Tiranë, 12. 11. 2015: Një ditë e zakonshme mund të kthehet befasisht, në një ditë të bukur për shumë kënd prej nesh. Aq më shumë kur bëhet fjalë për udhëtime. Sërish në udhë drejt trojeve kosovare, me ndjesinë e përhershme të emocioneve të këndshme. Makina gati fluturon në Rrugën e Kombit, dhe bëhet më e lehtë në shoqërinë e udhëtarëve të shumtë. Ecim dhe, dielli shpërndan një ndriçim në natyrën përreth, e cila të ofron peizazhe piktoreske, që ndryshojnë kilometër pas kilometri, me vendbanime të shpërndara buzë rrugës në lugina, e të çlodhin sytë me pastërtinë e ajrit. Trajta malesh here shfaqen të qarta e herë të mjegullta. Në realitetin e kushteve të reja, të krijuara këtu në Kosovë dhe panvarsisht skajeve gjeografike, ne i gëzohemi ardhjes, me emocione të bukura, që mund t’i shprehësh natyrshëm në mbresa, që të mos harrohen.
Pejë, nën sqetullën e maleve të Rugovës
Nën sqetullën e maleve të Rugovës, Peja mrekullon këdo që e viziton. Fytyra e peisazhit të saj, e shpërndarë në një hapësirë të gjerë dhe rrjedha e lumit që e ndan atë, të tërheqin vëmëndjen. Duke kaluar përmes qytetit, në rrugët e zhurmshme, e me ndërtesa të shumta, restorante, bar kafe,artizanate, etj shumë afër njëra- tjetrës, i bashkohemi qytetarëve të të gjitha moshave, që ecnin ngeshëm dhe të tjerë teksa nxitojnë. Sheshi në qëndër të qytetit të ofron bukuritë e tij plot e përplot me drita të qashtra dhe të lëbyrta të kësaj dite vjeshte. Mjedisi rrotull gjallërohej nga Radio Peja, që çdo ditë e përndez atmosferën me këngët e bukura, domethenëse e plot temp luftarak të trevës së Dukagjinit, dhe vallet e Rugovës kaq karakteristike në pasurinë e folkut shqiptar. Ndërtesa e hotel, bar, restorantit “Dukagjini”, që ndodhet buzë lumit Lumbardha, është një ndër më karakteristiket në Pejë, jo vetëm se ka një pamje të veçantë, por edhe për ndjesinë emocionale prej pasqyrave të ujrave që lëvizin nën këmbët e klientëve. Ndërsa në parqet e qytetit bustet e figurave të njohura të rrëmbejnë prej mënge drejt historisë së secilit. Që të gjithë bustet kanë në qënien e tyre njerëz të pushkës, njerëz të penës dhe të të dyjave. Ja… Ja… Haxhi Zeka, Enver Hadri, Ali Hadri, Adrian Krasniqi, Shkelzen Haradinaj. Duke çmuar kontributin e tyre me burrëri shqiptare, e plot vlera reale për Kosovën, ato nuk duhet të mjegullohen nga anarkia e frikshme e kohës. Në Kosovë ndihet krenaria për gjakun e pastër shqiptar, që rrjedh në deje, për luftën çlirimtare dhe porosinë e etërve tanë, të ruajmë trojet nga pushtuesit. Në vesh sikur na vijnë shungëllimat e largëta të tmerreve, që herë fashiten e herë dëgjohen më fortë. Pejanët, si gjithë kosovarët, me pritjen shekullore të një populli të martirizuar për pavarësi, nuk mund të harrojnë ngjarjet e kobshme dhe fatkeqe, të shkaktuar prej bishës sllave, e cila kishte ngulur thonjtë e egër mbi tokën e saj për ta gllabëruar e kolonizuar atë plotësisht. Janë tragjike tabllot e martirizimit, dhe lotët e humbjes së jetëve njerëzore, shkatërrimet, e sidomos kalvari shtegtues që përfundoi në tokën e vëllezërve shqiptar. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e Natos e përshpejtoi rënien e pushtetit të Sllobodanit, dhe i thanë ndal këtij përbindëshi të Ballkanit. Ngjarjet rrodhën aq shpejt sa pothuajse nuk kishte kohë për t’i zgjatur pushtetin atij në Kosovë. Dëshira e zjarrtë për liri që kishte pushtuar shpirtin e kosovarëve erdhi e fituar me gjak, me luftë çlirimtare, forcë, për t’i lënë vend një jete të pavarur, e cila bëri të çelej një epokë tjetër. Dhe mbi këto dhimbje dhe liri, ata po e skicojnë atë të mbushur me sfida të tjera.
Ecim të ngarkuar me histori dhe rrëfime. Ngjarjet kanë lënë gjurmë aq të thella. Në tërësinë e tyre ato janë bindëse për sakrificat dhe luftën e bërë, për dallgët e stuhishme në shpirtin e këtij populli. Në një nga bar kafenetë e shumta, buzë lumit Lumbardha, takimi me Afrimin, ish luftëtarin e UÇK, është tepër emocionues. Ai, si dëshmitar i drejtpërdrejt i pjesmarrjes në këtë luftë çlirimtare, tregon me ngjyra të gjalla e rënqethëse ngjarjet, betejat, tmerret e masakrave që ndodhën në Kosovë. I përhumbur në mendime të shumta, që ta ngacmon kujtesa e këtij lumi historish, zëri i tij ngrihej më lart nga zhurmat e qytetit. Fjalë, të cilat mbajnë mbi shpatulla kujtime të hidhura, ashtu siç i mban secili prej kosovarëve.
-Për ngjarjet e rëndësishme vështirë se arrihet të përshkruhen apo t’i tregojmë të gjitha, – të thotë ai, megjithatë herët a vonë ato do të shkruhen nga historianët, shkrimtarët, duke i pasqyruar me origjinalitetin e tyre, dhe mes kontraditash e mosmarrveshjesh, që ashpërsohen e mprehen në akuza e kundërakuza ndaj kësaj lufte çlirimtare. Edhe për faktin se përparësia qëndron tek mundësia, të bëjnë më shumë nga se i kanë dëshmitarët, protagonistët e kësaj lufte, çka për historianë të kohëve të shkuara ka qënë pengesë e madhe, sepse edhe ngjarjet e hershme, të vërtetën e kishin mbyllur të dergjej në pamundësi për t’u dokumentuar.
Peja është qytet i lashtë, i njohur për historinë dhe traditat shpirtërore, që dallohen nga trevat e tjera të Shqipërisë, e që përbëjnë një aspekt të rëndësishëm në lëmin e tyre. Kohërat Ilire kanë lënë gjurmët e tyre të dukshme, gjë që vërtetohet nga toponimet dhe rrënojat e një kalaje ilire. Në këtë hapsirë, krahas të tjerave, gjatë gërmimeve të bëra këtu, janë zbuluar edhe mbishkrime të gdhendura në gur. Por, mjegulla e dendur në thellësinë e shekujve e bën të vështirë qartësinë e tyre dhe mjaft ngjarjeve historike. Në burimet e shkruara shfaqet me emrin e hershëm Siparantum, kjo e dëshmuar prej gjeografit të lashtësisë, Ptolemeut. Më pas Pek. Në mesjetë Ipek për të kaluar në shekujt e mëvonshën me ndryshimet etimiologjike në Pejë. Trojet tona, kanë vuajtur nga dyndjet barbare të gotëve, romakëve, mongolëve, sllavëve apo turqve. Ata janë turrur pa mundur të na zhdukin, ndonëse na kanë sakatuar për të përvetësuat të mirat tona, qytetërimet, hyjnitë e tempujt, që njiheshin në botën antike,por ne kemi ruajtur gjuhën, trashëgiminë e brezave, mitet, këngët, legjendat, simbolet, doket, traditat dhe veshjen. Një populli nëse i mungon gjuha e tij, arti, kultura kombëtare nuk ekziston. Peja e banuar nga shqiptarë të besimit katolik, si vazhduese e popullsisë së hershme iliro – dardane, në rrethanat dhe kushtet historike bëri që ata të kthehen me shumicë në fenë islamike. Pushtimi turk dhe islamizimimi në shekujt e XVI -XVII në Pejë solli ndryshime të dukshme, që njihen si periudha e zejeve në këtë trevë. Në fillim të shekullit të kaluar, e pushtuar dhe e nënshtruar me hekur e zjarr prej serbëve dhe malazezëve ajo përjetoi një nga periudhat më të vështira si qytet. Një kujtesë historike që i përket të shkurës së largët.
Në një nga rrugicat e qytetit ndodhet një kullë me vlerë historike e arkitekturore, me mure të larta, dyer të stolisura, e njohur si Kulla e Haxhi Zekës, atdhetarit të njohur pejan. Ai ishte një nga drejtuesit e Beslidhjes së Pejës në fund të shekullit XIX në mbrojtje të trojeve tona nga perandoria osmane, e cila kërkonte shkombëtarizimin e tyre. Por, për çudi kjo ndërtesë historike është e rrethuar dhe mbytur nga ndërtime të tjera, që ja zenë frymën dhe i shëmtojnë pamjen.Të njënjtin fat ka edhe një ndërtesë tjetër e vjetër, e përshtatur si muze etnografik. Një mjedis modest, por tepër i madh për nga vlerat etnokulturore, ku janë ekspozuar për të mos u harruar kurrë kultura materiale dhe historia e trevës. Kjo godinë me arkitekturë tipike të Pejës, duke respektuar shprehjen shqiptare “ derë e madhe”, dikur i përkiste familjes së Tahir Begollit, një degë patriakale e Begollëve të Pejës. Ndërtesa është punuar sipas disa pohimeve në pjesën e dytë të shekullit 18 –të dhe në fillim të shek. 19-të, me mure guri, oborr të shtruar, parmakë të drunjtë, çardak të hapur dhe gjithashtu me oda, dyer, trapanzhe, kapakë, musandra e të tjera pajisje nga mjeshtërit e kohës, me një origjinalitet e vlerë artistike të mirëfilltë. Në këto pak metra2 të këtij ambient gjenden jo pak thesare etnografike të njohur të trevës përreth. Teksa endemi me hapat tanë në odat,stendat, në atë mori antikuarësh e ormanentesh me vlerë artistike të traditës,të paraqitura me mjeshtëri e të sistemuara me kujdes ne përfshihemi nga një ndjesi kënaqësie. Pikë referimi për ndjesitë e këtyre çasteve, ndaj fjalët, përgëzimet humbasin në hieroglife mendimesh e zgjojnë aq shume impresione. Të mrekullojnë gdhendjet prej druri me simbole të ndryshme kombëtare, qendisjet, koleksionet e armëve të vjetra, stendat ku ekspozohen sende me vlerë argjendarie, e sidomos tavanet me rombe dhe rozeta në mes. Por, përshtypje të bën me hijeshinë oda e borrave. Interesante mënyra e shtrimit të velenxës,të duket sikur ndodhesh në një fushë me lule, dhe mbi to, janë vendosur poste prej lëkurë delje e anash mbështetur në mur jastëk, armët me radhë dhe pajisje të tjera. Këto dhe veshjet popullore të ngjallin një ndenjë krenarie, për burrat e hijshëm me plis të bardhë mbi sy, dhe me pushkën në krah.
Njerzit e artit revokojnë, mbrojnë me dinjitet dhe çojnë përpara vlerat shpirtërore të popullit të cilit i përkasin. Kjo është detyrë jo vetëm e atyre që merren me këtë punë fisnike, që, ndryshe nga punët e tjera janë më të devotshme. Punonjësit e këtij muzeu kanë bërë punë të bukur dhe të vlefshme për traditat ,duke marrë dhe përgëzuar nëpër botë për kulturën materiale e shpirtërore, dhe duke vënë kështu një gur në themelet e e saj të lashta. Bashkimi Lajçi, ish drejtues i këtij muzeu, duke shfaqur njohuritë dhe bagazhin e tij mbi këtë fushë, dhe duke hyrë në brendësi të traditave e jetës materiale në shekuj të Pejës ka shkruar në studimet e tij historinë, traditat, kulturën materiale të këtyre trojeve, të përmbledhur në disa botime. Fisnikëria dhe atdhedashuria është vlersuar në Pejë, edhe me reliket, që i u bashkëngjitën Muzeut të Etnogjisë në vitin 2000 prej nuzmatikut, Viktor Gashi, të këtij pinjolli, të një familje bujare, aristokrate dhe krenare pejane. Ai i dhuroi Muzeut Etnografik në Pejë mbi 300 objekte me vlera të pallogaritshme etnografike, të trashëguara brez pas brezi nga familja e tij, duke i shndrruar ato në pasuri kombëtare. Ne jetojmë sot në epokën e globalizmit, i cili përveç të mirave të shumta, ka me vete edhe kërcënimin e përhershëm për të rrezikuar shuarjen e tjetërsimin e tyre.Janë vlera kombëtare të ruajtura me fanatizëm, që duhen përçuar.
Rugovë, pyll, rreth zjarrit
Peja ka shumë peisazhe natyrore, të larmishme, piktoreske, e me një bukuri mahnitëse. Pejanët të mësuar dhe të ambientuar me to nuk u bën shumë përshtypje, por ato janë vende, që për nga bukuria të joshin dëshirën për t’i vizituar. Për të gjithë adhuruesit e klimës malore dhe vendeve turistike, midis të cilave, Gryka e Rugovës është një perlë e rrallë, ndër më të bukurat e Ballkanit. Një bukuri, që nuk ka njeri të përshkruaj me fjalë,dhe jo vetëm piktorët do ta kishin zili. Aty shpalosen përherë peizazhe befasuese dhe magjepsëse, pyje në një tërsi natyrore shumëngjyrëshe, dhe pranë tyre shkëmbinj gëlqeror si një pikturë gjigande.Të gjitha këto, së bashku me freskinë dhe ujin e pastër, që i ka zili gjithë bota përbëjnë një mjedis çlodhës.
– Kush ka ardhur këtu është mrekulluar me bukurinë e saj, qetësinë, panoramat mahnitëse e mbizotëruese – thotë Aliu udhëheqësi i udhëtimit tonë.
Patjetër unë dhe miqtë e mi nuk mund të humbnim këtë ftesë bujare, ndaj edhe pse të lodhur nga rruga e gjatë ne ndoqëm këshillën e tij. Tek e fundit në një ditë të tillë, me qiell të pastër i shijon edhe më bukur peizazhet, që të çlodhin sytë dhe të mbushin mushkritë me ajër të pastër, por edhe provon një ndjenjë paqe e harmonie. I ngjitemi rrugës, që sa vinte bëhej edhe edhe më e përpjetë nëpër lakadredhje të shumta. Edhe pse makina ecën me shpejtësi, vagëllimthi peizazhet në largësi përvijohen nga trajtat e maleve. Fati i historisë e ndau padrejtësisht këtë mrekulli shqiptare. Po përsëri një territor i saj po u dhurohet malazezëve. Edhe pse serbët dhe malazezët asnjëherë si kanë pyetur shqiptarët, dhe e kanë vendosur kufirin atje ku kanë dashur. Ndaj, ka bërë të shpërthejnë protesta ngulmuese nga opozita në Kosovë, të mos lejojnë, të dhurohen territoret pushtuesëve historikë të kombit tonë. Historia shqiptare është e mbushur me shembuj të shitjeve të territoreve tona nga këta soj politikanësh e ekspertësh të shitur, që ndërmorën shndërrimin e territoreve tona një shteti tjetër. Mjaft na kanë gllabëruar, për t’iu dhuruar përsëri.
Peisazhi që mund të shihej, duke ecur nëpër të, të tërhiqte më shumë me lumin që gurgullon, i kristaltë e me shkumësi të rrëmbyeshme nëpër gurë e brigje, si vet emri që mban, Lumbardha, i cili i jep Grykës së Rugovës një bukuri të veçantë. Ta ka enda të rrish ca çaste aty, ku në të dyja anët e saj ngrihen shpate të lartë e të rrëpira, veshur me drurë. Më mbresëlënëse janë tunelet, shkëmbinjtë me ato zgavra të errëta, ku diku nën to gurgullojnë ujëvarat, kataraktet e pastra si loti, por edhe kanioni i vogël, i cili thellohet para syve tanë në një hon disa qindra metra. Është një bukuri magjike, që të dhuron kënaqësi si shprehje e natyrës mbresëlënëse, prandaj nuk i shmangim dot emocionet në këto peizazhe, që edhe pse i kemi shkelur e shijuar edhe herë të tjera, me dëshirën për t’i vështruar më shumë. Tek tuk vëren vendbanime të rralla, stane grumbuj-grumbuj nëpër pyje, që të tërheqin vëmëndjen. Heshtjen e thyejnë blegërimat e bagëtive, të përhapura nëpër livadhet dhe këmborat, që përziheshin me zërat e tjerë të natyrës. Nga malet përkudruall ca re bardhoshe kalojnë lehtë edhe mbi kokat tona. Pllanga dëbore si çarçafë shfaqen aty këtu në majat e tyre. Disku i diellit që shkëlqen, shpërndan një dritë të artë me tufa rrezesh të përpurta. Ndërsa pyllin e dendur nga drurët e lartë të pishave, lisave, bredhave e ahu, një erë herë i mblidhte tufë e herë i ndante në ca copëza të çrregullta gjeometrike. Gjethet të prekura nga një zverdhje e ndritëshme bien si pa ndjerë. Ne e shijojmë ardhjen dhe gjithkush nuk do të ndihej kaq i mirpritur. Një grup vizitorësh të ardhur shoqërisht me prirjen për çlodhje në natyrën e Rugovës, zbaviteshin në mes të pyllit. Heshtja e pyllit grisej nga copëzat e bisedave të tyre, që jehojnë thellë.
Në pjerrësinë e shpatmalit, në mes të masivit pyjor ndodhet resorti turistik “Liqenet Kuqishte”.Vend dominues nga ku mund të sodisësh një horizont mjaft të gjërë të maleve të larta. E shijon bukurinë e shtëpizave të vogla prej druri, të ngjeshura, ku ndërthuren këndshëm qetësia, komoditeti i krijuar me modele të reja për turizmin. Ky investim luksoz, si mjaft të tjera të shpërndara aty, ia shton me shumë vlerat dhe bukurinë Grykës së Rugovës.
-Këtu dashamirësit e natyrës marrin kënaqësi në çdo periudhë të vitit, e sidomos të pasionuarit e sporteve në periudhën e dimrit -shprehet Ramizi, pronari i resortit turistik “Liqenet Kuqishte”. Ai krenohet me bukurinë e peizazhit të Grykës së Rugovës, me romantikën, përpjekjet për mbijetesë në mugëtirën e kohës dhe traditat kaq të pasura të trevës.
Ndërsa zhytemi në pyllin e madh dhe të heshtur, mes pishave, e duke thithur ajrin e freskët, po binte mbrëmja, si gjithë mbrëmjet e vjeshtës, të praruara nga yjet e panumërt, që drithërojnë qiellin me dritën e tyre. Pas shiut që kishte rënë para ca ditësh moti po mbante, por netët janë të ftohta këtu. Të ardhurit përshëndesin njëri – tjetrin plot përzemërsi dhe orët rrjedhin kaq shpejt në biseda të këndëshme e plot dashamirësi, shakara dhe këngë. Një atmosferë me të vërtetë e bukur për ta shijuar vetëm me miq. Të bëjnë përshtypje edhe vogëlsitë, si diçka e thjeshtë në dukje, por shumë kuptimplote. Nuk mungon kurrsesi tradita e mikpritjes, bujaria dhe ngrohtësia pejane. Buka e misrit me djath e kos, e servirur në tavolinat e çdo vizitori të shijon pa masë. Në ambientet e lokalit, vizitorët lëviznin lirisht me gota vere, rakie, birre dhe njihen, shkëmbejnë mendime, nën sfond muzike e avuj ngrohtësie. Na mbeti në mendje meliodiziteti pasionant me rrymë gjallërie, e ekspresiv i rrëfyesëve, që dhurojnë gurgullima të qeshurash të pafundme. Kjo e shprehur me një lloj emocioni të rrallë ndër ne, meriton të përgëzohet. Ndaj, kush zotëron këto ndjesi më së tepërmi mishëron ndjenja gëzimi, mirësie dhe dashurie, të cilat i përjetojnë me terë qënien e shpirtit edhe të tjerët. Ata që janë të lumtur, e bëjnë të shëmtuarën të bukur, dhe të bukurën, edhe më të bukur. Bisedës i jep më shumë lezet një rugovas në të tetëdhjetat, Zeqir Halili, i mbështjellë me shallin tradicional rreth kokës, që evokon kujtime nga largësia e viteve. Ato,të shprehura si thesare shpirti, të dhurojnë çaste të këndëshme me natyrshmërinë. Brenda gjithë dritë, ndërsa përjashta nata kishte pushtuar gjithësinë. Freskia e saj drithëronte degët e pishave. Por befasia më e madhe ishte zjarri i ndezur në pyll. Ndriçojnë fytyrat tona, por edhe pylli. Ardhja këtu në lartësitë e Rugovës, të shkelura përsëri, ndezi zjarre përbrenda shpirtit. Nata u festua deri në agim të ditës së re dhe tepër mbresëlënëse në kujtesën e çdonjërit prej nesh.
* * *
Një ditë e shkëlqyer, që brenda saj ka gjithë bukurinë e peizazhit, e shoqëron largimin tonë. Freskia e ajrit, dhe gurgullima e ujrave janë një ngacmim joshës, dhe akoma më shumë dielli vjeshtak, që stërpikte me reflekse drite majat e maleve të Rugovës.
-A mund të bëhej kjo ditë-natë më e gëzueshme se kaq?- pyet Xhoni, miku ynë përtej oqeanit, në një çast ekzaltimi, teksa me aparatin e tij fotografik nuk ngurron të fotografoj peizazhet. Po kthehemi në Tiranë, por me vete kemi marrë kënaqësinë dhe dëshirën për t’u rikthyer përsëri, në këtë panoramë të skalitur nga krijuesi natyrë.
Fotot: Xhelal Tetaj: