PROF.MURAT GECAJ: NDERIM PËR ARSIMTARIN DHE SHKRIMTARIN, NIKO TYTO

Tiranë, 01. 12. 2015: 1. Me mësuesin përmetar Niko Tyto, jam njohur që në vitet ’60-të të shekullit të kaluar, në kohën e studimeve universitare. Më pas, ai shërbeu në vendlindjen e tij, Malëshovë e Përmetit, kurse unë redaktor në gazetën ditore “Bashkimi”, e cila dilte në Tiranë. Duke jetuar intensivisht me profesionin e tij të nderuar e të respektuar, por dhe për të shprehur dashurinë për bukuritë e traditat e vendlindjes, ai shkruante herë pas here në shtyp dhe artikujt e tij botoheshin me kanaqësi, në atë gazetë.

Vitet kaluan me shpejtësi, sa as që i vinim re, pasi na kishin rrëmbyer problemet e jetës dhe të punëve, si vetjake e shoqërore. Por asnjëherë nuk e harruam njëri-tjetrin, megjithëse ishim nga krahina të ndryshme, pra unë me origjinë nga Malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe ai nga Përmeti i vëllezërve Frashëri e i traditave të njohura, atdhetare e kulturore.


Niko Mina Tyto

Kështu, përveç takimeve të mëparshme në Tiranë, në shoqërinë e kolegut e mikut të përbashkët, Sejdo Harka, po nga ai rreth, në një ditë të marsit të këtij viti, pra kur ishte Festa e Arsimit tonë Kombëtar, ne u takuam përsëri në librarinë-lokal “Agolli” të kryeqytetit. Aty pimë të tre kafe bashkë dhe sollëm në kujtesë mjaft ngjarje nga vitet e kaluara. Përsëri atë e ngushëlluam për humbjen e bashkëshortes,që e kishte pikëlluar pa masë. Me atë rast, takimin tonë të paharruar e shoqëruam me disa fotografi, që na mbeten kujtim i çmuar. Por aty folëm edhe për krijimet e botimet tona. Ndër të tjera, Sejdo i dhuroi Nikos librin e ri, ku është autor, “Modernët e kohës”. Duke e shfletuar atë vepër, në të cilën flitet për shumë autorë të njohur shqiptarë, por dhe të huaj, ndalemi te shkrimi:”Një jetë duke shkruar”. Këtë ia kushton bashkëkrahinasit të vet, Niko Tyto. Ndër të tjera, autori S.Harka ka këto radhë vlerësuese, për krijimtarinë e pasur dhe të shumanshme të tij:
“Shkrimtari dhe mësuesi, folkloristi dhe studjuesi Niko Tyto,ka një jetë të tërë që mbledh dhe seleksionon,hulumton dhe studion ,shkruan dhe boton një krijimtari të gjerë dhe të larmishme,letrare dhe artistike,kulturore dhe folklorike.Kjo krijimtari shumëplanëshe i ka dhënë atij jo vetëm energji krijuese e shpirtërore,por edhe fizike e mendore.Edhe pse ai ,po i afrohet të tetëdhjetave,e ndjen veten të ri dhe tepër energjik.Çdo ditë,me një çantë në dorë , e gjen duke rendur,herë drejt shtëpive botuese ose shtypshkronjave për t’i dhënë dorën e fundit botimit të një libri , apo numrit të ri të gazetës së përmuajshme”Malëshova”, që drejton; herë drejt Biblotekës Kombëtare, ose institucioneve kërkimore , për të qëmtuar e grumbulluar fakte e vlera të reja nga krijimtaria gojore e artistike, dhe herë drejt miqëve e shokëve,për t’u dhuruar libra ,apo për të ndarë me ta gëzimet dhe shqetësimet e ditës.Shkruan dhe boton pa u lodhur.Tridhjet e tre libra ka botuar deri tani,10 prej të cilëve janë me letërsi folklorike,si këngë popullore e poezi,fjalë të urta,gjëegjëza e anekdota.Ndërsa 5 libra janë me studime e monografi.Një nga monografitë e tij më të mira është ajo, që i kushtohet jetës dhe veprës së poetit dhe politikanit të madh disident, Sefulla Malëshova….” (Nga libri i S.Harkës, “Modernët e kohës”, Tiranë 2015, faqe 215).
Por, me siguri, përveç sasisë së librave të botuar, Niko Tyta ka lënë edhe të tjerë në dorëshkrim, të cilët pritet të publikohen në të ardhmen.
2
Niko Tyto u lind në Malëshovë të rrethit të Përmetit. Shkollën fillore e mbaroi në vendlinje,7-vjeçaren në Elbasan dhe të mesmen në Gjirokaster. Degën gjuhë-letërsi shqipe, të Fakultetit Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës, e mbaroi më 1961. Kursin pasuniversitar për letërsi shqipe e kreu më 1972, po në kryeqytet. Është mërrë me botime dhe studime te ndryshme. Punimet e të tij, letrare dhe gjuhësore, i lexoi në sesionet shkencore, të cilët janë organizuar në Përmet, Gjirokastër, Berat, Elbasan e Tiranë. Në kryeqytet ka mbajtur tema për personalitete të shquara të vendit tonë, si: Abdyl Frashëri, Kamber Benja, Sefulla Malëshova etj. Gjatë viteve të fundit, në shtypin periodik, qendror dhe atë lokal, ka botuar shkrime të natyrave të ndryshme. Redaktoi e përgatiti për botim mbi dhjetë vëllime me poezi, për fëmijë ose për të rritur, duke i shoqëruar me parathënie etj.


Nga e majta: N.Tyto, S.Harka e M.Gecaj (Tiranë, mars 2015)

Për punë të palodhur e të përkushtuar, Niko Tyto është nderuar me vlerësime të ndryshme dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë i ka dhënë Urdhërin “Naim Frashëri”.
3.
Për familjarët, kolegët e miqtë dhe dashamirësit e shumtë të tij, Andon Tyto publikoi këtë njoftim të dhimshëm, por dhe të shoqëruar me fjalë nderimi e respekti, për punën e përkushtuar e frytdhënëse të të ndjerit Niko Tyto, i cili u përcoll për në banesën e fundit, sot në mesditë:
“Të nderuar miq! Me hidhërim të thellë, u njoftoj se, të shtunën pasdite, datë 28 nëntor 2015, rreth orës 16.00, në Tiranë, u nda nga jeta njeriu ynë i dashur, Niko Mina Tyto. Ai e filloi karrieren e mësuesisë në shkollën fillore dhe pastaj e vazhdoi në ato 7-vjeçare e të mesme. Gjatë kohës, që e ushtronte këtë profesion, shkroi poezi, punoi shumë tema e kumtesa Ishte një nga organizatorët kryesorë të krijimit të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Maleshova” dhe botues i gazetës “Malëshova”. Është autor i shumë librave të botuara dhe dorëshkrimeve të pabotuara. Me largimin nga kjo jetë të tij , familja dhe të afërmit humbën njeriun e tyre të dashur, ndërsa shokët e miqtë humbën një mik të sinqertë dhe krijuesit u ndanë përgjithnjë nga një koleg, pra është një humbje e madhe. I shprehim familjes ngushellimet tona më të sinqerta. T`i rrojnë vajzat ,mbesa e nipi, si dhe gjithë dashamirësit e tij. Nikua qoftë i paharruar. I qoftë i lehtë dheu i tokës sonë e u prehtë në paqe!”

(Murat Gecaj – publicist e studiues. Tiranë, 29 nëntor 2015)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura