ARTON MUSLIU: BE – PERANDORIA E DYTË ROMAKE

Prishtinë, 05. 11. 2015: Në kontekstin politik Bashkimi Europian i sotëm është përsëritje ironike e Perandorisë Romake. Një “perandori’ europiane pa perandor. Për koincidencë, në pjesën më të madhe të historisë së Perandorisë Romake kanë dominuar gjermanët. Ashtu është edhe sot. Vetëm se perandori mungon. Nëse nuk kemi guxim që një epitet të tillë t’ia japim gruas më të fuqishme në botë, zonjës Merkel. Një “perandori’’ në të cilën po ngriten mure kufitare, derisa përpjekjet për integrim janë imazhi dëshpërimisht prepotent i po kësaj organizate. Edhe integrimi ynë në këtë “perandori” pa perandor është i pashmangshëm. Ndoshta për shkak se nuk kemi rrugë tjetër! Apo jo?
***
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Bashkimit Europian dhe Kosovës ka aktualizuar pashmangshëm çështjen e legalitetit ndërkombëtar të Bashkimit Europian si subjekt potencial i të drejtës ndërkombëtare. Dhe meqenëse kjo temë është prekur tashmë, atëherë është mëse e nevojshme, mbase e domosdoshme të trajtohet në këndvështrimin juridik – ndërkombëtar. Në këtë rast çështja është kjo: A është Bashkimi Europian subjekt i të drejtës ndërkombëtare !? Rrjedhojë normale e kësaj pyetje është edhe pyetja tjetër: A është Bashkimi Europian Shtet!? Në këtë kontekst së pari është fundamentalisht e rëndësishme të eksplikohet fakti i pandryshueshëm se subjekti më i rëndësishëm dhe themelorë i të drejtës ndërkombëtare është shteti.

Shteti në marrëdhëniet ndërkombëtare është paraqitur më herët se sa e drejta ndërkombëtare. Kjo pasi që e drejta ndërkombëtare në momentin e kornizimit si e tillë, ka nënkuptuar tërësinë e normave juridike përmes së cilave do të rregulloheshin ekzkluzivisht marrëdhëniet ndërmjet këtyre shteteve. Subjektiviteti ndërkombëtar i shteteve është mjaft kompleks dhe vazhdimisht në proces evolutiv. Shteti si subjekt i së drejtës ndërkombëtare para së gjithash dhe mbi të gjitha reflekton të drejta dhe detyrime. Pra një subjekt juridik është i tillë vetëm nëse ka të drejta të cilat i ushtron dhe detyrime të cilat duhet t’i përmbushë. Sipas autorit Malcolm N. Shaw, subjektiviteti në të drejtën ndërkombëtare nënkupton raportin reciprok në mes të drejtave dhe detyrimeve të caktuara nga sistemi ndërkombëtar dhe mundësinë për të kryer veprime juridike. Ndërkaq autori tjetër i të drejtës ndërkombëtare, David Raič, subjektin e të drejtës ndërkombëtare e definon si një entitet i cili mund të ketë të drejta dhe detyrime ndërkombëtare dhe që ka kapacitetin të ushtroi të drejtat e tij në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Sipas tij, njeriu apo bashkësia e njerëzve të orgaznizuar, siç mund të jetë shteti, ndonjë kompani, organizatë jo qeveritare, një minoritet kombëtarë apo një klub futbolli, në shikim të parë duket se kanë kapacitet për të qenë bartës të të drejtave dhe detyrimeve në të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, kapaciteti për të qenë bartës i të drejtave dhe detyrimeve nuk është faktorë përfundimtarë për ekzistimin e statusit legal të ‘subjektit të së drejtës ndërkombëtare‘.
Mirëpo duhet pasur parasysh se subjektiviteti ndërkombëtar është një fenomen relativ që ndryshon nga rrethanat. Kjo ngase njëri ndër fenomenet më dalluaese të së drejtës ndërkombëtare bashkëkohore ka qenë ndryshimi i madh i pjesëmarrësve, duke përfshirë shtetet, organizatat ndërkombëtare, organizatat regjionale, organizatatat jo vetë-qeverisëse, kompanitë publike, kompanitë private dhe individët. Në këtë kontekst shfaqet edhe dallimi i dy nocioneve të së drejtës ndërkombëtare. Bëhet fjalë për nocionin e “subjektit të së drejtës ndërkombëtare” dhe nocionin e “personit juridik ndërkombëtar”. Subjekt i së drejtës ndërkombëtare është secili entitet i cili bartë të drejta dhe detyrime në të drejtën ndërkombëtare. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se një entitet i tillë është person juridik ndërkombëtar. Sepse, person juridik ndërkombëtar është shteti i cili është i njohur nga komuniteti ndërkombëtar si i tillë dhe i cili ka kompetenca të palimituara vepruese. Në një shtet të tillë ekziston një autoritet qëndrorë politik, si Qeveria, e cila përfaqëson shtetin si brenda ashtu edhe jashtë kufijve, në marrëdhëniet e tij ndërkombëtare me personat tjerë juridik ndërkombëtar apo me subjektet tjera juridike ndërkombëtare. Dhe, një shtet i tillë mund të quhet person juridik ndërkombëtar. Dallimi në mes të këtyre nocioneve qëndron në faktin se personi juridik ndërkombëtar ka të drejta të palimituara në të drejtën dhe komunitetin ndërkombëtar. Këto të drejta konsistojnë në të drejtën e tij për të bërë marrëveshje, për të paditur dhe për të hyrë në marrëdhënie diplomatike me shtetet tjera të cilat po ashtu janë të pajisura me atribute të tilla.
Në këtë drejtim GJND, përmes një Mendimi Këshillues të vitit 1949, ka theksuar se ajo që e dallon subjektin e së drejtës ndërkombëtare nga personi juridik ndërkombëtar është fakti se ky i fundit ka kapacaitete të palimituara. Në këtë Mendim GJND megjithëse konstatoi se OKB ka stutus ligjorë të personit juridik ndërkombëtar, ajo nuk harroi të potencoi faktin se kjo nuk do të thotë se OKB është shtet. E njejta analogji mund të thuhet edhe në rastin e Bashkimit Europian. Sidoqoftë, statusi legal i Bashkimit Europian është i përcaktuar qartë në Marrëveshjen e Lisbonës. Në nenin 3 të saj thuhet se Bashkimi Europian do të ketë kompetenca ekskluzive në arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Pra njëri ndër elementet qenësorë të subjektit të së drejtës ndërkombëtare, e që është arritja e marrëveshjeve, është element edhe i Bashkimit Europian. Dhe, meqenëse arritja e marëveshjeve bie në domenin e Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve, atëherë neni 26 i kësaj Konvente sanksionon parimin e përgjithshëm juridik, pacta sunt servanda, sipas së cilit marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen në mirëbesim. Nga këtu rrjedhë edhe obligimi i MSA-së për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë. Anipse një gjë e tillë politikisht nuk ka qenë e nevojshme. Ndërkaq atributin tjetër i cili ka të bëjë me përfaqësimin diplomatik, Bashkimi Europian e ka zëvendësuar përmes themelimit të EEAS-it (European External Action Service), apo ndryshe siç quhet “diplomacia e përbashkët europiane”. Një person juridik ndërkombëtar, cili do qoftë ai, në mënyrë që të paraqitet si subjekt i së drejtës ndërkombëtare duhet t’i plotësoj së paku dy kritere. Kriteri parë ka të bëjë me ekzistimin e një entiteti i cili është asociacion i shteteve apo organizatë ndërkombëtare dhe i cili ka qëllime të ligjshme, dhe kriteri i dytë ka të bëjë me ekzistimin e dallimit në mes të organizatës dhe anëtarëve të saj në kuptimin e rrespektimit të të drejtave, detyrave dhe politikave në planin ndërkombëtar. Dhe, BE i plotëson të dy këto kritere. BE nga autorë eminent të së drejtës ndërkombëtare konsiderohet si organizim sui generis. Ky status i veçantë ka të bëjë si me raportet me shtetet anëtare të saj, ashtu edhe me pozitën e saj në raport me të drejtën ndërkombëtare. Dhe duke qenë se ekzistimin, respektivisht themelimin apo ristrukturimin e saj, BE e ka bërë përmes një marrëveshje atëherë mund të themi se apriori ky proces i subordinohet natyrshëm dispozitave juridike pozitive të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, e atyre që kanë të bëjnë me marrëveshjet ndërkombëtare në veçanti. E siç dihet, instrumenti juridik pozitiv ndërkombëtar i cili sanksionon mënyrën dhe kushtet për arritjen e një marrëveshje, qoftë ajo bilaterale apo multilaterale, është Konventa e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve.
Sidoqoftë, pozicioni legal dhe politik i Bashkimit Europian është avancuar dhe fuqizuar dukshëm vetëm pas Marrëveshjes së Lisbonës, të vitit 2009. Autori Ramses A. Wessel thekson se në marrëdhënie me shtetet e treta dhe organizatat ndërkombëtare, Bashkimi Europian, si një organizatë ndërkombëtare, është subjekt i të drejtës ndërkombëtare. Kësisoj BE duhet të rrespektoi të drejtën ndërkombëtare. Kompatibiliteti i legjislacionit të BE’së me të drejtën ndërkombëtare tashmë ekziston. Këtë e thotë edhe neni 21.1 i Marrëveshjes mbi Bashkimin Europian (TEU). Derisa subjektivitetin juridik të BE-së e sankionon neni 47 i Marrëveshjes mbi Bashkimin Europian. Përgjithësisht, Bashkimi Europian është subjekt i veçantë i të drejtës ndërkombëtare, me subjektivitet legal ndërkombëtar dhe me kapacitet të plotë për të lidhur marrëveshje me shtetet e treta. Si e tillë, BE, sfidon në mënyrë permanente rendin juridik ndërkombëtar. Mirëpo duhet thënë se kjo organizatë nuk është shtet dhe është larg të qenurit si i tillë. Në kontekstin politik Bashkimi Europian i sotëm është përsëritje ironike e Perandorisë Romake. Një “perandori’ europiane pa perandor. Për koincidencë, në pjesën më të madhe të historisë së Perandorisë Romake kanë dominuar gjermanët. Ashtu është edhe sot. Vetëm se perandori mungon. Nëse nuk kemi guxim që një epitet të tillë t’ia japim gruas më të fuqishme në botë, zonjës Merkel. Një “perandori’’ në të cilën po ngriten mure kufitare, derisa përpjekjet për integrim janë imazhi dëshpërimisht prepotent i po kësaj organizate. Edhe integrimi ynë në këtë “perandori” pa perandor është i pashmangshëm. Ndoshta për shkak se nuk kemi rrugë tjetër! Apo jo?

………………………………………………..

DAVID ICKE: ELITA QË SUNDON BOTËN (II)
https://pashtriku.org/?kat=49&shkrimi=3277

***

The European Union & Soviet Union similarities – 2013

Historical Maps 4 – Soviets Union vs Europe

David Icke – The Origins & Symbolism of the European Union NWO

——————————————————–

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura