PËLLUMB GORICA: HUMANIZMI – “PORTA” E NDRITUR E BASHKËJETESËS SË KOMBEVE

Tiranë, 29. 10. 2015: Përtej kronikave të luftrave të shumta që ka historia e kombeve, përtej zhurmës së betejave, të humbjeve dhe fitoreve, është ajo pjesë e shpirtit të një kombi, apo dhe disa prej tyre që nuk mund të digjet si kashta e të “vritet”. E kjo ka ndodhur saktësisht edhe me kombin tonë që shumë herë është përballur me sokëllimën e shpatave me artilerinë e rëndë, po gjithmonë i ka mbetur besnik disa cilësive të larta kur ka qenë puna edhe në ballafaqimin me atë që e ka pushtuar. Ndër shekuj, shqiptarët i ka dalluar humanizmi, toleranca, mikpritja, bujaria, virtyte, që janë spikatur edhe në përiudha të vështira të jetës, si evokime tradite.
***
Trojet tona gjithmonë janë përballuar me pushtues. Fatkeqësitë e luftrave me vuajtje të rënda janë shprehur me vitalitetin e kombit. Sidomos, humanizmi njerëzor, toleranca e shpirtit bujar janë treguar jo vetëm për vëllezërit e një gjaku, shqiptarët e Kosovës, të keqtrajtuar barbarisht nga makina vrastare e lukunisë serbe me krime monstruoze në këto 100 vitet e fundit, por edhe për banorët çamë, të dëbuar nga trojet e tyre, prehë e masakrave të shovinistëve grekë, edhe duke strehuar e mbrojtur të huajt, të pambrojtur, të vuajtur e në mjerim të thellë shpirtëror, pasojë e përplasjeve të luftrave gllabëruese. Humanizmi, si shembull karakteristik i virtyteve të shqiptarëve nuk harrohet në vitet e Luftës së Parë Botërore. U strehuan muhaxhirët boshnjakë në këto ditë të vështira të Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1918 (Lufta I Botërore) ushtarët austro-hungarezët, pas humbjes së luftës, në një gjendje mjaft të mjerueshme, kockë e lëkurë, që të kujtonin lypësat e rëndomtë të rrugëve, shqiptarët, nuk i lanë të vdisnin urie. Bashkëkohësit tregojnë se, ushtarët e uritur, ndërronin armatimin, veshjet dhe pajimet edhe me një copë bukë apo vezë për të mbajtur frymën gjallë. Ato vite për Shqipërinë u quajtën “uria e madhe”, apo koha e “nemces” ku mungonin buka dhe sendet e tjera të ushqimeve, veshmbathjet dhe çdo gjë e nevojshme. Të tjera fakte dhe dëshmi tregojnë për humanizmin e pashoq ndër shqiptarët. Strehimi dhe mbrojtja e hebrenjve prej ndjekjes nga bisha naziste që kërkonin shfarosjen e tyre, qëndron në gurthemelet e shpirtgjërësisë së shqiptarit.
Më 8 shtator 1943, Italia fashiste kapitulloi pa kushte dhe vendin e saj e zuri armata naziste gjermane, që vërshoi drejt Shqipërisë, duke zënë pozicionet e lëna bosh. Forcat gjermane, gjatë hyrjes në Shqipëri, mbollën terror në Jug. Nuk harrohet masakra e Borovës, përkundrejt propogandës se nuk janë pushtues dhe se qëndrimi i tyre ishte i përkohëshëm e kalimtar në Shqipëri. Pas kapitullimit të Italisë fshiste, nazistët gjermanë nuk i konsideronin ushtarët dhe oficerët italianë si robër lufte, por tradhëtarë të boshtit, duke i vënë në grykën e armëve, si fajtorë të humbjes së luftës në Gadishullin Ballkanik e Veriun e Kontinentit Afrikan. Pas shpartallimit të ushtrisë italiane, me nacionalizmin e tij të tërbuar, shumë ushtarë e oficerë italianë në Shqipëri, në pamundësi për ikje në vendin e tyre nën këtë terror e zhdukje, gjetën strehë e përkrahje nga familjet shqiptare. Një pjesë e tyre, në tentativë për t’u larguar në Itali, u masakruan në ditët e para pas kapitullimit.
Kryesisht familjet e zonave fshatare me tolerancën dhe shpirtbujarinë i mbrojtën dhe i mbajtën gjallë nga kërcënimi i urisë, dimrit të egër të 1943-1944-rës, ndjekjeve të nazistëve, të cilët me anë të dy operacioneve, të Dimrit dhe të Verës së 1944-trës, nuk kishin mëshirë as për shqiptarët. Ky fakt nuk mund të shuhet nga ndërgjegjjia e popullit tonë, si ditët më të rënda për këtë perandori pushtuese, me ushtarë të katandisur keq e më keq. Është mbresëlënës ky humanizëm dhe me të vërtetë mirënjohës për këta fatkeqë të gënjyer nga fazhizmi, që erdhën si pushtues. Shqiptarët u treguan jo hakmarrës kundrejt tyre, por i strehoi, i mbrojti, duke mos harruar ç`kishin vuajtur nga pushtuesit fashistë, luftërat, reprezaljet, djegiet, vrasjet, masakrat e tyre. Shqiptarët i urryen si pushtues, por nuk i keqtrajtuan dhe nuk dorëzuan asnjë prej tyre nazistëve gjermanë, të cilët, po t’i kapnin, do t’i vrisnin. Ata ishin viktima, që i katandisi fazhizmi, duke i hedhur në këtë cep të Ballkanit, por me shpresën që do vinte fundi i kësaj lufte shkatërrimtare dhe rikthimin e tyre në atdhe. Një pjesë e tyre u inkuadruan në Ushtrinë Nacional Çlirimtare Shqiptare, pjesë e batalionit “Antonio Gramshi” të Brigadës së Parë Sulmuese.
Në gjithë Shqipërinë, me gjithë mjerimin e ulur këmbëkryq dhe kushtet e vështira të luftës, u strehuan dhe ndanë copën e bukës, edhe pse dikush nga këta ushtarë mirësinë e ktheu në tradhëti tek gjermanët. Dëshmitë, si kujtime të kohës, vijnë nga bashkëkohës me copëza ngjarjesh, emra, veprime, kontribute, karaktere të ushtarëve italianë. Mësuesi veteran nga Kamunau i Elbasanit, Riza Cërriku, tregonte: “Ushtarët italianë u strehuan në familjet e fshatarëve të mesëm, por edhe në familje të varfëra. Nga ana tjetër shumica prej tyre treguan se ishin të interesuar të punonin, se s’dëshironin për të luftuar. Kishte nga ata që në fshatrat e krahinës Sulovë treguan se ishin specialistë të mirë si ndërtues, të cilët punonim mirë murin e gurit, por edhe punimet e drurit.” Ata ndërtuan shtëpi, hapën puse uji, vetullorë ullinjsh, shtruan kalldrëme guri etj, që janë edhe sot, si një dëshmi, meritë e punës voluminoze dhe të mirë nga këta ushtarë italianë, të cilat kanë mbetur të emërtuara të italianëve. Gjithashtu punuan në ara, duke ruajtur bagëtitë, mbjellë e krasitur drurë frutorë. Interesant është fakti, se gjatë punës në një arë, zbuluan objekte të vjetra qeramike që i përkasin një vendanimi me histori të lashtë.
Është detyrim moral që t’i kujtojmë për shembullin e tyre të njerëzishëm, familjet shqiptare, që i strehuan ushtarët fatkeqë italianë, në krahinat ku në vitin 1944, si nderim për virtytet e traditat e mikpritjes, se kjo luftë ishte bërë temë e ditës dhe po merrte jetë të shumta njerëzore. Ushtarët dhe oficerët italianë disa muaj pas çlirimit të vendit, në pranverën e vitit 1945, u rikthyen në atdheun e tyre, Italinë, pranë familjeve me kujtimet më të mira dhe mirënjohjen edhe për banorët e krahinës së Sulovës, me dëshirën që një ditë do takoheshin e do ta shpërblenin këtë humanizëm. Të moshuarit, bashkohës të atyre viteve, tregojnë se “kur u larguan italianët janë ndarë me të qarë me banorët.” Por rrethanat, që u krijuan në vitet e sistemit të egër komunist, të mbylljes së tij me botën kapitaliste, ua këputën këtë lidhje dhe kujtimet e tyre u zbehën në harresën e 50 viteve, të gjysmës së dytë të shekullit që lamë pas.
***
Humanizmi i treguar në mbarë ne shqiptarët, na bën të ndjehemi krenarë për këtë vlerë që lëvrin në deje e ndër breza. Krenari për shembullin e njerëzishëm, por se virtyte të tilla janë zbehur. E në fund të këtyre shënimeve, të cilat kanë qënë objekt ekranizime filmash artistik, por edhe të shkruara në romane, që flasin për këtë humanizëm: si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, “Deti ne mes” i Fatos Arapit, “Larg qytetit” i Petro Markos, ”Kurthi” i Stavër Bodurrit etj., fare do të kujtoja atë pusin e ujit në lagjen e Gjinëve në Mollas të Elbasanit, që edhe sot i thonë “pusi i italianëve?”

============================================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
“Rescue in Albania” // Documentary Film

…………………………………………………………………………..

(Shtojcën e përgatiti editori i pashtriku.org,sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura