ALBIN KURTI: DIALOGU PËR VERIUN I SHNDËRRON NË POLITIKANË KRIMINELËT VERIORË

(Prishtinë, 02. 08. 2012) – Të flasësh për zgjidhjen për veriun përmes dialogut me Serbinë, do të thotë të flasësh për shtetin e Kosovës si problem për veriun. Dialogu për veriun i shndërron në politikanë kriminelët veriorë. Autonomia për veriun i rikuptimësohen vrasjet e shqiptarëve në akte çlirimtare.
Në verën e nxehtë të vitit 2006, atëherë kur pushonin qytetarët dhe Kuvendi, gatiteshin negociatat për statusin e Kosovës. Të gjitha negociatat paraprake thuhej të kenë qenë për çështje teknike dhe jo për statusin e Kosovës. Me negociata teknike u instalua forma. Me negociata për statusin u vendos për përmbajtjen. Forma ishte vendimtare për përmbajtjen.
U konsiderua që Kosova është me probleme (të brendshme aktuale) dhe jo se ajo ka probleme (të jashtme qysh moti që ia shkaktojnë Serbia por edhe UNMIK-u). Dhe, meqë Kosova është problemi, ajo s’mund të jetë zgjidhja: Serbia, nga të qenit problemi kryesor i Kosovës, u katapultua në partnerin e zgjidhjes së problemit që quhet Kosovë! Kosovës thuhej t’i mungonte statusi që duhej përcaktuar (me të tjerët, me shumë të tjerë) dhe jo se popullit të Kosovës i mungonte liria (emri politik i së cilës është vetëvendosja).

………………………………………………

Rasmussen: Dialog politik për veriun…

…………………………………….

Serbia ofroi autonomi substanciale. Kosova shpalli pavarësi josubstanciale. Serbia e refuzoi Planin e Ahtisaarit. Kosova e përvetësoi njëanshëm atë. Negociatat vazhdojnë.
Gjashtë vjet më vonë, në verën edhe më të nxehtë të vitit 2012, atëherë kur sërish pushojnë qytetarët dhe Kuvendi, po gatiten negociatat për statusin e veriut të Kosovës. Të gjitha negociatat paraprake thuhet të kenë qenë dialog për çështje teknike dhe jo për çështje politike të Kosovës. Me negociata teknike u instalua forma. Me negociata për statusin e veriut do të vendoset përmbajtja. Sërish, forma bëhet vendimtare për përmbajtjen.
Konsiderohet që Kosova është me probleme (të brendshme në veriun e saj) dhe jo se ajo ka probleme (të jashtme që vazhdon t’ia shkaktojë Serbia, UNMIK-u dhe jo vetëm këta). Kosova ka ndryshuar meqë e shpalli pavarësinë, mirëpo nuk kërkohet që edhe Serbia të ndryshojë – bisedohet me Serbinë pa kurrfarë kushtesh për të. Njëkohësisht, Kosova e pavarur është subjekt karshi të tjetërve, porse jo edhe kundrejt Serbisë: në dialog me Serbinë, vetë Kosova është temë.
Më parë sesa emri pavarësi, statusi i Kosovës ishte përplot çështje përmbajtësore: decentralizimi etnik i territorit të shtetit, eksterritoret fetare të trashëgimisë kulturore, veto komunitare si shumicë e dyfishtë, borxhi i jashtëm i Serbisë pa pjesëmarrje të Kosovës në sukcesion, xhandarmëri si FSK në vend të TMK-së si ushtri, dhe zëvendësim i UNMIK-ut me EULEX-in.
Pra, gjashtë faqet e paketës së Ahtisaarit. Statusi i veriut të Kosovës, më parë sesa emri i veçantë, do të jetë përsëri përplot me çështje përmbajtësore: transporti dhe infrastruktura, energjia dhe telekomunikimi, trashëgimia kulturore, gjyqësia e policia, doganat e administrata, në veri dhe jo vetëm atje. Pra, gjashtë pikat e Ban Ki-moon-it. Ta vëresh dallimin do të thotë ta dallosh përsëritjen.
Teksa qytetarët dhe institucionet po pushojnë, qeveritarët kosovarë dhe burokratët ndërkombëtarë po punojnë për ta bërë dialogun politik për veriun lajm të vjetër e fakt të kryer. Çështjet teknike po bëhen çështje tektonike. Toka e Kosovës, territori i Kosovës, është në pyetje. Dhe, jo vetëm kaq. Nuk mund të jetë në pyetje një pjesë e territorit të shtetit të Kosovës pa u vënë në pikëpyetje karakteri i shtetit të Kosovës.
Të flasësh për zgjidhjen për veriun përmes dialogut me Serbinë, do të thotë të flasësh për shtetin e Kosovës si problem për veriun. Përcaktimi i statusit për veriun e ndryshon gjithë shtetin e Kosovës. Rregullim territorial e administrativ tjetërfare. Ligje të reja, organizim i ri institucional, kushtetutë e re. Jo për të mirë, por për të keq (sepse kjo fjala ‘e re’ sajon iluzione automatike).
Insitucionet e Kosovës nuk duan ta ndryshojnë Kushtetutën e Kosovës duke hequr Planin e Ahtisaarit dhe duke e shtuar sovranitetin për Kosovën. Ato kufizohen e humbin kohë te ndryshimet kushtetuese formale për zgjedhje presidenti në kuadër të garës për pushtet. Prandaj tash rrezikojmë ndryshime kushtetuese përmbajtësore ku veriu figuron ndryshe e veçmas.
Zaten, meqë s’ka federatë të Kosovës me Shqipërinë, do të nis federalizimi i brendshëm i Kosovës. Meqë politika zyrtare kosovare nuk është te bashkimi me Shqipërinë, atëherë ajo përfundon te ndarja e brendshme e Kosovës. Po ngece, nuk stagnon dot por nis e zmbrapsesh.
Dialogu për veriun është shpërblim për strukturat ilegale dhe armiqësore të Serbisë, për kriminelët dhe krimin atje: prej dëbimit masiv të shqiptarëve në shkurt të vitit 2000 e deri te vrasja e Enver Zymberit dhe Selver Haradinajt. Ky pra po bëhet mësimi i veriut – me krime që pasohen e i pasojnë barrikadat fitohen bisedimet për Kosovën me Serbinë dhe entiteti i Serbisë brenda Kosovës.
Çfarëdo dialogu me Serbinë për veriun shpie te autonomia a statusi special për veriun. Çfarëdo autonomie apo statusi special për veriun kodifikon të drejta shtesë në veri e për veriun. Dhe, çfarëdo të drejtash shtesë në veri e për veriun kanë efekt retroaktiv për drejtësinë jopolitike dhe politikën e drejtë. Dialogu për veriun i shndërron në politikanë kriminelët veriorë. Dhuna dhe terrori i tyre asisoj do të dekriminalizoheshin.
Autonomia për veriun i rikuptimësohen vrasjet e shqiptarëve në akte çlirimtare të strukturave kriminale serbe atje! Atë që nuk mund të na e bëjë as Serbia, do të mund t’ia bëjmë vetes kësaj radhe.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura