Zürich, 01. 03. 2016: Pikënisje për Procesin e Helsinkit, ishte Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE, në kuptimin e një arene të konferencave ndërkombëtare në mes Lindjes dhe Perëndimit, e bazuar në Deklaratën e Helsinkit. KSBE-ja, u iniciua nga Bashkimi Sovjetik, përkatësisht nga ministri i Jashtëm, Vjatsjeslav Molotov, i cili në vitin 1954 lansoi idenë për një konferencë të sigurisë në mes Lindjes dhe Perëndimit. Po ashtu, Leonid Bresjnev, gjatë Kongresit të partisë në vitin 1966, u bëri thirrje shteteve evropiane për ti trajtuar dhe zgjedhur bashkërisht çështjet e sigurisë politiko-ushtarake. SHBA-të, fillimisht ishin kundër, ngase iniciativën e Bashkimit Sovjetik e konsideronin si tentim që të përçajë shtetet evropiane me SHBA-të, në veçanti që t`i armiqësoj Francën dhe SHBA-të, duke e marrë parasysh ndikimin që kishte Franca në Evropë dhe apetitet rivalizuese të Francës ndaj SHBA-ve. Gjithashtu edhe më vonë, presidenti amerikan Richard Nixon dhe ministri i Jashtëm Henry Kissinger, ishin skeptikë ndaj iniciativës së Bashkimit Sovjetik, sepse konsideronin se pozicioni i fortë i SHBA-ve në NATO dhe në bisedimet bilaterale me Bashkimin Sovjetik, mund të dobësohej, poqëse SHBA-të bëheshin pjesë e një dialogu multilateral për çështjet e sigurisë politiko-ushtarake.
Pas shumë peripecive dhe iniciativave, Deklaratës së Bukureshtit të vitit1966, Apelit të Budapestit të vitit 1969 etj., u miratua Deklarata e Helsinkit gjatë Konferencës së KSBE-s në Helsinki të Finlandës në vitin 1975. Deklarata e Helsinkit, që përveç Shqipërisë, u nënshkrua nga të gjitha shtetet evropiane, SHBA-të dhe Kanadaja, nuk ishte juridikisht e detyrueshme, por duke e marrë parasysh se pas shumë peripecive ishte një rezultat i suksesshëm i një konsensusi, kryesisht mes dy superfuqive të kohës, SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik, konsiderohej politikisht dhe moralisht e detyrueshme.
Në mesin e 10 parimeve të Deklaratës së Helsinkit u përfshi edhe parimi për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, dhe u bë faktori kryesor që Procesi i Helsinkit, i cilësuar edhe si “Lëvizja e Helsinkit”, të marrë një zhvillim të hovshëm: duke inspiruar dhe inkurajuar angazhimin vullnetar ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, në veçanti nëpërmes etablimit të ashtuquajturve ”Grupeve të Helsinkit”
Grupi i parë i Helsinkit i njohur edhe si Moscow Helsinki Watch Group, u themelua në Moskë, në banesën e Andrej Sakharov, në vitin 1976, me qëllimin që të monitoroj respektimin dhe implementimin e parimit të Deklaratës së Helsinkit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Për ketë qëllim në Poloni u formua Komiteti për Mbrojtjen e Punëtorëve (KOR) në vitin 1976, dhe në vitin 1977 Lëvizja për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Drejtave Qytetare (ROPCiO). Ky Komitet dhe kjo Lëvizje në Poloni, gradualisht rezultuan në aleancën në mes punëtorëve, intelektualëve dhe kishës dhe themeluan Solidarnostin në vitin 1980, dhe Komitetin Polak të Helsinkit në vitin 1982. Gjithashtu në vitin 1977 u themelua Charta 77 në Çekosllovaki, në krye me Vaclav Havelin etj., dhe kishin krijuar kontakte me strukturat e KSBE-s.
Autoritetet shtetërore sovjetike, çekosllovake dhe polake, ju përgjigjen me represion aktivistëve për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Në veçanti autoritetet shtetërore sovjetike ju përgjigjen me represion të ashpër pjesëtarëve të Grupit të Helsinkit në Moskë, me arrestime, burgosje dhe internime të brendshme. Kjo shkaktoi indinjatë të thellë tek shtetet anëtare të KSBE-s. Kjo indinjatë rezultoi edhe me themelimin e Grupeve të Helsinkit në shtetet perëndimore, që si qëllim parësor kishin mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në shtetet lindore. Në Norvegji u themelua shumë herët Grupi i Helsinkit, i njohur si Komiteti Norvegjez i Helsinkit, përkatësisht në vitin 1977. Ndërsa në vitin 1978 u formalizua themelimi i Grupit të Helsinkit në SHBA, i njohur si Helsinki Watch Amerikan, dhe nga viti 1988 i njohur si Human Rights Watch.
Helsinki Watch Amerikan, ka pasur ndikim të madh në politiken amerikane. Veçanërisht nën udhëheqjen e presidentit Jimmy Carter, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut u bën prioriteti kryesor në politiken e jashtme amerikane. Rrjedhimisht, çështja e Drejtave dhe Lirive të Njeriut e dominonte në kontinuitet diskursin në mes shteteve anëtare të KSBE-s gjatë Procesit të Helsinkit. Shtetet perëndimore i kritikonin vazhdimisht shtetet e lindjes për shkelje të drejtave politike dhe civile, ndërsa shtetet e lindjes e refuzonin kritikën e shteteve perëndimore duke ju referuar njërit ndër parimet e Deklaratës së Helsinkit për mosndërhyrje në punët e brendshme të shteteve, dhe njëkohësisht i kritikonin perëndimoret për shkelje të drejtave ekonomike dhe sociale në shtetet e tyre.
Presidenti Carter dhe Grupet e Helsinkit, nëpërmes Procesit të Helsinkit, që ishte njëkohësisht proces ndërshtetëror dhe proces civil, kanë pasur rol vendimtar për unifikimin e shteteve perëndimore nëpërmes një diskursi të përbashkët për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, kundër Bashkimit Sovjetik dhe në tersi kundër regjimeve të Evropës Lindore dhe më gjerë. Shtetet perëndimore në mënyrë unike gjithnjë e më shumë e rritnin presionin ndaj Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të Lindjes, në kuptimin se të Drejtat dhe Liritë e Njeriut nuk mund të cilësoheshin vetëm si çështje e brendshme e shteteve, siç i konvenonte Bashkimit Sovjetik dhe shteteve të tjera totalitare dhe autoritare. Rrjedhimisht, Komitetet e Helsinkit në shtetet perëndimore, në kuadër të Procesit Civil të Helsinkit, e themeluan Federatën Ndërkombëtare të Helsinkit në vitin 1982, me qëllimin, përveç qëllimeve të tjera, të forcohet dhe bashkërendohet edhe më shumë, veprimtaria ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, dhe të inkurajohen forcat opozitare në Lindje. Gjithashtu politika reformiste e Mikhail Gorbatsjov, ka qenë vendimtare që sistemet totalitare dhe autoritare të fillojnë të hapen ndaj parimit të Deklaratës së Helsinkit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut.
Rrjedhimisht, etablimi i KSBE-s, si një arenë e konferencave ndërkombëtare, të bazuara në Deklaratën e Helsinkit, përkundër edhe mospajtimeve në mes shteteve anëtare të KSBE-s, kontribuoi për relaksimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve në mes Lindjes dhe Perëndimit, dhe veçanërisht shënoi fillimin e një faze shumë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, e njohur si Procesi i Helsinkit, në kuptimin e ndërtimit të një Evrope të re dhe të një rendi të ri botërorë.
KSBE-ja, pasiqë shërbeu rreth 20 vite si arenë konferencash, u institucionalizua në vitin 1995 në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE. Veprimtaria për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në vazhdën e Procesit të Helsinkit, dhe shembja e murit të Berlinit, kanë pasur ndikimin e vet të rëndësishëm për legjitimimin e intervenimeve humanitare në Somali, Ruandë, ish-Jugosllavi dhe në vende të tjera.
Procesi i Helsinkit dhe Adem Demaçi, simboli i Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare dhe Drejtave dhe Lirive të Njeriut
Në pikënisje, aspiratat e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, binin ndesh politikisht me Procesin e Helsinkit, përkatësisht me njërin ndër parimet e Deklaratës së Helsinkit për mos ndryshimin e kufijve ndërshtetëror. Gjithashtu Shqipëria politike, gjahësisht edhe për shkak të parimit për mos ndryshimin e kufijve ndërshtetëror, nuk e kishte nënshkruar Deklaratën e Helsinkit, por njëkohësisht, në mënyrë indirekte dhe direkte, e orientoi Lëvizjen e Rezistencës Shqiptare nën okupimin serbosllav, që të jetë më pragmatike në kërkesat politike.
Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK, e themeluar në fillimvitet 1980-dhjetë, si organizatë që unifikoi dhe orientoi politikisht, Lëvizjen e Rezistencës Shqiptare nën okupimin serbosllav, fillimisht me kërkesën për një Republikë Shqiptare në Kuadër të Federatës Jugosllave, dhe veçanërisht gjatë konsolidimit më të fortë, pas mbledhjes së parë të përgjithshme të vitit 1987, ndikoi që kërkesat politike të shqiptarëve nën okupimin serbosllav, të mos jenë në kundërshtim politik me Deklaratën e Helsinkit.
Rrjedhimisht LPK-ja, hapi rrugën që të mund të zhvilloj veprimtarinë e vet edhe në kuadër të Procesit të Helsinkit, veçanërisht duke u bazuar në Parimin e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Deklaratës se Helsinkit, që e kishte nënshkruar edhe Jugosllavia.
Ky pragmatizëm i LPK-s, pati ndikim direkt që veprimtaria ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në vazhdën e Procesit të Helsinkit, ta mirënjehë meritueshëm, dhe ndërkombëtarisht si disident, simbolin e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare, nën okupimin serbosllav, Adem Demaçin. Edhe Amnesty International që në pikënisje ishte skeptike të përkrahë organizata dhe lëvizje çlirimtare, nuk hezitoj që Adem Demaçin ta cilësoj dhe promovoj si të burgosurin numër 1 në ish-Jugosllavi.
Me fjalë të tjera, Adem Demaçi për vite me radhë ishte në listat e Amnesty International, si figurë frontale kundër shkeljeve të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në ish – Jugosllavi dhe pikërisht në vitet 1980-dhjetë, kristalizohet rroli i tij i disidentit dhe i liderit të popullit shqiptar në ish – Jugosllavi.
Rrjedhimisht, kërkesa e shqiptarëve për Republikë nuk binte ndesh politikisht me Procesin e Helsinkit, dhe Adem Demaçi mer pozicionin e bartësit të kësaj kërkese edhe pse ishte brenda grilave në burgjet serbosllave. Nga kjo periudhë diplomacia e fshehtë perëndimore që operonte fuqishëm në kuadër të Procesit të Helsinkit, do të jetë gjithnjë e më shumë e interesuar të dijë mendimin e Demaçit, duke e cilësuar si aktorin kyç nga ana e shqiptarëve, në lidhje me zgjidhjen e çështjes shqiptare nën okupimin serbosllav. Në aspektin strukturor, ky ishte një rezultat i konsolidimit të kërkesave të popullit shqiptar për liri dhe barazi, të artikuluara politikisht, përveç tjerash në demonstratat e vitit 1981, nga organizatat ilegale të kohës dhe veçanërisht nga LPK-ëja.
Mikja idealiste e shqiptarëve, znj. Berit Backer, si një ndër personalitetet e spikatura dhe të respektuara të veprimtarisë ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, në kuadër të Procesit të Helsinkit, që nga vitet 1970-dhjetë, dhe si studiuese e pasionuar e kulturës shqiptare, ka dhënë një kontribut koherent dhe të veçantë për promovimin e çështjes shqiptare në kuadër të Procesit të Helsinkit. Veçanërisht, pasiqë u bë pjesë e Këshillit të LPK-së në Norvegji në vitin 1987, u bë një aktiviste e pakompromis për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, duke e vënë tërë potencialin e saj në këtë drejtim.
Znj. Backer, në cilësinë e koordinatores në mes Grupit të Ballkanit të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Federatës së Helsinkit duke përfshirë Helsinki Watch -Amerikan, dhe strukturave të caktuara të KSBE-s, ishte një institucion në vete, më shumë se një ambasadore e shqiptarëve në shtetet perëndimore. Përveç tjerash, para shembjes se murit të Berlinit, ka pasur rrolin kyç për inicimin e udhëtimit, dhe udhëheqjen e delegacionit të ekspertëve të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit dhe Helsinki Watch – Amerikan, për në Kosovë, për të vëzhguar situatën e Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë. Në vazhdën e kësaj vizite inicioi dhe ndihmoi themelimin e Komitetit të Helsinkit në Kosovë, dhe mëpastaj edhe në Shqipëri, duke përfshirë edhe themelimin e OJQ-ës së parë në Shqipëri, si bërthamën e parë nga jashtë për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim në Shqipëri, dhe ka ndihmuar që Shqipëria të përfaqësohet në takimin e ekspertëve të KSBE-s. Gjithashtu mbante kontakte me persona kyç të kohës, para shembjes së murrit të Berlinit, përveç tjerëve, edhe me ish-ambasadorin e SHBA-ve në Beograd, Warren Zimmermann, i cili paraprakisht ishte udhëheqës i delegacionit të SHBA-ve në KSBE.
Një ndër pikat kyçe të Veprimtarisë për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në kuadër të Procesit të Helsinkit, ishte edhe inkurajimi dhe promovimi i forcave opozitare nën regjimet shtypëse. Në linjë me këtë, znj. Backer e ka pasur rrolin kyç për organizimin e vizitës së parë të udhëheqësit të Lëvizjes Paqësore të Kosovës, Ibrahim Rugovës, në përbërje të delegacionit të parë të përfaqësuesve politikë nga Kosova në botën perëndimore, pas pluralizmit politik në ish-Jugosllavi, përkatësisht në Norvegji dhe me nisje nga Norvegjia në shtetet e tjera perëndimore. Znj. Backer është përkujdesur veçanërisht që, nëpërmjet realizimit të vizitës zyrtare të delegacionit të Kosovës në Qeverinë Norvegjeze, dhe nëpërmes kontakteve të saja me strukturat e KSBE-s, t’i hapen dyert delegacionit të Kosovës edhe nga qeveritë, partitë dhe strukturat tjera perëndimore, me qëllim të faktorizimit të Kosovës në bashkëveprimin ndërkombëtar.
Pas daljes nga burgu, Adem Demaçi, që nga takimi tij i parë personal me znj. Backer, lidhi miqësi me te, ata krijuan një konsideratë dhe respekt të ndërsjellë ndaj njëritjetërit, dhe veçanërisht një bashkëpunim substancial në veprimtarinë e tyre për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, deri në vdekjen tragjike të znj. Backer, në mars të vitit 1993.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, që shërbente si një bazë e fortë “për njohjen e realitetit në Kosovë” nga ana e diplomacisë perëndimore, e kishte peshën e vet të rëndësishme sepse udhëhiqej nga simboli i shqiptarëve për liri dhe barazi, Adem Demaçi, dhe znj. Backer me diturinë dhe nëpërmes kontakteve të saja kudo në Evropë, ndikoi qe ky ”realitetet” të shpërndahet më thellë në strukturat e pushtetit të shteteve perëndimore. Kjo pati ndikimin e vet të rëndësishëm, edhe për kyçjen e drejtpërdrejtë dhe veçanërisht për promovimin e meritueshëm të Adem Demaçit në kuadër të Procesit të Helsinkit, si simbol i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, që rezultoi edhe me nderimin e tij me çmimin Sakharov. Znj. Backer e ka pasur një rrol kyç për ndërlidhjen e çështjes shqiptare në Procesin Helsinkit në kontiniutet që nga vitet 1970-dhjetë, dhe jo rastësisht baca Adem e quante Merita dhe porosiste që të gjithë shqiptarët ta quajnë me ketë emër, siç zakonisht e thërriste baca Adem: Merita e Shqiptarëve. Gjatë viteve 1970-dhjetë dhe në vijim, znj. Backer kishte kontakte me Fehmi Aganin dhe veçanërisht me Ukshin Hotin, më pastaj me Ibrahim Kelmendin, Gazmend Pulen, Xhavit Halitin etj. Para demokratizimit të Shqipërisë, ju ndalua hyrja e dytë në Shqipëri. Ndërsa në Jugosllavi ju ndalua hyrja në vitin 1989.
Në kuadër të veprimtarisë së LPK-s në Norvegji dhe përgjithësisht në Skandinavi, promovimi i Adem Demaçit nuk ishte i lehtë, veçanërisht duke e marr parasysh lidhjen tradicionale të marrëdhënieve të veçanta që kishte Norvegjia me Serbinë. Megjithëkëtë, lobimi dhe aktiviteti diplomatik i LPK-s, i kishte efektet e veta. Në vitin 1994, pesë deputetë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan Adem Demaçin për Çmimin Nobel në Letërsi dhe të njëjtin vit kandidohet edhe për çmimin Nobel për Paqe. Në vitin 1995 nderohet me çmimin Leo Eitinger për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, nga Universiteti i Oslos. Në këtë vazhdë Norvegjia me ndikimin e vet dhe veçanërisht me besueshmërinë e veçantë që ka në marrëdhëniet ndërkombëtare, e dha përkrahjen e vet për legjitimimin – ndërkombëtar të luftës së UÇK-s. Vlen të përmendet se gjatë luftës në Kosovë, kishte rëndësi që OSBE-ja u udhëhoq nga ish-ministri i jashtëm i Norvegjisë, Knut Vollebæk, i cili shumë herët më sinjalizoi se përkrahë luftën mbrojtëse të shqiptarëve kundër regjimit neofashist të Milosheviçit. Gjithashtu, më vonë, diplomati norvegjez Kai Eide, e ka pasur një rrol kyç për zgjidhjen e statusit të Kosovës në drejtimin e Pavarësimit të Kosovës.
Rrjedhimisht, ndarja e çmimeve prestigjioze ndërkombëtare për Adem Demaçin në vazhdën e Procesit të Helsinkit, kishte dy efekte të rëndësishme. Nga njëra anë e nderonte meritueshëm simbolin tonë të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare dhe Drejtave dhe Lirive të Njeriut, dhe njëkohësisht nderonte meritueshëm përpjekjet tona për liri. Nga ana tjetër, këto çmime i dhanë shumë herët legjitimitet luftës sonë çlirimtare, si mjet i fundit për çlirimin e shqiptarëve nën okupimin serbosllav, në kuptimin se Adem Demaçi, duke qenë ndërkombëtarisht i mirënjohur për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, dhe duke qenë përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-s, në periudhën më të rëndësishme politike të UÇK-s, ishte individi më i rëndësishëm për legjitimimin – ndërkombëtar të UÇK-s.
Në aspektin strukturor faktor të rëndësishëm për legjitimimin e hershëm ndërkombëtar të luftës së mëvonshme të UÇK-s, ishte pragmatizmi diplomatik i LPK-s, në raport me Procesin e Helsinkit, duke përfshirë edhe strukturat lobiste dhe të diplomacisë jo-formale të ish-emigracionit politik shqiptar, dhe strukturat në Kosovë, që kanë kontribuar në vazhdën e Procesit të Helsinkit, në vitet 1980-90 dhjetë: Komiteti i Kosovës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Belgjikë; Komiteti i Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror në Zvicër; Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, si veprimtari e ndërlidhur me LPK-ën; Shoqata Migjeni në Slloveni; Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane; Komiteti i Helsinkit në Kosovë; Lidhja Demokratike e Kosovës; Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë; Shoqëria Civile në Kosovë etj.
Shfrytëzojë rastin në këtë simpozium, ti shprehi respektin tim më të thellë dhe ti uroj 80-vjetorin e lindjes, Simbolit të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare dhe Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Heroit të Gjallë, Bacë Adem Demaçit.
Gjithashtu, shfrytëzoj rastin të shprehi respektin dhe falënderimet për organizatorët e këtij simpoziumi, dhe për të gjithë juve të pranishmit.
Faleminderit.
___________
Referencat:
– Brett, Rachel: Den menneskelige dimensjonen i KSSE i Mennesker og rettigheter. Nr. 1 (10) 1992: 13-18.
– Booth, Ken (2001): The Kosovo Tragedy: The Human Rights Dimensions. Frank Cass Publishers:
https://books.google.no/books?id=e4MsBgAAQBAJ&pg=PA107&lpg=PA107&dq=amnesty+international+adem+demaci&source=bl&ots=ExRoo1kru7&sig=tEVkP5keSKFk6ucVof0l0-TcL8w&hl=no&sa=X&ved=0ahUKEwiRjrfC0pbLAhWoPZoKHRU6DUcQ6AEIGzAF#v=onepage&q=amnesty%20international%20adem%20demaci&f=false
– Backer, Berit (1979): Behind Stone Walls; changing household orgnization among the albanians of Kosova (introduction by Ann Christine Eek) University of Oslo.
– Fry, John (2003): The Helsinki Process. Negotiating Security and Cooperation in Europe. University Press of Pacific. Hawaii.
– Heraclides, Alexis (1993): Security and co-operation in Europe. The Human Dimension 1972-1992. Frank Cass & Co. LTD, London.
– Mevik, Leif (1990): Undervei Europa. Oslo: Aventura.
– Mevik, Leif (1992): Sikkerhet i Samarbeid. Hovedlinjer i norsk KSSE-politikk. Oslo: Universitetsforlaget.
___________
(Kumtesë e lexuar në Simpoziumin:”Adem Demaçi – Ura mbi të cilën kalon liria e Kosovës”, mbajtur në Volkshaus të Cyrihut, më 21.02.2016.)