Prishtinë, 15. 11. 2015: Të gjitha studimet historike e gjuhësore të shekullit XIX e XX, të shkencëtarëve të huaj (evropianë) dhe atyre shqiptarë që jetonin në hapësirën kombëtare dhe jashtë saj, kanë konfirmuar në studimet e shkencave të ndryshme (histori, gjuhësi, arkeologji, etnografi etj.) se shqiptarët e sotëm janë me origjinë ilire, por ka edhe të atillë studiues, ndërkombëtarë e vendorë që kanë ngritur edhe hipotezat e tyre për origjinën pellazge. Rilindësit tanë, në veprat e tyre nuk kanë ngurruar ta pranojnë prejardhjen e shqiptarëve nga pellazgët. Për ketë hipotezë kanë folur e shkruar shumë Naim Frashri, Pashko Vasa, Ismail Qemali etj. Këtu natyrshëm shtrohet pyetja: pse më vonë përqendrimi u bë në tezën se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve? Arsyetimi ka qenë dhe konsideroj që është i qëndrueshëm, se: hulumtimet e disa shkencave, dhe sidomos i studimeve historike, gjuhësore, arkeologjike e etnografike të marra së bashku kanë konfirmuar tezën ilire. Por kjo nuk e mohon mundësin që ilirët të kenë qenë pasardhës të pellazgëve. Edhe ky stad i studimeve mund të themi se është arritur nga elita e shkencëtarëve shqiptarë të disa lemive shkencore të harmonizuara me rezultatet e shkencëtarëve europerëndimorë për ilirët dhe ilirologjinë. Këtu nuk e mohoj faktin se në kohën e Naimit e të Vaso Pashës ka pasur shqiptarë që i kanë shërbyer turkut, grekut, serbit e ndonjë tjetri, e as të mohoj faktin se ata kanë paraqitur njëfarë elite, por ata në asnjë formë nuk kanë qenë “elitë” shqiptare. Mund të kenë qenë thjesht “elitë” e atyre që u kanë shërbyer dhe shumë herë u kanë shërbyer edhe me devotshmëri të përgjunjur!
Ishte po kjo elitë e shqiptarëve, e formuar jashtë atdheut si në Stamboll, në kolonitë shqiptare të Rumanisë, Bullgarisë, të Egjiptit, të arvanitasve në Greqi, e të Kolonive arbëreshe në Italinë e Jugut, e më vonë edhe kolonia e shqiptarëve në SHBA, e cila pati rol të pazëvendësueshëm për përhapjen e idesë së kombit shqiptar. Pa dyshim që pionieri i parë i kësaj ideje ishte Naum Veqilharxhi, i pasuar nga Zef Jubani, Jeronim De Rada, Konstandin Kristoforidhi, Naim e Sami Frashëri e Pashko Vasa, Koto Hoxhi, Jani Vreto etj. Sigurisht një shtytje më të madhe kësaj ideje ia jep Komiteti i Stambollit, i udhëhequr nga Kryetari i Komitetit Abdyl Frashëri me anëtarët më të njohur: Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zija Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Koronica, Mihal Harito, Iljaz Dibra e që më vonë kulmoi me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në krye me Abdyl Frashërin, Kryetarin e Komitetit Shqiptar të Stambollit, Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit, Ali Pashë Gusisë, Haxhi Zekës me prijësit e tjerë të Shqipërisë së katër vilajeteve shqiptare.
Lexoni librin:
SAMI FRASHËRI: ‘SHQIPËRIA Ҫ’KA QENË, Ҫ’ËSHTË E Ҫ’DO TË BËHET’
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Sami-Frashri-Shqipria-cka-qene.pdf
***
Nuk ka asnjë dyshim se ishte elita e përmendur me ithtarët e tyre, ata që konsoliduan dhe e finalizuan idenë e kombit shqiptar, në hapësirën që e banonin dhe e cila quhej Shqipëri. Një Shqipëri, e cila shtrihej në një hapësirë me mbi 80.000 km2. Nga ajo hapësirë e banuar me shqiptarë, sot kanë mbetur të banuara me shqiptarë diku rreth 50.000 km2, ku hyjnë Shqipëria, Kosova, Maqedonia Perëndimore, trevat shqiptare të Malit të Zi. Në këtë hapësirë nuk janë llogaritë shqiptarët (arvanitasit) e Çamërisë e të Greqisë. Sigurisht që jo vetëm në atë kohë kishte bastardë shqiptarë që e mohonin kombin, gjuhën shqipe e nevojën për arsim kombëtar, por ata që ishin kundërshtarë të idesë kombëtare për një komb, gjuhë e atdhe, në asnjë mënyrë nuk mund të quhen pjesë e elitës kombëtare. Elita shqiptare, është ajo që ishte e gatshme që nëpër kohë të ndryshme të jepte gjithçka për gjuhë, komb e atdhe.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit është organizata e parë politike e ushtarake, e cila pa kompromis u vu në realizimin e idesë kombëtare për një komb, gjuhë e atdhe, për një shtet, qoftë edhe për një shtet autonom, ashtu siç ishin formuar edhe shtetet tjera të kombeve të Ballkanit. Atëherë Porta e Lartë u shtrëngua që popujve të krishterë tu jepte autonomi e pavarësi, por ketë gatishmëri nuk e tregoi kur ishin në pyetje shqiptarët, kombësinë e të cilëve nuk donte që ta njihte. Pas kësaj ngjarjeje të madhe për kombin shqiptar, që nuk mund ta mohojë askush, shteti shqiptar nuk u bë, por përpjekjet për bërjen e Shqipërisë nuk u ndalën. Përkundrazi, ato u konsoliduan. Shembulli më i mirë i kësaj është Programi i Rilindjes i shkruar në fund të shekullit XIX nga Sami Frashri, të cilin Samiu e quajti: “Shqipëria ç‘ka qenë, ç’është e ç‘do të bëhet”. Idesë për krijimin e Shqipërisë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, iu përkushtua një armatë e tërë atdhetarësh të penës e të pushkës që udhëhiqeshin nga Ismail Qemali, Hasan Prishtina, vëllezërit Topulli, Papa Kristo Negovani, Luigj Gurakuqi, Fan S. Noli, Dedë Gjo Luli, Tringa Smajli, Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji, Isa Boletini, Bajram Curri, Hoxhë Kadri Prishtina, vëllezërit dhe motrat Qiriazi, të cilët pas shumë përpjekjeve e sakrificave më 28 Nëntor 1912 arritën ta shpallin Shqipërinë e Pavarur. Menjëherë pas kësaj, në skenën politike, për gllabërimin e fryteve të pavarësisë doli klasa e feudalëve pashallarë në krye me Esat Pashë Toptanin, Ahmet Zogollin, të mbështetur nga feudalet e Jugut dhe ata të Shqipërisë së Mesme, të cilët nuk ngurruan ta njihnin Shqipërinë Londineze, duke iu kundërvënë pa kompromis idesë së çlirimit të trojeve të pushtuara të Shqipërisë. Veç kësaj, ata ishin të gatshëm t‘u jepnin të tjerëve toka të Shqipërisë, për t’i mbrojtur pronat e tyre private. A nuk iu dhanë Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene, Shën Naumi e Vermoshi nga Ahmet Zogu, për t‘u rikthyer në Shqipëri me ndihmën e kralëve të Serbisë? Fatkeqësisht, as në kohët e mëvonshme, mbase edhe sot, individët e tillë po gjejnë hapësirë veprimi e dëmtimi të interesit kombëtar.
Nuk ka dyshim, kjo ishte dhe është pasojë se shqiptarët që nga koha e Skënderbeut kanë pasur tolerancë deri në pakuptimësi ndaj tradhtisë, të cilën e merrnin dhe e marrin edhe sot si diçka normale! I pari që e vërejti ketë fenomen jo normal te kombit tonë, është studiuesi gjerman Falmerajeri në gjysmën e shekullit XIX. Po të shikohet, historikisht, shqiptarët jo pak herë, tradhtarët dhe zjarrvënësit e Shqipërisë i kanë rikthyer në qeverisjen e vendit. Këtij fenomeni nuk kemi arritur t’i ikim as në shekullin tonë. Për të qenë mjerimi edhe më i madh, para pak dite, një autor duke e krahasuar Esat Toptanin me Isa Mustafën, e arsyetonte të parin duke e fajësuar të dytin, ani pse “Toptani nuk e njihte asnjë gjuhë të huaj, por i njihte të gjitha kartëmonedhat e botës”! Njohja e kartëmonedhave vazhdon edhe në ditët tona. Po a nuk mund të dalë nesër një tradhtar tjetër apo edhe një shkrues tjetër, i cili e arsyeton Isa Mustafën në krahasim me një tjetër, në krahasim më të cilin Isa do të na dilte “engjëll”?! Tradhtia si e afërt, si e largët e ka vetëm një emër – TRADHTI! Ne si komb, nuk duhet të tolerojmë më tradhtinë e askujt dhe as t’i harrojmë ndonjëherë pasojat që i patëm gjatë historisë nga kjo farë e keqe. Apo se paku, mos t’i bëjmë pjesë të lavdishme të kujtesës sonë historike. Se mjaft, siç thotë Noli, “brenda nate tradhtarin e bëmë atdhetar e atdhetarin tradhtar”! Është fatkeqësi, por është e vërtetë, se në hapësirën tonë kombëtare, kemi parti, medie të ndryshme, intelektualë e grupe intelektualësh edhe në akademitë kombëtare, që janë vënë në mbrojtje të tradhtisë nëpër histori deri në ditët e sotme. Prandaj hapësirat tona kombëtare edhe sot, janë jo vetëm në një udhëkryq, por janë në një kaos jo edhe shumë shpresëdhënës dhe shih për ketë nuk mund të jetë asnjë shqiptarë, së paku i elitës shqiptare, i kënaqur me gjendjen që po e jetojmë në shumë sfera të jetës. Ikja e qytetarëve shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, flet më së miri për gjendjen në të cilën jemi. Ta saktësoj, kur flitet ose flasim për elitën kombëtare shqiptare, mendohet për atë elitë politike e intelektuale që është në mbrojtje te të gjitha vlerave kombëtare të shqiptarëve. Në elitë kombëtare nuk mund të hyjnë ata që kurdo kanë ecur e ecin kundër interesave dhe rrjedhave historike e kulturore të shqiptarëve.
Nuk ka asnjë dyshim se pas pavarësisë së Shqipërisë, ka qenë një elitë e fuqishme kombëtare, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Një elitë intelektuale e atdhetare, e cila me tërë energjitë ishte vënë në shërbim të kombit, të gjuhës dhe të kulturës kombëtare. Nuk ka shkencëtar që nuk mund ta konfirmojë këtë, me fakte e arritje të shumta, se ajo elitë e intelektualëve ishte angazhuar për pasurimin e gjuhës shqipe, për zhvillimin e saj, për zgjerimin, për vjeljen e gjithë trashëgimisë së saj të gjallë e të fjetur historike e gjuhësore, për unifikimin apo standardizimin e gjuhës se kombit ashtu si i kishin bërë edhe kombet tjera të Evropës, të cilat kurrë s’i nëpërkëmbën të arriturat e paraardhësve të tyre, siç tentojnë të bëjnë disa mjeranë shqiptarë në Kosovë, Shqipëri e në diasporë. Elita jonë intelektuale, gjuhësore e kulturore, pas një shekulli përpjekjesh arriti ta unifikojë (standardizojë) gjuhën shqipe. Gjuha u bë një digë e madhe për të gjithë armiqtë që synonin e synojnë ndarjet e përçarjet e kombit tonë. Askush nuk mund ta kontestojë atë elitë intelektuale të gjuhëtarëve, të cilët janë majat e shkencës shqiptare, që sot zor që i kemi. Ne, sot duhet të jemi krenar që e patëm plejadën e gjuhëtarëve të mëdhenj të kombit siç ishin: Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kosotallari, Fadil Sylejmani, Idriz Ajeti etj., që na dhuruan dhe e mbrojtën: Gjuhën standarde shqipe e cila për kombin, për gjuhën e folur e të shkruar, për kulturën e tij, hapi hulli, shtigje e hapësira të reja.. Atë që shqiptarët nuk e kishin arritur në planin politik e gjeografik, e arritën në rrafshin gjuhësor me standardizimin e gjuhës shqipe. Është e kuptueshme se gjuha e gjallë zhvillohet e pasurohet çdo ditë, por pa u udhëhequr nga logjika e mohësve për të arriturat e djeshme mbi të cilat të arritura zhvillohet e sotmja. Në atë kohë, vetëm qarqe të kufizuara në Jugo/Serbi e kishin kundërshtuar atë të arritur dhe tani qarqe e jo elita shqiptarësh, të ndikuara nga ato serbe ose që kishin kaluar nëpër dyert e Beogradit me pasuesit e tyre, sot janë ngritur kundër të arriturës më të madhe te shqiptarëve – gjuhës së unifikuar shqipe. A mund të jenë elitë shqiptare intelektualët qofshin edhe qeveritarët e Shqipërisë e të Kosovës së sotme që e mohojnë kombin shqiptar dhe vlerat kulmore të tij, duke u njësuar me mbeturinat e shekujve të errësirës. Kërkojnë errësirën ata që drita i verbon, ashtu siç e ka verbuar drita urithin. Mohojnë Skënderbeun dhe të gjitha luftërat që Lëvizja jonë Kombëtare për Çlirim zhvilloi gjatë shekujve! Këta mund ta quajnë veten “elitë”, po, por mund të jenë vetëm “elitë” e komb mohuesve! Dyshoj shumë që mohësit e kombit mund të jenë ndonjë“elitë” e akëcilit komb.. Pse ne duhet t’i quajmë elitë mohësit e kombit? A ka ndonjë arsyeje?
Elitat kombëtare kanë qenë, janë e do të jenë vetëm ata që janë në themel e brenda kalasë shqiptare dhe në mbrojtje të saj për sot e nesër. Nëse ne mohojmë 100 vitet e shtetit shqiptar dhe sidomos majën e konsolidimit në rrafshin horizontal të kombit, me cilën histori na mbetet të krenohemi? Apo mos dikush do të thotë se ne, shqiptarët, dimë vetëm të luftojmë, por jo edhe të ndërtojmë. Veç nëse dëshirojmë të krenohemi me vitet e sundimit të egër serbo/jugosllav, siç po tentojnë të bëjnë disa qarqe nostalgjike të atij sundimi.
Se te shqiptarët ka mohësa, këtë e thotë edhe Ismail Kadare, krye-elitari i intelektualëve të kombit. Konstatimin e Kadaresë e konfirmon edhe historia më e re e Kosovës. Gjatë gjithë këtyre viteve të pas luftës në Kosovë janë ngritur në “piedestal” mohësit e luftës çlirimtare e sabotatorët e saj, kurse çlirimtarët “vlerësohen” e ndiqen sipas akuzave të Beogradit dhe të miqve të tyre në botë. Këto kërkesa kanë vetëm një qëllim, që në pushtet të vijë një klasë politike e pranueshme për Beogradin (dhe të tillë kemi në institucionet më të larta te shtetit), madje për këtë qëllim kanë punuar e janë duke punuar edhe njerëz që e kanë përvetësuar e privatizuar luftën çlirimtare e pasurinë e këtij vendi. Gjithnjë duke punuar me plane e projekte të huaja për eliminimin e nacionalistëve idealistë, që me vite e dekada kanë punuar e luftuar për çlirim e bashkim kombëtar dhe tani po angazhohen për konsolidimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Çdo krahasim i idealizmës kombëtare për çlirim të të gjithë brezave atdhetarësh, e sidomos nga brezi i veprimtarëve politikë në krye me Adem Demaçin, Metush Krasniqin, Shaban Shalën, Fazli Greiçevcin, Kadri Zekën, Jusuf Gërvallën, Rexhep Malën, Nuhi Berishën si dhe brezin e UÇK-së në krye me Adem e Hamëz Jasharin, Fehmi Lladrovcin, Zahir Pajazitin, Luan e Shkëlzen Haradinajn, Ismet Jasharin, Tahir Sinanin, Mujë Krasniqin e shumë të tjerë të vdekur e të gjallë, është përpjekje për të denigruar Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të udhëhequr nga SHP i saj. Por “dielli me shosh nuk mbulohet”, thotë një fjalë e urtë e popullit.
Këtë që u tha më sipër, më së miri e konfirmon përbërja e institucioneve tona sot, të cilat janë pushtuar nga anonimusët, të dëgjueshmit e të padijshmit, që ato pozita ku janë ngulitur as në ëndërr s’i kanë parë! Kjo tendencë do të konfirmohet në muajt e vitet që kemi përpara! Besoj se pas një kohe do ta shohin të gjithë, e sidomos ata që dëshirojnë të shohin pa syza të zeza e koka të huaja! Kokat e huaja na janë bërë gjithçka e tonat janë fare pa vlerë, gati sikur atëherë kur thuhej: “Muri nuk bëhet pa i folur serbisht”! Nuk kam asnjë dyshim, kjo tendencë do t’i luhatë shumë themelet e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës?!Mbase edhe janë luhatur shumë në katër/pesë vitet e fundit. Nëse ky vend nuk udhëhiqet nga njerëzit që dinë e duan të qeverisin mirë e për një perspektivë ndryshe, me këta njerëz që Kosovën e kanë sjellë në këtë derexhe, ndryshim dhe perspektivë zor që do të ketë, mbase nuk do të jetë as e lehtë e as e shpejtë! Ndërkaq, frika e ikja, nuk janë zgjidhja që i duhet vendit e kombit! As dëshira për t’u vetë mashtruar e vetë nënshtruar nuk janë ndonjë zgjidhje!
A kemi elita kombëtare, politike e intelektuale që na tregojnë rrugën e ndryshimit, të zhvillimit e të perspektivës? Unë nuk kam përgjigje pozitive për momentin! Pasi kërkesat e njeriut tonë janë minimizuar në maksimum dhe orientuar në zgjidhje individuale e jo në zgjidhje kolektive! “Nëse unë jam mirë, mirë është e gjithë bota” po thonë disa! Këtu sikur është deformuar ajo thënia brilante e Isa Boletinit: “Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria”. Kjo logjikë e të menduarit dhe e të vepruarit asnjë kombi, në asnjë vend të Botës nuk i ka sjell zhvillim, progres shoqëror e ndryshim! Pse të sjell tek ne apo pse ne edhe në ketë rrafsh jemi sui generis?
Si përfundim,
elita e kombit, mund të jetë e majtë apo e djathtë, liberale a konservative, me fe apo pa te, por kur ajo është vërtetë elitë, para interesit të kombit, para gjuhës e kulturës së tij, para historisë e të trashëgimisë se tij të ndërtuar në shekuj, para zhvillimit e arsimit të tij, para mirëqenies dhe perspektivës së tij, nuk vë asnjë interes tjetër, meskin apo të huaj. Kjo elitë i duhet kombit shqiptar sot dhe e cila është duke na munguar goxha shumë. Vetëm një elitë e tillë, e cila nuk vihet në bisht të masës, por është fanar në ballë të saj në rrugën e zhvillimit e të progresit, e meriton cilësimin Elitë Kombëtare. Vetëm drejtuesit e tille, meritojnë të quhen Elitë Kombëtare Shqiptare dhe atë me shkronja të mëdha. “Elita” e mohësve të kombit si dhe ajo e komb-shumëzuesve a e mashtruesve të ndryshëm, të djeshëm apo të sotshëm nuk mund të jetë në asnjë mënyrë Elitë e Kombit Shqiptar, e kombit të konsoliduar që në shekullin XIX.
***
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
PASHTRIKU: KANONIZMA E SHOQËRISË SË TË SHTYPURIT TË SHKRONJAVET SHQIP NË STAMBOLL – 1879
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=1323
……………………………………………………………….
(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)