultivuar, kjo e shumëfishon mallkimin mbi shpirtin e tyre!
Grekët e lashtë s’e kishin shkrimin, por e gjetën dhe e shkruan gjuhën e tyre! Është puna e tyre, ku e gjetën dhe si e gjetën.
Rëndësi ka që ata E PËRDORËN dhe E RUAJTËN gjuhën e shkruar. Ne ishim këtu, në të njëjtën kohë, por nuk vepruam si ata.
Latinët e lashtë s’e kishin, por e gjetën shkrimin dhe e shkruan gjuhën e tyre. Është puna e tyre, ku e gjetën dhe si e gjetën. Ne ishim këtu, në të njëjtën kohë, kishim shtetet tanë, por nuk vepruam si ata.
Sllavët e Mesjetës, në shekullin IX, nuk e kishin, por e gjetën shkrimin dhe e shkruan gjuhën e vet. Ne ishim këtu, 30 shekuj para tyre, dhe s’e kishim vënë ujin në zjarr, për ta shkruar dhe për ta RUAJTUR gjuhën tonë të shkruar.
Në shekullin XV, Gjergj Kastrioti, heroi ynë kombëtar, plotësisht i merituar në të gjitha fushat e veprimtarisë së tij vërtet heroike, thonë se e kish kancelarinë, për letërkëmbim dhe akte të ndryshëm zyrtarë, në 3 gjuhë, por jo në gjuhën arbërishte. I vetmi dokument që është ruajtur nga ajo kohë në gjuhën tonë, është një formulë pagëzimi. Nuk kemi dëshmi që Gjergj Kastrioti të ketë hapur, psh, ndonjë shkollë priftërinjsh në gjuhën e vendit. Nuk kemi dëshmi, në ç’gjuhë komandohej ushtria e Gjergj Kastriotit, përveç një thirrjeje të Lekë Dukagjinit: „Ëmbë tah!“
Në të njëjtët shekuj, në të gjitha afresket e të gjitha kishavet, ndërtuar me djersën dhe me floririn e arbërvet, pikturuar shumica prej piktorëvet arbër, nuk gjejmë askund as edhe 1 (një) mbishkrim në gjuhën arbërishte.
Mallkimi shekullor vazhdon të bjerë e të rëndojë mbi shpirtin e të parëvet tanë: Pse NUK E SHKRUAN gjuhën e tyre dhe pse NUK E SHENJTËRUAN këtë gjuhë, pikërisht duke e SHKRUAR dhe duke e RUAJTUR atë shkrim, si gjënë më të shenjtë që mund të ketë një komb?!.
Nuk është e vërtetë që një komb duhet më parë të ketë shtetin e vet e pastaj shkrimin. Është e kundërta e vërtetë. Popujt kanë praktikuar fillimisht shkrimin dhe pastaj, falë pikërisht atij shkrimi, i kanë krijuar shtetet dhe, në mjaft raste, kanë arritur deri në shkallën e perndorisë.
Në fund të shekullit XV, një nip i Kastriotëvet, Gjuragj Zez-Cërrnojeviqi, një arbër, familjen e të cilit, Kisha Pravosllave po e tërhiqte drejt sllavizimit, shkon në Venedik dhe blen atje një shtypshkronjë. E sjell në Cetinjë, që, në atë kohë, ish një fshat kasollesh të mbuluara me dërrasa ose me kashtë thekre, me vetëm 2 a 3 shtëpi guri e llaçi, mbuluar me tjegulla, dhe me 1(një) manastir të vetëm pravosllav. Boton aty një tufë librash, jo në gjuhën e arbërvet, por në gjuhën sllave. A nuk është ky një mallkim, i cili nuk bie vetëm mbi Gjuragj Zez-Cërrnojeviqin, por mbi krejt etninë, së cilës ai i përkishte?! Shumica e banorëvet të asaj principate, në atë kohë, ka folur arbërisht ose vllahisht. Sllavët kanë qenë më pak se 30%.
Në fund të shekullit XVIII, në Shkodër dhe në një pjesë të madhe të Shqipërisë, sundonte dinastia e Bushatasvet. Në pjesën veriperendimore të atij pashallëku të Bushatasvet, gjallonte një krahinë (ajo që pak më lart e përmenda), me një qeverisje vendore teokratike, që quhej Mali i Zi. Unë nuk e di sa herë më e dobët ishte, në pikëpamje ekonomike, dinastia kishtare e Petroviqvet, nga dinastia laike e Bushatasvet. Mund të ketë qenë 100 herë më e varfër, por mund të ketë qenë edhe 1000 herë më e varfër. Studiuesit do të mund ta përcaktonin, në mos me saktësi, të paktën përafërsisht.
Por di që, në kohën e Karamahmutit, Petar Përvi, vlladika i Cetinjës, shkoi në Petrograd për të kërkuar ndihmë e përkrahje nga Rusia. Ndenji 1 muaj, por cari nuk e priti. (Kush e njihte atëherë një copë prift nga brigjet e Adriatikut të largët?!) U nis, doemos i dëshpëruar, për t’u kthyer te besimtarët e vet, që po vdisnin pa bukë, por, për fat, iu rrëzua karroca, diku në fushat me baltë të Rusisë dhe vlladika theu këmbën. Gazetat bënë bujë dhe, vetëm atëherë, cari e priti priftin që i kish ndenjur 1 muaj para dyervet të pallatit. E priti dhe i dha ndihmë të konsiderueshme për të blerë misër. Veç paravet për misër, vlladika largpamës i kërkoi carit edhe paratë për të hapur 2 shkolla: 1 në Cetinjë e 1 në Kuç, krahinë që, në atë kohë, ende fliste shqip e jo sllavisht, dhe që e ka Shkodrën dyfish më afër se Cetinjën.
Karamahmutpasha i ynë s’kish nevojë të lypte askund para për të hapur, jo 1, por 100 shkolla në gjuhën shqipe, por nuk i hapi. Shkrimi arbro-shqip kish, e pakta 3 shekuj, që ekzistonte në territorin e atij pashallëku. Mallkimi shekullor dhe epokal bie, sa mbi vetë Bushatasit, të cilët e donin shkëputjen nga Perandoria Osmane, por nuk dinin si ta realizonin, aq edhe mbi popullin shqiptar të atij pashallëku, i cili nuk jepte 5 pare për të shkruarit e gjuhës së vet.
Shkodra, aty e kish Venedikun dhe shtetet e tjerë të Italisë, për të marrë shembull prej kulturës së tyre. Përditë jepte e merrte me ta, por nuk i shkoi njëherë mendja që, të paktën policëngarkesat e anijevet t’i shkruante shqip (nën shembullin e tyre, që letrat e veta i shkruanin italisht). Shkrimin arbro-shqip e kishin shkodranët të paktën qysh prej Gjon Buzukut. Pse nuk e përdornin atë shkrim në marrëdhëniet me Venedikun?! Sepse nuk kishin dinjitet kombëtar! Sepse ishin moralisht rrjepacukë!
Në të njëjtët vite, thuhet se Alipashë Tepelena mundësoi hapjen e një shkolle në gjuhën greke në Janinë. Të famshmen „Zosimeja“, që rrezatoi kulturë iluministe perendimore! Pse nuk kërkuan shqiptarët e Janinës, Prevezës, Filatit e Gjirokastrës, të hapte Alipashai edhe një shkollë shqipe në Janinë, krahas asaj greke? Pse nuk hapi vetë Alipashai nja 100 shkolla shqipe anembanë pashallëkut të tij dhe, në atë mënyrë, asnjë ushtri e sulltanit të mos mund ta rrëzonte?! Shkrimi shqip ekzistonte. E përdorte Voskopoja, por edhe Marko Boçari kish hartuar, po në ata vite, një fjalor me fjalë shqipe.
E gjithë kjo që shkrova, po më mblidhet nyje në grykë.
Dilni e bëni statistika: Sa nga familjet shqiptare, me 4 apo 3 apo 2 breza njerëzish të shkolluar, NUK KANË biblioteka në shtëpi? Sa familje shqiptare i mbajnë nga një rresht librash nëpër bufera, bashkë me filxhanët e kafesë e gotat e rakisë, por nuk i lexojnë. Sa nga familjet e vjetra shkodrane, që mbahen me kulturë të moçme NUK KANË biblioteka në shtëpi. (Nuk më duhen ato që kanë. Më duhen ato që NUK KANË.) Sa familje të hershme vlonjate NUK KANË biblioteka në shtëpi? Sa nga familjet „me kulturë të madhe“ korçare NUK KANË biblioteka në shtëpi?
Një pjesë e shtëpivet karakteristike gjirokastrite dhe beratase po restaurohen. Arkitektët që merren me restaurimin e tyre, duhet të na thonë, në këtë ditë, kur fëmijët po i çojmë në shkollë, a ka, në interierin e shtëpivet të vjetra gjirokastrite e beratase, vend ku mbaheshin librat? Në çfarë përmasash ishte përhapur libri në ata qytete, me arkitekturën e të cilëvet, ne, me të drejtë, mburremi?
Dhe unë, përfundimisht, pasi pamë, me këtë rast, edhe bibliotekën në shtëpinë-muze të vëllezërvet Frashëri dhe u lemerisëm, mosinteresimin e iliro-arbro-shqiptarëvet për librin, mospërdorimin e LIBRIT nga ana e iliro-arbro-shqiptarëvet, e konsideroj si sëmundjen më të rëndë të etnisë sonë, të trashëguar ndër shekuj. Është pikërisht kjo sëmundje, që e ka tkurrur etninë tonë, nga gjiri i Triestes, në brigjet e Bunës dhe nga gjiri i Prevezës, në brigjet e Bistricës te Syri i Kaltër.
Ndërsa sot, në epokën e internetit, duke qenë populli ynë gjenetikisht një popull tepër naiv, ka rrëzik që, në pak dekada, as në brigjet e Lanës të mos flitet më gjuha shqipe.
Shikojini tabelat e dyqanevet, numërojini, sa për qind prej tyre NUK JANË SHKRUAR SHQIP dhe më siguroni për të kundërtën! Unë do të jem i lumtur, nëse e kam gabim!