EDMOND HOXHAJ: ZHURI NDËR SHEKUJ (FOTO+VIDEO)

Pashtriku.org, 28. 04. 2016: – 1. Të dhënat gjeografike – Zhuri gjendet në pjesën jugperendimore të Kosovës përkatësisht në kilometrin e 12 të rrugës Prizren-Kukës-Shkodër. Sipas konfigurimit të tokës, pjesa më e madhe është malore (shkëmbi gëlqeror). Fshati Zhur-i(m) është fshati më verior i krahinës së Lumës. Del në dokumente, së pari, më 1331 (Milan Shuflaj). Është emërtim vendas, ashtu siç e pohon edhe Shuflaj, mbështetur në përbërjen e tokës, gjejgësisht rërës së Zhurit. Pra, toponimi Zhur sipas Shuflajit hynë në grupin e emërtimeve vendore, ku substrati ka shërbyer për shënimin e emrave, sikundër edhe te popujt e tjerë. Në mesin e shumë vendbanimeve që kanë ruajtur emrin dhe funksionin nga viti 1331 pa dyshim ështëZhuri, një vend i njohur për bletari.
Në hartën e Shqipërisë etnike Zhuri gjegjësisht Luma ndodhet në qendër, ndërsa në hartën e shtetit të sotëm shqiptar, Zhuri ndodhet pa dëshirën e tij jashtë. Pozita gjeografike e Zhurit gjendet në shkallën 42.10.5 të gjerësisë gjeografike veriore dhe 20-40 të gjerësisë gjeografike lindore dhe me një lartësi mbidetare në 430 m, duke bërë krahasimin e pikës së ulët të Kosovës në Vërmicë 270 m dhe te Vau i Dobrushtit 274 m. Si pasuri natyrore ka gurin gëlqeror dhe drurin. Zhuri ka pyje të begatshme, kullosat, livadhet ku kanë krijuar kushte të përshtatshme që Zhuri të ketë të zhvilluar blegtorinë, një kohë të gjatë në Zhur i është kushtuar kujdes rritjes së kuajve, dhive, deleve e gjedheve. Për shkak të pozitës së përshtatshme natyrore është marrë edhe me bletari. Mjalti përdorej për prodhimin e pijeve të preferuara që quhej ’’Pije me mjaltë’’ ndërsa dylli shërbente për ndriqim. Bletët gjatë verës bartëshin në kullosa sidomos në bjeshkë në Polevicë dhe Gjurëzë (te stanet e Hajrës së Rrahmanit dhe në Gjurës te stanet e Sali Beqirit).

Prej drithërave kultivohej gruri, tërshëra, thekra, misri. Rendimentet e këtyre drithërave nuk kanë qenë të larta. Në Zhur ka qenë e kultivuar vreshtaria, prej rrushit më të madhe prodhohej lëngu i pekmezit e diku diku edhe vera. Druri i bjeshkës së Zhurit është shfrytëzuar për djegie dhe si lendë ndërtimore (pisha e bjeshkës së Zhurit përdorej në Zhur si lendë për ndriqim ’’bujashka’’. Zhuri ka një klimë me verëra të nxehta e të thata dhe me dimra me reshje të bollëshme. Gjatë dimrit moti është nën ndikimin e aktivitetit ciklonik që vijon nga Oqeani Atlantik dhe Deti Mesdhe si dhe të anticiklonit dimëror sibirik që manifestohet me reshje të mëdha, me klimë të mesme kontinentale me ndikimet e klimës mesdhetare. Në Zhur në vendin e quajtur Garafie rritet një bimë e quajtur ‘‘Dioscorea ballcanica’’. Kjo bimë është fenomen i veçantë ‘‘endomite’’. Lugina e Drinit të Bardhë në shumë raste, përmes erërave e sjellë, tërë klimën mesdhetare.
2. Popullësia
Në Zhur popullësia është etnikisht e pastër shqiptare. Pjesa më e madhe e popullësisë merret me bujqësi, me punimin e tokës, kurse një pjesë merret edhe me zejtari të ndryshme. Ecurit demografike në rajonin e Prizrenit e rrjedhimisht edhe të Zhurit nuk janë studiuar sa duhet, megjithatë qysh në shekullin e mesëm prej kur datojnë emrat e vendbanimeve, Zhuri ka qenë dendur i banuar. Popullata e Zhurit është krenare me të kaluarën e vetë historike, me përkatësin nacionale dhe me doket dhe zakonet. Këtu libri, muzika, arti dhe sporti kanë qenë dhe mbetën miq të dashur. Sipas regjistrimeve katastrale osmane të popullësisë të viteve 1571 dhe 1591, Zhuri në vitin 1571 kishte 16 shtëpi të besimit krishter, ndërsa në vitin 1591 kishte 10 shtëpi të besimit krishter. Me të drejtë shpeshë shtrohet pytja se ne kemi qenë të krishter ortodoks apo të krishter katolik. Një e vërtetë është se aty ka patur shqiptar autokton, nuk ka dilema se të krishterët kanë qenë të krishter katolik, padyshim se me ardhjen e sërbëve në anët tona (Lumë) është bërë trysni që kishat katolike të shndërrohen në kisha ortodokse, këtë është orvatur ta bëjë Car Dushani.
Islamizmi në Zhur nuk qenë i menjëhershëm por u shtri e u përhap shkallë-shkallë, e zone pas zone. Kështu kohë pas kohe u ngritën objekte të kultit të ri, pra xhami, tyrbe dhe më vonë mejtepe pranë xhamive. Mendohet se xhamitë e para në Lumë janë ngritur në Vilë, Nangë, Shtiqën dhe Zhur (sipas Shefqet Hoxhës). Islamizmi i popullësisë së Lumës – e Zhurit ndikoi jo pak në jetën kulturore të saj, sidomos pati ndikim te dokët dhe zakonet e lindjes, martesës dhe vdekjës. Sipas të dhënave të Shefqet Hoxhës ‘‘Bajraket e Lumës’’, Zhuri në gjysmën e parë të shekullit XIX (vitet 40-ta) kishte 79 shtëpi me 479 banorë’’. Kurse Prizreni sipas Griesen Bocu kishte 4000 shtëpi e 20.000 banorë. Në krahasim me fshatrat e tjerë Zhuri është dukshëm më i madh. Sipas regjistrimeve të popullësisë të Prizrenit të viteve 1913, 1914, 1919 në këtë të fundit Zhuri figuron si komunë, ku përfshinte Zhurin me 251 shtëpi e me 1304 banor. Zhuri sot numëron diku rrethë 8000 banor dhe 1000 shtëpi.

3. Zhuri në periudhën romake
Njëri nga fiset më të mëdha ilire ishin dardanët, të cilët e popullëzonin Kosovën, Sërbinë e mesme dhe jugore dhe Maqedoninë veriore. Kufiri i Dardanisë fillonte prej Korabit, kalonte nëpër Koretnik, Pashtrik, Bjeshkët e Nemuna, Mokra Gorës, Ibër e deri te Morava Perendimore. Zhuri sipas kësaj që thamë më lartë bënë pjesë brenda këtij kufiri, andaj me të drejtë themi se Zhuri i takonte Dardanisë. E kaluara historike e Zhurit nuk mund të shikohet e ndarë prej Prizrenit dhe rrethinës së tij; për arsye se gjithmonë ka qenë i lidhur ngushtë me këtë qytet dhe në shumë raste ka qenë pjesë përbërëse e tij. Sipas zbulimeve arkeologjike të Vlajshës ’’Gradishta’’ është vendbanim i kohës së neolitit, jeta e të cilit vazhdon edhe në kohën e bronzit e të hekurit e deri në shekullin e mesëm. Po në atë kohë figuron edhe ‘‘Shenkolli’’ në anën perëndimore të Gradishtës ku tani i ndanë Lumbardhi i Prizrenit, pastaj arat e Gjinit ku është zbuluar një vendbanim i kohës së hekurit.
Meqenëse këto vendbanime të vjetra na rrethojnë s’do mend se edhe nga ajo kohë datojmë pasi që ka nevojë ende për gjurmime arkelologjike, sepse ky vend ende nuk është zbuluar në tërësi.Te ne brez pas brezi është përcjellur se Zhuri është i ardhur nga Gamëni dhe po të bëhen (dhe duhet të bëhen) zbulime arkelologjike në Gamën me siguri se do të zbulohet shumë çka pasiçë ende egzistojnë themelet e ksihës. Për Zhurin në Gamën kemi edhe këto të dhëna: Në një hartë të vendosur në muzeun e Skëndërbeut në Lezhë, figuron Zhuria fër Drinit, ku ciceroni i muzeut sçaron se shumë vendbanime që figurojnë në këtë hartë janë ato vendbanime që perandoria osmane i masakroi, sepse ishin të padëgjueshëm ndaj saj, andaj pas këtyre masakrave shumë nga këto vendabnime u detyruan të shpërngulen, mendohet se Zhuri nga Gamëni u vendos në këtë vend pas asaj masakre.
Zhuri me rrethinë gjatë kohës romake u gjend në drejtimin më të rendësishëm rrugorë Lissus-Naissus. Kjo rrugë lidhte Lezhën, Pukën, Kuksin, Zhurin, Prizrenin, Qakllavicën, Gllavniku, kalonte afër Krushumëlis,afër Prokuples dhe Nishit. Nëprë këtë rrugë është zhvilluar frekuencë shumë e gjallë tregëtare, prej viseve bregdetare, nëpër Kosovë dhe viset tjera ballkanike. Lokalitei i Zhurit daton shumë qartë edhe në kohën e romanizmit të Dardanisë. Sipas autorit të mirënjohur Zef Mirdita, i cili është marrë me studimin e kohës së romanizmit të dardanve, Zhuri ka qenë ndër vatrat e kryengritjeve dhe turbullirave të pandërprera e pasigurisë që kanë ndodhur ndaj romakëve në viset ilire.
Duke patur parasysh këtë që u tha më lartë mund të kuptohet edhe egzistimi i rrjetit të gjërë të statcioneve policore, gjegjësisht beneficiare, rrjeti i të cilave ka qenë i dendur në pjesën qëndrore të Dardanisë në fshatin Zhur afër Prizrenit, në veriperendim të Mitrovicës dhe Kaanik. ’’Kaqakët e Dardanisë në atë kohë quheshin ‘‘latrines dardniae’’ sidomos në fshatra kishin qëndrim antiromak, andaj romakët për ta ruajtur qetësinë vendosën statcionet e lartëshënuara. Një statcion policie në kohën romake figuron në rrugën Naissus-Lissus në Dobruzh-Dobrush. Në fshatin Zhur në oborrin e xhamisë gjendet stella prej guri e periudhës romake, dimensioned e saj janë afro 1.30×0.60×0.50m. Në të është i gdhendur teksti (tani është i dëmtuar) dhe hardhia me kalavesh rrushi; veçori këto të epigrafisë dardane. Sipas të moshuarve stella është marrë nga një arë e quajtur ’’Ara e Popit’’.

4. Zhuri në periudhën osmane
Osmanët pas Betejës së Maricës 1371 dhe të Kosovës më 1389 e pushtuan edhe Prizrenin, por data e saktë nuk dihet. Një pjesë e historianëve si datë të saktë e marrin 21 qershorin e vitit 1455, por këtë e kundërshton Prof.Skënder Riza ku thotë se osmanët e pushtojnë Prizrenin në vitin 1459. Është e mundur sepse për katër vite Prizreni i rezistoi osmanëve. Pushtuesi i parë i Prizrenit ka qenë Ahmet Bej Evrenoszade. Me pushtimin e Prizrenit nga osmanët edhe Zhuri bie nën sundimin osman. Sundimi osman ishte mjaftë i egër, kjo egërsi sidomos u shfaq në ato vendbanime kur rezistenca e popullësis ndaj islamizmit të saj ishte më e organizuar dhe më e vendosur. Zhuri ishte një nga vendbanimet ku popullata me ngulm dhe në mënyrë të vendosur iu kundërvu islamizmit. Në kohën e luftërave të Skënderbeut kundër Perandoris Osmane edhe në Zhur pati kryengritje antiosmane. Osmanët në shenjë hakmarrje filluan reprezaljet dhe ndëshkimet e rënda ndaj popullatës zhurjane. Për tu mbrojtur sadopak nga kjo dhunë e egër filloi dyndja e popullatës. Shumica e familjeve u vendosën në Zhurin e sotëm.
Pas një kohe relativisht të gjatë dhe nën presionin e vazhdueshëm osman edhe në Zhur filloi islamizmi i popullatës vendase, nga të gjithë të krishter katolik në muslimanë. Xhamia e parë supozohet të jetë ndërtuar para mëse 350 viteve. Atëdhetarët në Prizren, Zhur dhe në vise të tjera në asnjë moment nuk e pranuan pushtimin osman dhe nuk u ndalën, por vazhduan rezistencën antiosmane në forma të ndryshme. Për t’i mbajtur nën kontroll këtë forca antiosmane, osmanlinjët ngritën garnizone ushtarake. Një garnizon i tillë u ngritë edhe në Zhur dhe rrethina e tij ishin një nga vatrat e kryengritjeve osmane. Patriotët shqiptar në vitet e shtatëdhjeta të shekullit XIX filluan t’i intesifikonin edhe më shumë përpjekjet e tyre për organizimin e kryengritjes së përgjithshme antiosmane. Kështu atdhetari i madh Ymer Prizreni filloi të kontaktojë me shumë atdhetarë për tu besatur me ta për një rezistencë që duhet bërë kundër Perandorisë Osmane. Në mesin e këtyre atdhetarëve që vuri kontaktet e para ishin: Sylejman Vokshi, Ahmet Korenica, Dac Kaloshi, Shaban Luma, Shaqir Ali Zhuri etj. Pas hapjes së çështjes Lindore, shtetet fqinje si Greqia, Serbia e Mali i Zi, duke e vrejtur se Perandoria Osmane ndodhej në krizë, shfaqën lakmitë e tyre shoviniste për t’i copëtuar tokat shqiptare.
Në anën tjetër patriotët shqiptar duke parë këtë rrezik që po i kanosej shqiptarëve filluan përgatitjet pët një organizim të mirëfillt të një rezistence gjithëkombtare shqiptare. Tri ditë para Kongresit të Berlinit, me 10 qershor 1878 në Prizren u mblodhën atdhetarët shqiptar, ku mbajtën Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Përmes këtij kuvendi të Lidhjes Shqiptare, iu bë me dije fuqive të mëdha se shqiptarët janë zot në tokën e të parëve të tyre. Ideja për të formuar një lidhje të përgjithshme kombëtare, ishte që ti bashkonte shqiptarët pa dallim feje e krahine. Në gusht-tetor 1879, filloi një kryengritje antiosmane në këto krahina: Opojë, Anadri, Lumë, Gorë, Suahrekë, Ostrozup, Has e Vërri.
S’do mend se në këto kryengritje, e sidomos në atë të Vërrinit, Shaqir Ali Zhuri ishte ndër organizatorët kryesorë, pasi që kishte lidhje direkte me udheheqësit e Lidhjes Shqiptare të Prizreni, Komiteti Qëndror i Lidhjës Shqiptare të Prizrenit që u krijua nga Kuvendi i Prizrenit në fund të majit dhe fillim të qershorit të vitit 1880, ishte fryt i reagimit të vazhdueshëm të rezistencës dhe të ndjenjave patriotike të masave popullore shqiptare kundër sundimit të huaj. Komiteti Qendror i Lidhjës Shqiptare të Prizrenit përbëhej nga fytyrat më eminente të kohës si: Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi, Haxhi Zeka, Shaban Luma, Shaqir Ali Zhuri etj. Pasi Dervish Pasha arriti ta shpartallojë me forcë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit shumë anëtarë të Lidhjës së Shqiptare u zunë dhe u burgosën në burgun e kalasë së Prizrenit. Disa atdhetar arritën të arratisën për të mos rënë në duart e Dervish Pashës. Në mesin e të arratisurve ka qenë edhe Shaqir Ali Zhuri.

Në gjysmën e dytë të muajit maj 1881 në Qafë të Morinit mbahet Kuvendi nën udhëheqjen e Sylejman Vokshi dhe Ymer Prizrenit. Aty u muarr vendim që t’i bëhej rezistencë Dervish Pashës. Nën komandën e këtyre dy të parëve u rreshtuan 3000 burra. Pas atij kuvendi u arritë të organizohej rezistenca kundër Dervish Pashës, në Qafën e Morinës, Qafën e Gjonajve dhe në Qafën e Zhurit. S’do mend se së bashku me lumjanët, zhurjanët në krye me Shaqir Ali Zhurin, në Qafë të Zhurit i thyen forcat e Dervish Pashës, të cilat u detyruan të tërhiqen. Në vitin 1884, në Zhur është sulmuar garnizoni i ushtrisë osmane nga forcat lumjane e zhurjane të prira nga Ramadan Zaskoci e Shaqir Ali Zhuri. Kur Ramadan Zaskoci natën e 27 gushtit të vitit 1878 me dy shokët e tij bëri atentat ndaj telegrafistit të Mehmet Ali Pashës për të mos ra në duart e pushtetit osman iku nga Prizreni dhe u strehua në Zhur, në konakun e Shaqir Ali Zhurit. Në gusht të vitit 1885 në Prizren u mbajtë një gjykim kundër disa prijësve të Komitetit të Lidhjës Shqiptare të Prizrenit. Në atë gjykim u gjykua dhe u dënua edhe Shaqir Ali Zhuri i cili ishte i moshës 54-55 vjeqar. Kjo na forcon bindjen se Shaqir Ali Zhuri kishte lindur në Zhur në vitin 1830. Shaqir Ali Zhuri në atë gjykim u dënua me internim për jetë, bashkë me familjën, pa pasur të drejtë të kthehet në atdhe, ku së bashku me të dënuarit tjerë u internua në vendin e quajtur ’’Diar Bekir’’. Edhe në vitin 1908 kur Xhavit Pasha me forcat e tij ia mësynë Kosovës dhe Lumës, ai u thye keq nga forcat lumjane në Vlashnje, Zhur, Vërmic e Lumë.
5. Zhuri në kohën e pushtimit austro – hungarez
Nga mesi i muajit mars 1916 në krahinën e Lumës u vendosën forcat hungareze të cilat e kishin pushtuar më parë Pejën dhe Gjakovën. Forcat bullgare ishin vendosur në Prizren. Kufiri në mes pushtuesve bullgar dhe atyre austro-hungarez ishte vendosur te ura e Vlashnjes. Brenda territorit të pushtimit austro-hungarez mbeti edhe Zhuri me rrethinë. Zhuri nën pushtimin austro-hungarez kishte statusin e komunës. Në komunën e Zhurit bënin pjesë: Bardhoci, Dobrushti, Gostili, Kukësi, Kulla e Lumës, Morini, Nanga, Perbregi, Shkoza, Shtiqën, Gjahu e Vërmica. Komuna e Zhurit në bazë të regjistrimit të vitit 1918 kishte 5921 banorë. Zhuri nën pushtimin austro-hungarez përjetoi një zhvillim të mirë ekonomik për kohën, aty zhvillohej dita e tregut dhe atë dy herë në javë, u hapën me dhjetëra dyqane dhe Zhuri lidhje me anë të një treni miniaturial me Prizrenin dhe Ferizajn, por këtë rrugë e shfrytëzonin vetëm forcat austro-hungareze. Në Zhur hapet shkolla e parë shqipe trerendëshe me mësuesin Nexhip Opoja.
Gazeta ’’Posta e Shqipnijës’’ nr.82 e datës 19.09.1917, shkruante në mes tjerash se Zhuri është një vend i hijshëm, me shumë shtëpi e me një rrugë në mes ku dy herë në javë këtu bëhet treg, ku mblidhet një popull i madh me shit e me ble. Në Zhur në periferi të fshatit, tek laxha Muja, ka qenë godina e burgut të kohës. Kjo godinë ka qenë dy katëshe, në katin e parë kanë qenë lokalët e burgut, ndërsa në katin e dytë kanë qenë zyrat e administratës komunale të Zhurit. Ndër figurat më të njohura të kohës në Zhur, në atë kohë ishin Mulla Nasuf Zhuri, i cili ishte anëtar i pleqësis së Pajtimit të krahinës së Lumës dhe imam i fshatit, Asllan Ademaj dhe Dan Gavazi, të cilët edhe ishin udhëheqësit e Betejës së Zhurit të viti 1915 kundër ushtrisë serbe të garnizonit të Zhurit. Në vitin 1918 popullësia e Gorës e Dibrës së Poshtme, e Hasit, e Lumës, ishin detyruar të paguante të dhjetën e çdo kulture bujqësore. Kjo tubohej në qarkun e Zhurit. Më poshtë paraqitet tabela ku dëshmohet për grumbullimin e të ‘‘dhjetës së dridhit“ në bezirkun e Zhurit.
Grurë 274.184 kg;
Tagji 49.664 kg;
Thekër 137.032 kg;
Bathë 5.840 kg;
Elb 223.013 kg.
(…)

(Edmond Hoxhaj – Zhur, 26. 09. 2009 – nga arkivi i pashtriku.org)
__________________________________________________

ZHURI 1968 pjesa 1- 4

…………………………………………….

……………………………………..

……………………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura