PROF.MURAT GECAJ: GJIMNAZI I TIRANËS, VATËR E ZJARRTË DITURIE E ATDHETARIZMI

Tiranë, 26. 04. 2016: (Në 90-vjetorin e çeljes) – Gjatë këtyre viteve ish-Gjimnazi i Tiranës (më pas me emrin: Shkolla e mesme e përgjithshme “Qemal Stafa”) ka luajtur dhe luan një rol me shumë rëndësi në arsimimin e brezit të ri të kryeqytetit, duke u dhënë atyre njohuri të përgjithshme dhe duke i përgatitur për të vazhduar shkollat e larta, në profile të ndryshme. Kolektivi i mësuesve dhe i nxënësve të saj, si i shkollave të tjera të mesme e 9-vjeçare të Tiranës dhe në mbarë vendin tonë, po bën përpjekje të pareshtura për një mësim dhe edukim bashkëkohor, me orientim perëndimor”.
1.
Në historinë e arsimit tonë kombëtar, Gjiimnazi i Tiranës (tani me emrin “Qemal Stafa”) zë një vend të merituar, për ndihmesën e paçmuar në mësimin dhe edukimin e brezave të tërë nxënësish, me dituri e atdhetarizëm.Në çdo përvjetor të tij, ne kujtojmë e nderojmë mësimdhëënësit, si dhe gjithë nxënësit, që kaluan në bankat e tij.Ata nuk kursyen energjitë e tyre mendore as fizike që Shqipëria të përparonte vazhdimisht, të ishte e lirë dhe e pavarur, shtet demokratik e i zhvilluar, në të gjitha fushat e jetës.
Rasti e ka sjellë që, në detyrën e gazetarit, ta vizitoj disa herë këtë shkollë, por dhe të jem i ftuar në përvjetorët e tij. Ashtu si gjithë pjesëmaarrësit e tjerë, kurdoherë aty e kam ndjerë veten krenar për udhën e lavdishme, nëpër të cilën ka kaluar ky institucion i mesëm arsimor në vendin tonë.

Dha ja, përsëri erdhi një përvjetor tjetër i shënuar, pra 90-vjetori i hapjes së Gjimnazit të Tiranës. Me këtë rast, mësuesja e pasionuar dhe veprimtarja e palodhur Shpresa Bejo ma dërgoi ftesën e mëposhtme, për të cilën e falënderojmë:”Më datën 24.04.2016, ora 11.00, në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit, në kryeqytet, organizojmë festimin e 90-vjetorit të Gjimnazit të Tirans. Prania juaj në këtë veprimtari na nderon”.
E përshëndesim nga zemra tërë kolektivin e mësuesve dhe nxënësve të sotëm të kësaj vatre të zjarrtë diturie e atdhetarizmi, pra Gjimnazit “Qemal Stafa” të kryeqytetit, për këtë festë të gëzueshme. Urojmë e besojmë që ata do ta mbajnë me nder dhe ta çojnë gjithnjë përpara traditën e mirë, që ai ka krijuar gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve. Për këtë gjë dëshmon edhe objektiviI tyre, që kanë publikuar dhe synojnë të arrijnë: “Edukim-Dije-Kulturë-Arritje-Cilësi”.
Në nderim e kujtim dhe me respekt të veçantë për mësuesit e nxënësit e djeshëm dhe të sotëm, më poshtë po publikojmë disa radhë nga libri im “Nëpër udhët e shkollës shqipe”. Në to flitet, shkurtimisht, për fillimet e kësaj shkolle të mesme, me emër në Shqipëri.
2.
“Sidomos gjatë vitit 1924, u dendësuan kërkesat e rinisë dhe të masave popullore për hapjen e një shkolle të mesme të përgjithshme në kryeqytetin Tiranë ose të një gjimnazi, siç quhej në atë kohë. Gjithashtu, ajo ishte dhe dëshirë e flakët e mësuesve atdhetarë e përparimtarë si Sali Çeka, Qamil Bala, Ahmet Gashi e të tjerë.
Më në fund, u arrit që ajo shkollë e mesme të çelte dyert më 3 dhjetor 1925, pra në vitin arsimor 1925-1926. Kjo ngjarje u mirëprit nga forcat demokratike dhe intelektualët përparimtarë të kohës, nga brezi i ri i etur për dituri e kulturë. Kështu, ajo shënonte një hap të rëndësishëm përpara për zgjerimin dhe konsolidimin e arsimit të mesëm në Shqipëri, pas çeljes së Liceut Kombëtar të Korçës (më 1917), Shkollës së Mesme Teknike në Tiranë (1921), Gjimnazit të Shtetit në Shkodër (1922) dhe Gjimnazit të Gjirokastrës (1923). E kjo vepër atdhetare do të pasohej më vonë dhe me çeljen e shkollave të tjera, në qytete e fshatra të vendit tonë.
Që në fillim, kolektivi i mësuesve dhe i nxënësve të Gjimnazit të Tiranës, këtij institucioni të mesëm arsimor, u ndesh me pengesa e vështirësi të shumta dhe u përball me frymën antikombëtare të disa elementëve regresivë të kohës. Mësimi u nis me pak nxënës e mësues, me mungesa për fletore, lapsa, mjete mësimore dhe orendi shkollore. Por me dëshirën e mirë të drejtuesve dhe të kolektivit pedagogjik, shpejt u kaluan vështirësitë e para dhe kjo shkollë e mesme bëri emër të mirë ndërmjet shkollave të kohës, kur e zhvilloi veprimtarinë e saj. Kështu, në fillim të viteve ’30-të të shekullit të kaluar, u arrit që të shtohej numri i nxënësve e i mësuesve, si dhe i konviktorëve të tij, të ardhur nga krahina të tjera të Shqipërisë.

Me pushtimin fashist të vendit, u vërejt rritja e pakënaqësisë dhe e frymës atdhetare e liridashëse, në këtë vatër të ndezur kombëtare. Fillimi i luftës për liri, bëri që të dilnin në mal afër 400 nxënës të këtij Gjimnazi dhe, prej tyre, 75 dhanë jetën për lirinë dhe idealet demokratike. (Sh. Osmani, “Fjalori i pedagogjisë”, Tiranë, 1983). Ndër nxënësit më të mirë të tij ishin dhe Vasil Shanto, Qemal Stafa, Ali Demi, Asim Zeneli, Manush Alimani e të tjerë dëshmorë të Atdheut.
Breza të tërë mësuesish nuk kursyen energjitë e tyre mendore as fizike për mësimin dhe edukimin e nxënësve të tyre të dashur. Prandaj dhe kanë mbetur kurdoherë të paharruar jo vetëm për nxënësit e tyre, por dhe për kolegët, prindërit e mbarë popullin. Ndër ta, përmendim me respekt Gavril Meksin, Abdurrahim Buzën, Minella Karajanin, Nonda Bulkën, Zekeria Rexhën, Gaqo Markon e shumë të tjerë.(Gaz.”Mësuesi”, 31 dhjetor 1965).
Gjatë luftës, si rrjedhojë e vështirësive që dolën përpara, Gjimnazi i Tiranës e ndërpreu për disa kohë jetën dhe veprimtarinë e tij. Ndërsa mbas çlirimit ai e vijoi punën e mëparshme, tanimë në kushte të reja. Hap pas hapi, u shtua numri i nxënësve dhe i mësuesve të kualifikuar, u plotësuan kushtet për tekste më të përshtatshme, me orendi e mjete mësimore etj. Si konkretizim të kësaj, po përmendim vetëm këtë fakt: Në vitin arsimor 1965-1966, aty numëroheshin rreth 1.200 nxënës dhe 50 mësues.
Gjatë këtyre viteve ish-Gjimnazi i Tiranës (më pas me emrin: Shkolla e mesme e përgjithshme “Qemal Stafa”) ka luajtur dhe luan një rol me shumë rëndësi në arsimimin e brezit të ri të kryeqytetit, duke u dhënë atyre njohuri të përgjithshme dhe duke i përgatitur për të vazhduar shkollat e larta, në profile të ndryshme. Kolektivi i mësuesve dhe i nxënësve të saj, si i shkollave të tjera të mesme e 9-vjeçare të Tiranës dhe në mbarë vendin tonë, po bën përpjekje të pareshtura për një mësim dhe edukim bashkëkohor, me orientim perëndimor”.
(Nga libri, me autor Murat Gecaj, “Nëpër udhët e shkollës shqipe”, Tiranë,2001)
Prof.Murat Gecaj – sekretar i përgjthshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë. Tiranë, 26 prill 2016.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura