ETNOR CANAJ: VDEKJA E SKËNDERBEUT DHE VAJTIMI I LEK DUKAGJINIT!

Pashtriku.org, 18. 01. 2016: “Forma më antike, më ekspresive dhe më spektakolare në të cilën plazmohet kriza e pikëllimit gjatë ritit mortor në malësitë veriore është gjama e burrave. Etnologu Bledar Kondi, thotë se “të dhënat më të hershme mbi gjamën e burrave dëshmohen nga Herodoti, i cili flet për ekzistencën e vajtimeve kolektive të fiseve dardane”. Në mesjetë, Mikel Apostoli përshkruan një skenë mortore pranë Shkodrës, ku burrat dhe gratë, të cilët ai, në vitin 1437 i quan ende me emrin “taulantë”, “vajtonin si kretasit”, duke nënkuptuar me këtë modelet e lashta të vajtimit helen me britma dhe vetgjymtim”.
Marlin Barleti dokumenton i pari gjamën personale të Lek Dukagjinit për vdekjen e Skënderbeut, ndërsa Pjetër Budi jep një tablo dramatike të malësorëve katolikë që i nderonin të vdekurit e tyre me gjamë të përgjakshme edhe gjatë salikimit fetar në shtëpinë e Zotit. Gjatë shek. XIX dhe gjysmës së parë të shek. XX janë pikërisht klerikët katolikë italianë dhe shqiptarë të cilët ofrojnë dokumentacionin etnografik më të pasur mbi praktikimin e gjamës në Malësinë e Dukagjinit, Malësinë e Madhe, të cilat kulmojnë me kodifikimin e dokeve mortore dhe të usullit të gjamës në Kanunin e Maleve, nga Shtjefën Gjeçovi [1900-’07]. Ndërsa gjatë gjysmës së dytë të shek.XX gjama do të bëhej objekt i studimit etnografik, folklorik dhe etnomuzikologjik nga Rr. Zojzi, R. Sokoli, A. Ahmeti, A. Çeta, M. Tirta, A. Ahmedaja etj. duke nxjerrë më në në pah funksionin dhe rëndësinë e këtij vajtimi prototipal në traditën mortore shqiptare. Përsa i përket regjistrimeve zanore të gjamës kolektive, ato janë shumë më të pakta, dhe ekzemplarët e regjistruar fillimisht nga O. Xhatufa në vitin 1972 në malësitë e Tropojës, Shkodrës, gjenden të depozituar vetëm në Arkivin Audiovizual të Institutit të Kulturës Popullore”.
 ***

17 janar 1468: Gravurë e shek. 16. Vdekja e Skënderbeut dhe përshkrimi ku Lek Dukagjini në publik vajton vdekjen e Tij duke shkulur mjekrrën, flokët dhe duke çjerrë fytyrën. “Vajtimi me gjama, apo Gjama e Burrave”, tipike e shqiptarëve!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura