GJEKË GJONAJ: ULQINI, QYTET I KULTURAVE TË NDRYSHME

Ulqin, 14. 10. 2015: Në fund javën që shkoi qyteti i Ulqinit kishte vërtetë një festë të madhe dhe të bukur. Karakteristikë e gjithë kësaj ishte defilimi nëpër qytet i mbi 300 anëtarëve të njëmbëdhjetë ansambleve folklorike nga Ulqini, Kosova, Maqedonia, Serbia, Turqia, Bullgaria dhe vende të tjera të rajonit, si dhe interesimi i dukshëm i popullatës vendase për origjinalitetin e këtyre veshjeve kaq të bukura të shteteve pjesëmarrëse.
Koloritin dhe skenarin e gjithë kësaj pjesë të prezentimit nëpër qytet i përgatitën me kujdes udhëheqësit artistik të shoqërive të përmendura kulturoro – artistike, duke afirmuar në këtë mënyrë qartë dhe pastër jo vetëm kulturën dhe traditën kombëtare të trevës së Komunës së Ulqinit, por edhe kulturën dhe traditën kombëtare të vendeve pjesëmarrëse të rajonit.
E gjithë kjo larmi e kostumeve popullore të popujve të ndryshëm zbukuroi Ulqinin, por edhe la përshtypje, mbresa dhe simpati ulqinakët, të cilët u impresionuan me kulturën dhe traditën shekullore të popujve të tjerë joshqiptarë në rajon.

Kënaqësia arriti kulminacionin në momentin kur të gjitha ansamblet folklorike u ngjitën në skenën e Qendrës Kulturore të Ulqinit, të cilat u mirëpritën me duartrokitje frenetike nga ana e spektatorëve.
Ishte padyshim kënaqësi e jashtëzakonshme të shihje djem të pashëm e vajza të bukura të nacionaliteteve të ndryshme të veshurë në kostume kombëtare, duke luajtur valle, duke kërcyer dhe duke kënduar në gjuhë të ndryshme, por të kuptueshme për të gjithë, meqë ato kanë vlera universale.
Me këtë aktivitet kulturoro-artistik, i cili u zhvillua në kaudër të manifestimit tre ditorë “D’olcinium International Festival” nga Organizata Turistike e Ulqinit në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, u dëshmua se ky qytet jo vetëm afirmon kulturën dhe traditën e vet kombëtare, por tregoi se në Ulqin ka vend edhe për kultura të tjera, të cilat gërshetohen mjaft bukur me njëra-tjetrën, pra edhe me kulturën shqiptare. Organizatori i këtij manifestimi me këtë simbolikë zgjodhi mënyrën më të preferuar dhe më të qëlluar për përmbylljen e sezonit të sivjetshëm turistik.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura