Prishtinë, 18. 04. 2016: 1.Statusi ligjor i pensionit) – E drejta e pensionit është një nga të drejtat elementare të njeriut, e fituar me punë e kontribute të paguara, në kohëzgjatje të caktuar, e konstituar sipas kushteve dhe procedurës së caktuar me ligj dhe me vendim konkret të plotëfuqishëm të organit kompetent. E drejta e pensionit e fituar në këtë mënyrë, merr karakterin e të drejtës së pasurisë (pronës), dhe si e tillë gëzon mbrojtje juridike me ligjet e shtetit dhe me nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut:
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtë ta gëzojë pasurinë e tij në mënyrë paqësore. Askush nuk duhet të privohet nga pasuria e tij, përveç kur kjo bëhet për interesin publik dhe në përputhje me kushtet e parashikuara me ligj dhe me parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare…”. Mbrojtjen e pasurisë e garanton edhe Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (neni 17: “…Askush nuk duhet të privohet arbitrarisht nga pasuria e tij”.
Pensionistët e Kosovës, të nacionalitetit shqiptar, të cilët këtë të drejtë e kanë fituar në periudhën para vitit 1999, janë privuar në mënyrë arbitrare nga e drejta e tyre, të cilëve u është ndërprerë pagesa e pensioneve qe plot 17 vjet. Me nderprerjen e pagesës së pensioneve, vetëm pensionistëve shqiptarë, Serbia ka cënuar barazinë para ligjit, ka shkelë të drejtën e pronës, ka bërë diskriminim të haptë në baza nacionale dhe ka shkelë kushtetutën dhe ligjet e veta dhe ato ndërkombëtare.
2. Ligjet serbe për pensionet
Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe zbatimit të masave të dhunshme në të gjitha organet, institucionet dhe subjektet e tjera ekonomike e shoqërore, Serbia shfuqizoi ligjet e Kosovës dhe miratoi ligjet e veta, me të cilat i mori kompetencat, mjetet, të drejtat dhe obligimet e caktuara në secilin segment. Kështu ndodhi edhe me sistemin e pensioneve. Me Ligjin mbi Sigurimin Pensional dhe Invalidor (“Sluzhbeni gllasnik SRS”, nr.27/1992), Serbia e shfuqizoi Ligjin (e Kosovës) mbi Sigurimin Pensional dhe Invalidor (“Gazeta Zyrtare e KSAK”, nr.26/83 dhe 26/86), i mori kompetencat, mjetet, të drejtat dhe obligimet lidhur me të gjitha llojet e pensioneve në Kosovë. Me dispozitën e neneve 225-226 të Ligjit të Serbisë, ishte përcaktuar se: “shfrytëzuesit e të drejtave nga sigurimi pensional dhe invalidor, të cilët deri ditën e fillimit të zbatimit të këtij ligji kanë realizuar ato të drejta sipas dispozitave që kanë qenë në fuqi deri atë ditë, e të cilat janë të parapara (edhe) me këtë ligj, gëzojnë ato të drejta edhe pas asaj dite, në vëllimin dhe mënyrën e përcaktuar me këtë ligj, poqese kjo është më e favorshme për ta” (neni 225 par.1). Ndërkaq, në nenin 226 par.1 ishte përcaktuar se: “Shfrytëzuesit e të drejtës nga sigurimi pensional dhe invalidor, të cilët ato të drejta i kanë realizuar sipas dispozitave që kanë qenë në fuqi deri ditën e fillimit të zbatimit të këtij ligji, e ato të drejta nuk janë paraparë me këtë ligj, i gëzojnë ato sipas kushteve, në vëllimin dhe mënyrën e caktuar me ato dispozita”.Të drejtat nga sigurimi pensional dhe invalidor janë të drejta individuale (personale) dhe nuk mund të barten në persona tjerë (neni 16 par.1 i Ligjit të Serbisë). Po, e drejta e pensionit mund të trashëgohet e të bartet te anëtarët e ngushtë të familjes së pensionistit të vdekur (pensioni familjar).
Bazuar në dispozitat e cituara më sipër, pensionistët e Kosovës, të cilët e kishin fituar të drejtën e pensionit (të moshës, invalidor ose familjar) në bazë të Ligjit të Kosovës, e të caktuara konkretisht dhe individualisht me aktvendime të plotëfuqishme të organit kompetent, dhe ata që këto të drejta i kanë fituar më vonë, në bazë të ligjit (të Serbisë),-është dashur ato të drejta t’i gëzojnë pa kurrëfa pengese as privimi. Sepse, e drejta e pensionit e fituar në bazë të ligjit dhe e caktuar konkretisht me aktvendim të plotëqufishëm, nuk mund t’i merret askujt, përveç për shkaqe të parapara me ligj dhe të konkretizuara me aktvendim të plotëqufishëm individual, për secilin rast konkret (qoftë në procedurë të revizionit të aktvendimit, apo të përsëritjes së procedurës për shkaqet e parapara me ligj).
E drejta e fituar në pension, ka karakter të pasurisë-pronës së pensionistit, ashtu sikur e trajton neni 1 i Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe kjo dispozitë ka epërsi mbi dispozitat e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Dispozitat e cituara të ligjeve (të Serbisë) janë në harmoni me këtë, veçse ato zbatohen në mënyrë selektive dhe diskriminuese, varësisht nga përkatësia kombëtare, gjë që është diskriminim i haptë. Në Kushtetutën e Serbisë (2006), ekziston dispozita mbi ndalimin e diskriminimit (neni 21), në të cilën është përcaktuar se: “Para Kushtetutës dhe ligjit të gjithë janë të barabartë. – Secili ka të drejtë në mbrojtje të njëjtë ligjore, pa diskriminim.-Ndalohet çdo diskriminim, i drejtpërdrejt ose i tërthortë, mbi çfarëdo baze, sidomos në bazë të racës, gjinisë, përkatësisë nacionale, prejardhjes shoqërore, lindjes, besimit fetar, bindje politike ose tjetër, gjendjes pasurore, kultures, gjuhës, moshës, invaliditetit psiqik ose fizik”. (Me një formulim tjetër më të përgjithshëm e më të shkurtër, diskriminimi ishte i ndaluar edhe në Kushtetutën e vitit 1990 (neni 13).Ndërkaq, në nenin 58 të Kushtetutës së RS (2006) është përcaktuar: “Garantohet e drejta paqësore e pronës dhe të drejtave tjera pasurore të fituara në bazë të ligjit. –E drejta e pronës mund të merret ose të kufizohet vetëm për interesin publik të përcaktuar në bazë të ligjit, dhe me kompensim që nuk mund të jetë më i ulët se çmimi i tregut”.
Përkundër të gjitha këtyre “alamet” dispozitave mbi garantimin e të drejtave dhe mosdiskriminimin, Serbia prej fillimit të vitit 1999, ua ndërpreu pagesën e pensioneve të gjithë pensionistëve shqiptarë, ndërsa vazhdoi t’ua paguajë rregullisht pensionet pensionistëve serbë e malazezë.
Në fund të vitit 1998, në Kosovë ishin: 86.383 pensionistë të tri kategorive:
• Pensionistë të pleqërisë 33.308
• Pensionistë invalidorë (të punës) 25.042 dhe
• Pensionistë familjarë 28.033
Tash ky numër i pensionistëve të cilët po i quajnë kontributpagues, është më se përgjysëm më i vogël, për shkak se shumë kanë ndërruar jetë gjatë kohës që ka kaluar. Ishin edhe 1266 shfrytëzues të kompensimit për dëmtim trupor, dhe 2.252 shfrytëzues të ndihmave dhe kujdesit. Të gjithë ata kishin aktvendimet e plotëfuqishme mbi të drejtën e fituar të kategorisë së caktuar të pensionit. Përveç shumës së pensionit, kishin edhe sigurimin shëndetësor dhe prestacione e favore tjera të caktuara me ligj.
Ndaj pensionistëve të Kosovës, ndërprerja e pagesës së pensioneve është bërë në mënyrë kolektive për të gjithë pensionistët shqiptarë. Fondi e ka arsyetuar ndërprerjen e pagesës me pamundësinë e vjeljes së kontributeve, dhe është mbështetur në dy udhëzime me shkrim, si vendime politike të ministrive të caktuara: Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, dhe Ministria e Financave të Serbisë. Kjo ndërprerje e pagesës së pensioneve, ishte në kundërshtim edhe me vet ligjin përkatës së Serbisë.
3. Gjykata e Strasburgut ka konstatuar shkeljen e ligjit nacional dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Ndërprerjen e pagesës së pensioneve Serbia e ka bërë në mënyrë arbitrare, kolektivisht për të gjithë pensionistët shqiptarë në Kosovë, pa i njohtuar ata për shkaqet e ndërprerjes, as pa zbatuar kurrëfar procedure ligjore për ndryshimin e vendimeve individuale të plotëqufiqishme që kishin pensionistët, dhe pa iu mundësuar mbrojtjen ligjore. Ndërprerjen e pagesës e ka bërë në bazë të qëndrimeve politike që kishin marrë Ministria e Punës dhe Ministria e Financave e Serbisë, gjoja për shkak të pamundësisë për vjeljen e kontributeve për sigurimin pensional dhe invalidor në Kosovë. Mirëpo, mosvjelja e kontributeve nuk parashihet si shkak ligjor për ndërprerjen e pagesës së pensioneve. Këtë fakt e kanë vërtetuar edhe instancat më të larta gjyqësore të vet Serbisë. Kështu, Gjykata Kushtetuese e Serbisë, me Vendimin IU-293/2004, dt.29 qershor 2005, dhe IU-nr.275/2009, dt. 19 nëntor 2009, ka vlerësuar se “Mendimet dhe udhëzimet e organeve të ndryshme shtetërore nuk janë ligje as akte të përgjithshme, që do të thotë se nuk mund të ndikojnë në ndërprerjen e pagesës së pensioneve”. Edhe Gjykata Supreme e Serbisë, me 15 nëntor 2005, ka publikuar një qëndrim juridik, sipas të cilit: “E drejta e pensionit nuk mund të kushtëzohet as të varet prej asaj, se a po mund të mblidhen kontributet vijuese ose jo në territorin e caktuar” (“Sudska praksa”, nr.3/2005).
Këto i ka pasë parasysh edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, në vendimin e vet të rastit Grudiq kundër Serbisë (nr.31925/08, dt.17 prill 2012), duke vërtetuar se Serbia ua ka ndërprerë pagesën e pensioneve në kundërshtim me ligjet e veta dhe me instrumentet juridike ndërkombëtare, duke shkelur kështu të drejtën e pasurisë (pronës), të paraparë në nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Me aktgjykimin e cituar, që paraqet titull ekzekutiv vetëm për personat e përmendur (Grudiqi), por që është standard dhe precedent gjyqësor për raste të ngjajshme, ajo Gjykatë në një mënyrë e ka obliguar shtetin e Serbisë, që “në afat prej 6 muajve prej ditës kur aktgjykimi të bëhet i plotëfuqishëm, të ndërmerr masa adekuate për të siguruar që organet kompetente të Serbisë të zbatojnë ligjet relevante për pagesën e pensioneve të mbetura pa paguar paditësve tjerë potencialë, duke nënkuptuar se lidhur me këtë nevojitet një kohë e arsyeshme për procedurat administrative dhe vërifikimin e fakteve.” Gjykata ka vlerësuar se pensioni i fituar paraqet pronë private në kuptim të nenit 1 të Protokollit 1 të KEDNj. Arsyetimet e Serbisë, se nuk po mund t’i vjelin kontributet në Kosovë, Gjykata i ka refuzuar si të pabaza, pasiqë për pagesën e pensioneve garanton shteti dhe se mosvjelja e kontributeve nuk parashihet me ligj si shkak për ndërprerjen e pagesës së pensionit, dhe se pensioni mund të ndërpritet vetëm në qoftë se vërtetohet se pensionisti nuk i plotëson kushtet sipas të cilave e ka fituar pensionin. Arsyetimi i Serbisë me atë se pensionistët nuk mund t’i marrin pensionet prej dy burimeve, është i paqëndrueshëm për shumë arsye. Së pari, deri në korrik të vitit 2002, pensionistët nuk kanë marrë kurrëfar “pensioni”. Prej gjysmës së vitit 2002, kanë marrë ndihmë sociale, duke filluar nga 28 euro në muaj, që as atëherë, as tash nuk është pension në kuptim të sistemit pensional. Pensionistët serbë e malazezë marrin edhe këtë ndihmë sociale nga buxheti i Kosovës, edhe pensionin e rregullt nga Serbia. Kurse, shfrytëzuesit e pensioneve invalidore dhe atyre familjare, të cilët nuk e kanë arritur moshën 65-vjeçe, nuk kanë mund të marrin as këtë ndihmë sociale që paguhet nga buxheti i Kosovës, as nuk marrin pensionin qe kanë pasur të caktuar me aktvendim të plotëfuqishëm.
Edhe pas atij Aktgjykimi, sot e katër vjet, me pretekste e sajesa të ndryshme e arsyetime pa bazë ligjore, Serbia vazhdon të manipulojë e diskriminojë pensionistët shqiptarë, të cilëve ua ka borxh pensionet. Edhepse e drejta e pensionit nuk parashkruhet kurrë por parashkruhen pagesat mujore (vetem nëse ndërprerjen e ka shkaktuar vetë pensionisti), mospagesa e pensioneve u ka shkaktuar dëm material e moral pensionistëve, ndërsa organet qeveritare të Kosovës nuk kanë bërë asgjë për ta detyruar Serbinë me presion ndërkombëtar, që t’ua paguajë borxhin pensionistëve. Ndoshta do ishte mire të angazhohet ndonjë agjension i fortë ndërkombëtar që “t’i nxjerrë” pensionet nga Serbia. Baza ligjore ekziston, vetëm nevojitet angazhim i këmbëngulës.