DR.LILJANA KRISTULI: ҪKA ËSHTË BULIZMI /7/ FOTO + VIDEO

Pashtriku.org, 15. 12. 2015: (Bulizëm janë sjelljet e përsëritura, të dëmshme e agresive ndërmjet personave që ndryshojnë në nivelin e tyre të forcës dhe mund të jenë si fizike, ashtu edhe psikologjike. Ato përfshijnë goditjet, rrahjet, ngacmimet verbale, gjestet fyese, përjashtimin ose thjesht presionin për t’iu përshtatur atyre që dëshiron apo thotë bullisti. – www.living.al)
***
Një fëmijë është viktimë e bulizmit, kur në mënyrë të vazhdueshme, për një periudhë kohe, keqtrajtohet ose merret në tallje, nga një moshatar apo grup moshatarësh. (Dan Olweus,profesor psikologjie Universiti i Bergen -Norvegi.) Bulizmi, haset mjaft shpesh në shkolla. Në shqip do të mund të përkthehej me fjalën harbutëria. Po e përdor pa e përkthyer, sepse ky term, përdoret pikërisht kështu, në të gjitha gjuhët.
Përshkrimi më i bukur i bulit në letërsi, është pa dyshim personazhi i Frantit në librin “Zemër” (De Amicis) “Është i keq, kur dikush qan ai qesh. Provokon më të vegjlit dhe më të dobëtit, kur zemërohet ngjan si një kafshë e egër. Nuk ka respekt për askënd, i qesh në fytyrë mësuesit, vjedh sapo mundet, dhe e mohon pa turp, është vazhdimisht në sherr me dikë, urren shkollën, shokët, mësuesit.”
Karakteristika më e spikatur e bulit është agresiviteti ndaj shokëve, por jo rrallë edhe ndaj prindërve e mësuesve. Ai është tip impulsiv, i papërmbajtshëm, nxehet shpejt, nuk pranon kritikat, nuk pranon rregullat, do të sundojë mbi të tjerët, mashtron dhe mburret për këtë. Qëllimi i bulit është të trembë dhe t’u verë frikën, moshatarëve ose më të vegjëlve, sepse kështu ndjehet i madh dhe i rëndësishëm. Ai do që të tjerët të mendojnë se është i fortë, se ka sukses, se mbizotëron mbi shokët dhe në të gjitha rrethanat.

Në të vërtetë, nuk ka asnjë nga këto cilësi: nuk është as i fortë, dhe as i rëndësishëm. Përgjithësisht bulot veprojnë në grup. Në përbërje të grupit, ka edhe bulë pasivë, d.m.th., që nuk marrin pjesë fizikisht p.sh në keqtrajtimin e viktimës, ose në akte të tjera dhune por nuk bëjnë asgjë për t’i ndaluar anëtarët e tjerë të grupit, sepse pajtohen me këto sjellje prej buli ose kanë një karakter të dobët. Njihet edhe një periudhë e prebulizmit, kur fëmija nuk godet direkt dikë, por hedh sende pa asnjë shkak kundër nënës, vëllait më të vogël, ose prish lodrat e fëmijëve të tjerë.
• Bulizmi femëror, merret pak parasysh, megjithëse është po aq i rrezikshëm sa edhe bulizmi i ushtruar nga djemtë. Zakonisht “bula” sillet si një “bletë mbretëreshë” që mbledh rreth vetes vetëm ato moshatare që i rrinë për shtat, duke i përjashtuar, tallur, përfolur, nëpërkëmbur dhe trajtuar si më të ulëta, ato që nuk i pëlqejnë. Është e pabesueshme kur bëhet fjalë për vajza, por ato e përdorin dhunën fizike po aq sa dhe bulot meshkuj.
Bulizmi paraqitet në forma të ndryshme :
-bulizmi emocional-psikologjik: përjashtimi dhe veçimi me qëllim nga një grup shokësh, tallje, nofka fyese, kërcënime.
-bulizmi me akte dhune: shqelma, shpulla, shtyrje, dhunë seksuale.
-bulizmi ekonomik: kërkesat e përsëritura të bulit për t’i dhënë të holla ose sende që i përkasin viktimës.
-bulizmi elektronik: mesazhe fyese në celular, në postën elektronike, Chat.
-vendosja në internet e fotografive ose i filmave personale të personave të tjerë.
Një fëmijë mund të bjerë viktimë e më shumë se një lloj bulizmi. Në qoftë se në shkollë ose në rrugë ndodh që dikush të ngacmon, mos iu përgjigj provokimeve, fyerjeve dhe fjalëve të ulëta. Ti je një person i edukuar dhe i ekuilibruar, je një person me dinjitet dhe i fortë që di si t’i bësh ballë një dhune psikike. Kur mendon se je viktimë e një sjelljeje prej buli, gjëja e parë që duhet të bësh, është të flasësh me një të rritur, me prindin ose me një mësues, që dinë si të sillen me një bulo. Nuk je ti që duhet të turpërohesh sepse kërkon ndihmë. Është bulo që sillet në mënyrë të gabuar, prandaj dikush duhet ta ndalojë.
TEST MBI BULIZMIN ( V- e vërtetë, F- fallco)
Mendo një moshatar që ke përshtypjen se sillet keq ndaj teje
1.i pëlqen të tallet me ty
2.kënaqet kur shikon që ti ndjehesh keq sepse tallet me ty
3.gëzohet kur shikon që ke gabuar
4.të merr pa kërkuar leje gjërat e tua
5.prish me dëshirë sendet që të përkasin
6.nxehet me ty shpesh dhe pa arësye
7.të quan fajtor ty për gjërat që nuk i shkojnë mbarë
8.është hakmarrës nëse ti i ke bërë diçka edhe pa dashje
9.kur luan me ty do patjetër të dalë i pari
10.të kërcënon ose të qëllon kur do t’i shkojë e vetja
11.bashkohet me dikë që sillet keq me ty
Në qoftë se je përgjigjur më shumë se dy pyetjeve me V (e vërtetë) do të thotë se je viktimë e një sjelljeje të dhunshme dhe prej buli. Kërko ndihmë, mos lejo kurrë më të sillen keq me ty.
Si ta kuptoj nëse fëmija është viktimë e bulizmit ose që është ai një bulo?
Në sjelljen e viktimës dhe të bulit ka disa sinjale tregues që mund të ndihmojnë në këtë drejtim.
Viktima:
-kthehet nga shkolla me libra të dëmtuara dhe sende të prishura
-shpesh rrobat e tij janë të grisura ose të ndotura
-ka vrraga, gërvishtje ose plagë nëpër trup dhe gjymtyrë
– nuk ka miq për të luajtur dhe për të kaluar orët e lira
– nuk i vjen asnjë shok në shtëpi
– nuk e ftojnë nëpër festa apo ditëlindje
– shkon pa dëshirë në shkollë dhe zgjedh rrugën më të gjatë për të arritur atje
– fle keq ose sheh ëndrra të këqija
– është gjithmonë e më shpesh i trishtuar, i dëshpëruar
-shpesh ka shpërthime inati pa asnjë shkak të dukshëm.
-kërkon vazhdimisht të holla ose i vjedh (duhet t’ia japë bulit)
Buli:
-merr vazhdimisht shokët në tallje, shpesh edhe me shaka të rënda
– shan, fyen e përdor emra poshtërues ndaj të njohurve
– ngacmon e fyen edhe persona të panjohur
– u ve frikën dhe kërcënon pa asnjë shkak moshatarët dhe më të vegjlit
– zirret kollaj, do patjetër t’i dalë e tija, gjuan shkelma, grushte
– dëmton objekte, thyen xhama.
Sjellja prej buli ka pasoja edhe për vetë bulin.
Ai do të gjëndet gjithmonë e më tepër në situata të rrezikshme.
Në moshë më të rritur, shpesh bulot kanë probleme si kriminaliteti, alkoolizmi e toksiko-dipendenza.
Marrë nga libri: “Heshtja nuk është zgjidhje” – Liljana Kristuli.

___________________
DR.LILJANA KRISTULI: HESHTJA NUK ËSHTË ZGJIDHJE (DHUNA, ABUZIMI, BULIZMI, STALKING, MOBING, DROGA) / 1 /
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4579
***
DR.LILJANA KRISTULI: SJELLJA SEKSUALE DHE ҪRREGULLIMET E SAJ – PEDOFILIA / 2 /
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4597
***
DR.LILJANA KRISTULI: FËMIJËT DHE ABUZIMI SEKSUAL /3/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4608
***
DR.LILJANA KRISTULI: DHUNA! /4/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4629
***
DR.LILJANA KRISTULI: ETIKA E MORALIT SEKSUAL /5/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4758
***
DR.LILJANA KRISTULI: SËMUNDJET ME TRANSMETIM SEKSUAL /6/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4759

………………………………………………

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura