(Prishtinë, 17. 02. 2012) – Pikërisht Plani i Ahtisaarit i cili përmendet tetë herë në ‘Deklaratën e pavarësisë’ na i hoqi simbolet tona kombëtare. Ky plan në të cilin thirret edhe sot Qeveria e Kosovës na e hoqi himnin dhe flamurin tonë kombëtar. Dikur, në kohën e pushtimit nga Serbia shqiptarët rriheshin sepse e mbanin në dorë flamurin kombëtar dhe këndonin vargjet e bukura të himnit tonë për festën e flamurit, tash kur ne e fituam lirinë, politikanët ‘’tanë’’ na e hoqën nga kalendari i festave zyrtare 28 nëntorin – festën e pavarësisë së Shqipërisë.
Deklarata e (pa) varësisë
Para katër vitesh, pikërisht më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Kosovës u lexua një tekst nga HashimThaçi. Atij teksti, ky i fundit i thoshte ‘Deklarata e pavarësisë’, por kur e lexon përmbajtjen e tij nuk të duket e tillë. Pothuajse të gjitha deklaratat e pavarësisë së shteteve të botës në vete përmbajnë historinë dhe përpjekjen e popullit për t’u pavarësuar. Madje, për të kaluarën historike flitet më së shumti nëpër deklaratat e atyre shteteve sovrane, të cilat ne sot i marrim shembull për të mirë. Por, në letrën që e kishte lexuar Hashimi, asnjëherë nuk ishte përmendur historia e popullit shqiptar.
Përpjekjet shekullore të shqiptarëve për tu çliruar nga Serbia atë ditë nuk u dëgjuan fare, edhepse qytetarët e Kosovës të ulur pranë ekraneve të tyre e prisnin një gjë të tillë. Përderisa në “Deklaratën e pavarësisë” u përmend tetë herë Plani i Ahtisaarit i cili e cungon shtetësinë e Republikës së Kosovës, aty asnjëherë nuk u përmend fjala shqiptar. Aty u përmendën marrëdhëniet për fqinjësi me Serbinë, por asnjëherë ato me Shqipërinë. U përmend edhe multi-etniciteti duke aluduar gjithmonë tek pakica serbe por asnjëherë populli shqiptar i Kosovës që është rreth 94% e popullsisë.
Përveç që s’u përmendën përpjekjet shekullore të shqiptarëve për liri e pavarësi, aty edhe lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u cilësua si konflikt e jo si luftë e drejtë e një populli që kërkonte liri, ashtu qysh edhe ishte në realitet.
Shkombëtarizimi i shqiptarëve të Kosovës
Pikërisht Plani i Ahtisaarit i cili përmendet tetë herë në ‘Deklaratën e pavarësisë’ na i hoqi simbolet tona kombëtare. Ky plan në të cilin thirret edhe sot Qeveria e Kosovës na e hoqi himnin dhe flamurin tonë kombëtar. Dikur, në kohën e pushtimit nga Serbia shqiptarët rriheshin sepse e mbanin në dorë flamurin kombëtar dhe këndonin vargjet e bukura të himnit tonë për festën e flamurit, tash kur ne e fituam lirinë, politikanët ‘’tanë’’ na e hoqën nga kalendari i festave zyrtare 28 nëntorin – festën e pavarësisë së Shqipërisë.
Pas një kohe na doli që edhe Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit në stemën e Komunës së Prizrenit është kundër Kushtetutës së Kosovës, e rrjedhimisht edhe kundër Planit të Ahtisaarit kur dihet që Kushtetuta e Kosovës rrjedh nga ai. E hoqën edhe atë. Kur këta politikanë akuzohen për shkombëtarizimin e shqiptarëve, ata nuk hezitojnë fare ta përmendin përfshirjen e tyre në luftën e UÇK-së dhe t’i quajnë të tjerët “patriotë të vonuar”. Në emër të së kaluarës së tyre patriotike, këta politikanë po synojnë që t’i ikin përgjegjësisë dhe ta mbajnë peng të ardhmen tonë.
Negociata atëherë, negociata tash
Para shpalljes së pavarësisë, kur po të njëjtit politikanë bënin negociata me Serbinë, thoshin se po negociojnë për çështje teknike, njëjtë qysh thonë edhe sot. Por, as atëherë dhe as sot asnjëherë nuk është biseduar për të pagjeturit, temë kjo që nga ata konsiderohet teknike. Asnjë trup i viktimave të luftës së fundit nuk iu është dorëzuar institucioneve tona nga ana e Serbisë dhe me këta politikanë Serbia as që do t’i kthejnë ndonjëherë trupat e të pagjeturve.
Atëherë u bisedua për ndarjen e Kosovës përmes decentralizimit e eksterritorialitetit, ndërsa sot po bisedohet për ndarjen e Kosovës përmes statusit special për pjesën veriore. Sot po bisedohet edhe për heqjen e Republikës, dhe paraqitjen e Kosovës në nisma ndërkombëtare vetëm me emër dhe një fusnotë ku përmendet Rezoluta 1244 dhe opinioni i GJND-së.
Sikurse atëherë, edhe tash këta politikanë na e mbushin kokën plotë me deklarata boshe duke thënë se pavarësia e Kosovës është e panegociushme, por rezultatet e negociatave atëherë e edhe tash vetëm sa po e ç’bëjnë këtë pavarësi që e kemi. Atëbotë, kur ishte shpallur pavarësia e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje! në një komunikatë për medie kishte thënë që kjo shpallje e pavarësisë është “Një hap para – tre hapa mbrapa”. Hap para, VETËVENDOSJE! e kishte cilësuar njohjen e shtetit të Kosovës nga shumë vende të rëndësishme të botës, ndërsa hapa mbrapa i kishte cilësuar ardhjen e EULEX-it mbi institucionet e Kosovës, Pakon e Ahtisaarit me ligjet e saj shumë të dëmshme për Kosovën dhe festën që bëhej ato ditë në mënyrë që të zhvendosej vëmendja e qytetarëve të Kosovës nga dhuna e strukturave paralele të Serbisë që iu bëhej doganave të Kosovës dhe kontrabandimi i simboleve dhe himnit të cilat nuk përmbajnë asgjë që identifikohen me popullin shqiptarë.
Sot unë mendoj që hapit përpara nuk i është shtuar as edhe një hap tjetër, madje pothuajse ka ngecur aty ku ishte, ndërsa hapat mbrapa po rriten dita ditës. Me këtë ritëm dhe me këta politikanë, Kosova do të bëjë edhe shumë hapa të tjerë mbrapa, por jo edhe përpara.
Kjo pavarësi nuk erdhi si rezultat i vetëvendosjes së popullit të Kosovës por si rezultat i pazarllëqeve mes politikanëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Për këtë arsye kjo pavarësi mbetet formale qysh prej shpalljes së saj. Për ta shndërruar shtetin e Kosovës në shtet demokratik e sovran duhet që fatin tonë ta marrim në duart tona e assesi të mos ua lëmë në duar këtyre politikanëve të korruptuar e të shantazhuar. Secili prej nesh duhet të angazhohemi që ta bëjmë vendin tonë ashtu qysh ne dëshirojmë që ta kemi e jo ashtu si na imponojnë të tjerët.
Postime të Lidhura
REXHEP KASUMAJ: ‘PIKA E LARGËT E KOSOVËS’!
Berlin, 16 korrik 2018: Sa karta hidhen e sa duar fshehen në lojë-plojën e Kosovës! Vini re ç’thotë…
JEMI BËRË SI LIBRA TË HEDHUR NË MBETURINA!
JEMI BËRË SI LIBRA TË HEDHUR NË MBETURINA! Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 31 gusht 2021 Sot në shoqërinë…
ARTAN MULLAJ: SULLTAN SALIU
(Pashtriku.org, 19. 07. 2012) – Me zgjedhjen e Nishanit president Republike, që është njëri nga besnikët e urtë…
SPIRO BUTKA: GREQIA, BASHKËPUNTORE E SERBISË NË KRIMET E LUFTËS!
(Tiranë, 19. 05. 2012) – Ndërsa presidenti Serb Tadiç, provokon me vizitën e tij në manastirin e lashtë…