PËLLUMB GORICA: HAXHI SALI BEJ PRRENJASI – BURRI QË QËNDRON MIDIS LEGJENDËS DHE HISTORISË (NDËRTUESI I VEPRAVE PUBLIKE DHE KULTIT NË SULOVË)

Tiranë, 22. 10. 2015: Sa më shumë kalojnë shekujt, aq më e trashë bëhet perdja e errësirës për të ndriçuar figura historike dhe kontribute humane. Kujtdo që nis të shkruaj, i duhet të shfletojë dokumenta arkivore, botime e shënime udhëtarësh të huaj, pa harruar legjendat, historitë gojore, këngët e visaret e tjera të popullit, morinë e veprave publike dhe fetare. E sërish, nuk mund të shkruhet gjithçka.
Sulova shtrihet në jug të Shqipërisë, në të majtë të rrjedhës së poshtme të lumit Devoll, rrëzë malit Tomorr. Ajo është e njohur për peizazhin e gjelbër, traditat e bukura, histori që enden mbushur me akte burrërie, por edhe edhe prej një njeriu që bëri epokë në këtë krahinë në vitet 1700, Haxhi Sali Bej Prrenjasin, që, si askush përmendet në bisedat e banorëve të krahinës së Sulovës. Ai ishte sundimtar i krahinës dhe gjatë qeverisjes së tij, ( gjysma e shekullit XVIII), ajo ka përjetuar një lulëzim urbanistik. Në atë kohë janë ngritur objekte fetare e publike. Koha, në të cilën ushtroi sundimin e vet dhe historitë e prania reale e ndërtimeve, e bëjnë figurën e tij më të prekshme.

Natyrisht,çka mbërritur në ditët tona nga jeta dhe kontributi i tij, është e mbështjellë me rrëfime dhe fakte të hulumtuara në dokumente. Haxhi Sali Bej Prrenjasi rridhte nga një familje e njohur në Labëri, pjesëmarrëse në luftëra e kuvende. Ai erdhi në krahinën e Sulovës në moshë të vogël, pasi aty kishte të martuar hallën, në derën e bejlerëve të Prrenjasit të Sulovës, derë e parë e qendër kazaje e Sulovës. Halla nuk kishte fëmijë dhe e mori si djalë dhe, kështu ai u bë trashëgimtar i një pasurie të madhe që ajo zotëronte e më vonë i pari i krahinës Sulovë, me ndikim jo vetëm aty, por edhe në gjithë trevat e Jugut. Haxhi Sali Bej Prrenjasi jetoi e veproi në periudhën e pashallëqeve të Shqipërisë. Në rini shkoi në Mekë për haxhillëk dhe kur u kthye, mori emrin Haxhi, me të cilin u thirr e u njoh.Duke iu përmbajtur zakonit të muhamedanizmit, një pjesë të pasurisë e përdori për vepra bamirësie.
Në krahinën e Sulovës, një sërë toponimesh njihen me emrin Haxhi Sali Bej Prrenjasit, si çezma, ujësjellsa, ura, rrugë, xhami etj, ndërtime këto si shenja të zhvillimit ekonomik të saj në periudhën e qeverisjes së tij. Më shumë këto i ndërtoi në Prrenjas të Sulovës, e cila në këtë kohë ishte qendër administrative e Sulovës, kaza. Me këto ndërtime, ky vendbanim u kthye në qytezë mesjetare. Në Prrenjas të Sulovës rindërtoi fortifikimin mesjetar, saraje, xhami, ujësjellës, furrë buke madje edhe burg. Edhe sot ekziston fortifikimi dhe brezat pasardhës. Ata dallohen nga pjesa tjetër e banorëve të Prrenjasit për mënyrën e sjelljes dhe të jetuarit. Ndaj atyre akoma u thërrasin bejlerë. Një pjesë tjetër u zhvendosën në krahina të tjera. Deri vonë janë shikuar me një sy tjetër nga politikat shtetërore, ndërsa nga banorët e krahinës shiheshin me admirim.

Vepra arkitektonike më e madhe ishte ura mbi lumin Devoll në Kadipashaj (Lumas i Elbasanit), e përjetësuar me emrin e tij. Kjo urë ishte i vetmi mjet komunikimi gjatë rrjedhës së poshtme të lumit Devoll, që përbënte një lidhje të domosdoshme me krahina të tjera e qytetet treg, si Elbasani e Berati, ku kryehej tregti në këto shekuj. Studiues e udhëtarë të huaj, që kanë kaluar në Sulovë kanë shkruar për urën e Haxhi Sali Bej Prrenjasit. Ami Bue në“Rezueil d’itinerarires doms la turquic”, 1854,faqe 319 ka shkruar: “Në mesin e shekullit të XVIII sundimtari Haxhi Sali Bej Prrenjasi ndërtoi urën e (Kadipashajt)mbi Devoll në Gostimë me 3 qemerë. Ndërsa studiuesi Valter Shtylla në botimin e tij “Rrugët dhe urat më të vjetra në Shqipëri’’,faqe 205 shkruan: “Kjo urë është projektuar nga kryearkitekti i perandorisë osmane, Mimar Kasemi nga Tomorrica”. Lumi Devoll në periudhën e shirave, ishte i pakalueshëm dhe kërkonte patjetër një lidhje. Urë për të cilën tregohen edhe shumë histori gojore. Më e njohur është kjo: “Thonë se beu shkoi tek një hoxhë i mirë nga se po flinte me ankthe çdo natë. Ai e këshillon se duhej të ndërtonte vepra bamirësie për banorët dhe nuk duhet të përfitonte nga ndërtimi i tyre.Ndaj ai e ndërtoi këtë urë,që mbeti ndër breza si punë e mirë e tij”. Me tej historia vazhdon: “Do ta ndërtojmë urën, që të mos e shkulin më valët e lumit Devoll,-u tha banorëve. Në fillim dogji 5 furra me gëlqere dhe i la shumë vite në gropë.Me vonë grumbulloi qindra metra kub gur nga mali i Goricës. Kur u bë gati t’i hynte punës, dërgoi njerëz në Opar, që ti sillnin ustallarë të zgjedhur, më të mirët e asaj kohe në punimin e gurit. Beu i çoi ustallarët në brrylin e lumit dhe aty u kërkoi të ndërtonin një urë të gurtë.
-Filloni nga të doni vetëm urën e dua ta ndërtoni sa më shpejt dhe të fortë,-u tha beu ustallarëve.

Ustallarët iu përgjigjën beut se ishte e pamundur ndërtimi i urës atje. Beu e kuptoi se pa gjë nuk bëhej dhe mori një pale hejbe me monedha floriri e i hodhi në ujë. Ustallarët kur panë monedhat që hidheshin në lumë i thanë: “Kështu mund të ndërtohet ura”. Ata filluan menjëherë nga puna. Beu urdhëroi që kafshët e punës e meshkujt në moshën e duhur në Sulovë,të punonin për urën. Të mbanin materialet: gurët e gëlqeren nga mali i Goricës, drurët nga pylli i Radshit. Ndërtimi qe një punë e vështirë e u shoqërua edhe me shira e shtrëngata, por në fund ura u ngrit e bukur dhe me tre harqe. Mjeshtërit e njohur oparakë i gdhendën gurët mirë e bukur, ngritën këmbë të forta të urës dhe mbi to shtruan trasenë me gurë pllakë të gdhendur si pasqyrë. Një ditë pasi kishte mbaruar së ndërtuari ajo, beu bëri një festë të madhe dhe theri qindra kokë bagëti. Kokët e bagëtive i futi në themelet e urës për kurban. Lëkurët e bagëtive i shiti në pazar të Beratit”.
Në mënyrë të veçantë, Haxhi Bej Prrenjasi do të linte gjurmë në ndërtimin e degëzimeve të rrugës së karvaneve Elbasan-Berat, që kalonte në Sulovë. E rëndë ishte gjendja e rrugëve, sa vendbanimet e Sulovës ishin të veçuara nga njëra- tjetra dhe krahina e harruar dhe e pashkelur. Deri në fillim të shekullit XX ishin rrugë të rregullta. Nga qendra e zotërimeve të tij, në Përrenjas, ai i ndërtoi në disa drejtime: Mollas-Qafë e Grekanit-Përrenjas, Ura e Kadipashajt – Dragot – Qafë e Grekanit – Përrenjas. Darzezë –Kuturqarë – Kukucovë – Përrenjas, për të lidhur zotërimet etij me zonat përreth. (Petrit Basha“Legjenda nga rrethi i Gramshit” faqe160) Këto degëzime i lidhi me rrugën e karvaneve Elbasan-Berat. Tjetër kontribut ishin ujësjellsat që ndërtoi në Grekan, Përrenjas, Tunjë, Dufshan etj. Tepër i njohur ujësjellësi i Përrenjasit, që vinte nga mali shkëmbor i Goricës, ndërmjet një kanali me tuba qeramike e mur guri.
Elementët e trillimit popullor të aty-këtueshëm, Haxhi Sali Bej Prrenjasin, e përmendin edhe si mizor. Gjithsesi, këto nuk e zbehin figurën e tij. Përveç pasurisë që trashëgoi, Haxhi Sali Bej Prrenjasi, siç ishte koha atëherë,s iguroi përfitime dhe mbështetje nga administrata turke me taksa, duke e zgjeruar territorin e pasurinë e tij, akoma më shumë me ara, pyje, bagëti. Megjithë mugëtirën e kohës, rrëfimi i historive vjen i shkruar nga studiuesi i Sulovës, Petrit Basha,në librin “Legjenda nga rrethi i Gramshit”, faqe 159.“Edhe një në Mollas të Elbasanit, Rrapush Venari, nuk ia dorzoi tokën beut dhe ndenji firar arratisur në pyll fshehur, kaçak. Po ta kapte Axhiu e ziente në valë’’. Një tjetër histori e treguar: ‘‘Kush i kundërshtonte e të mos i bindej e ekzekutonte, duke paguar njerëz dhe duke i varur në vidhin shekullor pranë fortifikimit”.

Në fund të viteve 1700, Pashallëku i Beratit, ku bënte pjesë krahina e Sulovës në kohën e sundimit të Haxhi Sali bej Prrenjasit, hyri në luftë me Pashallëkun e Shkodrës. Bushatllinjtë e Shkodrës, me oreksin e madh që kishin, u përpoqën të zgjeronin zotërimet e tyre jo vetëm në Shqipërinë e Mesme, por edhe në Jug. Pengesë u bënë pashallëqet e Elbasanit,Beratit, Peqinit. Pashai i Shkodrës bëri luftë me zotërimet e Kurt Pashës së Beratit. Prandaj në vitin 1785 Mustafa pasha i Pashallëkut të Shkodrës me forca të shumta në Gostimë, buzë lumit Devoll, zhvilloi luftime me forcat e Pashait të Beratit. Për mbështetjen që i dha Sulova Ahmet Kurt Pashës së Beratit,me anën e sundimtarit të Sulovës Haxhi Sali Bej Prrenjasit, Pashai i Bushatllinjëve të Shkodrës me artilieri i shkatërroi kullat e fortifikuara në Sulovë dhe garnizonet e Ahmet Kurt Pashës së Beratit. Historiani, Stavri Naçi në studimin e tij“Pashallëku i Shkodrës nën sundimin Bushatllinjëve”, botim i vitit 1964, faqe165, parashtron rrjedhën e ngjarjeve. “Krahina e Sulovës me Haxhi Sali Beun e Prrenjasit mbante anën e Ahmet Kurt Pashës.Kara Mahmudi i Bushatllinjëve, me qëllim që të mund t’i nënshtronte gjithë sanxhakun dhe për të lehtësuar fitoren kundër Pashës së Beratit, dukej se kishte shpallur faljen e gjithë kundërshtarëve që nuk do t’i kundërshtonin me armë dhe do të kontribuonin në mbajtjen e ushtrisë së tij me ushqime.Haxhi Sali Beu për të fituar kohë, gjersa nga Berati t’i vinin përforcime ushtarësh, njoftoi Bushatlliun me letër, se do të mbante anën e tij dhe do ta ndihmonte me ushqime. Sipas kësaj letre, Kara Mahmudi u nis nga Elbasani ditën e dielë, më 21 Gusht 1785 dhe mbërriti në Gostimë pas katër ditësh, pasi krahinën e Sulovës dhe veçanërisht Haxhi Sali Bej Prrenjasin e fali. Ndërkohë, Haxhi Sali Beut i erdhën përforcim nga Berati dhjetë bajraqe ushtarësh. Atëherë ai shpalli se mohonte gjithçka kishte premtuar. Kështu lufta u bë e pashmangëshme”. Në Arkivin Shtetëror Shqiptar, dosja 22,pasqyrohen këto luftime: “Kara Mahmudi i Bushatllinjëve dërgoi kundër beut të Përrenjasit një pjesë të ushtrisë së vet.Sulmit të shkodranëve Beu i Përrenjasit nuk iu mbajt dot, u thye dhe ia mbathi këmbëve, i ndjekur gjer në afërsi të malit të Tomorrit. Mbi njëqind të vrarë dhe po aq robër mbetën nga forcat e Haxhi Sali Beut dhe njëmbëdhjet të vrarë e gjashtë të plagosur nga ushtarët e Bushatlliut. Për ndëshkim të krahinës së pabindur dhe prijësit të saj, Kara Mahmudi urdhëroi të digjeshin nga gjashtë kulla për çdo fshat,si dhe sarajet e Haxhi Sali Bej Prrenjasit”. Pas kësaj përplasje,pasuria e pozita e Haxhi Sali Bej Prrenjasit në krye të kazasë së Sulovës pësoi rënie. Pasurinë dhe pozitën pas vdekjes e trashëgoi i nipi, Dule Beu e megjithatë, ndikimi i Haxhi Sali Bej Prrenjasit do të vazhdonte gjatë.

Shekujt që kaluan me sundimet e ndryshme, por edhe agjentët atmosferikë kanë shkatërruar mjaft gjurmë të ndërtimeve. Si dëshmi kanë mbetur fragmente dhe kujtimi se dikur këtu ishte një ndërtesë, ujësjellës, rrugë,ura. Por, Haxhi Sali Bej Prrenjasi me kohën dhe bamirësitë e tij në ndërtimin e veprave të domosdoshme, është thesar i historie dhe krenari e krahinës së Sulovës. Studiuesi dhe folkloristi, Petrit Basha në botimet e tij, kohë pas kohe ka sjellë fakte të shumta rreth ndërtimeve dhe rrëfime ndaj Haxhi Sali Bej Prrenjasi. Veçse një monografi për figurën e Haxhi Bej Prenjasit do ta plotësonte me tej atë. Mbetet dëshirë e madhe, që të paktën një ditë do të hidhet dritë më shumë për figurën e tij me fakte e të vërteta historike.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura